Ndikimi i zekatit në arritjen e mirëqenies ekonomike dhe sociale

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Zekati është shtylla e tretë themelore nga pesë shtyllat e Islamit dhe është një detyrim i përcaktuar qartë, siç dëshmohet nga shumë argumente në Kuran dhe Sunet. Allahu i Lartësuar thotë:“Me të vërtetë, ata që besuan, bënë vepra të mira, falën namazin dhe dhanë zekatin, ata kanë shpërblimin e tyre te Zoti i tyre dhe nuk do të kenë frikë e as nuk do të pikëllohen.”[1] Kurse Profeti (a.s) ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla, dëshmia se nuk zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e haxhit njëherë në jetë për atë që ka mundësi”[2]

Zekati luan një rol të madh në  përmbushje e solidaritetit ekonomik dhe në zvogëlimin e hendekut ekonomik midis të pasurve dhe të varfërve. Ai është i detyrueshëm për disa lloje pasurish, duke përfshirë paratë, të korrat, bagëtitë, arin dhe argjendin, si dhe mallrat tregtare. Kur pasuria  e muslimanit arrin një sasi të përcaktuar (nisabi) nga sheriati dhe pasi të ketë kaluar një vit i plotë hënor (haul), ai e ka obligim për të nxjerrë zekatin. Zekati është një nga mekanizmat e shpërndarjes së pasurisë në Islam dhe është një obligim fetar për çdo mysliman që zotëron sasinë e përcaktuar (nisabin) nga sheriati.

Zekati nuk është thjesht një shumë parash që paguhet, por një detyrim hyjnor që synon të përmbushë drejtësinë sociale dhe të forcojë solidaritetin midis anëtarëve të shoqërisë.

Duke dhënë zekatin, myslimanët ndiejnë se po kontribuojnë në përmirësimin e jetës së të varfërve, nevojtarëve dhe atyre që kanë nevojë, duke kuptuar kështu vlerën e pasurisë si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.

Zekati ndihmon në mbështetjen e projekteve bamirëse dhe kontribuon në stabilitetin e shoqërisë duke ofruar ndihmë për ata që janë në nevojë.

Ndikimet pozitive dhe dobitë e zekatit

Zekati ka shumë efekte pozitive dhe dobi në shumë rrafshë si atë social, ekonomik, moral, psikologjik, etj. Prej këtyre dobive mund të përmendim sa më poshtë:

Ai që e jep zekatin duke kryer një prej shtyllave themelore të fesë islame do të shpërblehet nga Allahu i Lartësuar dhe do të jetë i lumtur në këtë botë dhe në botën tjetër.

Zekati është shkak që robi të afrohet me Allahun e Lartësuar, sepse ai është një adhurim që bashkon midis trupit dhe shpirtit njëkohësisht.

Zekati është shkak për fshirjen e mëkateve.  Profeti (a.s) ka thënë: “Sadakaja e fshin mëkatin ashtu siç uji shuan zjarrin.”[3]

Zekati kultivon bujarinë, zemërgjerësinë dhe tolerancën te besimtari mysliman, duke e pajisur atë me cilësitë e mëshirës dhe dhembshurisë ndaj të varfërve, nevojtarëve dhe të rraskapiturve në shoqërinë islame.

Zekati dhuron qetësi shpirtërore, rehati dhe dinjitet për ata që e japin zekatin, duke i pastruar shpirtrat e tyre nga sëmundet e zemrës si urrejtja, smira, koprracia, egoizmi, lakmia dhe indiferenca ndaj vuajtjeve të të tjerëve. Allahu i Lartësuar thotë: “Merr nga pasuritë e tyre një lëmoshë që i pastron dhe i shenjtëron ata me të, dhe lutu për ta. Me të vërtetë, lutja jote është prehje për ta. Allahu është Dëgjues dhe i Dijshëm.”[4]

Gjithashtu, ajo pastron pasurinë e atyre që e japin nga e drejta e të tjerëve dhe nga grumbullimi i tepruar.

Zekati i ndihmon të varfërit, nevojtarët dhe të rraskapiturit në shoqërinë islame duke plotësuar nevojat e tyre dhe duke përmbushur kërkesat e tyre jetike.

Zekati kultivon frymën e bashkëpunimit, solidaritetit dhe ndihmës midis individëve të shoqërisë islame, duke mënjanuar kështu urrejtjen dhe armiqësinë që të varfrit dhe nevojtarët mund të ndiejnë ndaj të pasurve.

Zekati parandalon shfaqjen e konflikteve dhe përçarjeve klasore, shoqërore dhe ekonomike brenda shoqërisë islame dhe i eliminon ato nëse lindin, pasi pastron shpirtrat e të varfërve dhe nevojtarëve nga zilia, smira dhe urrejtja ndaj atyre që kanë të ardhura dhe pasuri.

Zekati promovon frymën e dashurisë dhe mëshirës midis individëve, familjeve, të afërmve dhe banorëve të qyteteve dhe fshatrave.

Zekati sjell bereqetin dhe është shkak për shtimin e pasuritë e atyre që e japin zekatin. Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Sadakaja nuk e pakëson pasurinë, Allahu e nderon atë person që fal të tjerët dhe Ai e ngre lart në pozitë atë që tregohet modest.”[5]

Zekati nuk lejon që pasuria të qarkullojë vetëm në mesin e të pasurve, duke mos i privuar të varfrit prej pasurisë, sepse ai krijon një mjedis të përshtatshëm dhe të zhvilluar për realizimin e proceseve të zhvillimit në vendet islame.

Zekati është një mundësi e artë që i mundëson të varfërve dhe nevojtarëve që të shndërrohet nga një shtresë që nuk zotëron asgjë në një shtresë me biznese të vogla industriale dhe prodhimi. Një gjë e tillë arrihet duke u dhënë atyre fabrika dhe projekte të vogla ekzistuese nga fondet e zekatit, ashtu siç është cituar në fetvatë  e shumë prej akademive juridike islame. Kështu pra, në këtë mënyrë të varfërit ata shndërrohen nga një kategori e varfër në njerëz që kanë mjete prodhimi dhe mund të sigurojnë jetesën e tyre. Në të ardhmen, ata mund të jenë vetë ata që e kanë për detyrë me dhënë zekat.

Zekati është sistemi i parë që ka njohur njerëzimi, ku një pjesë e pasurisë së të pasurve shpërndahet tek shtresat e varfra dhe në nevojë. Nëpërmjet tij  është e mundur krijimi i një sistemi të kujdesit social dhe përkujdesjes për nevojtarët, personat me aftësi të kufizuara, të miturit, jetimët, të moshuarit, foshnjat, beqarët, gratë e veja dhe të tjerë që kanë nevojë.

Në nivel ekonomik, zekati përmbush disa efekte madhore që janë:

Efektet shpërndarëse[6], të përfaqësuara nga sigurimi i një sasie të mjaftueshme jetese falas për çdo individ, dhe reduktimi i pabarazive në shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurisë midis njerëzve,

Efektet alokative[7], të përfaqësuara nga shpërndarja optimale e burimeve ekonomike midis përdorimeve të ndryshme,

Efektet stabilizuese[8], të përfaqësuara nga reduktimi i efekteve dhe problemeve të papunësisë dhe inflacionit ekonomik.

Zekati drejton kapitalin dhe rezervat monetare drejt fushave të ndryshme të investimeve, në mënyrë që ato të mos mbeten të papërdorura dhe të mos largohen nga proceset zhvillimit ekonomik të vendit. Kështu, nëpërmjet tij sigurohet vazhdimësia e cikleve të investimit dhe zhvillimit me të gjitha fondet e disponueshme të individëve në shoqëri duke i shpëtuar ato nga të qenurit thjeshtë konsumatorë.

Zekati është shkak për ruajtjen e pasurisë së atyre që nuk kanë aftësi për ta menaxhuar atë, si fëmijët, personat mëndjelehtë, jetimët dhe të tjerët. Islami ka bërë përgjegjës për ruajtjen e pasurisë kujdestarët e këtyre kategorive të njerëzve me qëllim që pasuria e tyre mos të shpenzohet kot.

Zekati lufton problemin ekonomik në tre dimensione: varfërinë, sëmundjen dhe injorancën. Zekati shpie në zgjerimin ekonomik, i cili lind nga shpërndarja e të ardhurave monetare dhe pasurisë së shoqërisë islame në të gjitha shtresat e saj, siguron një nivel të mjaftueshëm jetese për të gjithë. Kjo nënkupton rritjen e mundësive financiare të individit mysliman për të përmbushur të gjitha nevojat e tij ekonomike, investimin në kapitalin njerëzor dhe eliminimin e këtyre problemeve në jetën e tij shoqërore.

