Pronarët e kopshtit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kjo ngjarje flet për një burrë të moshuar që kishte një kopsht me fruta. Ky njeri i mirë e i devotshëm nuk e fuste në shtëpinë e tij asnjë fryt nga kopshti i vet pa i ndarë më parë frutat në tri pjesë: një pjesë për të varfrit dhe nevojtarët, një pjesë për familjen e tij dhe një pjesë tjetër e kthente për ta mbjellë sërish në tokë. Për këtë arsye, Allahu i dha bereqet në furnizimin e tij dhe në familjen e tij. Kur ky burrë i moshuar vdiq, kopshtin e trashëguan pesë djemtë e tij. Po atë vit që vdiq babai i tyre, kopshti dha fryt me bollëk, madje më tepër se ç’kishte dhënë ndonjëherë më parë.

Pas namazit të ikindisë, djemtë shkuan tek kopshti i tyre dhe panë një sasi të madhe frutash që nuk i kishin parë kurrë në jetën e babait të tyre. Kur panë këtë begati e bollëk, u dehën nga lakmia dhe padrejtësia, dhe disa prej tyre i thanë njëri-tjetrit:

“Babai ynë ishte një plak i moshuar dhe është treguar budalla duke i dhënë të varfërve nga frytet e këtij kopshti. Ejani, pra, të marrim një vendim mes nesh dhe të betohemi se nuk do t’i japim asnjë gjë nga ky prodhim të varfërve myslimanë këtë vit, derisa të pasurohemi dhe të shtohet pasuria jonë. Pastaj, vitet e tjera mund të rifillojmë punën përsëri.”

Katër prej tyre e pranuan këtë marrëveshje, por i pesti nuk ishte dakord. Ky është ai për të cilin Allahu tha në Kuran: “Tha më i miri prej tyre (më i maturi): A nuk ju thashë që të madhëroni Allahun?”
Ai (i pesti) u tha atyre: “Kini frikë Allahun dhe qëndroni në rrugën e babait tuaj, do të shpëtoni dhe do të përfitoni.” Por ata u zemëruan me të dhe e rrahën rëndë. Kur e kuptoi se ata donin ta vrisnin, ai u bë pjesë e marrëveshjes së tyre, ndonëse i pakënaqur dhe pa dëshirën e tij. Pastaj u kthyen në shtëpi dhe u betuan në Allahun se në mëngjes do t’i korrnin frutat, por nuk thanë “Nëse do Allahu (Inshallah)”.

Kurani na tregon se si ata u betuan të korrnin frutat e kopshtit të tyre, pa u dhënë asgjë të varfërve dhe ranë dakord për këtë. Por a arritën qëllimin e tyre? Jo,sepse Allahu i sprovoi për shkak të këtij mëkati, dhe i pengoi nga pasuria që posedonin.

Allahu, i Cili nuk e zë as dremitja e as gjumi, nuk është kurrë i pakujdesshëm ndaj krijesave të Tij dhe as ndaj ligjeve që Ai ka vendosur në jetë. Ai deshi që kjo ngjarje të jetë një shenjë për ta – për t’i udhëzuar drejt besimit tek Ai, drejt bindjes ndaj urdhrave të Tij, si dhe për t’i mësuar njeriut se ai e meriton të ndëshkohet për shkak të veprave të tij të shëmtuara.

Nëse ata mund ta fshihnin hilen dhe rrengun që kishin vendosur të bënin, duke mos ju dhënë të varfërve hakun që u takonte, a mund ta fshihnin vallë nga Ai që di të fshehtat dhe të dukshmet? Allahu dërgoi dënimin e Tij mbi kopshtin e tyre, dhe në mëngjes ai ishte bërë shkrumb e hi.

Në mëngjes herët, disa prej tyre thirrën njëri-tjetrin: “Ejani, të zbatojmë planin për të cilin jemi marrë vesh!” Pastaj u nisën në heshtje dhe fshehtas, që të mos i shihte ndonjë nga të varfrit dhe nevojtarët e të mos i ndiqte drejt kopshtit, me shpresën për të marrë diçka nga ajo që do të mblidhnin, ashtu siç merrnin në kohën e babait të tyre më parë.

Mirëpo kur ata shkuan për tek kopshti i tyre panë se ai ishte bërë shkrumb e hi dhe në atë moment  e kuptuan se varfëria e vërtetë nuk është mungesa e pasurisë apo pozitës, por mungesa e besimit dhe e njohjes së Allahut. Dhe atëherë e kuptuan se babai i tyre e mbronte pasurinë e tyre duke dhënë sadaka për të varfrit dhe nevojtarët, dhe e kuptuan se Allahu e kishte bekuar babain e tyre me atë kopsht, sepse ai nxirrte prej tij të drejtën e të varfërve. Ndërsa ata, për shkak të koprracisë së tyre dhe mohimit të së drejtës së të varfërve dhe nevojtarëve, Allahu i ndëshkoi me këtë ndëshkim.

