Parashtrime konceptuale rreth ligjërimit islam bashkëkohor

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

1 – Kuptimi:

Metodologjia e prezantimit të Islamit duhet të gëzojë, natyrshëm, të njëjtin universalitet me vetë Islamin. Nuk mund të pretendojmë se besojmë në një Islam universal, nëse metodologjia e cila i përgjigjet kërkesës së tij për t’u prezantuar dhe transmetuar është e kufizuar vetëm në disa mekanizma klasikë, edhe pse forma e prezantimit verbal të Islamit konsiderohet dhe mbetet nga më të rëndësishmet.

Për rrjedhojë, në kuadër të objektivit të këtij punimi kam parasysh me ligjërim Islam: jo vetëm ligjërimin verbal të shprehur përmes ligjëratave, hytbeve, referateve, konferencave dhe kongreseve, por të gjithë veprimtarinë islame që synon të faktorizojë Islamin në aktualitetin tonë.

2 – Rëndësia:

Nga sa më sipër, del në pah dukshëm rëndësia e kësaj teme, por këtu veçoj një pasazh të njërit prej haditheve profetike: “Shko dhe përmbysja të parit atij”

Një nga rreziqet që i kanoset veprimtarisë islame, në përgjithësi, me gjithë treguesit pozitivë dhe shpresëdhënës, është prekja nga fenomeni “akuariumi në mes të oqeanit”.

Pyetja madhore, që duhet t’i përgjigjet veprimtaria islame në Shqipëri, është; sa i aftë është produkti i kësaj veprimtarie për përmirësimin e gjendjes së shoqërisë shqiptare? Kjo pyetje mund të shtrohet ndryshe: sa e aftë është veprimtaria islame për t’i shpëtuar fenomenit “akuariumi brenda në oqean” dhe për t’u shndërruar në një shiringë që injekton produktin e saj brenda në damarë të shoqërisë, si një ilaç të aftë për të kuruar ashtu siç duhet sëmundjet e kësaj shoqërie.

Për të pasur një produkt të tillë duhet, domosdoshmërisht, të ngrihet në nivelin e sfidës dhe qëllimit vetë procesi prodhues i këtij produkti, që është mënyra e prezantimit të Islamit, pra veprimtaria islame.

3 – Misioni dhe çfarë synon:

Misioni i ligjërimit islam shqiptar është i një rëndësie jetike. Madje mendoj se pikërisht këtu duhet të përqendrohet vëmendja e të gjithë faktorëve islamë shqiptarë për një kohë të mjaftueshme. Përkufizimi dhe përcaktimi i duhur i këtij misioni do të shërbente si fanar i orientimit të të gjithave energjive të faktorëve islamë shqiptarë. Kjo do të mundësonte shkurtimin e kohës, shtimin e bereqetit në mund dhe përpjekje, njëkohësisht shpëtimin dhe ruajtjen nga divergjencat dhe përplasjet anësore e të panevojshme.

Misioni i ligjërimit islam konsiston, sipa mendimit tim, në: përqendrimin e energjive islame bashkëkohore për të faktorizuar sistemin e vlerave islame për kurimin e problemeve të shoqërisë shqiptare përmes edukimit të brezit të ri, dhe jo vetëm, me cilësitë e domosdoshme islame dhe humane që e bëjnë këtë brez të denjë dhe të aftë për të realizuar me sukses këtë lloj roli.

A – Parimet dhe vlerat që synon të promovojë, të konkretizojë dhe të jetësojë në realitetin tonë:

Këtu kam parasysh të gjithë ato parime, vlera, norma etike dhe morale, pa të cilat feja nuk ka kuptim dhe rrjedhimisht përpjekja për rregullim të shoqërisë mbetet një falsifitet i shëmtuar. Pra kemi të bëjmë me ato vlera dhe parime të cilat përbëjnë pistën e vetme ku ngrihet rregullimi i shoqërisë.

Thënë ndryshe këto janë parimet që duhen kultivuar në shoqëri, që të kemi realisht një shoqëri të rregulluar dhe të reformuar. Pikërisht këto parime dhe vlera duhet të përbëjnë në mënyrë të vazhdueshme prioritetin e prioriteve të ligjërimit islam.

