Parime dhe rregulla bazë të raportit me rrjetet sociale

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Autor: Elton Harxhi[1]

Sa më poshtë po përcjellim parimet dhe rregullat që duhet të ketë secili prej nesh në lidhje me rrjetet sociale:

Rregulli i parë: Nuk lejohet publikimi i lajmeve pa i vërtetuar.

Mos posto çdo lloj lajmi që sheh nëpër rrjetet sociale pa vërtetuar saktësimin e tyre, sepse rrjetet sociale nuk janë burim i besueshëm i informacionit.

Allahu i Madhëruar thotë: “E kur ju atë (shpifjen) e përcollët me gjuhën tuaj dhe për atë  nuk kishit kurrfarë dije flisnit duke menduar, se ajo ishte imtësi e parëndësishme, ndërsa tek Allahu ajo është e madhe.”[2]

Në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm iu sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni një popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.”[3]

Kurse Profeti (a.s) ka thënë: “I mjafton njeriut si gënjeshtër fakti që ai flet gjithçka që dëgjon.”[4]

Rregulli i Dytë: Mos i përcill hadithet profetike pa vërtetuar autencitetin e tyre!

Jo rrallherë ndodh që dikush poston nëpër rrjetet sociale një citat apo thënie duke ia atribuar atë thënie sikur të jetë thënie e thënë nga Profeti (a.s). Ti e lexon, të pëlqen, ke dëshirë që t’ua përcjellësh të tjerëve dhe  menjëherë i bën “share”. Padyshim që një veprim i tillë (i nxituar) bie ndesh me parimet themelore të përcjelljes së haditheve të Profetit (a.s) dhe dashje pa dashje bëhesh pjesë e mëkatit. Profeti (a.s) ka thënë: “Të gënjesh në emër tim nuk është njëlloj si të gënjesh në emër të dikujt tjetër. Prandaj kush gënjen në emër tim me vetëdije, atëherë le të përgatisë karrigen e vet për në zjarr të Xhehenemit.”[5]

Më kujtohet njëherë që një miku im më tha: Kam lexuar një postim në “facebook” se Profeti (a.s) ka thënë kështu e ashtu. A mund të më thuash nëse ky hadith (postim) është i saktë apo jo? E lexova postimin, nuk ishte nga ato hadithet (postim) e njohura që i kemi lexuar me dhjetra herë, prandaj i thashë mikut: “Këtë hadith nuk e kam lexuar ndonjëherë, megjithatë unë nuk mund të pretendoj se i di gjithë hadithet e Profetit (a.s), por do të përpiqem të gjej diçka dhe do të jap përgjigje. Shkova në shtëpi dhe fillova kërkimin, por nuk gjeta gjë. Epo, ndoshta unë i jam i mangët – thashë me vete. Për këtë arsye, pyeta tre kolegë të mi hoxhallërrë rreth këtij “hadithi” dhe ata më dhanë të njëjtën përgjigje. Të nesërmen kur u takova me mikun tim, i thashë se nuk kisha gjetur gjë. Prandaj mirë është që në rastin konkret të kërkosh prej atij që e ka postuar këtë postim burimin e tij, ose përndryshe ti distancohu nga kjo.

Kështu pra, sa e sa raste të tilla ka pasë. Prandaj përpara se të postojmë ndonjë “hadith” të Profetit (a.s), si fillim duhet të verifikojmë autencitetin e tij dhe pas kësaj nëse hadithi është i saktë e postojmë, e nëse nuk plotësohen kriteret nuk e postojmë

Rregulli i Tretë: Mos publiko gjëra të ndaluara!

Nuk ka dyshim se në ditët e sotme rrjetet sociale i kanë mundësuar njeriut që të publikojë e postojë materiale nga më të ndryshmet. Pjesa dërrmuese e njerëzve, dikush më pak e dikush më shumë, janë të angazhuar me postimin e materialeve. Muslimani duhet të bëjë shumë kujdes se çfarë materiali poston. Ai nuk duhet të postojë çfarëdo lloj materiali pa asnjë kriter. Përkundazi ai duhet ta frenojë veten nga postimi i materialeve me përmbajtje “harami” si për shembull; të merret me thashetheme, të përgojë, të nxjerrë të metat e dikujt, të postojë foto të pahijshme..etj. Në raste të postimeve të tilla, muslimani është mëkatar dhe do të japë llogari para Allahut të Madhëruar në Ditën e Kijametit. Allahu i Madhëruar thotë: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në devotshmëri, dhe jo në mëkate e armiqsi.”[6]

Rregulli i Katërt: Trego moralin dhe sjelljen e një muslimani të devotshëm!