Kështu, disa prej tyre filluan të fajësonin njëri-tjetrin: “Ti ishe ai që e kishe këtë ide!”, tjetri thoshte: “Edhe ti u pajtove me të!”, dhe i treti thoshte: “Ti ishe ai që na inkurajove për këtë!”.

Kështu, kjo ngjarje tronditëse i zgjoi ata nga gjumi i humbjes dhe shënoi fillimin e një rruge drejt pendimit e kthimit tek Zoti, rrugë që fillon me pranimin e gabimit në jetë.

Prej këtej mësojmë se një nga urtësitë më të mëdha të sprovave e vuajtjeve në këtë botë është korrigjimi i rrugës së njeriut përmes gjallërimit të ndërgjegjes së tij dhe aktivizimit të mendjes së tij, ashtu siç thotë Zoti ynë i Madhëruar: “Vërtet që Ne çuam (të Dërguar) në shumë popuj para teje dhe ne i kapluam ata me të varfëri të madhe (e humbje pasurie) dhe me humbje të shëndetit e fatkeqësi që të mund të besonin me përulje.”[1]

Pa dyshim, ajo që ndodhi me pronarët e kopshtit është një shenjë dhe një ligj nga ligjet e Zotit: se fatkeqësia dhe ndëshkimi godasin të pasurit në këtë botë kur ata zgjedhin t’u mohojnë të varfërve të drejtën e tyre.

Kjo është historia e pronarëve të kopshtit, që Allahu na e ka treguar në Kuranin Fisnik për të qenë një mësim dhe këshillë për mbarë njerëzimin. Dhe ajo që bie në sy është se Kurani, kur na e tregon këtë histori, nuk na flet për vendndodhjen gjeografike të kopshtit, nëse ishte në Jemen apo në Abisini, as për sipërfaqen e tij, as për llojin e frutave që ata zotëronin, sepse këto nuk janë të rëndësishme. Ajo që ka rëndësi janë qëndrimet, mësimet dhe ngjarjet me kuptim, pavarësisht nëse rrëfimi është i detajaur apo i përmbledhur.

Historia e pronarëve të kopshtit nuk është tjetër veçse një mesazh nga Allahu i Madhëruar, për t’iu kujtuar njerëzve:

Se kushdo që shpenzon pasurinë e tij në rrugë të Allahut dhe i jep të varfërve dhe nevojtarëve të drejtën që u takon, Allahu do ta bekojë atë në pasurinë, jetën dhe familjen e tij, ashtu siç bëri me njeriun e mirë, pronarin e kopshtit.

Dhe se çdo popull që ndalon dhënien e zekatit, çdo i pasur që tregohet koprrac me pasurinë e tij ndaj të varfërve, dhe çdo njeri që përpiqet të shmangë dhënien e zekatit, ndëshkimi i tij do të jetë shkatërrimi, humbja e pasurisë dhe rrënimi, ashtu siç ndodhi me pronarët e kopshtit.

O ju të pasur, o ju që posedoni kopshte, o ju që keni në dorë thesaret, o ju që keni zotëruar dynjanë, kujtoni se Allahu jua ka dhënë këto mirësi, prandaj ruajuni dhe mos u tregoni mosmirënjohës. Falënderoni Allahun dhe kryeni detyrimet që Ai ju ka urdhëruar, dhe kujtoni fjalën e Tij të Lartë: “Allahu solli shembullin e një vendbanimi që ishte i sigurt dhe i qetë, të cilit i vinte furnizimi bollshëm nga çdo anë, por banorët e tij mohuan të mirat e Allahut, ndaj Allahu i bëri të shijojnë urinë dhe frikën për shkak të asaj që vepruan.”[2]

