Shkencat e hadithit bëjnë pjesë në shkencat plotësuese dhe ndihmëse. Funksioni i tyre është zbulimi dhe dallimi i transmetimeve të sakta nga transmetimet e dobëta. Studimi i shkencës së hadithit i shërben disa objektivave, ku më kryesoret janë:
1- Ruajtja dhe mbrojtja e fesë islame nga keqinterpretimi, devijimi, risitë dhe ndryshimi: Umeti islam e ka transmetuar hadithin profetik nëpërmjet vargjeve, ka bërë dallimin mes transmetimeve të sakta dhe të dobëta, duke e ruajtur kështu fenë nga ato vepra apo fjalë, që nuk i ka thënë apo nuk i ka vepruar i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të).
2- Përcaktimi i metodologjisë së duhur: Shkenca e hadithit përcakton metodologjinë që kanë ndjekur dijetarët për vërtetimin e hadithit dhe pastrimin e tij nga çdo gjë e infiltruar në të, pasi Suneti është burimi i dytë i Sheriatit dhe konsiderohet tekst sheriatik, mbi të cilin ndërtohen dispozita sheriatike. Dijetarët kanë vendosur rregulla dhe kritere për njohjen e hadithit të pranuar nga hadithi i refuzuar, në mënyrë që në fund Suneti të merret i saktë, ashtu siç e ka shqiptuar, vepruar apo miratuar i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të).
3- Njohja e rregullave dhe kritereve të shkencës së hadithit: Rregullat dhe kriteret e kësaj shkence ndikojnë fuqishëm, që dijetari apo studiuesi i hadithit t`i druhet kërcënimit të rëndë, – për shkujdesjen apo papërgjegjshmërinë gjatë transmetimit të hadithit -, të të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të), i cili thotë: “Kush gënjen qëllimisht për mua, le të përgatisë vendqëndrimin e tij në zjarrin e Xhehenemit”.[1]
4- Ndërgjegjësimi maksimal: Kur diskutohet për transmetimin profetik, para se ai të jetë thjesht një varg që përbëhet nga transmetues dhe që përfundon me një tekst, mbi të gjitha është fe, besim, dispozitë, llogari dhe përgjegjësi para Allahut të Madhëruar. Ali ibn Hasen ibn Shakik Merveziu thotë: “Dëgjova Abdullah ibn Mubarekun duke thënë: “Nëse provohesh me postin e gjykatësit, përmbaju transmetimit”. Unë ia thashë këtë fjalë Ebu Hamza Muhamed ibn Mejmun Sukeriut, i cili më tha: “A e di ti se ç`është transmetimi?! Transmetimi është, të të tregoj diçka dhe ti të punosh me të. Në ditën e Gjykimit, engjëjt do të të pyesin: “Kush të ka urdhëruar me këtë gjë”? Ti do thuash: “Më ka urdhëruar Ebu Hamza”. Do të vijnë tek unë dhe do të më thonë: “Ky person pretendon, se e ke urdhëruar me këtë e atë”. Nëse unë them: “Po ashtu është”, ata do të të lenë të lirë dhe do të më pyesin mua: “Nga e more ti këtë transmetim”? Unë do të them: “Më ka thënë E`amashi”. Më pas do të pyesin E`amashin dhe nëse ai thotë “Po”, atëherë më lënë mua të lirë dhe do ta pyesin E`amashin: “Kush ta ka thënë këtë transmetim”? Ai do të thotë: “Ma ka thënë Ibrahimi”. Engjëjt do të pyesin Ibrahimin dhe nëse ai thotë “Po”, ata do ta lënë të lirë E`amashin. Më pas do ta pyesin Ibrahimin: “Kush ta ka thënë këtë transmetim”? Ai do të thotë: “Ma ka thënë Alkame”. Engjëjt do të pyesin Alkamen dhe nëse ai thotë “Po”, atëherë Ibrahimi do të lihet i lirë. Engjëjt do të pyesin Alkames: “Kush ta ka thënë këtë transmetim”? Ai do të thotë: “Ma ka thënë Abdullah ibn Mesudi (r.a)”. Atëherë do të pyetet Abdullah ibn Mesudi (r.a) dhe nëse ai thotë “Po”, engjëjt do ta lënë të lirë Alkamen. Më pas engjëjt do të pyesin Abdullah ibn Mesudin (r.a): “Kush ta ka thënë këtë transmetim”? Ai do të thotë: “Ma ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të)”. Do të pyetet i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) dhe nëse thotë: “Po, unë e kam thënë”, atëherë Abdullah ibn Mesudi (r.a) do të lihet i lirë. Më pas do të pyetet i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të), se kush ia ka thënë këtë transmetim dhe ai (Paqja qoftë mbi të) do të thotë: “Xhibrili ma ka komunikuar nga Zoti i gjithësisë”. Ky është transmetimi. Çështja është tepër serioze dhe me të nuk bëhet shaka. Mes Xhenetit dhe Xhehenemit nuk ka vend të ndërmjetëm, prandaj secili prej jush le ta dijë, se është përgjegjës për fenë e tij dhe do të pyetet, se nga e ka marrë atë që lejohet dhe atë që ndalohet”
5- Mbrojtja dhe stërvitja e mendjes: Shkenca e hadithit i ka mbyllur portën dashakeqësve të Islamit dhe ka pastruar mendjet nga legjendat, fantazitë, mitet, rrëfenjat, trillimet dhe gënjeshtrat e tyre. Mbrojtja e hadithit është mbrojtje e dinjitetit njerëzor dhe mendjes së njeriut. Kështu edukohen mendje të shëndosha, reformohen sjelljet njerëzore dhe jeta ecën sipas një metode shkencore dhe logjike të drejtë.
6- Motivimi për të studiuar hadithin në tërësi: Shkenca e hadithit u jep çelësat e duhur studiuesve dhe studentëve të kësaj fushe, për të gjurmuar kuptimin e drejtë të teksteve të hadithit dhe për të zbërthyer domethëniet e këtyre teksteve. Rezultati i këtij gjurmimi dhe studimi shkencor është qetësia dhe siguria për të argumentuar çdo çështje të çdo diturie me tekst të saktë sheriatik. Vetëm atëherë merr kuptim fjala e dijetarëve: “Nëse hadithi është i vërtetë, ai është medh`hebi im”
7- Vlerësimi i mundit dhe djersës së derdhur nga dijetarët: Dihet se dijetarët muslimanë kanë dhënë maksimumin e mundshëm në ruajtjen, mbledhjen, transmetimin, shkrimin, shpjegimin dhe mësimin e hadithit fisnik dhe shkencave të tij.
8- Konkretizimi i dashurisë për të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të): Studimi i fjalëve, sjelljeve, veprave dhe cilësive të të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) të unifikojnë shpirtërisht me tematikën e studimit, gjë që sjell dashurinë e pakufishme ndaj të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) dhe të bën ndjekës të drejtpërdrejtë të tij. Ibn Mesudi (r.a) tregon, se një person e pyeti të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të): “O i Dërguari i Allahut! Çfarë mund të thuash për një person, i cili i do disa të tjerë, por nuk është në kohën e tyre”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “Njeriu do të jetë me atë që do”. Studiuesit dhe nxënësit e hadithit janë ndjekësit e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të), të cilët rrojnë me frymën e tij (Paqja qoftë mbi të), megjithëse nuk e kanë shoqëruar fizikisht atë.
Autor: Rushit Musallari
[1] – Buhariu dhe Muslimi.