Një herë më mbërriti një nga librat e reklamimit dhe këtë herë ishte i veçantë, sepse të shtynte drejt reflektimit dhe mendimit të thellë. Broshura ishte një reklamë për një grup librash që paraqisnin sisteme dhe rregullore të cilësisë, mbrojtjes së shëndetit dhe garantimit të sigurisë për më shumë se dyqind industri dhe degë shërbimesh. Përveç kësaj, përfshinte edhe një seri librash që lidhen me mbrojtjen e mjedisit për secilin shtet amerikan në mënyrë të pavarur, ku trajtohen veçoritë mjedisore dhe legjislacionet që çdo shtet ka nxjerrë për të qenë në përputhje me ligjet e përgjithshme të vendit. Natyrisht, ky grumbull librash nuk merret me aspektet teknike të prodhimit, organizimit të performancës, aftësive dhe teknikave të ndjekura, sepse për këtë fushë ekzistojnë libra të tjerë të specializuar për industrinë dhe shërbimet.
Mendova për këtë mori librash mbi sistemet e cilësisë, mjedisit, shëndetit dhe sigurisë, dhe pashë se ato përfshijnë aktivitetet dhe veprimtaritë e miliona njerëzve që punojnë në të gjitha sektorët e shoqërisë. Vështirë se mund të përfytyrohet një person që del nga shtëpia çdo mëngjes për të kryer punën e tij – çfarëdo qoftë ajo – pa qenë i lidhur në një mënyrë ose tjetër me këto sisteme, qoftë në nivelin më të lartë të përgjegjësisë administrative përmes propozimit dhe ndryshimit, apo në nivelet më të ulëta të shkallës administrative dhe profesionale përmes zbatimit dhe frymëzimit.
Nga ana tjetër, këto sisteme lidhen ngushtë me etikën profesionale dhe parimet e marrëdhënieve dhe ndërveprimeve. Në çdo profesion dhe shërbim, ato kanë lidhje të drejtpërdrejtë me konceptimin e së drejtës, së mirës, dobisë, dëmit, interesit, si dhe me nocionin e përgjegjësisë dhe përkatësisë ndaj shoqërisë, mjedisit të saj material dhe institucioneve. Nuk ka njeri në asnjë punë apo pozitë që të mos i rregullojë sjelljet e tij sipas një konceptimi të tillë, qoftë ai i vetëdijshëm dhe i qartë, apo i fshehtë që rrjedh në thellësitë e kulturës, ndjenjave dhe angazhimit politik ose etik.
Përkatësia politike ndaj një partie përcakton në masë të madhe natyrën e orientimit që i jep individit aftësinë për të analizuar çështjet, për t’i interpretuar ato dhe për të marrë qëndrim ndaj tyre, qoftë në çështjet e cilësisë dhe përgjegjësisë ligjore e shoqërore të kompanive, apo në çështjet e mjedisit, mbrojtjes së shëndetit dhe masave të sigurisë, si dhe projektligjeve që lidhen me to. Kjo vlen si për anëtarët e organeve legjislative, ashtu edhe për votuesin e thjeshtë apo për nëpunësin përgjegjës në çdo administratë ose institucion.
Në të gjitha çështjet që lidhen me prodhimin dhe shpërndarjen e pasurisë, me balancën mes mbrojtjes së mjedisit dhe interesave ekonomike, si dhe mes masave të sigurisë dhe interesave të kompanive, gjithçka lidhet me vizionin e përgjithshëm që partia ka për zhvillimin, interesin kombëtar, drejtësinë, barazinë, lirinë dhe vlera të tjera themelore, të paktën në planin teorik.
Mendova për të gjitha këto dhe për domethënien e tyre në stabilitetin e çështjeve, rritjen e efikasitetit dhe disiplinimin e marrëdhënieve, dhe u përpoqa ta shoh pozitën e myslimanit të sotëm në këtë kontekst. Myslimani jeton në këtë epokë duke e ditur me bindje të plotë se Islami është një sistem jete dhe se mësimet e tij janë gjithëpërfshirëse, që mbulojnë jetën me të gjitha rrethanat, aktivitetet, veprimtaritë dhe organizimet e saj. Mirëpo, kur përpiqet ta jetojë këtë konceptim, ai përballet me një përçarje të brendshme, sepse nuk ka në dorë dëshminë dhe kriterin me të cilin të vlerësojë çështjet e hollësishme të punës së tij profesionale, si kontrolli i cilësisë, ruajtja e mjedisit apo masat e shëndetit dhe sigurisë, përveç disa udhëzimeve të përgjithshme etike që shpesh tërhiqen në hije në mungesë të rregullave konkrete, dhe në fund mbetet vetëm interesi individual, fryma e konkurrencës dhe rritja e fitimit.
Më pas, kujtesa më çoi në histori dhe në atë që civilizimi islam ka njohur si institucionin e hisbes, ku muhtesibi rregullonte çështjet e cilësisë dhe vendoste masa për ndalimin e mashtrimit, monopolizimit dhe pasigurisë në transaksione. Po ashtu, në tregje kishte kryetarë dhe ekspertë të profesioneve, zanateve dhe shërbimeve, të cilët impononin një lloj standardi referimi për njerëzit në marrëdhëniet dhe shkëmbimet e tyre. Ata ishin përgjegjës për dhënien e lejeve për ushtrimin e profesioneve, pasi siguroheshin se kërkuesit i njihnin parimet e profesionit, masat e drejtësisë dhe mënyrat e largimit të mashtrimit dhe pasigurisë.
Kujtova gjithashtu kapituj nga librat e fikhut që trajtonin çështje të interesit publik, siç është nxjerrja e ulluqeve në rrugë dhe ajo që konsiderohej cenim i të drejtave të kalimtarëve ose fqinjëve, si dhe çështje të tjera që pasqyrojnë thjeshtësinë e jetës dhe spontanitetin në përfaqësimin e vlerave dhe rregullave etike. Myslimani që jetonte në hijen e civilizimit islam përthithte kulturën, ushtronte profesionin dhe jetonte në një shoqëri ku gjithçka e shtynte drejt respektimit të frymës së fesë dhe realizimit të idealeve të saj në drejtësi, përpikëri në punë, përmbushje të nevojave dhe largim të dëmit, padrejtësisë dhe agresionit.
Ndërsa myslimani i kësaj kohe, edhe pse e di se Islami është një sistem gjithëpërfshirës jete, përjeton të njëjtin çarje të brendshme, sepse nuk posedon kriterin dhe standardin me të cilin të vlerësojë etikën e punës së tij dhe drejtësinë e saj në realizimin e interesit dhe largimin e korrupsionit, qoftë në kontrollin e cilësisë, ruajtjen e mjedisit, masat e sigurisë apo kujdesin shëndetësor. Në mungesë të këtyre rregullave, mbetet vetëm interesi egoist individual, konkurrenca materiale dhe rritja e fitimit. Nuk ka më ekspert profesioni apo muhtesib, dhe nuk ka as minimumin e rregullave praktike sheriatike që të jenë të lidhura realisht me jetën dhe të afta të konkurrojnë programet e partive dhe përvojën e tyre në drejtimin e shoqërisë dhe ndikimin në politikat institucionale.
Jeta është bërë e ndërlikuar dhe interesat janë ndërthurur në atë masë sa nuk është më e mundur të kërkohet drejtësia dhe interesi publik me thjeshtësi dhe spontanitet. Çdo çështje kërkon ekspertizë, praktikë dhe njohuri të thella përpara se të formohet një mendim ose të bëhet një vlerësim. Njohja e niveleve të mbetjeve që dëmtojnë mjedisin dhe që cikli natyror nuk arrin t’i përthithë, njohja e metodave të punës dhe prodhimit që dëmtojnë shëndetin dhe shkaktojnë invaliditet, si dhe përcaktimi i neglizhencës profesionale në rastet e aksidenteve që shkaktojnë dëme në jetë, shëndet apo pasuri, të gjitha këto janë bërë domosdoshmëri për ushtrimin e çdo profesioni, krahas njohjes së rregullave etike që largojnë mëkatin dhe përgjegjësinë morale, si dhe rregullave ligjore që ruajnë të drejtat dhe parandalojnë konfliktin dhe përçarjen.
Do të ishte padrejtësi dhe teprim t’u kërkohej dijetarëve të sheriatit të nxirrnin sisteme paralele me rregulloret e cilësisë, mjedisit, shëndetit dhe sigurisë për qindra profesione, zanate, shërbime dhe industri, në mënyrë që secili të gjejë në to rregullat sheriatike që realizojnë të mirën, drejtësinë dhe interesin, dhe parandalojnë korrupsionin dhe padrejtësinë.