Zekati fuqizon dhe mbështet strukturën demografike të shoqërisë islame, duke nxitur të rinjtë të martohen herët dhe mos ta zgjasin shumë kohën për martesë. Zekati ndihmon ekonomikisht të rinjtë për t’u martuar dhe për të mbuluar shpenzimet e tyre në këtë drejtim, duke pakësuar fenomenet e divorcit dhe duke inkurajuar shtimin e fëmijëve. Gjithashtu, ndihmon në shmangien e dukurive të beqarisë dhe kufizimit të lindjeve të nxitura nga frika e varfërisë dhe mungesa e mjeteve ekonomike.

Inkurajimi i ekonomisë kombëtare drejt zhvillimit dhe përparimit ekonomik përmes krijimit të efektit të shumëfishimit të zekatit. Zekati çon në rritjen e kërkesës së përgjithshme si konsumatore ashtu edhe investuese, duke krijuar kështu një efekt shumëfishimi që nxit rritje të vazhdueshme dhe të shumanshme të këtyre kërkesave. Si rezultat, ndodhin zgjerime dhe zhvillime të shumta në sektorë të ndryshëm të ekonomisë kombëtare.

Pronarët e kapitaleve investojnë pasuritë e tyre në dy mënyra: ose përmes investimeve të drejtpërdrejta, ose përmes investimeve me sistemin e mudarabës (bashkëpunimin me të tjerët). Kjo krijon mundësi të shumta dhe të larmishme punësimi, duke ndihmuar në uljen e papunësisë. Arsyeja për këtë vjen nga përpjekja e tyre për të shmangur investimet e ndaluara, si dhe nga mos përdorimi i këtyre fondeve në bankat tradicionale me norma interesi, duke çuar kështu në rritje të konsiderueshme të niveleve të investimeve të lejuara sipas sheriatit në ekonominë e shtetit.

Nëpërmjet zekatit arrihet shpërndarja e burimeve të shoqërisë në përputhje me nevojat reale të individëve në komunitetin islam. Arsyeja për këtë është se të ardhurat e tepërta të të pasurve, përmes zekatit, drejtohen fillimisht drejt nevojave thelbësore të ekonomisë kombëtare. Pasi këto të jenë plotësuar, burimet kalojnë në një nivel më të lartë, për të përmbushur nevojat e përgjithshme të shoqërisë. Nëse edhe këto nevoja janë përmbushur, atëherë fondet drejtohen drejt nevojave komplementare si një nivel i tretë. Ky proces siguron plotësimin e të gjitha nevojave njerëzore të paplotësuara për mallra dhe shërbime, duke mundësuar një shpërndarje optimale të burimeve financiare në shoqëritë islame.

Në këtë mënyrë, arrihet efikasiteti ekonomik në menaxhimin, konsumimin, prodhimin dhe investimin e burimeve financiare të umetit në mënyrën më të mirë të mundshme. E gjitha kjo është një zbatim i parimit themelor të jurisprudencës islame që është se “Qëllimi i përgjithshëm i legjislacionit islam është të sigurojë mirëqenien e njerëzve duke garantuar nevojat e tyre thelbësore, duke plotësuar nevojat shoqërore dhe duke përmirësuar cilësinë e jetës.” Çdo normë e sheriatit ka për qëllim të plotësojë njërën nga këto tri kategori të domosdoshme për shoqërinë. Nuk duhet të merren parasysh nevojat komplementare nëse ato cenojnë një nevojë shoqërore, dhe nuk duhet të merren parasysh as nevojat shoqërore dhe as ato komplementare nëse kjo do të dëmtonte një domosdoshmëri.

Zekati rrit mirëqenien materiale të anëtarëve të shoqërisë islame. Kjo ndodh sepse përfitimi margjinal i një njësie monetare te të varfrit është më i madh se përfitimi marginal i së njëjtës njësi monetare te të pasurit. Arsyeja qëndron në faktin se prirja për konsum është më e lartë te të varfrit sesa te të pasurit, pasi të varfrit nuk e kanë arritur ngopjen e plotë me mallra dhe shërbime për shkak të pamundësisë së tyre financiare për t’i blerë ato. Ndërkohë, të pasurit, për shkak të fuqisë së tyre financiare, mund të sigurojnë çdo mall apo shërbim që dëshirojnë.

