Një mendim i çuditshëm më erdhi ndër mend për shkak të përhapjes së madhe të rrjetit “Twitter” dhe ndikimit të tij të fuqishëm te njerëzit, ndonëse postimi i vetëm (tweet) nuk i kalon 140 shkronjat, prapëseprapë ai ka ndikim të madh dhe ka ndryshuar mendjen dhe sjelljen e shumë njerëzve. Mendova me vete: po sikur çdo sahabi i ndershëm të kishte një llogari në Twitter, çfarë do të shkruante vallë?
Më pas nisa të hulumtoj në thëniet e katër halifëve të drejtë, atyre burrave të mëdhenj që janë përgëzuar me Xhenet qysh në këtë botë. Çdo fjalë e tyre ishte si gur i çmuar, i paktë në numër, por i ngarkuar me dritë, urtësi dhe fuqi transformuese. U befasova nga thellësia dhe ndikimi i atyre pak fjalëve, të cilat, ndonëse të kursyera në formë, kishin forcën të zgjonin ndërgjegjen dhe të drejtonin breza të tërë.
Ky ndikim i thellë buronte nga dy shtylla themelore:
Së pari, sinqeriteti i tyre i rrënjosur thellë në çdo fjalë e vepër. Ata nuk flisnin për t’u dëgjuar, por për të ndriçuar.
Së dyti, qartësia e mendimit dhe përqendrimi në thelb. Ata nuk e mbingarkonin mesazhin me fjalë të tepërta, sepse e dinin mirë se fjalët e shumta shpesh i humbin kuptimin njëra-tjetrës.
Në këtë shkrim do të ndaj me ju disa prej thënieve të ndritura të katër halifëve të drejtë. Në fund të secilës shprehje, do të shënoj edhe numrin e shkronjave, që të meditojmë së bashku mbi peshën dhe ndikimin e këtyre “postimeve” të mençurisë, të cilat, në pjesën më të madhe, nuk e kalojnë kufirin e 140 shkronjave, por megjithatë bartin fuqi dhe dritë sa për një epokë të tërë.
Postimet e Ebu Bekër Es-Siddikut (r.a):
“Kërkoje vdekjen, të jepet jeta.” (29 shkronja)[1]
“Nëse të shpëton një e mirë, arrije atë, e nëse të arrin një e keqe, parakaloje.” (41)
“Katër gjëra e bëjnë njeriun ndër më të mirët: Ai që gëzohet për atë që është penduar, ai që lutet për mëkatarin, fton të kthehet në rrugë të drejtë atë që është shmanguar nga ajo dhe ndihmon të mirin.” (93)
“Ndreqe vetveten, të ndreqen njerëzit.”(23)
“Më i mençuri është ai që ka devotshmëri, më i marrë është ai që ndjek epshin, më i sinqerti është amanetliu dhe më i rrejshmi është tradhtari.” (76)
“Allahu ka bashkangjitur premtimin me kërcënimin që robi të jetë i kujdesshëm.”(47)
“Allahu sheh nga brendia jote atë që sheh nga jashtë.” (36)
“Kur njeriun e mashtron zbukurimi i dynjasë, Allahu e urren derisa ta lërë atë zbukurim.” → (81)
Postimet e Omer ibn Hattabit (r.a):
“Qëndro në të vërtetën, edhe nëse të vret.” (20)
“I sinqerti arrin me sinqeritet atë që i rrejshmi nuk e arrin me dredhi.”(50)
“Kush e mban sekretin, e ka zgjedhjen në dorë.”(27)
“Më i mjerë është ai udhëheqës që populli vuan prej tij.” (29)
“Ruhuni prej atij që e urrejnë zemrat tuaja.” (22)
“Më i mençuri ndër njerëz është ai që i arsyeton të tjerët.” (23)
“Mos e shtyj punën e sotme për nesër.” (23)
“O njerëz, bëni nijet për veprat tuaja, sepse ai që e bën veprën me nijet, merr shpërblimin e veprës dhe të nijetit.” (72)
“Bëni sa më shumë fëmijë, se nuk e dini përmes kujt vjen bereqeti.” (44)
Postimet e Othman ibn Affanit (r.a):
“Brenga për dynjanë sjell errësirë në zemër, brenga për ahiretin sjell dritë.” (49)
“Kush e braktis dynjanë, e do Allahu; kush i shmanget mëkateve, e duan engjëjt dhe njerëzit.” (76)
“Mjafton që zilia ta helmojë gëzimin tënd.” (35)
“Allahu ndëshkon më shumë me pushtet sesa me Kuran.” (38)
“Punoni dhe mos u bëni të pakujdesshëm, sepse Ai nuk është i pakujdesshëm ndaj jush.” (35)
Postimet e Ali ibn Ebi Talibit (r.a):
“Kush nuk mban dot sekretin e vet, nuk mund të mbajë sekretin e tjetrit.” (41)
“Kush flet shumë, gabon shumë.” (21)
“Kush sheh të metat e të tjerëve dhe i kundërshton, por i vepron po vetë, ai është budalla i vërtetë.” (65)
“Kush i kërkon llogari vetes së tij ka fituar.” (16)
“Nuk ka trashëgimi më të mirë sesa edukata.” (15)
Këto ishin vetëm disa prej fjalëve të tyre. Kam ende shumë të tjera, por e kam të vështirë t’i përmend të gjitha në këtë artikull. Sikur të ekzistonte Twitter-i në kohën e tyre, me siguri ndikimi i tyre do të ishte edhe më i madh. Sepse rëndësi nuk ka sasia e fjalëve, por cilësia e tyre.
Në një proverb thuhet: “Fjala është si ilaçi: pak nga ajo të shëron, shumë të dëmton.” Dhe në një tjetër proverb thuhet: “Pak fjalë janë tregues i mençurisë.”
Por, ne sot jemi sprovuar me tepricë fjalësh në politikë, media, fe e edukim, e pastaj ankohemi përse fjalët nuk ndikojnë. Hytbe me fjalë të shumta, prindër që këshillojnë pa fund, kanale televizive e radiofonike që ligjërojnë ditë e natë… Por puna, shembulli i gjallë, veprimi i heshtur, shumë pak, ose pothuajse hiç!
Ndoshta nga të vetmet dobi të kohës digjitale është se kemi një brez të ri që ecën shpejt, flet pak dhe punon shumë.
Pra, nuk ka rëndësi sa shumë flasim, por çfarë themi. Martesa bëhet me një fjalë. Divorci ndodh me një fjalë. Njeriu hyn në Islam me një fjalë. Imam Buhariu e nisi përmbledhjen e tij të haditheve pasi dëgjoi një fjalë nga mësuesi i tij. Shumë projekte kanë lindur nga një fjalë.
Mos e nënvlerëso fjalën, por le të jetë ajo që të çon drejt veprës. Allahu i Lartësuar thotë:
Thuaj: Veproni, se Allahu do ta shohë veprën tuaj.” E nuk tha: “Thuaj: Flisni…” Le të meditojmë mbi këtë.
Autor: Xhasim Mutaua
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Ky citat i sahabijut të nderuar mbart 29 shkronja dhe kuptohet që në përkthimin e tij në gjuhën shqipe mund të mbartë më shumë ose më pak se 29 shkronja. Po kështë edhe përsa i përket citateve të tjera. Sh.pk.