Përshkrimi i të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Hasan ibn Ali ibn Ebi Talibi (r.a) tregon: “E pyeta dajën tim Hind ibn Ebi Haletin – i cili ishte ekspert përshkrimi – për tiparet fisnike të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të), pasi kisha endje dhe kërshëri të dija tiparet dhe të njihja cilësitë profetike, në mënyrë që t`i mësoja sa më mirë dhe t`i zbatoja sipas mundësisë. Hindi tha: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka qenë dinjitoz në paraqitje dhe në sjelljet morale, siç gëzonte respekt tepër të lartë në sytë e kujtdo. Fytyra e tij ndriçonte si hëna e plotë. Ai ishte më i gjatë se një person me trup mesatar dhe më i shkurtër se një person me trup të gjatë. Koka e tij ishte e mesatarisht e madhe por e përsosur në pamje. Flokët i kishte pak të përdredhura, nëse ato ndaheshin natyrshëm në mes të kokës, ai (Paqja qoftë mbi të) i ndante në dy pjesë, përndryshe kur nuk i luante, ato nuk kalonin bulzën e veshit. Ngjyra e lëkurës së fytyrës shkëlqente nga bardhësia, balli i tij ishte i gjerë dhe vetullat i kishte të dendura dhe të harkuara, si një bisht dallëndyshjeje, por nuk i kishte të bashkuara. Në mes të vetullave dallohej një damar, i cili fryhej në raste zemërimi. Ai kishte një hundëshkabë, të dukshme, por me flegra të holla, e cila rrezatonte dritë. Kur dikush e shikonte nga larg mendonte se hunda e tij ishte e ngritur, mirëpo kur afrohej dhe e shikonte me vëmendje, e kuptonte se hunda e tij ishte mëse normale, por rrezatimi i dritës e bënte të dukej e madhe. Mjekra e tij ishte e plotë dhe e dendur, bebja e syrit ishte e madhe dhe e zezë, faqet e tij ishin shumë të lëmuara dhe të mbushura, goja e tij ishte e gjërë dhe mesatarisht e madhe, por shumë e bukur, dhëmbët i kishte të bardhë dhe të hollë, ndërsa dhëmbët e parë i kishte të ndarë. Një vijë e hollë qimesh fillonte në gjoks dhe vazhdonte deri tek kërthiza. Qafa e tij ishte e bukur dhe e hollë, a thua se ishte qafa e një statuje të fildishtë apo të mermertë, ngjyrë e cila i jepte bukuri dhe rrezatonte hijeshi. Forma e trupit të tij ishte e përkryer, truplidhur, ku të gjitha pjesët e trupit ishin në harmoni dhe simetri me njëra-tjetrën, të mbushura dhe rrezatonin dritë. Kraharori dhe barku ishin një linjë, mirëpo gjoksi i tij ishte i plotë dhe i gjërë. Distanca mes shpatullave ishte e madhe dhe kockat që lidhin trupin i kishte të forta dhe të mëdha. Kur hiqte rrobat, trupi i tij ishte i shndritshëm dhe rrezatonte, mirëpo ky rrezatim vihej re edhe kur i kishte rrobat e veshura. Poshtë zgavrës së fytit deri tek kërthiza kishte një vijë të hollë me qime, ndërsa në kraharor dhe bark nuk kishte qime të tjera. Parakrahët, shpatullat dhe pjesën e sipërme të gjoksit e kishte të mbushur me qime. Parakrahët i kishte të gjatë dhe pëllëmbët e duarve i kishte të mëdha. Gishtërinjtë e dorës i kishte të gjatë dhe të mbushur, të tilla i kishte edhe gishtrinjtë e këmbës. Shputa e këmbës kishte një hark shumë të mysët, me lëkurë të lëmuar dhe të pastër aq sa nëse biente uji mbi të, pikonte menjëherë. Kur ecte i hidhte hapat me vrull dhe me energji, por kur ato preknin tokën nuk ndiheshin fare, prandaj ecte këndshëm. Ecja e tij ishte ritmike, me hapa të mëdhenj e jo të vegjël. Kur ecte dukej sikur po zbriste shkallë dhe kur shikonte diçka kthehej me të gjithë trupin. Gjatë ecjes e mbante shikimin përdhe për shkak të modestisë, prandaj shikimi i tij ishte më shumë i përqendruar në tokë sesa në qiell. Shikim i tij ishte i ndrojtur nga modestia dhe nuk ia ngulte sytë diçkaje. Kur ecte me shokët e tij qëndronte pas tyre dhe kur takonte dikë, ishte i pari që i jepte selam”.

Unë i thashë: “Më përshkruaj mënyrën sesi fliste”. Hindi tha: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ishte përherë i pikëlluar (për pjestarët e Umetit), gjithmonë i menduar (për Ahiretin) dhe nuk kishte kohë për të pushuar gjatë. Ai fliste vetëm në raste nevoje dhe heshte shumë. Kur e fillonte dhe mbaronte fjalimin, ai (Paqja qoftë mbi të) fliste me qartësi dhe eufoni (duke shqiptuar shkronjat si duhet). Kur ai fliste, fjalë e tij ishin gjithpërfshirëse dhe precize, nuk mbartnin nënkuptime, ekazgjerime apo mangësi. Natyra e tij ishte e butë dhe e embël. Nuk ishte mospërfillës dhe as përçmues. Ai e vlerësonte çdo lloj mirësie edhe nëse ishte shumë e vogël. Ai nuk përbuzte asgjë nga mirësitë e Allahut. Kur hante një ushqim, as nuk e lavdëronte dhe as nuk e shante shijen e tij. Nuk zemërohej për gjërat kalimtare të kësaj jete. Kur cenohej e vërteta dhe e drejta, nuk njihte më askënd. Askush nuk i dilte përballë zemërimit të tij kur bëhej fjalë për cenimin qoftë edhe diçkaje të vogël nga e drejta dhe e vërteta dhe për këtë luftonte derisa e vërteta të ngadhënjete. Ai nuk zemërohej kurrë për veten e tj dhe nuk mundohej të ngadhënjente për veten e tij. Kur bënte shenjë me dorë, ai (Paqja qoftë mbi të) e bënte me të gjithë pëllëmbën e dorës. Kur habitej për diçka e ngritne dorën lart. Fjalët i shoqëronte me gjeste duke lëvizuar dhe bashkuar duart, ku shpesh herë me pëllëmbën e djathtë godiste pjesën e brendshme të gishtit të madh. Kur zemërohej më dikë, i shmangej dhe kthente kokën. Kur gëzohej mbyllte sytë dhe pjesa më e madhe të qeshurës së tij ishte thjesht buzëqeshje. Kur qeshte më zë i dukeshin dhëmballat, ndërsa dhëmbët i dukeshin si kokrra breshëri”.

Hasani thotë: “Unë ia kam mbajtur të fshehur për një kohë të gjatë këtë përshkrim vëllait tim Husejnit dhe kur i tregova për të, ai e dinte më mirë se unë, pasi kishte pyetur babanë e tij për atë që kisha pyetur unë Hindin. Husjeni e kishte pyetur të atin për mënyrën se si i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) futej dhe dilte nga shtëpia, sesi qëndronte në kuvend, për tiparet fizike e morale të tij (Paqja qoftë mbi të) dhe për çdo gjë rreth tij.

Husejni tha: “E pyeta babanë për mënyrën sesi i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) e kalonte kohën kur qëndronte në shtëpi. Babai më tha: “Ai kishte leje të futej në cilëndo prej shtëpive të tij, por nuk futej pa kërkuar leje. Kur futej në shtëpi e ndante kohën në tre pjesë: një pjesë për Allahun, një pjesë për familjen dhe një pjesë për veten e tij. Kohën që kishte lënë për vete e ndante bashkë me njerëzit, ku këshillohej dhe kërkonte kontributin e disa individëve për të ndihmuar njerëzit e thjeshtë. Ai (Paqja qoftë mbi të) nuk mbante asgjë për vete dhe nuk u mbante asgjë njerëzve. Nga sjellja e tij me pjestarët e Umetit ishte përzgjedhja dhe favorizimi i njerëzve të virtytshëm që të bëheshin pjesëtar të kuvendit të tij,  të cilëve u jepte në bazë të përkushtimit të tyre në fe. Prej tyre kishte nga ata që kishin nevojë një gjë, kishte nga ata që kishte nevojë për dy gjëra, ashtu siç kishte nga ata që kishin nevojë për shumë gjëra. Kështu, ai (Paqja qoftë mbi të) angazhohej me problemet e tyre dhe mbarë pjestarëve të Umetit, intersohej për hallet e tyre dhe u mundësonte zgjidhjen më të përshtatshme për ta. Ai i sqaronte pyetjet që i bënin pjestarët e Umeti dhe u tregonte atë që u sillte dobi atyre. Ai (Paqja qoftë mbi të) u thoshte: “Ai që është i pranishëm le ta komunikojë fjalën time edhe atij që nuk është këtu. Më informoni dhe më tregoni për hallin dhe nevojën e atij që nuk ka mundësi vetë të ma tregojë, pasi kush e informon një personi me pushtet (profet, prijës, mbret etj) për hallin dhe nevojën e atij që nuk mund ta shprehë vetë, le ta dijë se Allahu do t`ia bëjë të qëndrueshme këmbët në Ditën e Kijametit”. Në kuvendin e tij vetëm kjo gjë përmendej, pra çfarë u sillte dobi njerëzve dhe nuk bëheshin diskutime të panevojshme dhe të padobishme. Tek kuvendi i tij futeshin për të mësuar, largoheshin vetëm pasi të kishin provuar shijen e diturisë, urtësiëë apo edhe ushqimit, e më pas shpërndaheshin duke qenë udhëzues, pra dijetarë e njohës të mirë të Kuranit dhe të Sunetit”.

Husejni thotë: “E pyeta babanë për mënyrën sesi e kalonte i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë  mbi të) kohën jashtë shtëpisë së tij. Ai më tha: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) fliste vetëm për ato gjëra që i sillnin dobi njerëzve, që i bashkonin ata, që nuk i përçanin dhe që nuk i bezdisnin. Ai e nderonte të parin e një populli dhe e ngarkonte atë me detyrën e prijësit, si shenjë respekti për të dhe nderimi për pjestarët e popullit të tij. Ai i paralajmëronte njerëzit dhe kur duhej merrte masa, miërpo nuk binte në sy dhe nuk ia kursente askujt buzëqeshjen dhe sjelljen e lartë morale. Ai (Paqja qoftë mbi të) interesohej për shokët e tij, pyeste njerëzit për ato që kishte ndodhur në mesin e tyre. Ai e vlerësonte të mirën ashtu siç është ajo në të vërtetë, e përkrahte dhe e promovonte. Ai e demaskonte të keqen, e luftonte dhe përpiqej për zhdukjen e saj. Ai (Paqja qoftë mbi të) ka qenë i ekulibruar dhe i matur në çdo gjë. Ai nuk ishte kontravers, nuk tregohej i pavëmendshëm nga droja se njerëzit mund të bien në vorbullën e shkujdesjes apo mund të bien prè e rutinës. Ai ishte i parapërgatitur për çdo rast dhe në çdo kohë. Ai nuk neglizhonte asnjë të drejtë dhe as nuk e tejkalonte masën për asgjë. Ata që e pasonin nga mesi i njerëzve ishin më të përzgjedhurit. Më i miri prej tyre tek ai (Paqja qoftë mbi të) ishte ai që jepte këshillat më të dobishme dhe të sinqerta për të mirën e njerëzve. Pozitën më të lartë në sytë e tij e kishte ai që me fisnikëri jepte, përkrahtte dhe bashkëpunonte me të tjerët”.

Husejni thotë: “Më pas e pyeta babanë tim për mënyrën sesi ulej, sesi kuvendonte i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) dhe çfarë bënte në kuvend. Ai më tha: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) nuk ulej dhe nuk ngrihej pa përmendur Allahun, nuk i përcaktonte vetes një vend të caktuar ku të ulej apo të falej, madje i ndalonte edhe të tjerët nga një veprim i tillë. Kur mbërrinte në një kuvend, ai ulej ku kishte vend të lirë dhe me këtë gjë urdhëronte edhe shokët e tij. Çdo personi në kuvend, ai (Paqja qoftë mbi të) i jepte sytë, fytyrën dhe të folurën, aq sa secili që qëndronte me të mendonte se është njeriu më fisnik, më i nderuar dhe më i privilegjuar në sytë e tij (Paqja qoftë mbi të). Kur dikush ulej dhe ngrihej me të dhe kishte ndonjë nevojë, ai (Paqja qoftë mbi të) nuk e braktiste por duronte derisa personi të përmbushte nevojën e tij dhe të largohej i pari. Kush i kërkonte diçka ia jepte dhe nuk e kthente duarbosh, nëse nuk kishte i thoshte fjalë lehtësuese, ku i premtonte se do ti jepte sapo t`i jepej diçka. Ai (Paqja qoftë mbi të) i kishte pushtuar zemrat e njerëzve me bujarinë dhe moralin e tij, kështu ai ishte baba për ta, ata ishin të afërt në të drejta me të dhe epërsia ndaj tjetrit përcaktohej vetëm sipas kriterit të devotshmërisë”. Në një transmetin tjetër qëndron: “Të gjithë kishin të drejta të barabarta tek ai (Paqja qoftë mbi të). Kuvendi i tij ishte kuvend butësie, dhembshurie, vetpërmbajtje, dinjiteti dhe besnikërie. Në kuvendin e tij nuk ngriheshin zërat, nuk cenoheshin shenjtëritë dhe dinjiteti i njerëzve, nuk përmendeshin dhe as nuk përhapeshin gabimet që ndodhin në një kuvend të tillë. Ata shprehnin dhembshuri, dashuri, mirësi dhe mëshirë për njëri-tjetrin, duke qenë korrekt kështu pasi të gjitha këto burojnë nga devotshmëria. Në kuvendin e tij (Paqja qoftë mbi të) ata ishin të thjeshtë, nderonin dhe respektonin të moshuarin, tregonin mëshirë dhe dhembshuri për të voglin, i jepnin përparësi edhe ndaj veteve të tyre atij që kishte nevojë, ashtu siç përkujdeseshin posaçërisht për të huajin”.

Husejni thotë: “Unë e pyeta babanë: “Si sillej i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mb itë) me ata që qëndronte në kuvendin e tij”? Babai më tha: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ishte gjithmonë fytyrçelur, i lehtë në natyrë, i butë në sjellje, nuk ishte i ashpër, nuk ishte zemërlig, nuk çirrëj, nuk ishte gojërëndë, nuk turpëronte askënd dhe nuk i servilosej askujt me lavdërime. Ai e anashkalonte atë gjë që nuk e dëshironte, mirëpo kjo gjë nuk vihej re nga të tjerët, ashtu siç nuk ua pështiroste gjërat të tjerëve. Tre gjëra i kishte mënjanuar: polemikën (në një transmetim syfaqësinë), teprinë/lakminë për të mbledhur (në fjalë dhe pasuri) si dhe angazhimin me gjëra që nuk i përkisnin. Ai (Paqja qoftë mbi të) i është shmangur gjithmonë tre gjërave që fyejnë dhe cënojnë njerëzit, prandaj ai nuk përçmonte askënd, nuk turpëronte dhe nuk ofendonte askënd, ashtu siç nuk kërkonte dhe as nuk gjurmonte pikat e dobëta të njerëzve. Fliste vetëm për ato gjëra për të cilat shpresonte se merret sevap. Kur ai fliste, shokët e tij nuk lëviznin fare, a thua se mbi kokat e tyre qëndronin zogj. Kur ai heshtte, atëherë ata flisnin. Në praninë e tij askush nuk grindej dhe kush fliste prej njerëzve, atë e dëgjonin të gjithë dersia të mbaronte. Diskutimet në kuvendin e tij ishin diskutime motivuese, qeshte me ato gjëra që të pranishmit qeshnin dhe habitej me ato gjëra që të parnishmit habiteshin. Ai (Paqja qoftë mbi të) tregohej shumë i duruar me të huajin si në rastin kur fliste ashpër ashtu edhe kur tregohej gdhë në kërkimin e gjërave. Kur shikonte se shokët e tij silleshin ashpër me të huajin, ai (Paqja qoftë mbi të) u thoshte: “Kur të shikoni një nevojtar duke kërkuar përmbushjen e nevojës, atëherë i jepni dhe udhëzojeni”. Lavdërimet dhe falënderimet i pranonte vetëm nga ato persona të cilët ishin të matur në vlerësime dhe të cilët i kishte ndihmuar. Nuk ia ndërpriste askujt fjalimin, përveç rastit kur kaloheshin limitet, atëherë i kërkonte të ndalonte ose ngrihej dhe largohej (në një transmetim tjetër: nuk ia ndërpriste askujt fjalën pa e mbaruar tërësisht fjalimin)”.

