Ai është Omer ibn Hatab ibn Nufejl Kureshi Adeuij. Ai njihet ndryshe me epitetin Ebu Hafs, ose Faruk. Ai është Kalifi i dytë i besimtarëve.
Ai ka qenë prej njerëzve më të respektuar në mesin e Kurejshëve. Ka qenë shumë i rreptë ndaj muslimanëve, derisa përqafoi fenë Islame. Njëherë Profeti (a.s) iu lut Allahut të Lartësuar me këto fjalë: “O Allah! Forcoje Islamin nëpërmjet Omer ibn Hatabit”[1]. Omeri (r.a) e ka përqafuar fenë Islame në vitin e gjashtë të profetësisë. Pranimi i fesë nga ana e tij për besimtarët e asaj kohe është konsideruar si çlirim. Ibn Mes’udi (r.a) thotë: “Akoma vazhdojmë të jemi të fortë, qysh kur Omeri (r.a) u bë musliman”.
Kur Profeti (a.s) i urdhëroi shokët e tij, që të emigronin për në Medine, një prej tyre ishte edhe Omeri (r.a), por ndryshe nga sahabët e tjerë, ai e shpalli haptas emigrimin e tij për në Medine. Omeri (r.a) ka marrë pjesë në të gjitha betejat që ka zhvilluar Profeti (a.s). Njëherë Profeti (a.s) pati thënë: “Me të vërtetë, Allahu e ka vendosur drejtësinë nëpërmjet gjuhës dhe zemrës së Omerit”[2].
Ai bashkë me Ebu Bekrin (r.a) kanë qenë dy shokët më të ngushtë të Profetit (a.s) dhe njëkohësisht edhe dy këshilltarët e tij. Ndonjëherë, Allahu i Lartësuar ka shpallur ajete kuranore, që e kanë miratuar mendimin e tij. Pasi Profeti (a.s) ndërroi jetë, kalif i muslimanëve u zgjodh Ebu Bekri (r.a), ndërkohë që Omeri (r.a) ishte këshilltari i parë i tij. Pasi ndërroi jetë edhe Ebu Bekri (r.a), Umeri (r.a) u zgjodh kalifi i dytë i besimtarëve.
Gjatë periudhës së Kalifatit të Omerit (r.a) pati një sërë zhvillimesh:
U çliruan shumë vende, si: krahina e Shamit, Egjipti, Persia..etj. Ai urdhëroi që të ndërtoheshin qytetet e Kufes dhe të Basrës.
Omeri (r.a) urdhëroi, që emrat e muslimanëve të regjistroheshin në regjistrat e shtetit.
Omeri (r.a) ishte i pari, i cili përdori kalendarin hënor. Ky kalendar fillon me emigrimin e Profetit (a.s) nga Meka për në Medine.
Gjatë periudhës që ishte kalif, Omeri (r.a) gjykoi me drejtësi dhe e konsideroi veten si kujdestari i jetimëve (jetimët mbështeteshin financiarisht me paratë që merreshin nga “Bejtul Mal”
Fjalët e gdhendura në unazën e tij ishin: “O Omer, mjafton vdekja si përkujtim”.
Umeri (r.a) ka transmetuar 537 hadithe nga Profeti (a.s).
Omeri (r.a) ka ndërruar jetë në vititn 23 Hixhri.Teksa po falte namazin e Sabahut në xhami, Ebu Lu’lu Mexhusi e qëlloi me thikë pas shpine dhe kjo plagë i mori jetën.
Ai qëndroi në krye të muslimanëve për një periudhë kohore prej dhjetë vjetësh e gjysëm.
Abdullah ibn Mes’udi (r.a) ka thënë në lidhje me Omerin (r.a): “Islami i Omerit (fakti që ai pranoi Islamin) ka qenë shpëtim,emigrimi i tij nga Meka për në Medine ka qenë triumf dhe udhëheqja e tij ka qenë mëshirë”([3]).
Allahu qoftë i kënaqur me të.
[1] – Ibn Maxheh (105). Hadith është Sahih
[2] – Tirmidhiu (3862). Hadithi është Sahih
[3] – “Esedul gabeh fi ma’rifetis Sahabeh” i Ibn Ethirit, fq: 4/137.