Kjo çon në rritjen e përfitimit total për shoqërinë, pasi një njësi monetare në duart e një të varfri nevojtar ka një përfitim më të madh se e njëjta njësi monetare në duart e një të pasuri. Kjo përputhet me ligjin e zvogëlimit të përfitimit margjinal. Nëse krahasojmë përfitimin e njësive monetare ndërmjet të pasurve, të cilët paguajnë zekatin, dhe të varfërve, të cilët e marrin atë, shohim se përfitimi i këtyre njësive monetare është shumë më i lartë te të varfrit sesa te të pasurit. Kjo, për rrjedhojë, rrit nivelin e mirëqenies ekonomike dhe sociale në shoqërinë islame.

Zekati, përgjatë historisë njerëzore, si në botën islame ashtu edhe jashtë saj, ka luajtur një rol të rëndësishëm në çlirimin e skllevërve. Kjo dëshmon ndikimin e tij pozitiv dhe efektiv në zhdukjen e sistemit të skllavërisë në historinë njerëzore. Përmes fondeve të caktuara për këtë qëllim, zekati ka ndihmuar në mbrojtjen e shtresave në nevojë, si të varfrit, nevojtarët, borxhlinjtë dhe udhëtarët e pamundur, nga rënia në skllavëri për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Kështu, zekati ka luajtur një rol kyç në eliminimin e skllavërisë dhe parandalimin e rikthimit të saj, duke e ndryshuar historinë e njerëzimit.

Ndikimi i zekatit në arritjen e rimëkëmbjes dhe mirëqenies ekonomike

Thelbi i mirëqenies së përgjithshme ekonomike

Mirëqenia ekonomike është aftësia për të shijuar nevojat themelore të jetës dhe ndahet në mirëqenie individuale dhe mirëqenie shoqërore. Një nivel i lartë i mirëqenies ekonomike arrihet kur individët, komunitetet dhe shtetet ndodhen në një shkallë të lartë të zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor. Rritja e nivelit të mirëqenies konsiderohet një nga treguesit kryesorë të përparimit shoqëror dhe ekonomik të një shteti. Përmirësimi i nivelit të mirëqenies ndikon pozitivisht në ekonomi duke rritur produktivitetin, përmirësuar efikasitetin dhe inovacionin, nxitur rritjen ekonomike dhe përmirësuar ndjeshëm standardet e jetesës për anëtarët e shoqërisë.

Raporti midis mirëqenies dhe ekonomisë është i ndërsjellë dhe proporcional. Mirëqenia nënkupton një jetë të qëndrueshme, të rehatshme dhe të përmbushur me nevojat dhe shërbimet bazë, ndërsa ekonomia ndihmon në sigurimin e këtyre nevojave përmes krijimit të vendeve të punës, burimeve financiare dhe financimit të infrastrukturës për ofrimin e shërbimeve. Për më tepër, një ekonomi e lulëzuar mund të çojë në rritjen e fuqisë blerëse, duke përmirësuar kështu nivelin e mirëqenies së shoqërisë.

Nga ana tjetër, mirëqenia mund të kontribuojë në përmirësimin e ekonomisë. Kur niveli i mirëqenies së përgjithshme rritet, aktivizohet kërkesa e përgjithshme efektive për produkte dhe shërbime në një shtet. Si rezultat, rritet prodhimi, zhvillohet tregtia dhe përshpejtohet rritja ekonomike.

Thelbi i rimëkëmbjes ekonomike

Rimëkëmbja ekonomike njihet si një fazë që pason recesionin brenda ciklit ekonomik dhe zakonisht karakterizohet nga një periudhë përmirësimi të qëndrueshëm në aktivitetin ekonomik. Gjatë rimëkëmbjes ekonomike, rritet prodhimi i brendshëm bruto, rriten nivelet e të ardhurave dhe ulen normat e papunësisë. Gjithashtu, fuqia punëtore, asetet kapitale dhe burimet e tjera prodhuese, të cilat u kufizuan gjatë recesionit për shkak të dështimit të bizneseve, riintegrohen në aktivitete të reja. Papunësia zvogëlohet pasi individët gjejnë vende të reja pune, ndërsa bizneset e falimentuara blihen ose riorganizohen nga kompani të tjera.

