Perla dhe margaritarë rreth muajit Shaban

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Vëllezër dhe motra!

Muaji Rexheb kaloi dhe muaji Shaban është afruar. Gjatë muajit të kaluar ka fituar çdokush që është afruar tek Allahu me adhurime dhe përkushtim, E muaji Shaban po na vjen, muaj ndaj të cilit shumë njerëz janë të pavëmendshëm e të shkujdesur.

Në lidhje me këtë muaj të bekuar, muajin Shaban, ne duhet të ndalemi dhe të meditojmë rreth mënyrës se si e ka përjetuar atë i Dërguari i Allahut (a.s) dhe të parët e këtij Umeti. Do të flasim për vlerat dhe disa prej rregullave të këtij muaji të bekuar.

Së pari: Vlera e muajit Shaban dhe shkujdesja e njerëzve ndaj tij

Duke qenë se muaji Shaban është para muajit të Ramazanit, ajo që është urdhëruar të bëhet në Ramazan prej agjërimit e leximit të Kuranit, është mirë që të bëhet edhe në këtë muaj. Arsyeja e kësaj është që njerëzit të parapërgatiten dhe të stërviten për Ramazanin. Kjo është edhe arsyeja se përse ne e shohim të Dërguarin e Allahut (a.s) të agjëronte sa më shumë ditë nga ky muaj. Ai (a.s) e shfrytëzonte kohën gjatë këtij muaji me adhurim, teksa njerëzit ishin të shkujdesur ndaj tij. Kështu ka pasë vepruar i Dërguari i Allahut (a.s) në këtë muaj dhe kush është i Dërguari i Allahut?! Ai (a.s) është personi të cilit Allahu ia ka falur të gjitha mëkatet; të kaluarat dhe të ardhmet.

Për shkak të vlerës së këtij muaji, ne shohim se shumë prej të parëve të Umetit janë treguar shumë të përkushtuar në adhurim. Seleme ibn Kuhejli ka thënë: “Muaji Shaban është muaji i leximeve.” Kur hynte muaji Shaban, Amër ibn Kajsi e mbyllte dyqanin dhe lexonte vetëm Kuran. Ebu Bekër El Bekhili ka thënë: “Muaji Rexheb është muaji i mbjelljes, muaji Shaban ëshë muaji i ujitjes, kurse muaji Ramazan është muaji i të korrave.” Në një citat tjetër, Ebu Bekër El Bekhili ka thënë: “Shembulli i muajit Rexheb është si era, shembulli i muajit Shaban është si retë, kurse shembulli i muajit Ramazan është si shiu.” Kështu që ai i cili nuk ka mbjellur gjë gjatë Rexhebit, nuk ka ujitur gjë gjatë Shabanit, si mund të korrë gjatë Ramazanit?! Muaji Rexheb kaloi, çfarë do të bësh në Shaban nëse dëshiron të përfitosh prej Ramazanit? Kjo pra është situata e Profetit (a.s) dhe të parëve të Umetit në lidhje me këtë muaj të bekuar. Po ti çfarë do të bësh gjatë këtij muaji?!

Muaji më i dashur për të Dërguarin e Allahut (a.s) ka qenë muaji Shaban. Muaji Shaban është muaji i shlyerjes së mëkateve, kurse muaji Ramazan është muaji i pastrimit. Muaji Shaban është quajtur me këtë emër sepse ka mirësi të shumta. Në këtë muaj ndodhet edhe nata e mirë e mesit të Shabanit. Imam Nesaiu transmeton prej Usame ibn Zejdit (r.a) se ka thënë: O i Dërguar i Allahut! Nuk të kam parë të agjërosh në asnjë muaj kaq shumë sa agjëron në Shaban? Ai tha: “Ky është muaji, ndaj të cilit njerëzit janë të shkujdesur, mes Rexhebit dhe Ramazanit. Ai është muaji në të cilin veprat e mira ngrihen lart te Zoti i botëve. E unë dëshiroj që vepra ime të ngrihet lart duke qenë agjërueshëm.”

Së dyti: Adhurimi i të Dërguarit të Allahut (a.s) në Shaban

Imam Ahmedi transmeton prej Enes ibn Malikut se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka pasë agjëruar aq shumë dhe nuk e prishte agjërimin saqë ne thonim: I Dërguari i Allahut e ka bërë ndërmend të agjërojë të gjithë vitin. Pastaj ai (a.s) e prishi agjërimin dhe nuk agjëronte më saqë ne thonim: Ai nuk e ka ndërmend të agjërojë këtë vit. Atij i pëlqente të agjëronte në Shaban.”

Aq i përkushtuar ka qenë i Dërguari i Allahut në agjërimin e këtij muaji, saqë bashkëshortet e tij kanë thënë se ai ka agjëruar gjithë muajin, megjithëse ai (a.s) përveç Ramazanit nuk ka agjëruar as një muaj të tërë të plotë. Aishja (r.a.) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) shpesh agjëronte aq gjatë, saqë thoshe se ai nuk hante dhe, po kështu, nuk agjëronte për një kohë të gjatë, aq sa thoshe se nuk do të agjëronte më, ndonjëherë. Nuk e kam parë kurrë të Dërguarin e Allahut (a.s.) të agjërojë një muaj të plotë, veç Ramazanit, ndërsa më shumë e kam parë të agjërojë gjatë muajit të Sha’banit.” Transmetojnë imam Buhariu dhe Muslimi, kurse në transmetimin e imam Ebu Daudit, Aishja (r.a) ka thënë: “Muaji që i Dërguari i Allahut (a.s) më së shumti i pëlqente ta agjëronte ishte muaji Shaban. Agjërimin e këtij muaji ai e bashkangjiste me Ramazanin.” Kurse Ummu Seleme (r.a) ka thënë: “Asnjëherë nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) të agjërojë dy muaj rrjesht përveç Shabanit dhe Ramazanit.”

