Transmetohet se Aishja (r.a) e pyeti të Dërguarin e Allahut (a.s): Nëse unë e arrij natën e Kadrit, çfarë duhet të them? Ai (a.s) tha: “Thuaj: O Zot, Ti je Falës e pëlqen faljen, më fal mua.”[1]
Kjo është porosia që profeti (a.s) e këshilloi Aishen (r.a) dhe të gjithë Umetin se çfarë duhet të bëjnë në natën e Kadrit. Me të drejtë dikush mund të pyesë: Përse duhet të kërkojmë falje në natën e Kadrit?
Duhet të kërkojmë falje sepse engjëjt kërkojnë falje për besimtarët. Allahu i Madhëruar thotë: “Ndërsa ata (engjëjt) që e bartin Arshin edhe ata që janë përreth tij, lartësojnë me falenderim Zotin e tyre, i besojnë Atij dhe i luten Atij, t’i falë ata që besuan (duke thënë): Zoti ynë, Ti me mëshirën dhe diturinë Tënde ke përfshirë çdo send, prandaj falja atyre që u penduan dhe ndoqën rrugën Tënde, edhe ruaji ata nga dënimi i Xhehenemit! Zoti ynë, futi në Xhenete të Adnit, të cilat ua ke premtuar, ata dhe kush ishte i mirë prej tyre, grave të tyre dhe pasardhësve të tyre. Vërtet, Ti je Ngadhënjyesi, i Urti. Dhe ruaji ata prej të këqijave, pse atë që e mbron Ti atë ditë prej të këqijave, Ti e ke mëshiruar atë, e ai është shpëtimi i madh.”[2]
Duhet të kërkojmë falje sepse të Dërguarit e Allahut i janë lutur Allahut që t’i falë ata dhe besimtarët. Ademi (a.s) është lutur me këto fjalë: “Zoti ynë, ne i bëmë padrejtësi vetes tonë, në qoftë se nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve.”[3] Nuhu (a.s) është lutur me këto fjalë: “Zoti im, më fal mua dhe prindërit e mi, dhe ata që hynë në shtëpinë tim, duke qenë besimtarë, edhe besimtarët e besimtaret.”[4] Musai (a.s) është lutur me këto fjalë: “Zoti im, unë e ngarkova veten e Ti më fal mua! Dhe Ai ia fali, se Ai është Shumëfalës, Mëshirues i madh.”[5] Ibrahimi (a.s) është lutur me këto fjalë: “Zoti ynë! Më fal mua dhe prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria.”[6]
Duhet të kërkojmë falje sepse Allahu i Madhëruar e ka urdhëruar profetin (a.s) të kërkojë falje. Allahu i Madhëruar thotë: “E thuaj: O Zoti im, më fal e më mëshiro, se Ti je më i miri Mëshirues.”[7]
Duhet të kërkojmë falje për shkak se njeriu mund të kryejë mëkate të aq mëdha, saqë askush përveç Allahut nuk i fal ato. Allahu i Madhëruar thotë: “Ithtarët e Librit kërkojnë prej teje t’u sjellësh një libër nga qielli. Po ata patën kërkuar prej Musait edhe më tepër, e i patën thënë: Tregona Zotin haptazi ta shohim me sy! E për shkak të mizorisë së tyre i kapi rrufeja. Mandej edhe pasi iu patën shfaqur atyre mrekulli të qarta, ata adhuruan viçin. Ne u patëm falur atë, e Musait i dhamë argumente të forta.”[8]
Duhet të kërkojmë falje sepse profeti (a.s) e ka mësuar Ebu Bekrin të kërkojë falje tek Zoti. Ebu Bekri (r.a) tha: “O i Dërguar i Allahut! Më mëso një lutje të cilën dua ta bëj kur të fal namaz! Ai (a.s) tha: Thuaj: “Zoti im, unë i kam bërë vetes shumë padrejtësi. Askush përveç Teje nuk i fal mëkatet. Më fal mua ashtu si Ti di të falësh dhe më mëshiro, sepse vërtet Ti je Mëkatfalësi, Mëshiruesi.”[9]
Duhet të kërkojmë falje sepse falja dhe mëshira e Zotit është gjëja më e mirë që njeriu i kërkon Atij. Allahu i Madhëruar thotë: “Falja dhe mëshira e Zotit, me të vërtetë, janë më të mira nga ato që kanë grumbulluar ata.”[10]
Duhet të kërkojmë falje sepse askush prej nesh nuk ka mundësi ta durojë ndëshkimin e botës tjetër. Enes ibn Maliku (r.a) transmeton se profeti (a.s) kishte vizituar një musliman, i cili ishte dobësuar aq shumë, saqë dukej si një zog i vogël. Kur i takoi tha: A je lutur ose ke kërkuar diçka prej Tij? Ai tha: Po, unë kam thënë: O Zoti im, dënimin me të cilin do të dënosh në botën tjetër, ma jep në këtë botë. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Subhanllah” Nuk mund ta përballosh. Përse nuk ke thënë: O Zoti im, më jep në këtë dhe në botën tjetër të mira dhe na ruaj nga zjarri.” Pastaj e luti Allahun për të dhe Allahu e shëroi.[11]
Burimi: islamonline.net
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Ahmedi, Ibn Maxheh dhe Tirmidhiu. Hadithi është sahih.
[2] – Sure Gafir: 7-9.
[3] – Sure A’raf: 23.
[4] – Sure Nuh: 28.
[5] – Sure Kasas: 16.
[6] – Sure Ibrahim: 41.
[7] – Sure Mu’minun: 118.
[8] – Sure Nisa: 153.
[9] – Buhariu dhe Muslimi.
[10] – Sure Ali Imran: 157.
[11] – Muslimi.