Të gjithëve na ka ndodhur që për një dukuri negative të jemi acaruar dhe pastaj të postojmë diçka rreth saj. Kjo nuk përbën problem, por problemi i vërtetë qëndron atëherë kur ne shqetësimin që kemi për dukurinë negative e shoqërojmë me fjalë të pahijshme e ofenduese. Është ndryshe të flasësh për anët negative të dukurisë dhe tjetër gjë të përdorësh fjalor të pahijshëm. Profeti (a.s) ka thënë: “Besimtari nuk shpif, nuk mallkon, nuk shan dhe nuk nxjerr fjalë të pahijshme nga goja.”[7]

Rregulli i Pestë: Mos u zhyt në debate dhe diskutime të pavlera!

Ndodh që ne të bëjmë një postim dhe dikush reagon ndaj postimit tonë. Ose mund të ndodh e kundërta, dikush poston, ne reagojmë ndaj postimit të tij. Pastaj vazhdojmë të reagojmë ndaj njëri- tjetrit derisa futemi në një debat që nuk mbaron kurrë duke harxhuar kështu kohën dhe nervat tona. Profeti (a.s) ka thënë: “Unë i garantoj Xhenetin atij personi që e lë debatin edhe nëse ka të drejtë.”[8]

Rregulli i Gjashtë: Jepi vetes vlerësimin e duhur!

Që do të thotë se ka prej atyre njerëzve që bëjnë rolin e “ekspertit” dhe “gjithologut” në çdo fushë duke ndërhyrë në çdo postim. Njeriu është ekspert dhe specialist në një fushë të caktuar por nuk mund të jetë ekspert në çdo fushë. Prandaj nëse do ta vlerësosh veten, fol vetëm në fushën për të cilën ke njohuri të shëndosha dhe mos ndërhy në gjëra që nuk të takojnë dhe nuk të ineresojnë. Profeti (a.s) ka thënë: “Nga Islami i mirë i njeriut është që ta lërë atë gjë që nuk i intereson.”[9] “Nuk është prej nesh ai që nuk e respekton më të rriturin, nuk e toleron më të voglin dhe nuk e njeh vlerën e të diturit.”[10]

Rregulli i Shtatë: Posto lajme të dobishme!

Që do të thotë që të postosh ajete kuranore, hadithe profetike, histori motivuese, fjalë të mençura, analiza të detajuara apo çdo gjë tjetër të dobishme me qëllim që njerëzit të përfitojnë sa më shumë nga postimet e tua. Para se të postosh diçka, mos e harro porosinë që Profeti (a.s) i dha Aliut (r.a): “Pasha Allahun nëse ti bëhesh shkak për udhëzimin e dikujt, kjo është më e mirë se sa të kesh deve të kuqërremta.”[11]

Rregulli i Tetë: E drejta e autorit.

Nëse dëshiron të postosh diçka që nuk është thënie apo punë e jotja, atëherë mos e posto atë sikur të jetë thënie e jotja, por bashkë me postimin përmend edhe se kush e ka thënë atë gjë. Nuk është prej moralit dhe etikës së muslimanit që të postojë diçka që nuk është e tija. Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që mashtron.”[12]

Rregulli i Nëntë: Kujdes nga syfaqësia!

Një kusht i domosdoshëm që një vepër e mirë të pranohet tek Allahu i Madhëruar është që ajo të bëhet për hatër të Tij. Mirëpo nëse një vepër e mirë bëhet për sy e faqe të njerëzve, atëherë ajo punë është e papranuar tek Allahu i Madhëruar. Na ka ndodhur që kur postojmë diçka, të fiksohemi se sa “like” kemi marrë, apo të shohim se kush na ka bërë dhe kush nuk na bërë “like”, madje ndonjëherë kemi deri arritur deri aty sa të hidhërohemi prej dikujt që nuk na ka bërë “like”. Po ashtu na ka ndodhur që gjatë netëve të fundit të Ramazanit jemi falur në xhami dhe të postojmë foto që dëshmojnë prezencën tonë. Apo të shkojmë për Umre apo Haxh dhe të postojmë foto. Unë nuk kam të drejtë që të ndërhyjë tek nijeti, sepse ajo është një çështje midis Zotit dhe njeriut, por do të këshilloja që gjithsekush prej nesh të përpiqet maksimalisht që ta pastrojë nijetin dhe të ruhet nga syfaqësia. Profeti (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë veprat varen nga nijeti.”[13]

Rregulli i dhjetë: Mos e harxho kohën nëpër rrjetet sociale!

Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se sa kohë harxhojmë nëpër rrjetet sociale. Na është bërë “fiksim” që kur të rrijmë ulur, shtrirë, në shkollë, në punë, në rrugë, në kafene, madje edhe kur jemi duke ngrënë të hapim telefonin dhe të “lundrojmë” nëpër rrjetet sociale. Ka raste të atilla që sapo zgjohemi nga gjumi në vend që të themi duanë e zgjimit nga gjumi, hapim telefonin dhe “lundrojmë”. E njëjta gjë ndodh edhe në darkë kur shtrihemi për të fjetur. Ka plot njerëz që në ditën e Xhuma, gjatë kohës që imami mban hytben, ata e kanë mendjen tek telefoni. Ka raste kur njeriu shkon në xhami, fal sabahun dhe pret deri sa të lindë dielli që të falë namazin e “Ishrakut” dhe në vend që këtë kohë të bereqetshme ta kalojë me lexim Kurani, dhikër apo diçka të dobishme e kalon duke hapur telefonin. Të tjerë shkojnë për Umre ose Haxh dhe një pjesë të kohës e harxhojnë duke “lundruar” nëpër rrjetet sociale.

Një gjë e tillë na është kthyer në “sëmundje” e “ves” saqë është shumë e vështirë të luftohet. Të gjithë ne e dimë shumë mirë se duhani është shumë i lehtë për t’u lënë, por më i vështirë se lënia e tij është lënia e vesit. Po kështu përsa i përket pijeve alkolike, bixhozit e veseve të tjera. Prandaj “lundrimi” në rrjetet sociale është i lehtë për t’u lënë, por heqja e këtij “vesi” është shumë e vështirë për t’u hequr. Profeti (a.s) ka thënë: “Pjesa më e madhe e njerëzve i anashkalojnë dy mirësi: kohën e lirë dhe shëndetin.”[14]

Me këtë unë nuk ftoj që mos të hapim rrjetet sociale, por ajo që unë ftoj është fakti se koha e lirë është mjaft e vyer dhe ne duhet ta shfrytëzojmë atë në punë të dobishme, ashtu sikurse ka thënë Allahu i Madhëruar në Kuran: “Pasha kohën. Me të vërtetë njeriu është në humbje, përveçatyre që besojnë,  bëjnë vepra të mira dhe e këshillojnë njëri-tjetrin për tek e vërteta dhe që të bëjnë durim.” [15]

[1] – Burim i këtij artikulli është frymëzuar nga një artikull pothuajse të ngjashëm i Muhamed ibn Bedi ibn Musa.

[2] – Sure Nur: 15.

[3] – Sure Huxhurat: 6.

[4] – Muslimi.

[5] – Muslimi.

[6] – Sure Maideh: 2.

[7] – Tirmidhiu. Hadithi është sahih.

[8] – Ebu Daudi. Hadithi është hasen.

[9] – Tirmidhiu. Hadithi është Sahih.

[10] – Sahihul Xhamiu.

[11] – Buhariu dhe Muslimi.

[12] – Muslimi.

[13] – Buhariu dhe Muslimi.

[14] – Buhariu.

[15] – Sure Asr: 1-3.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

1 Shkurt, 2023
Fajr Iqamah

12:00 am

PrayerFajrSunriseZuhrAsrMaghribIsha
Begins12:00 am12:00 am12:00 am12:00 am12:00 am12:00 am
Iqamah12:00 am12:00 am12:00 am12:00 am12:00 am
1 Shkurt, 2023
Fajr Iqamah

12:00 am

Prayer Begins Iqamah
Fajr12:00 am 12:00 am
Sunrise12:00 am
Zuhr12:00 am 12:00 am
Asr12:00 am 12:00 am
Maghrib12:00 am 12:00 am
Isha12:00 am 12:00 am

Artikujt e fundit