Në lidhje me këtë ngjarje, Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Me të vërtetë që Ne i sprovuam ata ashtu siç i vumë në provë pronarët e kopshtit, kur ata u betuan të mbledhin frutat në mëngjes. Pa thënë: Në dashtë Allahu. E sa qenë ata të fjetur atë (kopshtin) e goditi një bela nga Zoti yt. Dhe ai u bë shkrumb e hi. Ata në mëngjes thërritnin njëri-tjetrin: Ngrihuni herët te prodhimet tuaja, nëse doni t’i vilni! Dhe ata vajtën duke pëshpëritur në mes vete (të mos i dëgjojë kush). Të mos lejojnë të afrohet sot në të asnjë i varfër. Dhe vazhduan herët në atë qëllimin e  përcaktuar të tyre. E kur e panë atë, thanë: S’ka dyshim, ne kemi humbur (rrugën). Jo (nuk kemi humbur rrugën), por paskemi mbetur pa të! Ai më i maturi prej tyre tha: A nuk ju thashë përse nuk e përmendni Zotin? Atëherë ata thanë: i pa të meta është Zoti ynë, ne ishim të padrejtë. Dhe u kthyen e po e qortonin njëri-tjetrin, thanë: Të mjerët ne, vërtet ne ishim jashtë rrugës. Shpresojmë se Zoti ynë  do të na e zëvendësojë me ndonjë edhe më të mirë se ai, ne vërtet tek Zoti ynë e mbajmë shpresën. Ja, kështu do të jetë dënimi, ndërsa dënimi i botës tjetër do të jetë shumë më i ashpër, sikur të jenë që e kuptojnë.”[3]

Mësimet dhe përfitimet e nxjerra nga kjo histori:

Meqenëse ligjet hyjnore janë të pandryshueshme në çdo kohë dhe vend, njeriu duhet të marrë mësim nga të tjerët, qoftë nga bashkëkohësit e tij, qoftë nga ata që kanë jetuar më parë. Sa më poshtë po rendisim disa prej mësimeve që mund të nxjerrim nga kjo histori:

1 – Pasuria është sprovë dhe jo garanci shpëtimi

Djemtë trashëguan nga babai i tyre bujar një kopsht që kishte fryte me bollëk, por ata nuk e kuptuan se ajo pasuri ishte amanet dhe sprovë për ta.

Kështu që Allahu na e jep pasurinë që ta shpërndajmë atë atje ku duhet dhe jo për ta mbajtur vetëm për vete.

2 – Mosmirënjohja ndaj begative sjell shkatërrim

Ata nuk e falënderuan Allahun për begatinë e bollshme, përkundrazi u treguan mendjemëdhenj e lakmitarë. Si pasojë, u ndëshkuan pa paralajmërim, dhe humbën gjithçka gjatë natës.

3 – Harresa e fjalës “Inshallah” tregon arrogancë

Ata thanë: “Do t’i korrim frutat nesër” pa thënë “Nëse do Allahu”. Kjo tregon se ata nuk e lidhën suksesin me vullnetin hyjnor, gjë që solli fundin e menjëhershëm të planit të tyre.

4 – E vërteta shpesh thuhet nga pakica, jo shumica

Vetëm njëri prej pesë vëllezërve u tregua i matur, i ndershëm dhe i frikësuar nga Allahu. Ai tentoi t’i këshillojë, por u kundërshtua dhe u dhunua. Ky është mësim për ata që janë në rrugë të drejtë: qëndroni të palëkundur, edhe nëse jeni të vetëm.

5 – Synimi për të mashtruar të varfrit sjell mallkimin hyjnor

Djemtë u morën vesh në fshehtësi të mos i jepnin të varfërve. Por Allahu, që di të fshehtat, ua prishi të gjithë planin. Ky është një mësim i fuqishëm: Nëse i privon të tjerët nga e drejta e tyre, privimi do të kthehet kundra teje.

6 – Shkatërrimi fizik i pasurisë ishte fillimi i pastrimit shpirtëror

Kur e panë kopshtin e tyre të djegur e shkrumb e hi, u penduan dhe kuptuan gabimin e tyre. Kjo tregon se sprovat dhe humbja e pasurisë  mund të jenë shkak që njeriu të kthehet tek Allahu i Madhëruar.

7 – Dera e pendesës është e hapur

Ata thanë: “Ishim të padrejtë!” dhe u kthyen të penduar. Pavarësisht gabimit të rëndë, Allahu e ka lënë të hapur derën e pendesë për këdo që kthehet sinqerisht tek Ai.

8 – Ngjarjet e popujve të mëparshëm janë mësim për të sotmen

Allahu i Madhëruar këtë ngjarje në Kuran që ne të marrim mësim dhe të reflektojmë rreth saj, sepe ajo që i ndodhi pronarëve të kopshtit mund të na ndodhë edhe neve në ditët e sotme. Prandaj, njeri i mençur është ai i cili merr shembull nga historitë e popujve të mëparshëm.

Autor: Elton Harxhi

[1] – Sure En’am: 42.

[2] – Sure Nahl: 112.

[3] – Sure Kalem: 17 – 33.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *