Duhet të ndalemi te një dyshim që mund të lindë në mendjet e disa njerëzve:
Dikujt mund t’i krijohet përshtypja se psikologjia moderne, me zbulimet dhe mundësitë e saj, me klinikat psikologjike dhe me depërtimin në thellësitë e shpirtit njerëzor dhe në të fshehtat e tij, përmes asaj që quhet “psikanalizë”, është në gjendje të trajtojë shpirtrat e sëmurë dhe të zgjidhë të gjitha komplekset e pashërueshme; madje ajo mund të luajë rolin që dikur e luante feja, por në një mënyrë shkencore e të sigurt, të mbështetur në realitetin tokësor dhe jo në të fshehtat e botës qiellore!
Nuk do t’i përgjigjem vetë këtij pretendimi dhe as nuk do t’ia lë përgjigjen ndonjë dijetari apo predikuesi fetar të zjarrtë në mbrojtje të fesë, sepse mund të thuhet: “Kjo është fusha e tyre dhe tregtarit i takon ta promovojë mallin e vet.”
Por përgjigjen do t’ua lë penave të disa shkrimtarëve “civilë”, të cilët nuk janë “shehlerë”, as rabinë e as murgj. Ata janë njerëz që mbështeten te realiteti dhe gjykojnë mbi bazën e përvojës. Pas kësaj, nuk mbetet më justifikim për ata që mbështeten te realiteti, e as argument për ithtarët e metodës eksperimentale.
Le të dëgjojmë fillimisht gazetarin e njohur egjiptian Muhamed Zeki AbdulKadirin, i cili e trajton këtë çështje në një prej “ditarëve” të tij në gazetën “El-Akhbar” të Kajros. Ai thotë:
“Mora këtë letër: “Dëgjova ligjëratën tuaj në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Aleksandrisë, mbi “Problemet e të rinjve universitarë”. Ju përmendët se deri më tani nuk dimë asgjë të përcaktuar për shpirtin njerëzor dhe sekretet e tij, si dhe se psikologjia, shkollat e saj dhe klinikat psikologjike nuk kanë bërë gjë tjetër veçse ua kanë shtuar ndërlikimin atyre që u drejtohen. Ju përmendët gjithashtu se klinikat psikologjike janë shtuar në Amerikë në një masë të jashtëzakonshme dhe se, megjithatë, ato nuk kanë sjellë rezultatet që shpresonin ata që u drejtoheshin. Madje, shumë prej tyre janë larguar prej tyre me sëmundjet psikologjike edhe më të rënduara.
Mendoj se, me këtë që thatë, ju e keni zhvlerësuar një shkencë jetike që ka pasur deri diku sukses. Falë saj, falë psikanalizës, shkencëtarit Frojdi dhe hipnozës, studiuesit kanë mundur të depërtojnë në thellësitë e njeriut, të njohin sëmundjet dhe komplekset e tij dhe të shërojnë shumë njerëz.’”
Kjo ishte letra që kishte dërguar një student i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Aleksandrisë.
Profesori i përgjigjet kësaj letre duke thënë:
“E trajtova këtë çështje ndërsa flisja për sferën e besimit, i cili mbështetet në ekzistencën e një fuqie të lartë që ushtron kontroll. Thashë se besimi në Allahun është një domosdoshmëri që e kërkon edhe shkenca dhe jo vetëm fetë. Thashë gjithashtu se shkenca nuk ka mundur – dhe nuk do të mundet – t’i zgjidhë problemet me të cilat përballet njeriu në këtë botë. Ka ngjarje të papritura dhe tragjedi që ndodhin pa pasur shkaqe të kuptueshme, dhe ne zakonisht ia atribuojmë ato kaderit dhe vullnetit të Allahut. Sikur të mos ishim të pajisur me një shkallë të caktuar besimi, nuk do të mund të gjenim ngushëllim përballë tyre dhe as t’i përballonim ato.”
Nëna që humb fëmijët e saj… katastrofa ajrore që merr jetën e një familjeje të tërë, ose që vret babanë e nënën dhe lë fëmijët orfanë, apo që vret fëmijët e lë nënën e babanë… aksidentet e mbytjes, shembjet, uraganet, tërmetet dhe vullkanet… zemërimi i natyrës në çfarëdo forme që të shfaqet… sëmundjet e patrajtueshme… mundimet psikologjike, mendore, kardiake e trupore, për të cilat njeriu është i pafuqishëm të gjejë një rrugë shërimi… me dhjetëra të lënduar në spitale e shtëpi, si dhe me qindra njerëz me deformime fizike këtu e atje…
Të gjitha këto tragjedi që shohim rreth nesh, për të cilat shkenca nuk gjen dot një zgjidhje, dhe që njeriu — me të gjithë mjeshtërinë, fuqinë dhe pushtetin që i është dhënë — është i pafuqishëm t’u shpëtojë… Të gjitha këto mundime e dhimbje, si i përballojnë ata që u kanë rënë mbi krye? Dhe si i përballojnë njerëzit që i rrethojnë, nëse nuk ndiejnë besim në Zot dhe nuk i drejtohen Atij që t’i shpëtojë nga ajo që njeriu nuk arriti t’i shpëtojë dot? Si t’i përballojnë, nëse nuk besojnë se ekziston një fuqi, urtësinë e së cilës ne nuk e njohim? Dhe se në këtë botë ka gjëra e ngjarje që nuk mund t’i kuptojmë me të gjitha shkencat dhe matjet tona? Kësisoj, përballë tyre nuk na mbetet rrugë tjetër veçse të pranojmë ekzistencën e tyre, e njëkohësisht të pranojmë edhe pamundësinë tonë për të rrokur thelbin e tyre.
Kjo nuk do të thotë ta mohojmë shkencën dhe fushën e saj, por do të thotë të besojmë te shkenca në hapësirat e saj më të gjera, si dhe t’i lëmë asaj lirinë të hulumtojë çfarë të dojë e të kërkojë çfarë të dojë. Nëse ajo ia del mbanë, ne i besojmë asaj që ajo arrin; e nëse nuk ia del, ne i besojmë Fuqisë Më të Lartë, derisa t’i jepet mundësia shkencës të zgjidhë enigmat e problemeve që na mundojnë.
Shkenca, deri më sot — me të gjithë historinë e saj të ndritur dhe me fitoret e saj të mëdha, mahnitëse e glorioze — nuk ka mundur të mësojë: si funksionojnë të gjitha organet e njeriut, si veprojnë, si krijohen, si sëmuren dhe si vdesin? Ajo ia doli të mjekojë shumë sëmundje, por dështoi në mjekimin e shumë të tjerave… ia doli të njohë disa nga funksionet e organeve, por nuk ia doli të njohë pjesën tjetër të tyre… ia doli të diagnostikojë disa sëmundje, por mbeti e pafuqishme përballe enigmës më të madhe: A e mësoi ajo se si u krijua njeriu? …Përse u krijua? Si vdes? …E përse vdes? Çfarë ka pas vdekjes? Dhe çfarë kishte përpara jetës?!
Të gjitha këto janë fusha që mbeten ende të paprekura. Përkundër të gjitha përpjekjeve të bëra, dhe përkundër të gjitha pretendimeve — të bazuara si në mirëkuptim, ashtu edhe në mashtrim apo keqkuptim — të gjitha këto fusha mbeten, dhe do të mbeten me vullnetin e Zotit, fushë e besimit, territorin e të cilit shkenca nuk mund ta pushtojë dot.
Le të marrim vetë shpirtin (psikën) e njeriut, atë thelb që e bën atë të lumtur apo të mjerë, që e sëmur dhe e shëron, që e bën të gëzuar sikur e gjithë bota është në duart e tij … Kjo psikë që devijon dhe vetëkorrigjohet, që lulëzon dhe vyshket… që bëhet gjeniale sikur po merr shpallje nga qielli, e bëhet e ligë sikur të jetë flakë ferri… A e njohëm këtë psikë? A e përcaktuam dot atë? A i pasqyruam sëmundjet e saj dhe a gjetëm shërim për to? Shkenca e psikologjisë, me të gjitha përpjekjet munduese që ka bërë, vazhdon të qëndrojë ende në breg; teoritë e saj mbeten ende fushë debatesh e dyshimesh, dhe vazhdojnë të zhvillohen brez pas brezi, e metodë pas metode…
Frojdi ishte mësuesi i kësaj shkolle dhe pas tij erdhën shumë të tjerë: disa ndoqën rrugën e tij, disa u kundërvunë, e disa u ndanë me të në rrugëtim e metodologji… Vallë, a ia doli psikologjia deri më sot të njohë shpirtin e njeriut? Mbase ia doli të njohë disa nga shfaqjet dhe emocionet e tij… mbase ia doli t’i lidhë ato me shkaqe që mund të jenë të vërteta apo të rreme, por ajo vazhdon të jetë ende injorante ndaj vetë shpirtit.
