I Dërguari i Allahut (a.s) ishte edukator dhe pastrues i shpirtrave të shokëve të tij, dhe kjo është detyra me të cilën Allahu i Madhëruar e nderoi. Ky pastrim shfaqet në mënyrën më të qartë përmes këtyre tri porosive, të cilat me të drejtë konsiderohen si modele të trajtimit profetik për sëmundjet e shpirtit dhe si stërvitje praktike për ta dorëzuar veten ndaj caktimit dhe kaderit të Allahut dhe për të qenë i kënaqur me të.
Porosia e parë:
Nga Ebu Hurejra (r.a) transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët, megjithëse te secili ka mirësi. Kujdesu për atë që të sjell dobi, kërko ndihmë nga Allahu dhe mos u dorëzo. Nëse të ndodh diçka, mos thuaj: “Sikur të kisha bërë kështu e kështu, do të ndodhte kështu e kështu”, por thuaj: “E ka caktuar Allahu dhe Ai bën çfarë të dojë”, sepse fjala “sikur” hap derën e veprës së shejtanit.”
Në këtë hadith, i Dërguari (a.s) sqaron se kush dëshiron të fitojë dashurinë dhe kënaqësinë e Allahut, duhet të nxitojë në forcimin e besimit në përpjekjen kundër vetes, dhe në kërkimin e forcës në dije, trup dhe në çdo element tjetër të dobishëm që formon personalitetin e besimtarit që Allahu e do.
Për ta arritur këtë, myslimani duhet të zbatojë këshillat e këtij hadithi: të kujdeset për atë që i bën dobi, të kërkojë ndihmën e Allahut dhe të mos dorëzohet; dhe kur i ndodh diçka e caktuar, ta dorëzojë çështjen te Allahu, pa u zemëruar, pa u ankuar nga fatkeqësitë dhe pa i hapur derë shejtanit me fjalën: “sikur të kisha bërë…”.
Fjala “sikur” sjell keqardhje dhe dhimbje, shton pikëllimin dhe trashëgon ankth e trazim. Ajo nuk e kthen dot të kaluarën dhe nuk e ringjall të vdekurin, sado që njeriu të pendohet. Përkundrazi, i sjell vetes trishtim dhe trupit sëmundje e dhimbje, dhe e ekspozon ndaj zemërimit të Allahut për shkak të kundërshtimit të kaderit të Tij. Zgjidhja praktike është të thuhet: “E ka caktuar Allahu dhe Ai bën çfarë të dojë”, duke shpallur dorëzimin ndaj urdhrit të Allahut dhe kënaqësinë me caktimin e Tij, dhe duke e mësuar gjuhën të përsërisë këtë sa herë që e godet diçka e pakëndshme.
Porosia e dytë: Lutja e istihare-s
Nga Xhabir ibn Abdullahu (r.a) transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s) na mësonte istiharen në të gjitha çështjet, ashtu siç na mësonte një sure nga Kurani. Ai thoshte: “Kur dikush prej jush vendos ndërmarrë një veprim, le të falë dy rekate jo farz, pastaj të thotë: “O Allah, kërkoj zgjedhjen Tënde me dijen Tënde dhe kërkoj forcë me fuqinë Tënde, dhe kërkoj nga mirësia Jote e madhe. Sepse Ti mundesh, ndërsa unë nuk mundem; Ti di, ndërsa unë nuk di; dhe Ti je Njohësi i të fshehtave. O Allah, nëse e di se kjo çështje është e mirë për mua në fenë time, jetesën time dhe përfundimin e çështjes sime – ose tha: në të tashmen dhe të ardhmen time – atëherë ma cakto dhe ma lehtëso; e nëse e di se kjo çështje është e keqe për mua në fenë time, jetesën time dhe përfundimin e çështjes sime – ose tha: në të tashmen dhe të ardhmen time – atëherë largoje atë nga unë dhe më largo mua prej saj, dhe më cakto të mirën kudo që të jetë, pastaj më bëj të kënaqur me të”, dhe e përmend nevojën e tij.”
Kjo porosi profetike është një stërvitje praktike për ta mësuar shpirtin të qetësohet dhe të jetë i kënaqur me kaderin, duke iu dorëzuar asaj që Allahu cakton, me bindjen se ajo është më e dobishmja dhe më e mira për robin.
Kur myslimani synon të ndërmarrë një veprim të lejuar – si udhëtimi, martesa, tregtia apo të tjera – duhet të nxitojë në zbatimin e kësaj porosie, duke bërë istihare me përulësi dhe dorëzim ndaj Allahut, duke kërkuar që Ai t’i zgjedhë atë që është më e mirë për fenë dhe jetën e tij, dhe ta largojë nga e keqja.
Pastaj vendos për atë çështje: nëse i hapet zemra dhe Allahu ia lehtëson rrugën, kjo është e mira që Allahu ka zgjedhur për të; nëse ndodh e kundërta, duhet të gëzohet, sepse Allahu e ka larguar nga një e keqe dhe i ka zgjedhur atë që e përmirëson, edhe nëse nuk e kupton urtësinë. Le të qetësohet shpirti i tij dhe të mos mbetet i lidhur apo i shqetësuar për atë çështje. Kështu, myslimani e stërvit veten në mënyrë praktike për kënaqësinë me caktimin e Allahut dhe për dorëzimin ndaj Tij.
Transmetohet nga el-A‘mesh, nga Mesudi (r.a), i cili tha: “Robi mund të synojë një çështje nga tregtia apo pushteti, derisa t’i lehtësohet; atëherë Allahu e sheh nga mbi shtatë qiej dhe u thotë engjëjve: “Largojeni prej saj, sepse nëse ia lehtësoj, do ta fus në zjarr.” Kështu Allahu e largon prej saj. Atëherë ai thotë: “Nga më erdhi kjo?” Por kjo është vetëm nga mirësia e Allahut.”
Prandaj, i Dërguari (a.s) i kushtonte shumë rëndësi lutjes së istihare-s, duke ua mësuar shokëve të tij si një sure nga Kurani, gjë që tregon rëndësinë dhe kujdesin e madh për të.
Porosia e tretë: Mos i përçmoni mirësitë e Allahut
I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Shikoni ata që janë më poshtë se ju dhe mos shikoni ata që janë mbi ju, sepse kjo është më e përshtatshme që të mos përçmoni mirësitë e Allahut mbi ju.” Ndërsa në një transmetim të Buhariut: “Kur dikush prej jush shikon dikë që është mbi të në pasuri dhe pamje, le të shikojë atë që është më poshtë se ai.”
Në këtë hadith gjendet ilaçi për sëmundjen e zilisë dhe ankimin ndaj kaderit. Shpirti që shikon vazhdimisht të tjerët nuk do të jetë kurrë i kënaqur: sa herë arrin një nivel pasurie apo pozite, e mëson atë dhe kërkon më shumë. Ai mbetet gjithmonë do të lakmojë pasurinë, do të jetë i pakënaqur dhe do të përçmojë mirësitë dhe begatitë e Allahut, duke mohuar kështu Dhuruesin.
Kjo përputhet me fjalën e Profetit (a.s): “Sikur biri i Ademit të kishte një luginë me ar, do të donte të kishte dy; dhe gojën e tij nuk e mbush veçse dheu; dhe Allahu ia pranon pendimin atij që pendohet.”
Nëse myslimani e ndjek këtë porosi, ai do ta njohë vlerën e mirësive, do të jetë i kënaqur me atë që Allahu i ka ndarë dhe do të fitojë kënaqësi e lumturi, edhe nëse sprovohet me varfëri, sëmundje apo fatkeqësi.
Nëse është i varfër, le të shikojë atë që është në varfëri ekstreme dhe uri; nëse është i sëmurë, le të shikojë atë që është sprovuar me paaftësi apo sëmundje të rëndë kronike. Kështu ai mbetet gjithmonë mirënjohës, i kënaqur dhe i durueshëm.
Sikur myslimanët sot ta zbatonin këtë porosi, gjendja e tyre do të përmirësohej, do të rregulloheshin punët e tyre dhe do të kuptonin frytin e vërtetë të besimit në kader, duke nxituar në garën për devotshmëri, vepra të mira dhe afrimin tek Allahu, në vend të garës për mbeturinat e kësaj bote kalimtare.
Autor: Ali Muhamed Salabi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















