Parimin e parë të cilin e caktoi Islami është se në esencë të gjithë gjërat dhe begatitë që i krijoi janë të lejuara, ndërsa ndalimi caktohet vetëm në bazë të tekstit ndalues të qartë e konkret nga Ligjëdhënësi. Nëse teksti nuk është autentik, siç është rasti me disa hadithe të dobëta, apo nuk është i qartë në argumentin e tij, atëherë gjërat konsiderohen të lejuara. Dijetarët muslimanë, e kanë argumentuar këtë parim me ajetet e qarta nga Kurani, si p.sh: “Ai (Allahu) është prej jush krijoi gjithçka në tokë.”[1] “Dhe për ju nënshtroi gjithçka ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë.”[2] “A nuk e dini ju se Allahu nënshtroi për të mirën tuaj ç’ka ka në qiej e ç’ka ka në tokë dhe plotësoi ndaj jush të mirat e Tij të dukshme e të fshehta.”[3]
Allahu i Madhëruar nuk do t’i krijonte këto gjëra, e as nuk do t’ia nënshtronte njeriut, si dhe nuk do t’i jepte dobi prej tyre e pastaj t’ia ndalonte kur çdo gjë bëri për të, por a ndaloi vetëm disa pjesë të vogla për disa shkaqe të posaçme, që do t’i cekim më vonë.
Kështu, sfera e gjërave të ndaluara në ligjin islam u ngushtua shumë, ndërsa sfera e të lejuarave u zgjerua shumë, ngase tekstet autentike e të qarta që kanë të bëjnë me ndalimin janë shumë të pakta. Përderisa nuk ka tekst të lejimit apo ndalimit, në esencë mbizotëron lejimi dhe falja hyjnore. Në këtë kontekst, në hadithin vijues thuhet: “Atë që e lejoi Zoti në Librin e Tij është hallall dhe atë që e ndaloi është haram. Ndërsa për atë që heshti është falje, pra, pranoni mëshirën prej Zotit, ngase Allahu nuk harron asgjë.[4] Dhe më pas ka lexuar ajetin: Zoti nuk harron gjë..
Selman Farisiu transmeton se Profeti (a.s) është pyetur për gjalpin, djathin e gëzofin dhe ka thënë: “Hallall është ajo që e ka lejuar Zoti në Librin e Tij, e haram është ajo që e ka ndaluar Zoti në Librin e Tij, ndërsa ua ka falur atë për të cilën ka heshtur.”[5]
Profeti (a.s) nuk ka preferuar t’i përgjigjet pyetjeve sekondare të parëndësishme. Përkundrejt kësaj ai ka vendosur rregullin me anë të cilit njohim atë që është e lejuar dhe atë që është e ndaluar. Pra, mjafton të dimë atë që Zoti e ka ndaluar, kurse çdo gjë tjetër konsiderohet hallall dhe e mirë.
Profeti (a.s) ka thënë: “Vërtet, Zoti ka obliguar farze, prandaj mos i humbisni ato! Zoti ka caktuar kufinj, prandaj mos i tejkaloni ato! Zoti ka ndaluar gjëra, prandaj mos i veproni ato! E Ai ka heshtur ndaj disa gjërave, mëshirë për ju e jo harresë, prandaj mos i gjurmoni ato!”[6]
Në këtë kontekst, vlen të përmend se lejimi në esencë nuk përkufizohet në gjëra e objekte, por përfshin edhe vepra dhe sjellje që nuk u përkasin çështjeve të adhurimit, e që i quajmë: “zakone” ose “punë të përditshme”. Në esencë, këto gjëra janë të lejuara, ndërsa ndalimi vlen vetëm për atë që e ka ndaluar Ligjvënësi i Madhëruar. Në këtë kontekst, Allahu i Madhëruar thotë: “Ai ju sqaroi juve se ç’ka është e ndaluar për ju.”[7]
Kjo ndryshon nga adhurimi, i cili konsiderohet çështje e mbrojtur e fesë dhe i cili merret vetëm përmes shpalljes. Në këtë kontekst, në një hadith autentik thuhet: “Ai që sjell diçka të re në çëshjten tonë, diçka që nuk i përket asaj, refuzohet.”[8]
Kjo bëhet për arsye se e vërteta e fesë pasqyrohet në dy gjëra: të adhurohet vetëm Allahu dhe Ai duhet të adhurohet përmes asaj që e ka caktuar sheriati. Ai person që vjen me një adhurim nga vetja e tij, ajo është humbje dhe refuzohet, sepse Ligjvënësi ka të drejtë të caktojë adhurimet që të afrojnë tek Ai.