Gjatë rimëkëmbjes ekonomike, ekonomia shërohet nga dëmet e pësuara dhe hap rrugën për një zgjerim të ri. Me fjalë të tjera, ajo rregullon veten dhe rikuperon disa nga humbjet e pësuara gjatë recesionit, duke kaluar më pas në një fazë të zgjerimit të vërtetë pas përshpejtimit të rritjes dhe orientimit të prodhimit të brendshëm bruto drejt një kulmi të ri. Qëllimi i rimëkëmbjes ekonomike është rikthimi i mirëqenies ekonomike dhe përmirësimi i standardit të jetesës së qytetarëve.

Ndikimet e rimëkëmbjes ekonomike në ekonomi

Rimëkëmbja ekonomike mund të çojë në përmirësimin e shumë treguesve ekonomikë, duke përfshirë:

1 – Rritja e zhvillimit ekonomik: Rritja e ekonomisë përshpejtohet dhe krijohen mundësi të reja ekonomike, gjë që ndihmon në përmirësimin e të ardhurave mesatare të qytetarëve.

2 – Ulja e shkallës së papunësisë: Rritja ekonomike çon në krijimin e më shumë vendeve të punës, duke përmirësuar punësimin dhe reduktuar shkallën e papunësisë.

3 – Rritja e investimeve: Rimëkëmbja ekonomike inkurajon investitorët të rrisin investimet në kompani, biznese dhe projekte të reja.

4 – Përmirësimi i bilancit tregtar: Eksportet rriten dhe importet zvogëlohen, duke ndihmuar në përmirësimin e bilancit tregtar të shtetit.

5Rritja e shpenzimeve: Shpenzimet për mallra dhe nevoja të ndryshme rriten, duke përmirësuar performancën ekonomike dhe jetën sociale.

6 Përmirësimi i treguesve të tregut: Treguesit ekonomikë përmirësohen, tregu i aksioneve dhe çmimet stabilizohen, dhe aktiviteti ekonomik dyfishohet.

7 – Rritja e produktivitetit: Rimëkëmbja ekonomike çon në rritjen e produktivitetit kombëtar, duke forcuar aftësitë prodhuese dhe industriale të kompanive dhe institucioneve.

8 – Krijimi i vendeve të punës: Aktivitetet ekonomike gjatë periudhave të rimëkëmbjes ekonomike rrisin mundësitë e punësimit si në sektorin privat ashtu edhe në atë shtetëror.

9 – Rritja e të ardhurave financiare: Rimëkëmbja ekonomike çon në rritjen e të ardhurave financiare dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike të grupeve të ndryshme shoqërore.

Zekati dhe arritja e rimëkëmbjes dhe mirëqenies ekonomike

Zekati ka një ndikim të madh në arritjen e rimëkëmbjes dhe mirëqenies ekonomike, gjë që vërehet përmes pikave të mëposhtme:

Së pari: Rivënia në funksion e kapitalit prodhues dhe lufta kundër grumbullimit të pasurisë

Islami erdhi për të çliruar njerëzimin nga skllavëria dhe për t’i larguar ata nga adhurimi i çdo gjëje tjetër përveç Allahut të Lartësuar – qoftë ai dinar, dirhem, gurë, mallra, kafshë, njerëz apo dëshira të nefsit – dhe për t’i drejtuar ata drejt adhurimit të vetëm Allahut, pa asnjë të barabartë.

Në këtë kuadër, Islami vendosi rregulla të ndryshme ekonomike për shfrytëzimin e burimeve të tokës dhe qiejve që janë vënë në shërbim të njerëzve, me qëllim zhvillimin dhe përmirësimin e jetës në tokë. Një pjesë e këtyre rregullave i është dedikuar kapitalit dhe mënyrës së përdorimit të tij sipas parimeve fetare, duke u mësuar njerëzve sesi ta vënë atë në lëvizje, ta investojnë dhe ta shpenzojnë në mënyrë që të sjellë dobi për shoqërinë.

