Objektivat kryesore të studimit të shkencave kuranore

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Dija e shkencave apo disiplinave të Kuranit bën pjesë në dijet plotësuese dhe ndihmëse, të cilat janë në shërbim të njohjes së Kuranit. Studimi i shkencave të Kuranit i shërben disa objektivave, ku më kryesoret janë:

1 – Njohja e Kuranit dhe përafrimi i dijeve bazë që kanë lidhje me Kuranin: Kurani është burimi i besimit dhe i adhurimeve, moraleve të larta dhe ligjeve të drejta, orientimeve të duhura për jetë të mirë në këtë botë dhe shpëtim në ahiret.

2 – Përvetësimi i njohurive të duhura për mësimin përmendësh të Kuranit dhe meditimit të tij: Njohja e mirë e Kuranit dhe mesazhit të tij e nxisin muslimanin ta studiojë atë, ta mësojë përmendësh dhe të përfitojë prej tij. Kur harta e shkencave kuranore bëhet e qartë për lexuesin, ai është i motivuar për ta mësuar Kuranin dhe për të medituar në ajetet e tij.

3 – Kuptimi i drejtë i Kuranit dhe ruajtja e tij nga keqkuptimet: Dijet kuranore dhe disiplinat e tij ndriçojnë rrugën që duhet të ndjekë lexuesi apo kërkuesi i Kuranit për kuptimin e drejtë të Kuranit, larg keqinterpretimeve. Kurani është burim i besimit, adhurimit, moralit dhe ligjit, rrjedhimisht nëse ka deformim të kuptimit, ky deformim do të pasqyrohet në besimin, adhurimin, moralin dhe zbatimin e asaj që keqinterpretohet nga Kurani.

5 – Vënia në pah e mundit të dijetarëve muslimanë, të cilët i kanë shërbyer Kuranit: Ne do t`iu jemi mirënjohës dhe borxhlinj dijetarëve të Umetit, të cilët i kanë shërbyer Kuranit në të gjitha dimensionet. Për secilën temë të trajtuar në këtë libër, madje edhe për detajet e çdonjërës prej tyre, ka punime të veçanta. Dijetarët e Islamit janë munduar të trajtojnë çdo gjë që ka lidhje me Kuranin, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejë apo të tërthortë. Allahu i shpërbleftë me Xhenetin Firdeus për kontributin e tyre në këtë fushë!

6 – Përcaktimi i metodës së saktë në trajtimin e disiplinave të Kuranit: Disiplinat e Kuranit vënë në pah metodën dhe kriteret e ndjekura nga dijetarët, pasi kështu shërbimi ndaj Kuranit është në nivelin e duhur, ashtu siç i ka hije madhështisë së këtij Libri.

7 – Ndëgjegjësimi maksimal rreth vlerës dhe rëndësisë së Kuranit: Muslimanët duhet të ndërgjegjësohen se Kurani është libri i Allahut, burimi i fesë, besimit, adhurimit, ligjit, moralit etj. Nga mëkatet më të mëdha është të flitet për Kuranin pa pasur formimin përkatës.

8 – Rrëzimi i dyshimeve dhe dilemave që hidhen për Kuranin: Njohja e dijeve kuranore rrëzon dyshimet dhe dilemat, që dashakeqët e Islamit hedhin për Kuranin. Temat përkatëse i rrëzojnë me fakte dhe argumente këto dyshime, pa marrë parasysh nëse këto dyshime janë hedhur nga muslimanët e painformuar apo nga jomuslimanët.

9 – Përfitimi i madh nga studimi i Kuranit dhe shkencave të tij: Studimi i shkencave të Kuranit ka vlerë të madhe, sepse këto e ndihmojnë studiuesin apo nxënësin e Kuranit që ta lexojë atë ashtu siç e ka shpallur Allahu, që ta kuptojë Kuranin ashtu siç ka dashur Allahu, që të meditojë si duhet në të, që ta ruajë dhe mbrojë Librin e Allahut nga çdo lloj interpretimi dashakeqës dhe të nxjerrë dispozitat sheriatike prej Kuranit, sipas argumentimit më të saktë.

Autor: Rushit Musallari.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *