Në të vërtetë, shkaqet qortohen vetëm kur zemra lidhet vetëm me to, duke i dhënë gjithë mbështetjen e saj vetëm atyre, harron Shkaktarin dhe Krijuesin e tyre dhe kur njeriu nuk e di se shkaqet nuk veprojnë vetë. Ndoshta ai ka lënë pas dore ndonjë shkak të largët ose të fshehtë, ose ka anashkaluar ndonjë kusht të domosdoshëm, ose mund të ketë ndonjë pengesë të fortë që e ndalon veprimin e shkakut dhe e zhbën ndikimin e tij.
Sepse, kur njeriu hedh farën në një tokë pjellore dhe kujdeset për të duke e ujitur, duke i hedhur pleh e gjëra të ngjashme, ai nuk ka në dorë të mbikëqyrë farën në thellësitë e tokës; ai nuk mund të drejtojë erërat, temperaturat apo të ftohtin që ndikojnë mbi të, dhe as nuk mund të largojë fatkeqësitë qiellore që mund ta godasin. Prandaj, në këtë rast besimtarit nuk i mbetet tjetër veçse të thotë, pasi ka rendur pas shkaqeve dhe është përpjekur: “E mbolla farën, dhe frytin e presim nga Zoti.”
Kurani na ka përmendur një shembull të mbështetjes vetëm në shkaqet e jashtme, të cilat nuk prodhuan rezultatin e pritur. Dhe kjo në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Vërtet, Allahu ju ka ndihmuar në shumë beteja, e (ju ndihmoi) edhe në ditën e Hunejnit, kur u krekosët me numrin tuaj të madh, por ai nuk ju bëri dobi aspak, dhe toka, sado e gjerë që ishte, ju duk e ngushtë, pastaj u kthyet duke ikur.”[1]
Ata u lanë pa ndihmë, megjithëse ishin të shumtë, sepse i mashtroi numri i tyre dhe i hutoi nga mbështetja tek Allahu; prandaj numri i madh nuk u vlejti për asgjë. Ndërsa më herët, kur ishin pak, ata fituan, sepse mbështeteshin vetëm tek Allahu, pasi kishin bërë ç’ishte e mundur nga ana e tyre.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Teube: 25.



