Islami gjithashtu e ka dënuar ashpër praktikën e grumbullimit të pasurisë pa e vënë atë në qarkullim dhe ka ndërmarrë masa për ta luftuar këtë fenomen.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që grumbullojnë arin dhe argjendin dhe nuk i shpenzojnë në rrugën e Allahut, lajmëroi për një dënim të dhembshëm. Ditën kur ato (pasuri) do të nxehen në zjarrin e Xhehenemit dhe me to do t’u damkosen ballët, anët dhe shpinat e tyre: ‘Kjo është ajo që grumbulluat për veten tuaj, pra, shijoni atë që grumbullonit!”[9]

Shprehja “Ata që grumbullojnë arin dhe argjendin”, domethënë ata që i mbajnë për vete dhe “nuk i shpenzojnë në rrugën e Allahut”, që nënkupton rrugët e bamirësisë që të çojnë drejt Allahut të Lartësuar.

Ky është grumbullimi i ndaluar i pasurisë, që ndodh kur ajo mbahet pa u shpenzuar për detyrimet e përcaktuara, siç është zekati, shpenzimet e detyrueshme për bashkëshorten, të afërmit ose për çështje që janë të domosdoshme në rrugën e Allahut. Nëse këto detyrime financiare kryhen, pasuria nuk konsiderohet më e grumbulluar në mënyrë të ndaluar.

Pra, Islami nuk është ndalur vetëm te ndalimi dhe kërcënimi i ashpër ndaj grumbullimit të pasurisë, por ka ndërmarrë një hap praktik dhe shumë të rëndësishëm për të vënë në lëvizje paratë e grumbulluara dhe për t’i nxjerrë ato nga kjo gjendje, në mënyrë që të luajnë rolin e tyre në rimëkëmbjen ekonomike.

Ky hap është mishëruar në formën më të madhe përmes detyrimit të zekatit, i cili ka një ndikim të rëndësishëm në aktivizimin dhe investimin e kapitalit. Investimi jo vetëm që ruan kapitalin, por ndihmon edhe në rritjen dhe zhvillimin e tij. Më pas, muslimani e jep zekatin si nga kapitali fillestar, ashtu edhe nga fitimi që realizon, duke shtuar kështu begatinë e tij si në pasuri ashtu edhe në shpërblime.

Kjo e vërtetë bëhet e qartë nga thirrja e Profetit (a.s)  për të investuar pasurinë dhe për të mos e lënë atë të qëndrojë e pashfrytëzuar, në mënyrë që të mos e konsumojë zekati. Ai (a.s) ka thënë: “Ai që ngarkohet për tu kujdesur për pasurinë e një jetimi, le ta investojë atë dhe të mos e lërë derisa ta konsumojë sadakaja.”[10] Në një hadith tjetër Profeti (a.s) ka thënë: “Investoni në pasurinë e jetimit me qëllim që mos ta konsumojë sadakaja!”[11] Përderisa Profeti (a.s) i ka urdhëruar kujdestarët të investojnë pasurinë e jetimëve, atëherë është edhe më e domosdoshme që të gjithë muslimanët të investojnë pasurinë e tyre, në mënyrë që ajo të rritet dhe të shtohet, duke çuar në rritjen dhe shumëfishimin e zekatit të tyre. Kjo arrihet duke dhënë zekatin si nga kapitali fillestar, ashtu edhe nga fitimet e realizuara.

Investimi i kapitalit është i domosdoshëm për rimëkëmbjen ekonomike në të gjitha fushat, veçanërisht në asetet prodhuese dhe shërbimet e ekonomisë kombëtare. Ndërsa mbajtja e kapitalit të papërdorur, pasivizimi i tij dhe largimi nga zekati, sadakatë e detyrueshme dhe investimi, e pengon atë të kryejë funksionin e tij në zgjerimin e lëmive të prodhimit, krijimin e vendeve të punës dhe punësimin e të papunëve.

Së dyti: Rikthimi i funksionimit të faktorit prodhues dhe lufta kundër papunësisë

Islami e bën punën një detyrim për personin e aftë dhe e inkurajon atë në këtë drejtim, sepse puna është themeli i të gjitha adhurimeve dhe aktiviteteve prodhuese materiale, si dhe i sigurimit të jetesës, të ardhurave dhe pasurisë. Islami u kërkon individëve të umetit të ecin nëpër tokë për të kërkuar burimet e jetesës, duke u shpërndarë në të si bujq, zejtarë, tregtarë dhe punëtorë në fusha të ndryshme, duke ushtruar profesione të ndryshme si dhe duke shfrytëzuar të gjitha potencialet që ekzistojnë në shoqëri. Ata duhet të përfitojnë nga gjithçka që Allahu i Lartësuar u ka vënë në shërbim në qiej dhe në tokë.

