Përse profeti (a.s) u zemërua me njërin prej sahabëve

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në librat e hadithit janë përcjellur një sërë rastesh, në të cilat profeti (a.s) është zemëruar me disa prej sahabëve. Në të gjitha këto raste, zemërimi i tij ka qenë legjitim për shkak të ndonjë veprimi jo të duhur prej sahabëve. Sa më po poshtë po paraqesim disa prej këtyre rasteve:

Profeti (a.s) është zemëruar ndaj Ebu Dherrit, i cili i tha Bilalit: Bir i gruas së zezë. Ma’ruri tregon: E takova Ebu Dherrin dhe pashë që ai kishte veshur një rrobë dhe po ashtu edhe shërbëtori i tij. E pyeta atë për arsyen se përse ai edhe shërbëtori i tij ishin veshur njëlloj. Ai më tha: Unë pata sharë një burrë duke e fyer nga nëna e tij. I Dërguari i Allahut (a.s) më tha: “O Ebu Dherr! A e ke fyer nënën e tij?! Ti je një njeri që ende ke shenja të injorancës! Vëllezërit (robërit) tuaj që janë me ju, Allahu i ka bërë të jenë nën patronazhin tuaj. Ai i cili prej jush ka në patronash një vëlla (rob musliman) të tijin, atëherë le t’i japë atij për të ngrënë atë që ha edhe vetë dhe t’i japë të veshë të njëjtat rroba me të cilat vishet  edhe vetë! E mos i ngarkoni ata me punë të cilat nuk mund t’i përballojnë! E nëse i ngarkoni, atëherë ndihmojini!”[1]

Gjithashtu transmetohet se profeti (a.s) është zemëruar me ata tre persona të cilët nga dëshira e madhe që kishin për të qenë të pëkushtuar në adhurim e tepruan. Enesi (r.a) tregon: Tre persona shkuan te shtëpia e profetit (a.s) dhe pyetën gratë e tij për adhurimin që bënte profeti (a.s). Kur morën vesh për të, ata e quajtën adhurimin e tyre të pamjaftueshëm dhe thanë: Ku jemi ne mve profetin (a.s), të cilit Allahu ia ka falur gjynahet e kaluara dhe të ardhme?! Kështu njëri prej tyre tha: Do të falem gjithnjë gjatë gjithë natës! Tjetri tha: Unë do të agjëroj vazhdimisht dhe nuk do ta prish agjërimin asnjë ditë! Ndërsa i treti tha: Unë do të rri larg grave e nuk do të martohem kurrë! Atëherë i Dërguari i Allahut (a.s) shkoi tek ata dhe u tha: “A ju jeni ata që thënë kështu e ashtu?! Përsa më përket mua, unë betohem për Allahun se jam ai që i frikësohet dhe i përkushtohet më shumë Atij, e megjithatë herë agjëroj dhe herë të tjera jo, falem (namaz vullnetar), por edhe fle dhe po ashtu martohem. Prandaj, ai që nuk e ndjek Sunetin tij, nuk është prej meje.”[2]

Po ashtu profeti (a.s) është zemëruar me Omerin (r.a) kur ai pati një mosmarrëveshje me Ebu Bekrin. Ebu Derdaja (r.a) tregon: “Isha ulur me profetin (a.s)kur erdhi Ebu Bekri, duke mbajtur me dorë njërin cep të rrobës së tij, aq sa kishte zbuluar gjurin. Profeti (a.s) tha: “Duket se ky shoku juaj ka pasur një grindje.” Ebu Bekri përshëndeti dhe pastaj tha: “O i Dërguari i Allahut! Pati diçka (një grindje) mes meje dhe birit të Hattabit (Omerit). Unë i fola atij ashpër, por pastaj më erdhi keq për këtë dhe i kërkova atij që të më falë, por ai nuk pranoi. Ja pse kam ardhur tek ti.” Profeti (a.s) tha tri herë: “Allahu të faltë ty, o Ebu Bekr!” Ndërsa Omerit i kishte ardhur keq (pse nuk kishte pranuar ta falte Ebu Bekrin) dhe shkoi te shtëpia e tij dhe pyet nëse ai ishte aty.” I thanë që jo, kështu që (edhe ai) shkoi te profeti (a.s) dhe e përshëndeti atë. Por në fytyrën e tij u dukën shenja pakënaqësie, aq sa Ebu Bekrit i erdhi keq për Omerin. Kështu, ai u ul në gjunjë dhe tha dy herë: “O i Dërguari i Allahut, për Allah! Unë u tregova më i padrejtë me të (sesa ai me mua).” Profeti (a.s) tha: “Allahu më dërgoi mua tek juve (njerëz) dhe ju më thatë: Ti gënjen,- ndërsa Ebu Bekri më besoi dhe u tha njerëzve: ‘Ai thotë të vërtetën’. Ai më ngushëlloi dhe më qëndroi pranë me jetën dhe me pasurinë e tij. A do të ma lini të qetë, pra, mikun tim?” Pas kësaj askush nuk e shqetësoi më Ebu Bekrin.”[3]

Po ashtu profeti (a.s) është zemëruar me Muadh ibn Xhebelin, i cili e zgjati faljen e namazit kur po i printe muslimanëve në namaz. Ebu Mes’udi (r.a) tregon: “Vjen një burrë dhe thotë: “Betohem për Allah! O i Dërguar i Allahut! Vij vonë dhe nuk falem me xhematin në namazin e sabahut, vetëm sepse filani na e zgjat faljen e tij.” Kurrë nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) më të acaruar se atëherë. Pastaj ai (a.s.) tha: “Disa prej jush ndikojnë që njerëzit të mos i pëlqejnë veprat e mira. Kështu pra, kushdo nga ju që u prin njerëzve në namaz duhet ta lehtësojë dhe ta shkurtojë atë, sepse mes atyre që falen ka edhe të dobët, edhe të moshuar, edhe njerëz që kanë nevoja (e duan të largohen shpejt).”[4]

Të gjitha rastet e lartpërmendura kanë ndodhur kur profeti (a.s) dhe shokët e tij kanë qenë në Medine, në periudhën në të cilët dihet se ajetet që shpalleshin kishin lidhje me rregullat dhe dispozitat fetare. Nëse profeti (a.s) vërente ndonjë veprim jo të duhur prej sahabëve, ai ngelej i pakënaqur, acarohej, zemërohej dhe reagonte për t’i treguar atij që gabonte se cili duhet të ishte veprimi i saktë. Mirëpo ka patur raste kur profeti (a.s) është zemëruar me veprimin e ndonjë sahabi në periudhën e Mekës, megjithëse në atë periudhë një gjë e tillë nuk është e njohur të ndodhë prej tij ngase ai (a.s) sillej më butë me ta për shkak të rrethanave.

Hababi (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) ishte ulur dhe po rrinte i mbështetur në xhyben e tij nën hijen e Qabesë. Ne shkuam dhe iu ankuam për mundimet që po vuanim nga femohuesit, duke i thënë: “A nuk po kërkon ndihmë për ne? A nuk po i lutesh Allahut për ne?” Ai (a.s) tha:“Në popujt para jush, një besimtar futej në tokë në një gropë të hapur enkas për të, pastaj (armiqtë e fesë) merrnin një sharrë dhe ia vinin në mes të kokës duke e ndarë në dy pjesë. Megjithatë as kjo (torturë) nuk e lëkundte besimtarin nga feja e tij. Ose ia krihnin trupin me krehër hekuri, i cili ia ndante mishin nga kockat dhe nga venat. Por sërish edhe një (torturë) e tillë nuk e bënte atë të hiqte dorë nga feja e tij. Për Allah! Padyshim që kjo fe (Islami) do të triumfojë, derisa udhëtari nga Sanaja në Hadramaut nuk do të ketë frikë nga asgjë tjetër përveç vetëm nga Allahu ose nga ujku për delet e tij, por ju jeni shumë të nxituar.”[5]

Zemërimi i profetit (a.s) shfaqet tek skuqja e fytyrës së tij[6], në momentin që mori si shembull besimtarët në popujt e mëparshëm, në momentin që betohet se feja ka për të triumfuar dhe në momentin kur tha se sahabët nxitohen.

Me të drejtë dikush mund të pyesë dhe të thotë: Cila është arsyeja që profeti (a.s) u zemërua dhe acarua me Hababin (r.a)?

Sepse ai (a.s) ndjeu aromën e pesimizmit tek Hababi (r.a). teksa dihet që pesimizmi është një sëmundje shkatërruese dhe si rrjedhojë një sëmundje e tillë është e papranuar të zërë vend në zemrën e besimtarit. Allahu i Madhëruar thotë: “Ibrahimi tha: E kush mund ta humbë shpresën nga mëshira e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur?!”[7] Ibrahimi (a.s) e ka thënë këtë fjalë duke i qenë i thyer në moshë ai dhe gruaja e tij Sara ku mundësia për të lindur një fëmijë ishte e pamundur. Po ashtu Allahu i Madhëruar thotë:“O bijtë e mi, shkoni e kërkoni lajme për Jusufin dhe vëllain e tij dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut, nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve”[8] Rrethana në të cilën Jakubi (a.s) i tha djemve të tij të kërkonin Jusufin (a.s) dhe vëllain e tij, dikton pesimizëm sepse Jusufi (a.s) prej vitesh kishte humbur, megjithatë Jakubi (a.s) u tregua optimist. Pesimizmi është një sëmundje ngjitëse e cila kalon nga një person tek një tjetër, dhe kjo sëmundje kishte prekur edhe disa sahabë të tjerë. Kjo duket qartë në fjalët e Hababit (r.a) i cili thotë: “Ne shkuam dhe iu ankuam për mundimet që po vuanim nga femohuesit, duke i thënë: “A nuk po kërkon ndihmë për ne?”

Një arsye tjetër se përse profeti (a.s) u acarua është fakti se nuk jemi ne ata të cilët e përcaktojmë llojin e adhurimit dhe përkushtimit, është Allahu, Ai i i Cili e përcakton se si duhet ta adhurojmë Atë. Por si reagoi profeti (a.s) në këtë situatë? Ai (a.s) mbolli optimizëm por pa e përcaktuar kohën se kur, duke thënë: “Për Allah! Padyshim që kjo fe (Islami) do të triumfojë” Ai (a.s) mbolli ndjenjën e madhështisë së Allahut tek sahabët duke thënë: “nuk do të ketë frikë nga asgjë tjetër përveç vetëm nga Allahu” Ai (a.s) i tregoi atyre se duhet të rendin pas shkaqeve dhe duhet t’i shmangen të keqes duke thënë: “ose nga ujku për delet e tij”. Ai (a.s) u betua në Allah, ç’ka i qetësoi sahabët. Ai (a.s) i tregoi atyre – si mjet edukimi për sahabët – historinë e njerëzve që kanë qenë para tyre, të cilët edhe ata kanë vuajtur si ta, madje më tepër.

Dhe së fundmi nuk na ngelet gjë tjetër vetëm se të vëmë theksin mbi dy çështje:

E para: Hababi (a.s) nuk shkoi tek profeti (a.s) me idenë që të kërkonte lehtësim nga torturat për veten e tij. Madje ai mund të jetë prej sahabëve që është lënduar më tepër se kushdo.

E dyta: Optimizëm apo që njeriu mos të jetë pesimist nuk nënkupton që njeriu mos të mërzitet prej atyre gjërave që e lëndojnë. Ajo që kërkohet prej muslimanit është që mërzitia mos të mbjellë në zemrën e tij pesimizëm dhe ta stopojë atë nga puna.

Autor: Ragib Sirxhani

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Buhariu (30). Në kontekstin e këtij hadithi nuk tregohet emri i personit të cilin Ebu Dherri (r.a) e ofendoi. Kurse në hadithe të tjera tregohet se ai ishte Bilali (r.a)

[2] – Buhariu (5063).

[3] – Buhariu (3361).

[4] – Buhariu (702). Në këtë kontekst të hadithit nuk tregohet se kush është imami i cili e zgjaste faljen e namazit të sabahut, kurse në transmetime të tjera tregohet se ai ishte Muadh ibn Xhebeli.

[5] – Buhariu (3612).

[6] – Ashtu sikur transmetohet në një transmetim tjetër tek imam Buhariu.

[7] – Sure Hixhr: 56.

[8] – Sure Jusuf: 87.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.