Përkufizimi i hadithit dhe disa termave të tjerë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nga ana gjuhësore, fjala “hadith” ka dy kuptime kryesore: “i ri” dhe “e folur, lajm”

Në terminologjinë islame, termi “hadith përkufizohet me fjalët: “Çdo gjë që i cilësohet të Dërguarit të Allahut, qoftë kjo: fjalë, vepër, miratim, cilësi fizike apo morale”.

Shpjegim i këtij përkufizimi:

Fjalët: janë artikulimet e të Dërguarit të Allahut (a.s). Shembull: Muavijeh ibn Ebi Sufjani (r.a) tregon, se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: “Atij që Allahu ia do të mirën, e bën të ditur në fe”.

Veprat: janë veprimet praktike të të Dërguarit të Allahut (a.s). Shembull: Hamrani tregon: “Uthmani (r.a) kërkoi një enë me ujë për të marrë abdes. Ai lau duart tre herë, shpërlau gojën dhe pastroi hundën nga treherë, lau fytyrën tre herë, lau tre herë dorën e djathtë bashkë me bërrylin, të njëjtën gjë bëri edhe me të majtën, fshiu kokën (një herë), lau tre herë këmbën e djathtë bashkë me kyçin dhe të njëjtën gjë bëri edhe me këmbën e majtë. Në fund tha: “Kam parë të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të) duke marrë abdes në këtë formë”.

Miratim: Veprimet e të tjerëve që janë bërë në prezencë të të Dërguarit tëAllahut (a.s), si dhe rasti kur ai është njoftuar për veprimin e dikujt dhe nuk e ka refuzuar atë veprim. Shembull: Aishja (r.a) thotë: “Një ditë e kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) tek dera e dhomës time, ndërsa abisinasit po luanin në xhami. Kur u afrova, ai (a.s) më mbuloi me pallton e tij, ndërsa unë shikoja lojërat e tyre”.

Cilësi: Karakteristikat fizike dhe morale të të Dërguarit të Allahut (a.s). Shembull i përshkrimit fizik: Bera ibn Azib (r.a) thotë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka qenë njeriu me fytyrën më të bukur dhe me fizikun më të përsosur: as shumë i gjatë dhe as i shkurtër”. Shembull i përshkrimit moral: Xhabir ibn Abdullahu (r.a) thotë: “I Dërguari i Allahut (a.s) nuk ka thënë kurrë jo për diçka që i është kërkuar”.

Është e pëlqyeshme, madje kërkohet që termi Hadith t`i cilësohet vetëm të Dërguarit të Allahut (a.s), edhe pse disa dijetarë të hadithit mendojnë, se ky term lejohet të përdoret edhe për fjalët e sahabëve dhe tabi`inëve.

Dallimi mes hadithit dhe sunetit:

Parimisht, Suneti është sinonim i Hadithit, mirëpo dallimi është se Suneti merret vetëm me anën ligjore të fjalëve, veprimeve dhe miratimeve të të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe nuk trajton përshkrimin fizik të të Dërguarit të Allahut (a.s).

Termi “khaber”:

Nga ana gjuhësore, fjala “khaber” do të thotë: “Lajm, informacion”

Në shkencën e hadithit, fjala “khaber” është sinonim i fjalës “hadith”, mirëpo “khaber” përfshin çdo fjalë të të Dërguarit të Allahut (a.s), të sahabëve, tabi`inëve, dijetarëve etj. Pra çdo hadith është khaber, mirëpo jo çdo khaber është hadith.

Termi “ether”:

Nga ana gjuhësore, fjala “ether” ka kuptimin: “gjurmë, përcjellje”.

Disa dijetarë ia cilësojnë fjalën “ether” vetëm sahabëve, ndërsa disa të tjerë e përdorin këtë fjalë si sinonim të fjalës “hadith”

Ulumu`l – hadith – disiplinat e hadithit:

Disiplinat e hadithit janë ato degë të shkencës së hadithit, që studiojnë vargun dhe tekstin e hadithit.

Autor: Rushit Musallari

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.