Parimi i Katërt:
Imam Hasan El Benna ka thënë: “Hajmalitë, nuskat, rukjet, parashikimet e ndryshme, pretendimet për njohjen e së fshehtës dhe gjithçka që është e ngjashme me këto, janë gjëra të urryera që duhen luftuar, përveç rastit kur kemi të bëjmë me ajet kuranor ose rukje (dua profetike) të transmetuara saktësisht.”
Ky parim trajton:
Pastrimin e besimit islam nga elementët e shtrembër e të paqenësishëm.
Të keqen, e cila duhet të luftohet.
Çlirimin e mendjeve dhe zemrave nga iluzionet dhe trillimet.
Nuskat dhe hajmalitë: Sende të ndryshme që ua varin fëmijëve me pretendimin e ruajtjes nga sëmundjet dhe nga syri i keq.
Rukja: Lutje që i këndohen të sëmurit për t’u shëruar nga sëmundjet e ndryshme.
Parashikimi imagjinar i ngjarjeve: Pretendimi i njohjes së ngjarjeve mbi bazën e disa premisave subjektive, si p.sh. përcaktimi i sendit të vjedhur apo sendit të humbur si dhe kush e ka vjedhur në bazë të disa shenjave subjektive.
Falli: Pretendimi i njohjes së të ardhmes së njerëzve apo njoftimi për atë që ka në ndërgjegje.
Argumentet e ndalimit:
Profeti (a.s) ka thënë: “Kush var nuska i ka bërë shok Allahut.”[1] Gjithashtu ka thënë: “Rukjet, nuskat, hajmalitë dhe magjitë bashkëshortore (tiuele) janë shirk.”[2]
Tiule është një lloj magjie që synon të bëjë të dashur gruan për burrin e saj.
Prej shirkut janë ato hajmali dhe rukje që janë me përmbajtje shirku. Ndërsa rukjet dhe hajmalitë me përmbajtje kuranore dhe lutje profetike janë prej çështjeve të debatueshme mes dijetarëve.
Shkaqet e ndalimit:
I vetmi që ka mundësi të bëjë dëm dhe dobi është Allahu i Madhërishëm, ndërsa kush beson se dikush tjetër veç Tij ka mundësi të bëjë këto, e ka besimin të cënuar. Allahu i Madhërishëm thotë: “Ata adhurojnë zota të tjerë veç Allahut, të cilët nuk janë në gjendje të krijojnë gjë, nuk kanë në dorë as dëmin as dobinë për veten e tyre, e as nuk kanë në dorë vdekjen, jetën as ringjalljen.”[3]
Askush tjetër nuk e di të fshehtën veç Zotit. Allahu i Madhërishëm thotë: “Thuaj: Nuk është askush në gjendje të njohë të fshehtën, në qiell apo në tokë qoftë ai.”[4]
Qëndrimi i Islamit ndaj rukjeve dhe hajmalive me ajete kuranore:
Shejh Muhamed Abdullah Hatibi thotë: se për sa i përket rukjes imam Sujuti ka thënë: Dijetarët kanë rënë në konsesensus se rukja lejohet, nëse plotësohen tre kushte:
1 – Të ketë përmbajtje fjalën e Allahut si dhe emrat dhe cilësitë e Tij të larta.
2 – Të jetë në gjuhën arabe.
3 – Përdoruesi i rukjes duhet të besojë se rukja është thjesht shkak, ndërsa shkaktari i vërtetë i dobisë është vetëm Allahu.
“Përsa u përket hajmalive me përmbajtje kuranore dhe lutje profetike, disa prej selefëve i kanë lejuar dhe disa i kanë ndaluar.”[5]
Sakaq çdokush ka të drejtë të pozicionohet sipas asaj që i qetësohet zemra pa ia imponuar qëndrimin personal të tjerëve.
Autor: Sabaudin Jashari
[1] – Ahmedi (4/156).
[2] – Ibn Maxheh (3530).
[3] – Sure Furkan: 3.
[4] – Sure Neml: 65.
[5] – “Fet’hul Mexhid” fq: 126-127.