Problematikat e brendshme dhe të jashtme të ftesës

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ftesa drejtuar njerëzve për ta besuar Allahun e Lartësuar, është puna më e nderuar dhe adhurimi më i lartë. Ajo është një prej specifikave të Profetëve të nderuar dhe një prej detyrave më të spikatura e njerëzve të mirë e të sinqertë.

Njeriu nuk mund të ftojë për një ide, nëse nuk e përqafon vetë atë dhe pastaj të luajë një rol aktiv në çështjet e saj. Ftuesi jeton me thirrjen e ajo jeton me të. Ftesa islame është kërkuese ndaj ftuesit. Po ashtu edhe ftuesi është vigjilent ndaj ftesës.

Është dëshira e Allahut të Lartësuar, që në kohën e sotme ftesa islame të përshkojë rrugën e saj në të gjitha vendet e botës. Në çdo vend, ftesa islame ka gjuhën e saj, me të cilën flet dhe shprehet.

Ftesa islame ka depërtuar në të gjithë shtresat e shoqërisë. Ajo nuk është monopol i nënpunësve zyrtarë apo i atyre që njihen si “padronët e ritualeve fetare”. Përkundrazi, pjesë e ftesës islame janë burrat dhe gratë, të vegjlit dhe të mëdhenjtë, si dhe specialistët e lëmive të ndryshme shkencore e humane. Këtë shtrirje të personave që merren me ftesën islame, është bërë struktura bazë e universiteteve të botës islame, madje këtë gjë e shohim gjithashtu edhe në universitetet e perëndimit.

Sidoqoftë, në rrugën e ftesës islame gjenden shumë vështirësi dhe pengesa të brendshme apo të jashtme. Unë po përmend vetëm disa prej tyre:

1 – Numri i paktë i edukatorëve dhe drejtuesve islamë, që nuk janë të mjaftueshëm në raport me pritshmëritë e mëdha, që të tjerët kanë ndaj tyre. Ndoshta ky është fenomeni më i rrezikshëm, që ka nevojë për kurim, sepse pjesa më e madhe e njerëzve jetojnë në ambiente jo të përshtatshme, ç’ka reflekton në formimin dhe strukturimin e këtij fenomeni. Shpeshherë ndodh, që disa njerëz të paaftë dalin vullnetarë në proçesin edukativ dhe formues, duke dhënë opinionet e tyre në çështjet më delikate dhe kjo ndodh për shkak të mungesës së njerëzve të aftë në këtë fushë.

2 – Mungesa e programeve që e aftësojnë ftuesin apo drejtuesin, për t`iu përshtatur nevojave të ndryshme të njerëzve, sipas niveleve (arsimor, shoqëror, kulturor etj) të tyre. Kjo mungesë vërehet më qartë në programet bazë, prandaj është bërë mëse e domosdoshme, që ftesa islame të strukturohet nga fillimi në fund, duke përfshirë në të konceptet e përgjithshme dhe duke njohur prioritetet e saj.

3 – Vonesa në produktivitet. pasi individi kalon një kohë relativisht të gjatë, para se të arrijë etapën e ndikimit tek të tjerët. Burim i kësaj vonese është përhapja e diturive dhe njohurive, si dhe zgjerimi i studimeve dhe përvojave. Për këtë arsye, marrja e programeve bazë mund të jetë një prej faktorëve, që ndihmojnë për të mbërritur sa më shpejt në etapën e produktivitetit. Duke njohur rregullat bazë, nuk kemi më nevojë për mësimin e detajeve dhe po ashtu kemi mundësi të bëjmë përshtatjen midis zgjerimit të veprimtarisë së ftesës dhe reduktimit të kohës së caktuar për formimin e ftuesit.

4 – Përpjekjet e armiqve kundra ftesës: Ato janë të shumëllojshme dhe kanë potenciale të mëdha. Ato kanë përvoja të mëdha në luftën kundër përhapjes së ftesës në rrugën e Allahut. Megjithëse ka kontradikta të ashpra midis komunistëve dhe kapitalistëve, ekzistencialistëve dhe nacionalistëve, midis agjentëve të Lindjes dhe të Perëndimit, kur vjen puna për të luftuar Islamin dhe ftesën e tij, ata bashkohen. Këto forca përpiqen, që t’i ngarkojnë me një barrë të madhe ftuesit, të cilët duhet t’i kuptojnë planet e armiqve të tyre, si dhe të përdorin masa parandaluese dhe kuruese, për t`i ruajtur njerëzit nga e keqja e këtyre armiqve.

5 – Joshjet, angazhimet dhe vështirësitë e kësaj bote qëndrojnë si pengesë në rrugën e ftesës dhe të ftuesve. Ftuesit muslimanë duhet ta kuptojnë patjetër dinamikën e jetës së gjallë. Ata duhet të insistojnë, që të ndikojnë pozitivisht tek njerëzit, duke ndjekur metodat më të mira për të depërtuar në zemrat e tyre. Një prej dukurive që bie në sy, është ftesa drejtuar të pasurve dhe atyre që kanë jetuar në qytetërimin perëndimor dhe që janë joshur nga injoranca moderne. Kjo ftesë që u drejtohet atyre, ndihmon në formimim e aparateve mbrojtëse dhe imunitare ndaj joshjeve.

6 – Ftuesi e gjen veten përballë rrymave ideore. këto rryma lëvizin me një shpejtësi marramendëse dhe mbërrijnë shumë shpejt tek njeriu, kudo që të jetë ai.

Duke u bazuar tek kjo gjë, prej ftuesit kërkohet, që ai të bëjë qëndresë përballë këtyre rrymave ideore dhe kjo qëndresë duhet të bazohet në dituri dhe objektivitet.

Këto përgjegjësi dhe të tjera si këto na imponojnë, që ta shpërngulim ftesën nga sfera e ndjenjave, emocioneve dhe fjalimeve tek sfera e projektimit, organizimit, programimit dhe aftësimit. Nuk është habi, që këto nevoja të shfaqen sot, pasi ftesa është zgjeruar, ndërsa përvojat dhe mënyrat e përhapjes së saj janë shtuar. Ky zgjerim dhe degëzim disiplinohet vetëm nëpërmjet njohjes së rregullave bazë të ftesës islame.

Ftesa islame nuk është një risi, sepse ajo nuk ndryshon nga shkencat e tjera të Islamit. Muslimanët e kanë studiuar hadithin e Profetit (a.s), duke analizuar zinxhirin e transmetimit dhe tekstin e hadithit, derisa lindi nevoja për shkencën e terminologjisë së hadithit. E njëjta gjë ndodhi edhe me gramatikën, morfologjinë, akiden, tefsirin, historinë dhe fik’hun. Kështu pra, vendosja e rregullave bazë për çdo shkencë ka ardhur më vonë.

Në kohën kur për çdo shkencë janë vendosur rregulla bazë, shkenca e ftesës islame akoma përbëhet vetëm nga fjalë të shpërndara dhe nuk konsiderohet si shkencë më vete, sepse që të lindë një shkencë, fillimisht duhet të ekzistojë nevoja për të. Përsa i përket shoqërisë islame, ajo nuk është një shoqëri e braktisur apo e huaj. Ajo ka qenë një shoqëri aktive dhe e gjallë, madje pjesa më e madhe e individëve të saj janë angazhuar në fushën e ftesës islame, ashtu siç jetojnë, hanë dhe pinë.

Kur u rrëzua Kalifati islam dhe besimi u zbeh, muslimani e gjeti veten e tij si të huaj në shoqëri, ndërsa analfabetizmi në besim, ide dhe organizim u kthye si në kohën e injorancës paraislame.

Sidoqoftë disa ftues morën përsipër, që të bënin rizgjimin e këtij Umeti dhe filluan të përgatisnin terrenin, për të rikthyer jetën islame. Optimizmi zuri vendin e pesimizmit. Ftuesit muslimanë filluan të shpërndahen në lindje e në perëndim, tek arabët dhe joarabët. Dijetarët i studiuan të gjitha këto përvoja dhe zbuluan anët pozitive dhe negative të tyre.

Me gjithë rezultatet pozitive që ftesa në rrugë të Allahut ka arritur në të gjitha vendet, ajo përsëri ka shumë nevojë për menaxhim të mirë të energjive dhe potencialeve njerëzore. Ajo ka nevojë për bashkimin e të gjitha përpjekjeve, në mënyrë që të ngrejë ndërtesën e Islamit. Ne mund ta arrijmë këtë gjë, vetëm duke përgatitur individë produktivë të fushave të ndryshme. Për çdonjërin prej funksioneve të ftesës duhet të ketë një përgatitje të veçantë dhe kohë të përshtatshme. Kjo gjë realizohet vetëm nëpërmjet një programi edukativ të mirëpërcaktuar, që mbështetet në rregulla bazë, pa u thelluar në detaje. Kjo i jep ftuesit thelbin e çështjeve të: edukimit, formimit, lidershipit, organizimit, projektimit dhe zbatimit.

Autor: Hemam Abdurrahim Seid

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.