Një dijetar i meçur thotë: “Nëse do që të njohësh pozitën tënde tek Allahu shihe se me çfarë të ka preokupuar”.
Në asnjë kontekst kuranor nuk gjen, që profeti Muhamed (a.s) të përmendet pa cilësinë e ftuesit të shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë. Edhe në ato kontekste ku profeti (a.s) përmendet duke trajtuar probleme të veçanta konkrete, paraqitet duke i trajtuar dhe duke i zgjidhur këto probleme si ftues, mësues dhe edukues.
Allahu i Madhëruar thotë: “O ti profet Ne të kemi dërguar dëshmues, përgëzues dhe njoftues (për ekzistencën e një ndëshkimi të dhimbshëm) dhe ftues në rrugën e Allahut, me lejen e Tij, dhe pishtar ndriçues. Përgëzoi besimtarët, se prej Allahut ju ka zbritur një mirësi e madhe. Mos ju bind kafirëve dhe hipokritëve, injoroi dhe neglizhoi ngacmimet dhe të keqen e tyre dhe mbështetju Allahut, se në të vërtetë Allahu është mbështetësi më i mirë”. (Ahzab 45-48)
“O ti i dërguar transmetoje atë që të ka zbritur Allahu e nëse nuk e bën, atëherë (kjo do të thotë se) ti nuk e ke përcjellë mesazhin e Tij. Allahu është Ai që të ruan nga njerëzit….” (Maide 67)
“Profeti nuk ka për detyrë përveç transmetimit të qartë” (Nur 54)
“Fto për tek Zoti yt e ti në të vërtetë je në rrugën e drejtë” (Haxh 67)
“Fto për tek Zoti yt e mos u bëj pauses i dëshirave të idhujtarëve” (Kasas 87)
“Thuaj: Kjo është rruga ime, ftoj për tek Allahu me argument të qartë, unë dhe kush më ndjek mua, i Lartmadhëruar është Allahu dhe unë nuk jam prej politetistëve”. (Jusuf 108)
“Eshtë e vërtetë se Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta, nga mesi i tyre, dërgoi të dërguar që t’u lexojë atyre shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kuranin dhe sheriatin, edhe pse më parë ata ishin krejtësisht të humbur”. (Ali Imran 164)
“O ti i mbuluar ngrihu dhe njoftoi njerëzit (që ekziston një ndëshkim i dhimbshëm)”. (Mudethir 1)
“O ti i mbuluar ….. ne do të hedhim mbi supet e tua një thënie me peshë të rëndë”. (Muzemil 1-7)
Për të kuptuar se pse profeti Muhamed (a.s) nuk munt të konceptohet pa cilësinë e ftuesit, le të shohim se ç’përbën ftesa në vetvete dhe cili është thelbi i saj?
Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk ka më fjalëmirë se ai, që fton për tek Allahu, punon punë të mira dhe deklaron se është prej muslimanëve”. (Fusilet 33)
“Ftesa në rrugë të Allahut është fjala më e mirë, që thuhet në faqe të dheut. Ajo është në krye të fjalëve të mira, që ngjiten në qiell me punën e mirë, që vërteton fjalën dhe me dorëzimin ndaj Allahut, në të cilin shkrihet vetja. Kështu ftesa shndërrohet në një punë vetëm për hatër të Allahut, në të cilën ftuesi s’ka kontribut tjetër veç transmetimit. Ngritja e obligimit të ftesës është një çështje e vështirë, por është një nder shumë i madh”. Seid Kutub “Dhilali”
Hasan Basriu kur ua lexonte këtë ajet kuranor banorëve të Basras, komentonte: “Këtu bëhet fjalë për atë besimtar, që i është përgjigjur Allahut në ftesën e Tij, i fton njerëzit në atë që i është përgjigjur Allahut dhe punon punë të mira gjatë kësaj përgjigje. Ky është i dashuri i Allahut, ky është ueliju i Allahut”.
Ibnu Kajjimi thotë: “Pozita e ftesës për tek Allahu është më e larta e më e nderuara e pozitave të adhurimit”.
Ibnu Kajjimi thotë gjithashtu: “Ftesa në rrugë të Allahut është puna e profetëve dhe pasuesve të tyre, të cilët janë mëkëmbësit e profetëve tek popujt e tyre, ndërsa njerëzit janë ndjekësit e tyre. Allahu i Madhëruar e ka urdhëruar profetin e tij, të transmetojë atë që i është zbritur, duke i garantuar atij ruajtjen dhe mbrojtjen e tij prej njerëzve. Kjo vlen edhe për transmetuesit dhe ftuesit e umetit të tij në varësi të realizimit të fesë, përkushtimit ndaj saj dhe transmetimit të saj. Po kështu edhe profeti (a.s) ka urdhëruar, që të transmetohet prej tij qoftë edhe një hadith. Transmetimi i sunetit të tij tek njerëzit është më i mirë se hedhja e shigjetave ne grykë të armikut, sepse këtë të fundit e bëjnë shumë njerëz, ndërsa të parën e bëjnë vetëm trashëguesit e profetëve dhe mëkëmbësit e tyre te popujt e tyre, Allahu na bëftë prej tyre, me mirësinë dhe bujarinë e Tij. Ata janë siç ka thënë Umer Ibnu Hatabi në hutben e tij… “Falenderimi i takon Allahut, i Cili i ka nderuar njerëzit, duke ua bërë rrizk atyre në çdo periudhë ndërprerje të profetëve, disa ithtarë të paktë të dijes që ftojnë në udhëzim ata që kanë humbur rrugën, duke duruar të ligat e tyre. Ata me librin e Allahut ngjallin të verbërit. Sa prej viktimave të iblisit kanë ngjallur dhe sa të humbur e të hutuar kanë drejtuar. Ata kanë dhënë gjakrat dhe pasuritë e tyre, për t’i shpëtuar njerëzit nga shkatërrimi. Sa gjurmë të mira kanë lënë tek njerëzit, pavarësisht gjurmëve të shëmtuara që kanë lënë njerëzit tek ta, duke i lënë dhe i harruar ata në fundin e historisë, por Zoti i tyre nuk i ka harruar duke e bërë jetën e tyre model udhëzues dhe duke na njoftuar për devotshmërinë e tyre. Prandaj mos devijo nga rruga e tyre, përndryshe ia ke bërë haram vetes pozitën e tyre të lartë edhe pse njerëzit përpiqen të përdhosin figurën e tyre”.
Seid Kutbi në komentin e ajeteve të para të sures Mudethir thotë:
Allahu i Madhëruar i thotë profetit të tij: “ O ti i mbuluar ngrihu dhe njofto (njerëzit për ndëshkimin e dhimbshëm), Zotin tënd madhëroje dhe pastroi rrobat e tua”. (Mudethit 1-4)
Kjo është një thirrje qiellore e lavdishme për një çështje madhore e të rëndë… njoftimi i kësaj njerëzie dhe zgjimi i saj, shpëtimi i saj nga e keqja e kësaj dynjaje dhe nga zjarri i ahiretit, orientimi i saj për tek rruga e shpëtimit para se të iki koha… dhe ky është një obligim i rëndë e i vështirë, nëse i lihet në qafë vetëm një individi edhe në qoftë profet dhe i dërguar. Njerëzia është në atë lloj humbje, mëkati, rrebelimi, inati, devijimi e këmbëngulje në të keqe, që e bën ftesën më të vështirë, më të rëndë e më të pamundur për të ngarkuar me të një person i vetëm.
Çdokush, çdo gjë, çdo vlerë, çdo realitet është i vogël, ndërsa Allahu është i vetmi i Madh.
Yjet dhe planetet, forcat dhe vlerat, ngjarjet dhe sfidat, kuptimet dhe format të gjitha këto shkrihen në hijen e madhështisë dhe përsosmërisë së Allahut të vetëm, të Madh e të Lartmadhëruar. Ky është udhëzimi hyjnor për profetin, i cili ftohet të përballet me njoftimin e njerëzisë dhe me sfidat dhe lodhjet e panumërta të këtij njoftimi, me këtë bindje dhe me këtë ndjenjë, që të arrijë të mposhtë çdo komplot, çdo forcë dhe çdo pengesë, duke ndjerë thellë se Allahu i tij, i Cili e ftoi të bënte këtë njoftim, është Ai i Madhi. Në të vërtetë vështirësitë e ftesës dhe të papriturat e saj e bëjnë të domosdoshme nevojën e pajisjes së vazhdueshme me këtë bindje dhe ndjenjë.
Ndërsa pastërtia e zemrës, e moralit dhe punës, e trupit dhe e rrobave është gjendja më e përshtatshme për të mbartur atë, që zbret nga qielli. Kjo është edhe gjendja më e përshtatshme për natyrën e këtij mesazhi. E mbi të gjitha është një element i domosdoshëm për misionin e njoftimit e të transmetimit si dhe për angazhimin me ftesë në mes të rrymave, egove, shtigjeve dhe rrugicave, të cilat janë të shoqëruara me pisllëqe, papastërti e mbeturina, gjë që bën të nevojshme për ftuesin pastërtinë e plotë, për t`i mundësuar shpëtimin e të infektuarve pa u infektuar vetë, kontaktin me të fëlliqurit pa u fëlliqur vetë. Kjo në vetvete është një tërheqje vëmendje shumë e hollë dhe e thellë në lidhje me situatat e ndryshme, të cilat mund të lindin si pasojë e domosdoshmërisë së përcjelljes së kësaj ftese dhe mesazhi mes lloj – lloj mjedisesh, ambientesh, situatash dhe zemrash.
Allahu i Madhëruar thotë “E mos e përmend e mos të të duket shumë mundi që jep”. (Mudethir 6)
“Ky është një rekomandim për mohimin e vetes dhe mospërmendjen e mosmburrjen me mundin që jep, si dhe për të mos konsideruar si të madhe dhe të shumtë atë që bën për këtë ftesë dhe njoftim. Profeti (a.s) ka për të dhënë shumë, ka për të kontribuar shumë, do të përballet me shumë sakrifica dhe vuajtje, megjithatë Zoti i tij nuk do, që atij t’i duket shumë dhe të përmendë e të mburret me atë që jep në rrugën e kësaj ftese. Në të vërtetë kjo ftesë nuk mund të ketë qëndrueshmëri në një shpirt, që e ndjen atë që jep për hir të saj. Sakrifica dhe dhënia për këtë ftesë është aq e madhe, saqë shpirti mund ta ndjejë, vetëm atëherë kur e harron atë, madje vetëm atëherë kur nuk e ndjen fare, sepse ky shpirt është i zhytur në të ndjerit e Allahut, në të ndjerit se çdo gjë që jep, është prej mirësisë së Allahut dhe dhuratës së Tij. Ajo është një mirësi e dhënë prej Allahut, një dhuratë e zgjedhur nga Ai dhe është po Allahu, që i jep sukses për ta marrë. Ky mund nuk është gjë tjetër veçse një përzgjedhje dhe nderim, që meriton falenderim për Allahun dhe jo mburrje dhe përmendje.
“Dhe për Zotin tënd bëj durim”. (Mudethir 7)
Durimi është pajimi thelbësor në këtë betejë të vështirë, beteja e ftesës në rrugë të Allahut, beteja e dyfishtë ndaj epsheve të nefseve dhe tekave të zemrave dhe ndaj armiqve të ftesës, të cilët komandohen nga shejtanët e epsheve dhe nxiten nga shejtanët e egove! Kjo është një betejë e gjatë dhe e egër dhe nuk ka pajim tjetër për të, veç durimit për hatër të Allahut, me të cilin drejtohet për tek Allahu, me qëllim që të arrijë vetëm kënaqësinë e Tij e të askuj tjetër veç Tij”. (Dhilali 6/ 3754-3755)
Për shkak të çka u tha më sipër, Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin (a.s) të thotë: “Thuaj: s’ka kush të më shpëtojë dhe s’kam rrugë tjetër shpëtimi prej Allahut, përveçse transmetimit të asaj që më ka zbritur Allahu dhe shpalljeve të Tij”. (Xhin 22-23)
Seid Kutubi thotë në lidhje me këtë ajet: “Kjo është fjala e tmerrshme, e frikshme e cila të mbush zemrën me seriozitetin e kësaj çështje, çështjes së mesazhit dhe ftesës dhe vetë profeti (a.s) urdhërohet ta deklarojë këtë të vërtetë të madhe: mua nuk më shpëton gjë tjetër prej Allahut dhe nuk kam ku të futem dhe ku të mbrohem pa e transmetuar këtë ftesë dhe pa e kryer këtë emanet. Kjo është streha e vërtetë dhe kjo është mbrojtja e sigurtë.
Oh çfarë tmerri!
Oh çfarë mrekullie!
Oh çfarë serioziteti!
Pra s’paskemi të bëjmë me vullnetarizëm, që e jep ftuesi por me një detyrim, detyrim të prerë e të qartë nga i cili nuk ka shpëtim, sepse ka Allahun mbrapa që e kontrollon!
Nuk qenka as thjesht kënaqësia e mbartjes së të mirës dhe të dritës për tek njerëzit, por një urdhër qiellor nga i cili nuk mund të shpëtosh duke e braktisur e as duke u luhatur.
Në këtë formë sqarohet dhe përcaktohet çështja e ftesës. Ajo është përgjegjësi dhe detyrë, pas së cilës qëndron ndëshkimi i frikshëm, serioziteti dhe mbi të gjitha i Madhërishmi e i Madhi”. (Dhilali 6/ 3736-3637)
“ Kjo është një frikë, që me të vërtetë e trishton muslimanin, të cilin e ngjallin kërcënimet që u ka bërë Allahu i Madhëruar atyre, që heshtin dhe bëjnë si memecë. Të tillët mbeten përgjithmonë të trishtuar dhe të privuar nga qetësia dhe siguria e besimit. Kjo është një nxitje e vërtetë për poseduesit e gjuhëve që shqiptojnë të vërtetën, të cilët përgëzojnë njerëzit me xhenet dhe i njoftojnë për ndëshkimin e xhehenemit e kështu trashëgojnë profetin (a.s), të cilin e ka cilësuar Allahu si përgëzues e qortues”. (Fetaua Ibnu Tejmija 15/ 164)
Muhamed Ahmed Rashid në librin e tij Muntalak fq 94 thotë: “Shumë prej njerëzve padrejtësisht mendojnë se e kanë të lejuar të rrinë, kur dëgjojnë se dijetarët kanë pohuar, se ftesa në rrugë të Allahut është farz (obligim) kifai (nëse e bën dikush, bie detyrimi nga të tjerët) dhe zgjedhin të jenë prej njerëzve gojëkyçur. Por çështja nuk qëndron kështu siç e kanë kuptuar këta, sepse kuptimi i kryerjes së një obligimi të caktuar është realizimi dhe konkretizimi në botën reale dhe udhëzimi i të gjithë të synuarve. Përderisa të synuarit vazhdojnë në pavëmendjene tyre, pauses të epsheve të tyre, të zhytur në rebelimin e tyre, të gjithë muslimanët janë të ngarkuar me këtë obligim dhe iu del për detyrë, të ndihmojnë ftuesit në rrugë të Allahut, të cilët urdhërojnë për mirë, t’ua shtojnë forcën e tyre, të shtojnë rradhët e tyre, derisa të fitojnë forcën dhe ndikimin e mjaftueshëm, për t’i bërë njerëzit të heqin dorë nga rebelimi dhe jeta në kundërshtim me fenë e Allahut. Vetëm në këtë rast mund të quhet farz kifai e para kësaj jo. Çdokush që vëren gjendjen e sotme të myslimanëve, do të konstatojë se energjitë e derdhura për ftesën në rrugë të Allahut vazhdojnë të jenë shumë më pak se sasia e kërkuar për të nxjerrë njerëzit nga gjumi i rëndë i mëkatit. Bërja e mëkatit është ndërtimi dhe organizimi i jetës në kundërshtim me atë që ka zbritur Allahu, pra sipas egove, epsheve dhe ideve të importuara. Kështu që nuk i lejohet sot asnjë myslimani, të mos angazhohet me ftesën në rrugë të Allahut”.
Shqetësimi i ftesës e shoqëronte kudo profetin (a.s), madje ajo ishte shqetësimi i tij i vazhdueshëm, që e bënte të vuante e të digjej përbrenda.
Allahu i Madhëruar i thotë: “Ti je gati duke e shkatërruar veten tënde nga hidhërimi, nëse ata nuk e pranojnë këtë fjalë”. (Kehf 6)
Ky shqetësim dhe kjo vuajtje e bënte që të thërriste dhe të ftonte kudo e në çdo situatë, madje krijonte dhe improvizonte situata, për t`i ftuar njerëzit në fenë e Allahut.
Autor: Mr. Sabaudin Jashari