Ndërsa në lidhje me “zakonet” dhe “punët e përditshme” Ligjvënësi nuk ka përcaktuar gjë, por janë njerëzit që i përcaktojnë dhe i vendosin, kurse Ligjvënësi i korrigjon. E në disa raste e konfirmon atë që nuk është e dëmshme dhe kaotike.
Shejhul Islami, Ibn Tejmije thotë: “Sjelljet e njerëzve me fjalë dhe vepra janë dy llojesh: vepra të adhurimit, me anë të cilave rregullohet feja e tyre dhe zakone, për të cilat kanë nevojë në jetën e tyre. Në bazë të parimeve të sheriatit, dimë se adhurimi, të cilin e obligon ose e dëshiron Allahu, përcaktohet përmes sheriatit.
Kurse zakonet janë vepra, me të cilat janë mësuar njerëzit dhe kanë nevojë për to në jetën e tyre dhe në esencë nuk janë të ndaluara, por ndalohen vetëm ato gjëra që i ka ndaluar Allahu i Madhëruar, sepse urdhri dhe ndalimi i përkasin vetëm Allahut. Si të ndalohet diçka që nuk është e urdhëruar, kur dihet se adhurimi është obligim i urdhëruar?!
Për këtë shkak, imam Ahmedi dhe dijetarët eminentë të hadithit theksojnë se: Në esencë adhurimet janë çëshjte të pacënueshme. Asnjë nga to nuk bëhet e ligjshme, përveç atyre që Allahu i ka bërë të ligjshme, përndryshe do të gjendemi në kontekstin e kësaj fjale të Allahut: “A mos kanë ata ortakë që u përcaktuan atyre fe, të cilën nuk e urdhëroi Allahu?!”[9]
Kurse përsa i përket zakoneve, në esencë mbretëron parimi i faljes, ndërsa haram konsiderohet vetëm ajo që është e ndaluar nga Allahu, e në të kundërtën ndodh ajo që ceket në ajetin kuranor: “Thuaj: Më thuani atë që Allahu ua dha si ushqim (të lejuar), e ju nga ai diçka bëtë të ndaluar e diçka të lejuar?!”[10]
Meqë ky rregull është i rëndësishëm dhe i dobishëm, atëherë themi se shitblerja, qiradhënia dhe zakonet e tjera që janë të nevojshme për jetën e njerëzve, si p.sh. ngrënia, pija dhe veshmbathja janë të rregulluara me norma të mira, gjegjësisht ndalohet ajo që është e keqe, lejohet ajo që është e domosdoshme, urrehet ajo që s’duhet dhe preferohet ajo që është e dobishme.
Nëse është kështu, atëherë njerëzit do të merren me tregti e qiradhënie sipas dëshirës së tyre përderisa nuk e ndalon sheriati si dhe do të hanë e do të pijnë ashtu si të duan përderisa nuk e ndalon sheriati, edhe pse diçka prej tyre preferohet apo urrehet. Përderisa nuk ka ndalesë nga sheriati ekziston parimi themelor.”[11]
Në këtë kontekst, në një transmetim të Xhabir ibn Abdullahut thuhet: “Ata (njerëzit) e praktikonin “azlin” (coitus interruptus) gjatë shpalljes së Kuranit, e sikur të ishte e ndaluar, do ta ndalonte Kurani.”
Gjërat të cilat i ka heshtur Shpallja, janë të lejuara dhe të pandaluara, respektivisht lejohen përderisa të ndalohen apo lejohen me tekst të posaçëm.
Ky është perfeksionimi i fik’hut të sahabëve (r.a) dhe në bazë të tij është caktuar parimi i madhëruar: “Adhurimi bëhet i ligjshëm vetëm me ligjin e Zotit dhe asnjë zakon nuk ndalohet, përveç me ndalimin e Zotit.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Muhamed Mustafa
[1] – Sure Bekare: 29.
[2] – Sure Xhathije: 13.
[3] – Sure Lukman: 20.
[4] – Hakimi. Hadithi është Sahih sipas Bezarit.
[5] – Hakimi dhe Ibn Maxheh.
[6] – Darakutni. Hadithi është Hasen.
[7] – Sure En’am: 119.
[8] – Buhariu dhe Muslimi.
[9] – Sure Shura
[10] – Sure Junus: 59.
[11] – Marrë nga libri “El Kauaudu En nuranije” i Shejh Ibn Tejmijes.