Në mesin e kësaj krize, shumë njerëz e kufizojnë fenë vetëm në adhurime, bamirësi dhe lëmosha, duke i nxjerrë çështjet e punës, prodhimit, administrimit, mjedisit dhe sigurisë jashtë sferës së fesë, dhe duke ia lënë drejtimin e tyre shtetit dhe ligjeve që ai miraton. Edhe sikur besimtarët pa një vizion të përgjithshëm islam dhe pa orientim etik të merrnin pjesë në hartimin e politikave, ata nuk do të kishin kriterin dhe ekuilibrin e duhur, dhe zakonisht do të përfundonin duke kopjuar ligje të huaja, të mbarsura me frymën e kulturave të tjera, pa mundësi për të përfaqësuar sheriatin dhe për të shfaqur vlerat e tij në pastrimin e jetës, përhapjen e drejtësisë dhe realizimin e interesave.
Në këtë gjendje, myslimani gjendet në një udhëkryq: ose shmang diskutimin e kësaj çështjeje duke u mbështetur në idenë se ligjet ekzistuese mjaftojnë për realizimin e interesit dhe drejtësisë – çka mbart një reduktim dhe pasivizim të kuptimit të fesë – ose mendon ndryshe, duke qenë i aftë të kontribuojë në formulimin e ligjeve dhe politikave, dhe njëkohësisht të zotërojë ndjeshmërinë etike që mbron ligjin nga formalizmi dhe siguron vazhdimësinë e interesave, largimin e korrupsionit dhe realizimin e drejtësisë sa më shumë të jetë e mundur.
Rruga që shpresojmë se do të ofrojë dalje nga kjo krizë dhe do ta rikthejë Islamin në rolin e tij në pastrimin e jetës dhe përhapjen e mëshirës, është metodologjia e objektivave të sheriatit, e cila fokusohet në parimet universale, bazat dhe konceptet referuese, dhe hap një hapësirë të gjerë për ixhtihad dhe ripërtëritje në zbatimin e tyre në realitetin e çdo profesioni, zanati dhe shërbimi, si dhe në shpikjen e mjeteve teknike dhe organizative që garantojnë realizimin e interesave dhe ruajtjen e qëllimeve në harmoni me realitetin material, shoqëror, ekonomik dhe politik të kohës dhe vendit.
Parimet universale të fesë, bazat e sheriatit dhe konceptet referuese janë pika pajtimi mes myslimanëve, pavarësisht dallimeve të tyre shkollore. Mospajtimet zakonisht lindin në mjetet e zbatimit dhe mënyrat e realizimit, dhe shpesh mund të kthehen në dallime në kuptimin e realitetit. Nëse fillojmë me përcaktimin e këtyre parimeve dhe hapim derën e ixhtihadit për çdo mysliman që të kontribuojë, secili sipas profesionit dhe përvojës së tij, atëherë e kemi rikthyer fenë dhe udhëzimin e saj në vendin e vet natyror në jetën e individit dhe të umetit.
Kjo qasje i rikthen besimin myslimanit se ai është përgjegjës për atë që Allahu ia ka besuar nga aftësitë, profesionet dhe përvojat, dhe se ai është përgjegjësi i drejtpërdrejtë për përfaqësimin e vlerave në fushën e tij, pa pasur zëvendësues.
Ajo na çliron nga metoda e memorizimit dhe përsëritjes së fjalëve, dhe na shtyn drejt kuptimit, krijimtarisë, veprimit dhe zgjedhjes së mjeteve më të përshtatshme. Gjithashtu, ua lehtëson barrën dijetarëve të sheriatit, duke i çliruar nga detyrimi i trajtimit të çdo detaji teknik, sepse parimet dhe vlerat janë fusha e tyre, ndërsa zbatimi kërkon dialog, bashkëpunim dhe konsultim mes të gjitha shtresave të umetit.
Kjo metodologji, që nis nga objektivat dhe parimet universale për të përcaktuar mjetet dhe përparësitë, u jep mendimtarëve dhe veprimtarëve një qartësi të madhe për të dalluar pikat e përbashkëta dhe fushat e dallimit, larg polemikave partiake që shterojnë energjitë dhe e çojnë umetin drejt përçarjes.
Në këtë mënyrë, umeti rifiton besimin në fenë e tij dhe myslimani bëhet i aftë të kryejë rolin e tij në përmirësimin e gjendjes së shoqërisë, qoftë në nivelet më të larta të përgjegjësisë shoqërore e politike, qoftë në zbatimin praktik, duke qenë i aftë të kuptojë frymën e ligjit, objektivat e legjislacionit dhe të kontribuojë me mendim, këshillë dhe dialog sa herë që vëren shmangie nga realizimi i interesit të vërtetë.
Autor: Rijad Ed’hemi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