Njerëzit u lidhën pas psikologjisë sepse ajo është shkenca e jetës; u gëzuan me të dhe u dhanë pas saj, duke menduar se do t’i shpëtonte nga devijimet dhe impulsivitetet, nga sëmundjet nervore e mendore. Mutatis mutandis, a i realizoi ajo të gjitha shpresat që vareshin prej saj? A realizoi paktën disa nga ato shpresa?! Përgjigjja — siç e kam thënë edhe në ligjëratë — gjendet te klinikat e shumta psikatrike të shpërndara në Amerikë në një numër më të madh se kudo tjetër!! Në këto klinika ka tragjedi njerëzish që u drejtuan te psikoanalistët duke kërkuar shërim… Por, a ia dolën mbanë? A u shëruan të dëshpëruarit nga jeta, vetëm sepse shpirtrat e tyre ishin të trazuar, të ankthshëm e të ndërlikuar? Statistikat nuk mund të konfirmojnë — madje as në rastet kur pacienti është shëruar — se psikoanaliza, e vetëm psikoanaliza, ishte shkaku i shërimit!!
Veçanërisht në Amerikë, sëmundjet psikologjike dhe mendore janë shtuar në një masë të papërshkrueshme, dhe po atje gjenden klinika psikologjike pa numër. E gjithë ajo që psikoanalistët u thonë — ose shumica e asaj që u thonë — të rinjve e të rejave që frekuentojnë këto klinika është: “Shkoni dhe veproni si të doni!! Sëmundjet tuaja psikologjike shkaktohen nga shtypja e brendshme, frika nga tradita, sëmundjet dhe turpi!!” Dhe cili ishte rezultati? Rezultati ishin këto devijime të pafundme dhe kjo analizë që shkatërroi — ose pothuajse shkatërroi — jetën familjare, e pastaj nuk u dhuroi kërkuesve lumturinë që po kërkonin!
Kjo është ajo që kam thënë… Dhe kjo nuk përmban mohim të meritave të psikologjisë, por do të thotë se psikologjia nuk ka arritur, deri më tani, të zbulojë atë rajon gjigand e fantastik, atë rajon sa të vogël aq edhe të madh: rajonin e shpirtit njerëzor. Dhe se gjithçka që ajo ka arritur është vetëm analiza e disa dukurive dhe arsyetimi i disa sjelljeve, i cili mund të jetë i saktë, por edhe mund të mos jetë.
Ajo që ne dimë për jetën dhe sekretet e saj, falë zbulimeve të shkencës dhe mendimit të mendimtarëve, mbetet ende shumë pak krahasuar me atë që nuk dimë, nuk mund ta marrim dhe as ta arsyetojmë. Kjo hapësirë e gjerë e asaj që nuk dimë është fusha e besimit në Zot… ndërsa kjo hapësirë e ngushtë që kemi mësuar është fusha e besimit te shkenca. Nuk ka asnjë kundërshti mes të dyjave; përkundrazi, mes tyre ka përafrim dhe plotësim.
Allahu na ka urdhëruar të përpiqemi, të mësojmë e të kërkojmë; Ai shpalosi para nesh horizontet e kësaj bote që të ecim në to si të duam, si dhe ndezu brenda nesh një shkëndijë nga Qenia e Tij e Lartë: mendjen… Kjo mendje duhet të depërtojë në të gjitha të panjohurat, të përpiqet të zbulojë enigmat, të lehtësojë jetën, ta orientojë atë dhe ta bëjë të mundshme e të përballueshme. Besimi ynë te kjo mendje është besim në Vetë Qenien e Lartë të Allahut… Mirëpo, kjo mendje është e kufizuar, dhe çdo gjë që ajo prodhon, sado që të jetë, nuk do të arrijë kurrë kufijtë e gjithëpërfshirjes; sepse gjithëpërfshirja është cilësi ekskluzive e Qenies së Lartë.
Besimi te shkenca është besim te mendja, e cila është një shkëndijë hyjnore që duhet të shpërthejë pa kufij; ndërsa besimi në Zot është besim te Burimi, Shpallja, Tërësia, Gjithëpërfshirja, Begatësia, Pafundësia dhe Përjetësia… Kushdo që pretendon të kundërtën, thjesht bën një pretendim pa ofruar asnjë provë për atë që thotë. Psikologjia, ashtu si shkencat e tjera, është një fushë që meriton respekt dhe inkurajim, por të mbështetem tek ajo për të më zbuluar çdo të panjohur është një mbështetje pa asnjë bazë, as nga e vërteta, as nga ajo ku ajo ka arritur deri sot, dhe as nga ajo që presim të arrijë në të ardhmen.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