Husejni thotë: “Unë e pyeta babanë tim: “Më trego për rastet kur i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) qëndronte i heshtur”? Ai më tha: “Heshtja e të të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) karakterizohej nga katër gjëra: vetpërmbajtja, kujdesi, vlerësimi dhe meditimi. Vlerësimi i tij (Paqja qoftë mbi të) ishte i dukshëm për të gjithë, pasi bëhej sy e veshë për të dëgjuar dhe kuptuar njerëzit. Përsa i përket meditimit apo kujtimit, ai meditonte shumë për gjërat e përjetshme dhe gjërat që do të zhduken (botën tjetër dhe realitetin e kësaj jete). Vetpërmbajta e tij dukej në raste durimi, pasi atë nuk e zemëronte dhe as nuk e frikësonte asgjë. Kujdesi i tij (Paqja qoftë mbi të) dukej qartë në katër gjëra: përzgjidhte më të mirën që ajo të shërbente si shembull dhe model për të tjerët, largohej kryekëput nga e keqja që edhe njerëzit të largoheshin kategorikisht prej saj, përpiqej në maksimum të jepte atë mendim që është më i dobishëm dhe më në interes për Umetin, angazhohej maksimalisht për t`ia organizuar Umetit të tij si çështjet e kësaj jete ashtu edhe të botës tjetër (të cilat u sigurojnë atyre lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër”.

Përktheu: Rushit Musallari

Disa nga referencat: Këtë hadith e shënon Tirmidhiu në “Esh-Shemailu`l-Muhammedije”, (7), Hakimi (3/640), Bejhakiu në “Shuabu`l-Iman”, (1362) dhe në “Delailu`n-Nubuve”, (1/285), Ebu Nuajmi në “Delailu`n-Nubuve”, (565), Taberaniu në “El-Ehadithu`t-Tival”, (29) dhe në “El-Muxhemu`l-Kebir”, (22/155), (414), Bageviu në “Sherhu`s-Sunne”, (3705) dhe në “El-Enuar fi`sh-Shemaili`n-Nebijji`l-Mukhtar”, (457), Ibn Ebi Asimi në “El-Ehad ue`l-Methani”, (1231, 1232), Kadi Ijadi në “Esh-Shifa”, (374), Ibn Sadi në “Et-Tabekatu`l-Kubra”, (1/362-365), Feseviu në “El-Marife ue`t-Tarikh”, (3/356-360), Ibn Asakiri në “Tarikh Medine Dimeshk”, (4/337-352), Ibn Kethiri në “El-Bidaje ue`n-Nihaje”, (8/447-453) dhe në “Shemailu`rr-Rrasul”, (fq: 56-60), Dhehebiu në “Tarikhu`l-Islam”, (2/444), Sujuti në “El-Khasaisu`l-Kubra”, (1/188-190), etj.

Ky hadith i pranuar për shkak të dëshmive përforcuese. Për vlerësimin e hadithit dhe shpjegimin e tij shiko: “Fejdu`l-Kadir”, (5/97-101), (6493), të Munavit, “El-Meuahibu`l-Muhammedije bi Sherhi`sh-Shemail Et-Tirmidhije”, (1/76) të Xhemelit, “Fet`hu`l-Bari”, (6/569) të Ibn Haxherit, “Sherhu`sh-Shifa”, (1/340-357) të Mula Ali el-Karrijut, “Esh-Shemai`l-Muhamedije”, (7) me recensim të Abduhu Ali Kushekut, “Sahihu`s-Sirati`n-Nebevije”, (1/347) të Muhamed ibn Rizk Tarhunit, “Es-Siratu`n-Nebevije fi Daui`l-Mesadiri`l-Aslije”, (fq: 729/733) të Mehdi Rizkullahut, “Err-Rrahiku`l-Mekhtum”, (fq: 443) të Safijurrahman Mubarekfurit, etj

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *