Pyetje – Përgjigje nga Besimi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

1 – Kush janë kushtet e besimit?

1 – Besimi tek Allahu, 2 – besimi tek engjëjt, 3 – besimit tek Librat, 4 – besimi tek profetët, 5 – besimi në Ditën e Gjykimit dhe 6 – besimi në caktimin e Allahut i mirë apo i keq qoftë ai.

2 – Kush është Allahu?

Allahu është Zoti i të gjithë krijesave, sepse Ai i ka krijuar ato.

3 – A gjendet besimi në Zot në natyrën njerëzore?

Po. Allahu i ka krijuar njerëzit me natyrën e pastër besimtare.

4 – Kush janë dy burimet e njohjes së Allahut?

Këto dy burime janë:

1 – Argumentet e Allahut në horizonte dhe në veten tonë.

2 – Librat që Allahu ua shpalli profetëve.

5 – Sa emra dhe atribute ka Allahu i Lartësuar?

Numri i emrave dhe cilësive të Allahut të Lartësuar nuk dihet, por në një hadith të Profetit (a.s) janë veçuar 99-të prej tyre

6 – Përmend 10 – të emra dhe atribute të Allahut!

Allahu është Krijuesi, I Gjalli, I Përhershmi, Bujari, Furnizuesi, I Gjithëdijshmi, I Plotfuqishmi, I Urti, Mëshiruesi, Mëkatfalësi.

7 – Sa degë ka besimi dhe cila është dega më e lartë dhe më e fundit e tij?

Besimi ka shtatëdhjetë e disa degë. Dega më e lartë e besimit është dëshmia “La ilahe il la llah”. Dega më e fundit është largimi i pengesave nga rruga.

8 – Kush e ka shijuar ëmbëlsinë e besimit?

Ai njeri që: 1 – E do Allahun dhe të Dërguarin e Tij më shumë se çdo gjë tjetër, 2 – e do vëllain e vet besimtar vetëm për hir të Allahut, 3 – është i kënaqur me Allahun si Zot dhe Muhamedin si Profet.

9 – Kush janë besimtarët e vërtetë?

Allahu thotë: “E besimtarë të vërtetë janë ata, të cilëve kur u përmendet Allahu, u rrënqethen zemrat, të cilëve, kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre.” Sure Enfal: 2.

10 – Si e shpreh besimtari dashurinë për Allahun?

Dashurinë për Allahun besimtari e shpreh duke e adhuruar Atë, duke çuar në vend urdhrat e Tij dhe duke u ruajtur prej gjërave që na ka ndaluar Ai.

11 – Kur besimtari është më pranë Allahut?

Kur është në sexhde.

12 – A mundet njeriu t’i numërojë mirësitë që Allahu i ka dhuruar?

Është e pamundur të numërohen dhuntitë që Allahu i Lartësuar na ka dhënë. Ai ka krijuar për ne botën ku jetojmë, qiellin, tokën. Na ka dhënë ajrin, për të jetuar, ujin, për të përfituar prej të mirave të Tij etj.

13 – Cili është mëkati të cilin Allahu nuk e fal?

 Idhujtarija.

14 – Çfarë është shirku?

Shirku është që t’i shoqërosh Allahut shok, ndërsa Ai të ka krijuar ty. Dhe (po ashtu) të adhurosh dikë tjetër bashkë me Të si; gurë, njeri, diellin, hënën, apo ndonjë profet, apo ndonjë yll etj.

15 – Cili është dallimi ndërmjet monoteistit dhe politeistit?

Monoteist është ai që adhuron vetëm Allahun, ndërsa politeist është ai person që adhuron zota të tjerë përveç Allahut.

16 – Kur njeriu betohet, në emër të kujt duhet të betohet?

Vetëm në emër të Allahut.

17 – Kush janë kushtet e Islamit?

1 – Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, 2 – falja e namazit, 3 – dhënia e zekatit, 4 – agjërimi i muajit Ramazan dhe 5 – haxhi një herë në jetë për atë që ka mundësi.

18 – Kush është dera e hyrjes në Islam?

Dera e hyrjes në islam është Shehadeti: “Esh’hedu en la ilahe il la Allah ue esh’hedu enne Muhammeden abduhuhu ue resuluhu.” (Dëshmoj se nuk të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Allahut.)

19 – Tek dëshmia “La ilahe il la llah” ka një mohim dhe një pohim? Cili është mohimi dhe Cili është pohimi?

Nuk ka zot tjetër është mohim për adhurimin e të gjithë zotrave të rremë, ndërsa përveç Allahut është pohim se Zoti i vetëm që e meriton të adhurohet është vetëm Allahu.

20 – Kush është feja e pranuar te Allahu?

Islami.

21 – Çfarë do të thotë Islam?

 Islam do të thotë bindje ndaj Allahut dhe paqe.

22 – Përse na ka krijuar Allahu?

Që ta besojmë dhe ta adhurojmë Atë.

23 – Si e këshilloi Llukmani birin e tij?

Llukmani e këshilloi birin e tij të adhuronte Allahun një të vetëm.

24 – Çfarë është meditimi?

Meditimi është një ndër adhurimet e rëndësishëm në fenë Islame. Meditim do të thotë, të mendosh mbi gjithçka që Zoti i Madh ka krijuar, dhe në përfundim të të shtohet besimi. Meditimi është ushqim i shpirtit. Allahu urdhëron e thotë: Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët, për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë në krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.Sure Ali Imran: 191.

25 – Si është shembulli i atij që e kujton Allahun me dhikër dhe atij që nuk e kujton Atë?

Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Shembulli i atij që përmend Zotin e tij dhe atij që nuk e përmend është sikur shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.”

26 – Cili është argumenti që Allahu është afër dhe u përgjigjet lutjeve tona?

Allahu thotë: “E kur robërit e Mi të pyesin për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet , pra për të qenë ata drejt të udhëzuar , le të më përgjigjen Mua dhe le të më besojnë Mua.” Sure: Bekare:186.

27 – Çfarë është Namazi?

Namazi është një adhurim që bëhet për të zbatuar urdhrin e Allahut. Namazi është lidhje mes Zotit dhe robit të Tij.

28 – Cilat janë tre xhamitë tek të cilat muslimani është mirë që t’i vizitojë?

Ato janë: 1-Qabja, 2- Xhamia e Profetit, 3 – Xhamia Aksa.

29 – Kush është më i miri i njerëzve?

Më i miri i njerëzve është ai i cili është më i devotshëm.

30 – Ç’është Ihsani?

 Ihsani është ta adhurosh Allahun sikur ti e shikon Atë. E nëse ti nuk e shikon Atë, Ai të shikon ty.

31 – Çfarë do të thotë të besosh në engjëjt?

Besimi në engjëjt përfshin besimin se ata janë krijesa prej krijesave të Allahut. Besimi se ata e adhurojnë Allahun ditë e natë pa u lodhur. Nuk e kundërshtojnë urdhrin e Allahut. Kryejnë punët të cilat Allahu i Lartësuar ia ka obliguar, si p.sh: zbresin shpalljen hyjnore tek profetët, regjistrojnë veprat e mira dhe të këqija, marrin shpirtrat e njerëzve si dhe kryejnë shumë punë të tjera.

32 – Cilët janë 4 melaiket më kryesorë dhe cilat janë detyrat e tyre ?

1 – Xhibrili: Është meleku më i rëndësishëm. Detyra e tij ishte ndërmje­tësimi mes Allahut dhe profetëve, komunikimi i librave të Zotit te ata. Meleku Xhibrili i ka sjellë Profetit tonë (a.s.) Kuranin prej Allahut.

2 – Mikaili: Ka për detyrë të drejtojë dukuritë natyrore (rënien e shiut, fryrjen e erës, mbirjen e të mbjellave etj.)

3 – Israfili: Ka për detyrë të ndjekë ndodhitë e Kijametit.

4 – Azraili: Ka për detyrë të marrë shpirtrat e njerëzve, që u ka ardhur fundi në këtë jetë.

33 – Ngase janë krijuar engjëjt?

Engjëjt janë krijuar nga drita.

34 – Ngase janë krijuar xhindet?

Xhindet janë krijuar nga zjarri.

35 – Ngase janë krijuar njerëzit?

Njerëzit janë krijuar nga dheu.

36 – Çfarë do të thotë të besosh në librat qiellorë?

Besimi tek librat qiellorë përfshin besimin tek të gjithë librat, që Allahu ia ka zbritur profetëve të Tij. Besimi se librat e zbritur përpara zbritjes së Kuranit kanë pësuar deformime dhe shtrembërime, Ndërsa Kurani është ruajtur i paprekshëm nga shtrembërimet dhe deformimet.

37 – Kush janë katër librat e mëdhenj që u kanë zbritur katër profetëve të zgjedhur ?

Allahu i Lartësuar, disa prej profetëve u ka dërguar libra dhe disave prej tyre, fletushka. Ndërkaq, katër profetëve u kazbritur katër libra të mëdhenj. Librat për të cilët po flasim janë si më poshtë:

Zeburi: I është zbritur Daudit (a.s.).

Teurati: I është zbritur Musait (a.s.).

Ungjilli: I është zbritur Isait (a.s.).

Kurani. Është i fundit i librave të shenjtë. I është zbritur Profetit tonë të dashur, Muhamedit (a.s.).

38 Çfarë do të thotë të besosh në profetët e Allahut?

Besimi tek profetët e Allahut përfshin besimin se Allahu i Lartësuar dërgoi tek njerëzit profetë të shumtë për t’i drejtuar ata në rrugën e drejtë. Disa prej këtyre profetëve Allahu i ka treguar në Kuran e për disa të tjerë nuk ka folur.

39 – Përse Allahu ka dërguar profetë?

Allahu i Lartësuar i ka dërguar Profetët (a.s) për t’ua prezantuar të Vërtetën dhe për t’i ftuar për tek ajo. Ashtu sikurse i ka dërguar për t’ua prezantuar të Kotën dhe për t’i paralajmëruar që të largohen prej saj.

40 – Cilët janë pesë profetët më të vendosur?

Ata janë: Nuhu (a.s.), Ibrahimi (a.s.), Musai (a.s.), Isai (a.s.) dhe Muhamedi (a.s.).

41 – Çfarë do të thotë të besosh në Ditën e Gjykimit?

Besimi në Ditën e Gjykimit përfshin besimin se njeriu pas vdekjes do të ringjallet, e pas ringjalljes të gjithë njerëzit do të grumbullohen në tokën e Mahsherit e aty do të gjykohen për veprat e tyre.

42 – Cilët janë pesë gjërat e fshehta që nuk i di askush tjetër përveç Allahut?

1- Kur do të ndodhë dita e Gjykimit, 2 – Çfarë mbartin mitrat e nënave, 3 – Kur do të zbresë shiu, 4 – Çfarë do t’i ndodhë njeriut nesër, 5 – Askush nuk e di se në çfarë vendi do të vdesë.

43 – Cilat janë shenjat e mëdha të Ditës së Gjykimit?

Dalja e Dexhalit, Zbritja e Profetit Isa (a.s), Je’xhuxh dhe Me’xhuxhët, Dalja e shtazës, Lëkundja e madhe e tokës nga Lindja, Lëkundja e madhe e tokës nga Perëndimi, Lëkundja e madhe e tokës në Gadishullin Arabik, Tymi, Lindja e diellit nga Perëndimi dhe Zjarri që i tubon njerëzit.

44 – A do ringjallet njeriu pasi të vdesë?

Një tjetër prej parimeve tona të besimit është edhe besimi në ditën e ringjalljes. Njerëzit e ringjallur do të mblidhen në vendin e quajtur “mahsher – vend grumbullimi”, ku do t’i japin llogari Zotit për jetën e tyre në këtë botë. Aty do të vihet në vend drejtësia e Allahut dhe me urdhrin e Tij të mirët do të hyjnë në Xhenet, kurse të këqijtë, në Xhehenem.

45 – Trego disa argumente të rinngjalles!

1 – Krijimi i parë. Allahu e krijoi njeriun për herë të parë, kështu që ringjallja e tij është më e lehtë.

2 – Krijimi i qiejve dhe i tokës që është më i madh se krijimi i njeriut.

3 – Ringjallja e tokës së shkretë.

4 – Gjumi.

5 – Allahu na ka njoftuar në Kuran dhe Profeti (a.s) në hadithe.

46 – Trego disa ndodhi të Ditës së Gjykimit!

1 – Shkatërrimi i kësaj bote.

2 – Fryrja e Surit (2 herë).

3 – Tubimi i njerëzve në tokën e Mahsherit.

4 – Ndërmjetsimi (Shefaati).

5 – Llogaria e të gjithë njerëzve.

6 – Peshimi i veprave të mira dhe të këqija.

7 – Dhënia e librit të punëve të mira nga e djatha ose nga e majta.

8 – Kalimi i urës së Siratit.

9 – Orientimi i njerëzve për në Xhenet ose në Xhehenem.

47 – Çfarë është Xheneti?

Xhenet quhet vendi, ku njerëzit që e kanë merituar shpërblimin nga Zoti, do të qëndrojnë përgjithmonë pas ringjalljes. Në Xhenet nuk ka vdekje. Jeta s’ka mbarim. Atje ndodhen të gjitha të mirat. Atje s’ka mërzitje e hidhërim, urrejtje e neveri, por vetëm gëzim e lumturi.

48 – Çfarë është Xhehenemi?

Xhehenemi do të jetë vendi i mohuesve të Allahut dhe i keqbërësve. Banorët e Xhehenemit  do të vuajnë dënimin si pasojë e të këqijave të kryera në këtë botë.

49 Çfarë do të thotë të besosh në kaderin e Allahut?

Të besosh në kaderin e Allahut do të thotë të besosh se çdo gjë që i ndodh njeriut, e mirë apo e keqe është caktuar qysh përpara se t’i ndodhë. Gjithashtu ky besim përfshin edhe besimin në drejtësinë hyjnore.

50 – Cila është ajo armë e fuqishme që e ndryshon kaderin?

 Duaja (lutja).

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.