Për shkak të agjërimit të shumtë të Dërguarit të Allahut (a.s) të këtij muaji disa dijetarë kanë thënë se agjërimi në muajin Shaban është më i mirë se agjërimi në muajt e tjerë, pavarësisht faktit se është transmetuar një hadith se agjërimi në muajin Muharrem është më i mirë. Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është agjërimi në Muharrem. Dhe namazi më i mirë pas farzit është namazi i natës.”[1]

Në lidhje me atë se agjërimi në këtë muaj është më i mirë se muajt e tjerë, përveç Ramazanit, dijetarët kanë thënë se: muaji Shaban është ngjitur me muajin Ramazan, sepse agjërimi në këtë muaj i ngjan suneteve të forta që falen para apo pas farzeve, të cilat plotësojnë mangësitë gjatë faljes së farzeve. Prandaj agjërimit të Ramazanit i paraprihet me agjërimin e muajit Shaban dhe përcillet me gjashtë ditë nga muaji Sheval.

Së treti: Urtësia e këshillës profetike në lidhje me muajin Shaban

I Dërguari i Allahut (a.s) na ka këshilluar që t’i kushtojmë rëndësinë e duhur muajit Shaban, prandaj ne nuk duhet ta lëmë atë pas dore. I Dërguari i Allahut (a.s) është moledi më i mirë për të gjithë ne. Gjatë këtij muaji ai (a.s) agjëronte, falej dhe bënte shumë vepra të mira.

Urtësia e agjërimit në këtë muaj konsiston në faktin se muaji Rexheb është prej muajve të shenjtë, ndaj të cilit njerëzit përkushtohen, po kështu edhe gjatë Ramazanit, për shkak të vlerës së tij të madhe, kurse gjatë Shabanit njerëzit tregohen të shkujdesur dhe indiferentë. Adhurimi në kohën kur njerëzit janë të shkujdesur ka një shpërblim të madh tek Allahu i Madhëruar. Ky është i Dërguari i Allahut (a.s) i cili falej në mes të natës, kohë në të cilën njerëzit ishin në gjumë dhe të shkujdesur. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Namazi më i mirë pas namazit farz është namazi i cili falet në mes të natës.” Kjo është edhe një arsye se përse ai (a.s) preferonte ta falte namazin e jacisë natën vonë, me qëllim që të falte edhe namazin e natës. Mirëpo më pas, ai (a.s) nuk e veproi më nga frika se mos ia vështirësonte njerëzve. Ibn Omeri (r.a) tregon: “Një natë qëndruam duke pritur të Dërguarin e Allahut (a.s) për të falur namazin e jacisë. Ai erdhi tek ne kur kishte kaluar një e treta e natës apo diçka më tepër. Ne nuk e morëm vesh arsyen e vonesës, për shkak të një angazhimi familjar apo diçkaje tjetër. Kur erdhi ai (a.s) tha: “Ju po prisni për të falur namazin dhe këtë nuk e bën askush tjetër përveç jush. E sikur mos të kisha frikë se mos t’ia vështirësoja Umetit tim, atëherë do ta kisha falur namazin në këtë orë.”[2] Falja e namazit në këtë orë të vonë është tregues i vlerës së madhe të tij në kohën kur pjesa më e madhe e njerëzve është e shkujdesur. A nuk e shikon se çfarë shpërblimi të madh ka ai njeri i cili hyn në treg dhe e kujton Allahun me dhikër. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush hyn në treg dhe thotë: “La ilahe il-lallahe uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu juhji ue jumitu, bi jedihil khajri ue huue ala kul li shej’in kadir” Allahu ka për t’i shkruajtur një million sevape, ka për t’i fshirë një million të këqija dhe ka për ta ngritur në një million grada.”[3]

Vëllezër dhe motra!

Dijeni se adhurimi që kryhet në kohën kur njerëzit janë të shkujdesur dhe të pavëmendshëm ka disa mirësi, si:

Ai kryhet në fshehtësi, larg syve të njerëzve si për shembull agjërimi në këtë muaj, ku dihet se agjërimi është një adhurim që kryhet vetëm për hatër të Allahut.

Adhurimi më i mirë është ai adhurim të cilin njeriu e ka të vështirë për ta kryer, sepse ti po bën të kundërtën e asaj që njerëzit po bëjnë.

Vëllezër dhe motra!

Muaji “Shaban” në aspektin gjuhësor përbëhet nga pesë shkronja.[4] Shkronja “Shin” nënkupton nderim. Shkronja “Ajn” nënkupton lartësim. Shkronja “Be” nënkpton mirësi. Shkronja “Elif” nënkupton afri. Dhe shkronja “Nun” nënkupton dritë. Këto janë pesë dhurata nga Allahu i Madhëruar për robërit e Tij në këtë muaj të bekuar.

O ti njeri! Mos u trego i pavëmendshëm dhe i shkujdesur ndaj këtyre mirësive! Bëj autokritikë të fjalëve dhe veprave të tua dhe mos e shpërfill mirësinë e Allahut ndaj teje. Muadh ibn Xhebeli transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Natën e gjysmë të muajit të Shabanit, Allahu paraqitet para të gjithë krijesave të Tij duke i falur të gjithë krijesat e tij përveç idhujtarit dhe atij që sjell grindje e përçarje.”[5]

[1] – Muslimi.

[2] – Muslimi.

[3] – Tirmidhiu. Hadithi është Hasen Garib.

[4] – Sipas gjuhës arabe.

[5] – Tabaraniu. Hadithi është Sahih.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *