Ramazani muaji i përmendjes

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

“O ju që keni besuar, ju është bërë obligim agjërimi, ashtu siç edhe atyre para jush, që të bëheni të devotshëm”[1]

Ramazani po na vjen, po na afrohet, po na troket në derë…Para tij kanë kaluar, dhe kemi kaluar, shumë muaj Ramazani të tjerë, e pas tij do të vijnë e do të jetojmë, apo do të jetojnë shumë të tjerë… .

E me finalitetin e tij kumbues, devotshëmrinë, na vjen për të na përmendur e përkujtuar. Na vjen për të na përmendur e për të na çelur sytë ndaj kuptimeve të “vjetra” e të “reja” të kësaj fjale, “Devotshmëri”

Na vjen për të na përmendur se njeriu është shumë i shtrenjtë për Krijuesin e tij, për Zotin e të gjithë botërave, i Cili edhe pse është vetvetiu i pasur pafundësisht e i panevojshëm për askënd, për krijesën e tij njeri ka zbritur libra, ka dërguar profetë e ka krijuar Ahiret.

E për nder të këtij njeriu, Allahu i Madhëruar ka obliguar, ndër të tjera, agjërimin e këtij muaji të begatë, Ramazanit, muaj i veçantë reflektimi dhe  përmendje.

Na vjen, ky muaj i begatë, për të na përmendur se jeta ka nevojë për motiv dhe se motivi më i plotë e më i përsosur që i jep jetës dimensione të pafundme kuptimi është hatri i Allahut. “Thuaj namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve, i  Cili nuk ka shok, dhe për këtë jam urdhëruar edhe unë i pari i myslimanëve” [2]

Na vjen për të na përmendur se çdo ditë e re që lind përbën një mundësi të re e të madhe, por edhe një sfidë të re dhe se sfida e vetme e vërtetë e njeriut është sfida me veten e tij, me egon e tij, me lakminë e tij. Sfidë të cilën, po e fitoi ka fituar çdo sfidë tjetër e po e humbi ka humbur çdo sfidë tjetër. “Të gjithë dilni herët në mëngjes për të bërë tregti, e si mall të tregtisë tuaj keni veten tuaj, të cilën ose e fitoni ose e shkatërroni”[3]

Na vjen për të na përmendur se harrimi më i tmerrshëm është harrimi i vetes dhe se shkaku i vetëm  i këtij harrimi është harrimi i Allahut. “E mos jini si ata që harruan Allahun e Allahu i bëri të harrojnë veten e tyre.”[4]

Na vjen për të na përmendur se kjo botë nuk i mbeti e nuk e trashëgoi as i pari e as i dyti, as i madhi e as i vogli, as i forti e as i dobti, as i pushtetshtmi e as i patakatshmi, as zengjini e as fakiri, as Faraoni e as Sulejmani a.s. “Prandaj mos iu mashtrojë jeta e dynjasë e ruajuni nga mashtruesi, shejtani se mos ju largojë nga Allahu”[5]

Na vjen për të na përmendur se mençuria e vërtetë është kalërimi i shpinës së dynjasë për të përshkuar rrugën drejt destinacionit të padiskutueshëm, takimit me Allahun. Imam Shafiu në Divanin e tij na dhuron këto urtësi të bukura:

Të Allahut janë disa robër të mençur

Dynjasë vendin ia treguan

e nga fitnet e saj u ruajtën

Thellë saj vështruan dhe shumë fort u bindën

Se ajo nuk vlen për askënd si vatan i përhershëm

E kështu si lumë e si det e trajtuan

E me anijen e punëve të mira atë e përshkuan

Na vjen për të na përmendur se çka bëjmë për vete harxhohet e çka bëjmë për hatër të Allahut mbetet.“Ç’ka keni ju mbaron e ç’ka ka Allahu mbetet e përjetshme”[6]

 

E na vjen për të na përmendur se njeriu pa Allahun nuk është asgjë. E si mund të pretendojë njeriu të jetë diçka, ndërkohë që Krijuesi i gjithçkaje është vetëm Allahu, Rabbul Alemin. E kështu njeriu është thjesht një gjë që i është dhënë diçka, por që edhe gjëja edhe diçkaja janë thjesht krijesa të Atij që ka krijuar e ka në dorë gjithçka. E kështu si mund të jetë njeriu diçka pa Atë që ka krijuar dhe ka në dorë gjithçka.”Faleminderit i plotë i takon vetëm Allahut, Zotit të gjithë botërave, Mëshiruesit, Mëshirëplotit, Sundimtarit absolut të Ditës së Gjykimit”[7]

Po ashtu na vjen ky muaj për të na përmendur se kjo botë e kjo jetë nuk do kishte fare kuptim pa ekzistencën e Ahiretit. E si mund të ketë kuptim diçka që mund të bëhet inekzistente sa hap e mbyll sytë. Madje na kujton e na përmend, ky muaj se Ahireti është më afër nesh se sa edhe vetë koha që na duhet pë ta shqiptuar si fjalë… “Përkujtoni shpesh atë që shkërmoq kënaqësitë e kësaj dynjaja dhe shkapërderdh njerëzinë dhe shoqërinë”[8]

Na vjen ky muaj për të na përmendur se jeta e kësaj bote është me të vërtetë e bukur, por…. vetëm me Allahun, Zotin e gjithë Botërave dhe se gëzimi i  vërtetë i zemrave dhe i shpirtrave është në strehimin tek dhikri i Tij: “Vetëm me kujtimin e Allahut qetësohem zemrat”[9] “Ky Kuran është shërim i sëmundjeve të zemrave” [10]

Na vjen për të na përmendur për faktin se çdo hap që hedhim në jetë, e çdo sekond,, minutë, orë, ditë, javë, muaj dhe vite që jetojmë, në vetvete janë përshkim i rrugës drejt takimit me Zotin e gjithësisë, por për të qenë të përmendur vazhdimisht për këtë fakt, e deri në momentin e takimit me Allahun, Të Gjallin që nuk vdes kurrë, na duhet devotshëmri; “O ju që keni besuar ju është bërë obligim agjërimi ashtu siç edhe atyre para jush që të bëheni të devotshëm” [11]

[1] – Sure Bekare: 183.

[2] – Sure En’am: 162-163.

[3] – Muslimi.

[4] – Sure Hashr: 19.

[5] – Sure Lukman: 33.

[6] – Sure Nahl: 95.

[7] – Sure Fatiha: 2-4.

[8] – Tirmidhiu. Hadithi është Hasen Garib.

[9] – Sure Ra’d: 28.

[10] – Sure Junus: 57.

[11] – Sure Bekare: 183.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.