Ndoshta kështu është më mirë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Tregohet se shumë kohë më parë një mbret mbante pranë vetes së tij një këshilltar, i cili e kishte zakon që sa herë që i ndodhte ndonjë gjë thoshte: “Ndoshta kështu është më mirë.”

Njëherë mbreti, si zakonisht, doli për gjueti dhe me vete mori edhe këshilltarin. Gjatë gjuetisë, mbreti u plagos në gisht dhe mjekët i thanë atij se duhej ta priste gishtin. Në këtë çast, këshilltari tha: “Ndoshta kështu është më mirë.” Si – ulëriti mbreti, mua do të më prehet gishtin dhe ti thua: “Ndoshta kështu është më mirë”?! Dhe nga inati, urdhëroi ushtarët ta merrnin dhe ta burgosnin këshilltarin, i cili tha: “Ndoshta kështu është më mirë.”

Pas njëfarë kohe, mbreti vendosi të dilte për gjueti, por pa këshilltarin sepse ai ishte në burg. Duke gjurmuar një sorkadhe, mbreti i kaloi kufinjtë e territorit të tij dhe u fut në territor të huaj krejt i vetëm, sepse ushtarët e tij nuk kishin mundur ta arrinin atë. Menjëherë sapo u fut në territorin e huaj, e kapën armiqtë të cilët ishin një fis pagan. Banorët e fisit e morrën mbretin dhe vendosën ta flijonin për nder të zotave të tyre të rremë. Para se ta flijonin e panë nëse kishte ndonjë të metë apo jo, sepse kurbani nuk pranohej me të meta. Pasi e kontrolluan, panë se ai e kishte gishtin e prerë, kështu që nuk e flijuan, dhe jo vetëm kaq, por e lanë edhe të lirë.

Duke u kthyer rrugës për në mbretërinë e tij, mbretit iu kujtua fjala e këshilltarit që në momentin kur mjekët i thanë se duhet t’ia prisnin gishtin kishte thënë: “Ndoshta kështu është më mirë” dhe mbreti tha me vete: Po është e vërtetë, më mirë që ma prenë gishtin, sepse përndryshe do të isha flijuar.

Menjëherë sa shkoi në pallatin e tij mbretëror, urdhëroi ushtarët e tij që ta lironin këshilltarin dhe ta sillnin pranë tij. Kur këshilltari erdhi, mbreti i tregoi se çfarë kishte ndodhur dhe i tha: E kuptova rëndësinë e fjalëve të tua, vetëm pas kësaj ndodhie, por ajo që nuk kuptova është se ti pasi u fute në burg the shprehinë tënde “Ndoshta kështu është më mirë.” Dhe çfarë të mire pate ti në burg?!

Këshilltari me buzën në gaz tha: O mbret! Nëse unë do të isha me ju, atëherë fisi pagan do të më flijonte mua në vendin tënd, sepse unë nuk kam asnjë të metë. Po shyqyr Zotit që isha në burg sepse kështu shpëtova nga ajo që do të më priste.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *