Ramazani, triumf i shpirtit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Një mori imazhesh, tingujsh, videosh, dritash dhe ngjyrash shumë të kuruara, të dizenjuara për të magjepsur mendjet tona, vërshojnë ndërgjegjen tonë çdo ditë. Prodhimi masiv i produkteve ushqimore të krijuara në laboratorë për të ngacmuar shijet tona, mbushin raftet e tavolinat tona dhe ngopin orekset tona. Lëndët intoksikuese nuk kanë qenë kurrë më gjerësisht të disponueshme me dekriminalizimin e drogave rekreative në një numër vendesh dhe aksesin fare të thjesht të çdo produkti dehës thuajse në çdo ambjent publik. Media nga ana tjetër, e cila mban të mbërthyer pas ekranit turma njerëzish si të hipnotizuar me shpresën se aty ata do të gjejnë diçka që i përmbush, apo që thjesht mbush kohën e jetës së tyre e cila rrjedh me vrull drejt fundit të pamohueshëm.

Fryma e modernitetit duket se e josh njerëzimin në një kërkim të pafund të kënaqësisë së menjëhershme duke përdorur teknologjitë më të avancuara. Edhe ngjyrat e ikonave të njoftimeve në telefonat tanë janë krijuar për të na bërë të kthehemi prap tek to për më shumë. Nuk është një ekzagjerim të deklarosh se jetojmë në një shoqëri dopaminergjike. Kjo do të thotë që shoqëria është e strukturuar në një mënyrë të tillë që synon të maksimizojë çlirimin e dopaminës, neurotransmetuesit që lidhet me kënaqësinë në trurin tonë. Pasojat e këtij realiteti janë se zemrat tona mund të bëhen robër të forcave të ndryshme që kërkojnë të dominojnë mendjet tona. Varësitë ndaj pajisjeve, mediave sociale, lojërave, filmave, Netflix, përmbajtjeve seksuale dhe substancave të paligjshme kanë kapluar të gjitha nivelet e shoqërisë.

Jetojmë në një epokë, e cila më shumë se kurrë në historinë njerëzore, ka prodhuar një pafundësi elementësh që e bombardojnë vazhdimisht përditshmërinë tonë, duke mbingarkuar shqisat tona dhe duke e mbajtuar në gjendje alerti trupin, mendjen, emocionet dhe veprimet tona. Kjo e ka futur shoqërinë në një gjendje apatie, të pafuqishëm për ta bërë shpirtin të prevalojë mbi këto dukuri materiale. Paradoksi i këaj situate është se sa më shumë na shtohen të mirat materiale aq më shumë shoqëria është e palumtur. Dhe kjo lidhet me faktin se duke u përqendruar tërësisht në botën materiale, shpirti i cili i mundëson njeriut lidhjen me Hyjnoren mbetet mënjanë dhe i harruar. Prandaj imam Gazaliu do të shkruante: “I lumtur është ai njeri që njeh veten e tij”, i inspiruar edhe nga ajeti Kuranor: “Dhe mos u bëj si ata që e harruan Allahun, dhe Allahu bëri që ata të harrojnë veten e tyre.” [El-Hashr: 19]

Imam Gazali shkruante se profetët ishin njerëzit më të lumtur, pasi ata kishin arritur qëllimin suprem të ekzistencës njerëzore. Çdo njeri ka lindur me “një dhimbje të njohur në shpirt” që vjen si pasojë e shkëputjes nga Realiteti Përfundimtar. Gjendja tragjike e njeriut është se sytë tanë janë kaq të shpërqendruar nga gjërat materiale dhe kënaqësitë trupore të jetës së kësaj bote, saqë ne kemi humbur aftësinë për të parë të padukshmen. Prandaj njerëzit sot janë kaq të palumtur: ata përpiqen ta lehtësojnë dhimbjen e shpirtit të tyre duke shtuar akoma më shumë zhytjen në kënaqësite materiale. Allahu i Madhëruar na tërheq vëmendjen në Kuran kur thotë: “…Ata që e ruajnë veten nga lakmia e vetes së tyre, pikërisht ata janë të fituarit” [Et-Tegabun: 16]

Por cfarë të mundëson të shpëtosh nga lakmia dhe të triumfosh në jetën e kësaj bote? Përgjigjen e gjejmë në fillim të ajetit të mëposhtëm, ku Allahu thotë: “Prandaj jini të devotshëm ndaj Allahut me sa mundësi keni, dëgjoni e binduni dhe shpenzoni për bamirësi në të mirën tuaj. Ata që e ruajnë veten nga lakmia e vetes së tyre, pikërisht ata janë të fituarit.” [ Et-Tegabun: 16]

Nga ky ajet kuptojmë që Allahu Fuqiplotë vendos si kusht të triumfit të shpirtit, shpëtimin nga lakmia e vetes, dhe si kusht të shpëtimit ndaj lakmisë së vetes, Devotshmërinë. Por cili është mekanizmi i cili është gjeneratori i kësaj cilësie brenda veteve tona? Mjafton të kthehesh përsëri tek Kurani Famëlartë dhe ajetet që flasin për agjërimin: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” [El-Bekare: 183]. Pra Allahu i Madhëruar nëpërmjet agjërimit synon të kultivojë tek ne devotshmërinë, e cila është esenciale për triumfin e njeriut ndaj nefsit dhe egos së tij.

Triumfi i njeriut nuk është vetëm në rrafshin personal, por edhe në atë shoqëror. Përsëri edhe për këtë aspekt Kurani Famëlartë na dhuron një formulë të jashtëzakonshme. Zoti i Gjithësisë thotë në Kuran: “Dhe prej tyre Ne bëmë prijës të cilët udhëzonin me urdhrat Tanë, për sa kohë që ata ishin të durueshëm dhe ndaj argumenteve Tona ishin të sigurt.” [Es-Sexhdeh: 24]. Në këtë ajet Kuranor Allahu i Madhëruar na tregon se që njeriu të triumfojë në marrëdhënie shoqërore, dhe kulmi i triumfit është mëkëmbësia e Zotit në Tokë dhe të qenurit prijës, udhëzues dhe orientues i masave, njeriu duhet të gëzojë dy cilësi: (sabrin) durimin dhe (jekinin) bindjen dhe sigurinë absolute tek Allahu i Madhëruar. Ibn Kajjim el Xheuzije duke komentuar këte ajet Kuranor thotë: “Allahu i Madhëruar, duke kombinuar durimin dhe sigurinë absolute në ajetin e lartpërmendur na tregon se burimi i lumturisë së njeriut zë fill pikërisht nga këto dy elemente, dhe pa to ai shkëputet totalisht nga kjo dashuri. Kjo për faktin se zemra shpeshherë ekspozohet ndaj ngacmimeve të liga që bien ndesh me urdhrin e Zotit, dhe gjithashtu ajo përndiqet nga dyshimet që bien ndesh me atë që Allahu i Madhëruar ka shpallur. Prandaj durimi u bën ballë ngacmimeve që joshin drejt gjynaheve, ndërkohë siguria absolute tek Allahu i Madhëruar e garanton njeriun nga dyshimet.”

Nuk ka ndonjë mekanizëm më efiçent dhe produktiv për të kultivuar pikërisht këto dy cilësi sesa agjërimi. Vetëm një njeri me jekin, pra me bindjen absolute se tek Allahu i Madhëruar ai do ta marrë shpërblimin e kësaj sakrifice, mund të ketë sukses në praktikën e agjërimit. Vetëm siguria absolute tek Allahu Fuqiplotë, tek Fjala dhe tek premtimi i Tij, i jep njeriut garancinë për ta çuar agjërimin deri në fund. Dhe gjatë këtij procesi ai kalit durimin, duke e frenuar me ndërgjegje të plotë veten e tij edhe nga hallalli. E kur njeriu ka aftesinë të durojë në atë që është e lejuar për të, patjetër që ka edhe forcën të durojë në ato gjerë që për të janë të ndaluara.

Prandaj Ramazani është triumf i shpirtit, sepse nëpërmjet tij njeriu triumfon ndaj nefsit dhe egos së tij, por në të njëjtën kohë edhe kultivon dy cilësi të cilat i mundësojnë atij të triumfojë edhe në marrëdhëniet dhe sfidat shoqërore.

Autor: Erald Skurra

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.