Besimi i drejtë ose teuhidi: Këtu kam parasyh konceptin e qartë për Allahun, dhe të gjithë të vërtetat që burojnë prej Tij. Koncept ky që në sajë të dritës së fuqishme të argumentit burimor dhe logjik lëshon rrënjë thellë në zemër, për pasojë monitoron në mënyrë të natyrshme dhe spontane të gjithë jetën e njeriut si individ dhe në shoqëri. Vetëm nën hijen e këtij konceptimi të teuhidit apo besimit të drejtë, mund të shpjegohen efektet rrënjësore dhe të gjithëanshme të reformës globale të brezit të parë, sahabëve, një një periudhë kohore aq të shkurtër.

Promovimi i Kuranit si libri i vetëm garantues i vlerave njerëzore dhe humane: Rëndësia e kësaj çështje del në pah veçanërisht në epokën tonë të neoliberalizmit ku tendecat janë për të zhvlerësuar çdo vlerë. Kjo kërkon angazhim real për një prezantim dinjitoz të aspekteve jetikë të Kuranit që përshfaqin aftësinë e Tij për të qenë referencë e përjetshme vlerore dhe parimore për mbarë njerëzimin dhe ekzistencën.

Nevoja e përjetshme e njerëzimit për model si në rrafshin individual, po ashtu dhe shoqëror dhe mbarë njerëzor: Pra, angazhimi i duhur për ta prezantuar Profetin Muhamed (a.s) dhe rrugën apo historinë e tij, si shkollë reale në të cilën duhet të arsimohet dhe edukohet aktualiteti bashkëkohor. Një nga sferat kryesore që duhet të studiohet tek jeta profetike është mënyra se si arriti ta refermojë aktualitetin e tij me të gjitha sfidat që pati.

Ridimensionimi i koneptit të kaderit: Prezantimi i besimit në kader si burim force dhe fuqie të pashtershme në përpjekjet për reformimin e shoqërisë dhe përballjen me sfidat e kësaj rruge, është një domosdoshmëri akute veçanërisht kur flasim për këtë atmosferë pesimizmi, demoralizimi dhe demotivimi që ka kapluar shoqërinë dhe veçanërisht të rinjtë.

Ridimensionimi i besimit në shpërblimin dhe ndëshkimin universal: Elementi kryesor që duhet promovuar me të madhe është fakti se Ahireti është shumë afër, shumë më afër se sa ia merr mendja njeriut. Pas vdekjes vjen kijameti, e vdekja mund të jetë më pak se një sekondë. Në këtë çështje duhet mobilizimi shumë serioz që diskursi për besimin në botën tjetër, të jetë i argumentuar ashtu siç duhet dhe i ofruar në formën më të përshtatshme. Metodologjia kuranore argumentuese-vërtetuese e botës tjetër duhet të jetë përthithur mirë kyresisht nga hoxhallarët dhe intelektualët.

Ridimensionimi i besimit në shpërblimin dhe ndëshkimin universal. Elementi kryesor që duhet promovuar me të madhe është fakti se Ahireti është shumë afër, shumë më afër sesa ia merr mendja njeriut. Pas vdekjes vjem kijameti, e vdekja mund të jetë në më pak se një sekondë. Në këtë çështje duhet mobilizim shumë serioz që diskursi për besimin në botën tjetër, të jetë i argumentuar ashtu siç duhet dhe i ofruar në formën më të përshtatshme. Metodologjia kuranore argumentuese-vërtetuese e botës tjetër duhet të jetë përthithur mirë kryesisht nga hoxhallarët dhe intelektualët.

Vetperceptimi i drejtë: Kjo është një nga çështjet më madhore së cilës duhet t’i kushtohet vëmendje shumë e madhe si në aspektin e drejtkonceptimit dhe atë të drejtpropagandimit. Ky vetperceptim i njeriut sipas Islamit është ngritur mbi këto shtylla:

a – Krijesë e përsosur e Allahut.

b – Mëkëmbës i Allahut në tokë.

c– Adhurues i Allahut me çdo qelizë të ekzistencës së tij dhe të veprimtarisë së tij.

d– Njeriu qendër e universit.

e– Shenjtëria e jetës, gjakut, nderit, mendjes dhe pasurisë së tij.

f – Për të janë dërguar profetë dhe kanë zbritur libra.

g – Njeriu është koha dhe koha është njeriu. Pra ridimensionimi i kohës sipas pozicionimit të njeriut në sasi dhe cilësi.

h – Parimi i shpërblimit dhe ndëshkimit. D.m.th. Allahu e vlerëson shumë veprën njerëzore duke përcaktuar shpërblim dhe ndëshkim. Në shumë raste, pak punë (në dukje) shumë shpërblim apo pak vepër shumë ndëshkim

i – Qënie e lirë: Rikonceptimi i lirisë në kushtet bashkëkohore është një nevojë akute. Kështu që duhet një mund i  madh për të kapur thelbin e lirisë në këndvështrimin islam dhe prezantimi i saj me qëllimin e kurimit të konceptit bashkëkohor neoliberal të lirisë. Mirëpo kjo mund të realizohet vetëm duke njohur mirë konceptin e civilizimit bashkëkohor për lirinë. Kjo qasje do të na mundësonte të konstatojmë shumë qëndrime bashkëkohore pro qasjes islame ndaj lirisë edhe nga mesi i mendimtarëve jomyslimanë bashkëkohorë. Kështu qasja bashkëkohore islame ndaj lirisë do të merrte forcë akoma dhe më shumë.

j – Qënie e arsyeshme: Trinomi arsye-shkencë-zhvillim, që përbën pistën e zhvillimit të civilizimit bashkëkohor, tregon për pozitën e lartë në të cilën qëndron arsyeja tek ky civilizim. Pra, këtu na paraqitet arsyeja si burimi i së vërtetës dhe mekanizmi i vetëm i njohjes së saj. Islami, si gjithmonë, është i ekuilibruar në përcaktimin e pozitave të gjërave. Mirëpo mjafton të nxirret në pah ashtu siç duhet pozita e arsyes sipas Islamit dhe kuptohet vetvetiu se Islami jo vetëm që nuk e ka përçmuar arsyen, por e ka ngritur në ato nivele që qasja e civilizimit bashkëkohor nuk i afrohet.

Vetëvlerësimi i drejtë që buron nga pikat pararendëse. Një vlerësim i drejtë dhe i plotë ka efekt të drejtpërdrejtë në forcën shpirtërore dhe krenarinë e misionit islam, gjë që mundëson edhe qëndrueshmërinë përballë sfidave. Mjafton të sjellësh ndërmend përballjen e persëve me myslimanët në Kadisije dhe dialogu mes Ribij ibn Amirit dhe Rustumit për të kuptuar se çfarë ndikimi pati vetëvlerësimi i lartë që kultivoi Islami tek brezi i parë.

Risjellja e vazhdueshme ndërmend e ulje-ngritjeve të Umetit përgjatë gjithë rrugëtimit të civilizimit islam, është mëse e nevojshme gjithashtu. Mjafton si shembull Kudsi, kryqtarët dhe Salahudin Ejupi dhe brezi i tij, si dhe roli i dijetarëve dhe edukatorëve në këtë ringritje.

Umeti i ekuilibruar, dëshmitar për të gjithë njerëzimin. Promovimi i duhur i këtij parimi, si element identitar thelbësor i komunitetit të myslimanëve, lartëson veprimtarinë islame dhe efektet e saj nga niveli individual dhe grupor në nivel komunitar dhe popullor, siç realizon edhe unifikimin e energjive dhe orientimin e duhur të tyre, gjë që u përmend edhe më sipër.

Parimi i universalitetit të Islamit me të katër dimensioned e tij kryesore:

a – Universaliteti i dijes. Të gjitha dijet e dobishme janë të kërkuara në Islam.

b – Universaliteti i ibadetit. Adhurojmë Allahun me gjithçka të mirë që bëjmë.

c – Universaliteti i punës. Çdo punë e mirë është e vlerësuar dhe e shpërblyer në Islam.

d – Universaliteti i ftesës dhe misionit. Jemi të gjithë ftues kudo ku angazhohemi dhe aktivizohemi dhe jemi të gjithë misionarë kudo ku ponojmë dhe aktivizohemi.

Parimi i perfeksionit të punës, pjesë e ligjit të suksesit kur bashkohet me devotshmërinë dhe durimin. Parimi i dashurisë, frikës dhe ndrojes nga Allahu në të gjitha situatat si tipar i domosdoshëm i individit apo grupeve reformuese.

Parimi i përgjegjshmërise humane dhe shoqërore si kusht për rolin dhe misionin e mbartur. Kjo përgjegjshmëri buron nga një koncept i drejtë dhe besim i plotë në gjithçka që u tha më sipër. Pra, është e pamundur të ketë përgjegjshmëri reale në mbartjen e përgjegjësive shoqërore vetëm se nën hijen e besimit të drejtë të lartpërmendur.

Parimi i shenjtërisë së jetës

Parimi i shenjtërisë së nderit

Parimi i shenjtërisë së pasurisë

Parimi i shenjtërisë së familjes

Parimi i shenjtërisë së mendjes

Të gjitha këto të fundit duhet të marrin hapësirën e mjaftueshme në ligjërimin islam dhe duhet të gëzojnë vendin e duhur në listën e prioriteve të këtij ligjërimi, jo vetëm për faktin se përbëjnë vlera jetike të fesë, por edhe për faktin se në aktualitet janë vlerat më të përdhosura dhe të rrezikuara.

Parimi i hallallit dhe haramit

Parimi i të bukurës dhe të shëmtuarës

Parimi i të vlefshmes dhe të pavlefshmes

Atdhedashuria: Nuk është e mundishme të vërtetosh rëndësinë bashkëkohore të kësaj teme, kur sjell ndërmend ikjen e vazhdueshme të shqiptarëve, veçanërisht të të rinjve. Qasjet ekstreme globaliste e nacionaliste nuk duhet të na errësojnë pozitën reale dhe madhore që gëzon kjo vlerë në Islam. Mjafton fakti që nga objektivat kyresore të xhihadit është ruajtja e vatanit.

Silodarizimi shoqëror dhe human: Kjo vlerë është pista kryesore ku shprehet realisht devotshmëria ndaj Allahut. Madje kapërcen kufijtë njerëzorë për të përfshirë edhe kafshët, insektet dhe bimësinë. Dikush hyri në Xhenet për shkak të largimit të një pengese nga rruga, dikush tjetër hyri në Xhenet për një qen, e dikush tjetër hyri në Xhehenem për një mace.

Vëllazëria fetare dhe humane: Promovuesit kryesorë të kësaj vlere madhore duhet të jenë myslimanët për arsye se kjo vlerë nuk është fryt i zhvillimeve të historisë, por është vlerë burimore hyjnore. Vëllazërinë humane, pra edhe me jomyslimanët, myslimani nuk e trajton në bazë të reciprocitetit, por duke e parë dhe e besuar si urdhër nga Allahu.

Roli e elitave në ringritjen e popujve: Kjo kategori ka pasur rolin vendimtar në ulje-ngritjet e popujve.

Këto janë disa prej parimeve dhe vlerave kryesore të cilat përbëjnë platformën ku duhet të mbështetet përpjekja e faktorëve islam për reform shoqërore.

B – Pikat e forta dhe pozitive:

Liria për të punuar për fe.

Përvojë disa vjeçare e faktorëve islam në terren.

Popull me gatishmëri pranimi ndaj fesë.

Rini e etur për fe.

Formimi i një shtrese elitë si hoxhallarë dhe intelektualë.

Shumica e popullit shqiptar janë myslimanë.

Pozitë e admirueshme gjeopolitike.

Mbështetje perëndimore, kryesisht amerikane.

Mbështetje dhe vëmendje e veçantë nga ana e Turqisë.

C  -Sfidat dhe problemet kryesore me të cilat përballet dhe të cilat duhet të kihen parasysh gjatë ushtrimit dhe zbatimit të ligjërimit islam.

Kujtesa komuniste, karakter i theksuar materialist, dyshues, përçmues i fesë, mospërfillës.

Historia islame shqiptare e tjetërsuar dhe e deformuar nga komunizmi.

Problemet ekonomike që shkëpusin vëmendjen nga vlerat.

Gjithçka në përgjithësi, e orientuar drejt neoliberalizimit si në koncept edhe në praktikë.

Institucioni përfaqësues islam jo i përqendruar tek priortetet.

Shkolla të ndryshme islame.

Ikja e rinisë.

Pozita inferiore e Shqipërisë karshi popujve të tjerë në Ballkan.

Autor: Sabaudin Jashari

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.