O ju ftues! Ftesa është praktikim në jetën e përditshme

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Gjithmonë më ka bërë përshtypje përshkrimi që Aishja (r.a) i ka bërë moralit të Profetit (a.s) në një fjali të vetme me tre fjalë: “Morali i tij ishte Kurani.” Këto fjalë të cituara nga Aishja (r.a) janë aq madhështore saqë askush tjetër nuk mund ta përshkruajë moralin e Profetit (a.s) më mirë se ajo.

Aishja (r.a) – me përshkrimin që i ka bërë Profetit (a.s) – na paraqet një model praktik. Kushdo që dëshiron të dijë me detaje moralin e Profetit (a.s), atëherë le të lexojë Kuranin Famëlartë, sepse ai është përkthimi real i moralit të tij. Kushdo që lexon Kuranin është sikur të jetojë dhe të ecë bashkë me Profetin (a.s).

Këto fjalë janë një mesazh i qartë për çdokënd që përjeton shqetësimin e ftesës dhe reformës në shoqëri, për çdokënd që e ndjen barrën e përgjegjësisë mbi supet e tij karshi Umetit. Mesazhi i fjalëve të Aishes (r.a), pikë së pari, e shtyn ftuesin që ta njohë biografinë e Profetit (a.s) nëpërmjet Librit të Allahut dhe më pas e shtyn që t’i ftojë njerëzit tek modeli që Libri i Allahut e ka përshkruar atë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut.”[1] Kjo nënkupton se ne duhet të ndjekim gjurmët e tij dhe ta marrim atë për shembull në të gjitha aspektet e jetës. Nuk kam parë asnjë moment të jetës së Profetit (a.s) ku të tregohet se ai (a.s) ka urdhëruar për diçka apo ka ndaluar diçka e mos ta ketë respektuar fjalën që ka thënë.

Në shumë raste, ne përqëndrohemi tek këshillat që themi dhe harrojmë se  ajo që ndikon tek njerëzit është modeli i gjallë edhe sikur ky model të jetë i heshtur dhe mos të nxjerrë nga goja qoftë edhe një fjalë.

Ti flasësh njerëzve për moralin do shumë kohë, mund dhe përpjekje. Mirëpo ftuesi mund ta manifestojë moralin e tij tek të tjerët me një buzëqeshje të ëmbël. Kjo gjë nuk kërkon prej tij shumë kohë, as shumë mund e përpjekje. Buzëqeshja është mesazhi më i mirë që depërton në thellësinë e zemrës së të tjerëve, megjithëse ai që buzëqesh nuk flet as edhe një fjalë rreth moralit.

Ngjashëm me këtë është butësia, mirësjellja, toleranca dhe falja. Të gjitha këto janë morale praktike para se të jenë fjalë. Morali i bujarisë është një moral praktik që nuk është e nevojshme që ne të shkruajmë rrjeshta të tërë për ta shpjeguar atë me detaje.

Secili prej nesh ka mundësi të ngulisë tek të tjerët ndjenjën e asketizmit në këtë botë në mënyrë krejt të thjeshë dhe mjaft praktike. Profeti (a.s) ka thënë: “Allahu e mëshiroftë atë njeri i cili është tolerant kur blen dhe kur shet.”[2] Kjo sjellje nuk është naivitet ashtu siç mund të mendojnë shumë njerëz, përkundrazi ajo është një sjellje fisnike dhe madhështore që lë gjurmë pozitive tek njerëzit, gjurmë që nuk do ta kishin lënë me qindra fjalë. Ky model praktik është i mrekullueshëm, sepsë lë të kuptojë – tek njerëzit – se ftuesi e ka dynjanë në dorë dhe jo në zemër.

Çdokush prej nesh mund të këshillojë njerëzit me tone të ashpra dhe qortuese. Por nëse ne, vërtet, do të ishim të vetëdijshëm për fuqinë e ndikimit që ka sjellja  e mirë, nuk do të neglizhonim aspak asnjë lloj mirësie qoftë edhe duke i dhënë bakshish kamarierit. Megjithëse ky veprim – sado i vogël që të jetë – është një ftesë e qartë, njëkohësisht është edhe zbatim i fjalës së Profetit (a.s): “Për çdo nyje të trupit, sa herë që lind dielli, njeriu duhet të japë lëmoshë.”[3]

Ne mund të rrënjosim tek njerëzit kulturën e punës nëpërmjet seriozitetit në punë, korrektësisë në orar, disiplinës, përmbushjes së detyrimeve në formën më të mirë, motivimit e gjëra të tjera të ngjashme duke vënë në zbatim fjalën e Profetit (a.s): “Vërtet, Allahu dëshiron për ju që kur ta veproni një punë ta përsosni atë.”[4] Ky veprim praktik është më i vlefshëm se mijëra fjalë.

Ftesa që i bën familjarëve brenda në shtëpi nuk ka nevojë për elokuencë dhe retorikë të bukur aq sa ka nevojë për model në praktimin e fesë në të gjitha qoshet e shtëpisë.

Njëherë e një kohë, Islami është përhapur përmes personalitetit të fortë të muslimanit, moralit, sjelljes dhe modelit të tij. Ky personalitet la gjurmë pozitive tek jomuslimanët e asaj kohe. Kurse në ditët e sotme, ftesa islame është e fokusuar vetëm tek ftuesit e jo tek mbarë shoqëria, sepse ata (shoqëria) nuk përfaqësojnë imazhin e islamit që ishte ndër brezat e parë.

Dhe në fund i drejtohem secilit që po e lexon këtë mesazh në këto momente: Feja erdhi për të qenë realitet në sipërfaqen e rruzullit tokësor, e gjallë në zemrën e njerëzve dhe e pranishme në jetën e tyre. Allahu i Madhëruar nuk deshti që ajo të ishte e izoluar vetëm në ndërgjegjen e njeriut, sepse po të ishte e tillë ajo do të izolohej nga jeta e tyre dhe nuk do të kishte ndonjë ndikim të madh tek ta. Nëse dëshirojmë që feja të depërtojë tek njerëzit, ateherë ajo duhet të jetë si shpirti që gjallëron trupin, të zbresë në aktualitetin e njerëzve  dhe të përhapë shkëlqimin e saj në mbarë rruzullin tokësor dhe jo vetëm në një cep të saj. Vetëm atëherë ajo ka për të depërtuar direkt në zemrat e njerëzve për t’u ngjitur lart në qiell për të pirë nga afër prej burimit të kulluar.

Autor: Mish’al Abdulaziz El Felahi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Ahzab: 21.

[2] – Buhariu (2076).

[3] – Buhariu (2989).

[4] – Ebu Ja’la dhe Tabaraniju. Hadithi është Sahih.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.