Nëse disa prej tyre nuk mund të fitojnë dhe bien në varfëri, ata kanë të drejtë të përfitojnë nga zekati.

Zekati nuk është thjesht një ndihmë për të shuar urinë e një të varfri apo për ta ndihmuar atë me një shumë të vogël parash, por është një garanci jetese falas për të, e cila siguron një nivel minimal jetese të mjaftueshëm. Kjo është një e drejtë për çdo individ në shoqërinë islame. Imam Er-Ramli thotë: “I jepet të varfrit dhe nevojtarit, nëse ata nuk dinë të fitojnë jetesën me ndonjë zanat apo tregti, një sasi që u mjafton për një vit – dhe sipas mendimit më të saktë, për gjithë jetën e tyre të zakonshme – sepse qëllimi është t’i bëjë ata të pavarur. Ndërsa ai që di një zanat që e siguron jetesën e tij, i jepet çmimi i veglave të zanatit, sado i lartë të jetë, ose ai që di tregti, i jepet kapitali i nevojshëm për të.”

Kjo do të thotë se funksioni i saktë i zekatit është:

1 – T’i mundësojë të varfrit dhe nevojtarit të sigurojë vetë jetesën, duke pasur një burim të qëndrueshëm të ardhurash që e bën të pavarur nga ndihma e të tjerëve.

2 – Të varfrit dhe nevojtarit, nëse nuk kanë aftësi për të fituar jetesën përmes një zanati apo tregtie, u jepet mbështetje e mjaftueshme për një vit, dhe sipas mendimit më të saktë, për gjatë gjithë jetës së tyre, pasi synimi është t’i bëjë të ata të pavarur. Ndërsa atij që ka aftësi për një zanat të përshtatshëm, i jepet çmimi i mjeteve të nevojshme për zanatin e tij, sado i madh të jetë, ose atij që ka aftësi për tregti, i jepet një kapital fillestar i mjaftueshëm.

Kjo do të thotë se zekati ndihmon çdo person që ka aftësi për të prodhuar, duke krijuar kështu kapacitete të reja prodhuese dhe duke aktivizuar burimet e papërdorura, ç’ka çon gradualisht në zhdukjen e papunësisë. Në këtë mënyrë, të gjithë individët e shoqërisë islame bëhen prodhues, duke rritur produktin e brendshëm bruto, më pas produktin kombëtar bruto, më pas të ardhurat kombëtare dhe, përfundimisht, të ardhurat mesatare për frymë, duke sjellë një mirëqenie më të lartë për gjithë shoqërinë islame.

Së treti: Ndikimi i zekatit në rishpërndarjen e të ardhurave dhe pasurive dhe në arritjen e drejtësisë ekonomike dhe sociale

Zekati është një mjet efektiv për shpërndarjen dhe rishpërndarjen e pasurisë mes individëve të shoqërisë islame, duke kontribuar në arritjen e drejtësisë ekonomike dhe sociale. Zekati merret nga të pasurit dhe u jepet të varfërve, duke ndihmuar në krijimin e një ekuilibri ekonomik dhe në afrimin e niveleve të të ardhurave brenda shoqërisë. Si rezultat, çdo individ bëhet i aftë të sigurojë jetesën për veten dhe për ata që ka në ngarkim, duke jetuar në kushte dinjitoze.

Autor: Abdullah Muhamed Kadir

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Bekare: 277.

[2] – Buhariu dhe Muslimi.

[3] – Ahmedi.

[4] – Sure Teube: 103.

[5] – Muslimi.

[6] – Ndikimi i politikave buxhetore të qeverisë në shpërndarjen – rishpërndarjen e të ardhurave.

[7] – Ndikimi i politikave buxhetore të qeverisë në alokimin e resurseve të shoqërisë apo zhvillimin e sektorëve të caktuar.

[8] – Ndikimi i qeverisë në infancion, papunësi dhe rritje ekonomike.

[9] – Sure Teube: 33 – 34.

[10] – Tirmidhiu (641).

[11] – Tabaraniju në Eusat (4152).

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *