Me fjalën “umumul belua” nënkuptohet ai fenomen gjithëpërfshirës i cili lidhet me përgjegjësinë juridike aq sa është e vështirë për personat juridik që të shmangen prej tij, ose personat juridik të cilët janë të ngarkuar për ta kryer atë veprim (që është fenomen) hasin në vështirësi të madhe për ta kryer dhe si rrjedhojë situata e krijuar kërkon lehtësim, ose të gjithë personat juridik apo pjesa dërrmuese e tyre kanë nevojë të dinë rreth dispozitës fetare (lehtësuese) të tij.[1]
Raporti midis nevojës sheriatike dhe fenomeneve mbizotëruese të pashmangshme bëhet i qartë kur shqyrtojmë shkaqet e këtyre fenomeneve. Juristët kanë përmendur një sërë shkaqesh të përhapjes së fenomeve mbizotëruese të pashmangshme, disa prej këtyre janë të përgjithshme si: vështirësia për t’u ruajtur prej tij (fenomenit) ose pamundësia për të shpëtuar prej tij[2], përsëritja e vazhdueshme e tij[3], shtrirja dhe përhapja e tij[4], shpeshtësia dhe kohëzgjatja e tij[5], i papërfillshëm dhe pa peshë[6], shkakton dëm[7] dhe domosdoshmëria[8]. E disa prej këtyre shkaqeve janë specifike: Disa prej tyre kanë lidhje me personin juridik si në rastin e atij që është i thyer në moshë; disa prej tyre kanë lidhje me veprimet si rastet e nevojshme; dhe shkaqe të tjera që kanë lidhje me situatat dhe rrethanat si në rastin e rënies së shiut dhe borës.
Ajo që na intereson në këtë kontekst është shkaku që ka lidhje me rastin në nevojë. Kur flasim për nevojën që është shkak për një fenomen mbizotërues të pashmangshëm bëhet fjalë për nevojën e përgjithshme, qoftë ajo tek individët apo rrethanat e situatat. Si për shembull: Në kohët e fundit një fenomen mbizotërues i pashmangshëm është prezenca e bankave që bashkëveprojnë me kamatë të cilat janë përhapur edhe në trojet islame. Një numër i konsiderueshëm i juristëve muslimanë e kanë lejuar depozitimin e parave në të tilla banka. Ata kanë thënë: Shkak se përse një gjë e tillë është lejuar është se ai është një fenomen mbizotërues i pashmangshëm për shkak të nevojës që njerëzit kanë për të bashkëvepruar me këto banka si dhe për shkak se ata (njerëzit) nuk janë të sigurtë që paratë e tyre t’i depozitojnë në shtëpitë e tyre, arkat e kursimit apo tek individë të caktuar. Kështu nëpërmjet këtij shembulli, neve na bëhet e qartë se nevoja është shkak i fenomenit mbizotërues të pashmangshëm në këtë çështje.
Ajo që e forcon më shumë raportin midis nevojës dhe fenomenit mbizotërues të pashmangshëm është se disa juristë kur kanë folur rreth përkufizimit të fenomenit mbizotërues të pashmangshëm kanë cituar si shkak të tij vetëm nevojën. Prej këtyre juristëve janë imam El Asfahani dhe imam Buhariu[9].
Edhe njëherë theksojmë faktin se nevoja që është shkak për fenomenin mbizotërues është nevoja e përgjithshme, qoftë ajo e përgjithshme tek individët apo në karakteristika. Kurse përsa i përket nevojës specifike që ka lidhje me një individ të caktuar apo një karakteristikë të caktuar nuk konsiderohet shkak i fenomenit mbizotërues të pashmangshëm. Kjo sepse nevoja specifike nuk ka lidhje me masat e gjera të njerëzve, kurse fenomeni mbizotërues domosdoshmërisht duhet të përfshijë të gjithë personat juridik ose pjesën dërrmuese të tyre. Si për shembull: Dihet se përdorimi i floririt për burrat është i ndaluar, përveçse në rast nevoje si për shembull në rastin e vendosjes së hundës apo dhëmbit të floririt. Lloji i nevojës që lejon vendosjen e floririt në këtë rast është nevojë specifike për individë të caktuar dhe nuk ka lidhje me masat e gjera të njerëzve. Ky lloj i nevojës nuk konsiderohet si shkak i fenomenit mbizotërues të pashmangshëm, sepse ai duhet të përfshijë të gjithë personat juridik ose shumicën e tyre, kurse në këtë rast kemi të bëjmë me rast specifik.
Kështu pra, në përfundim themi se midis nevojës sheriatike dhe fenomenit mbizotërues të pashmangshëm ka një emërues të përbashkët që është nevoja e përgjithshme, kurse përsa i përket nevojës speifike ajo nuk konsiderohet prej fenomenit mbizotërues të pashmangshëm.
Autor: Ahmet ibn Abdurrahman ibn Nasir Er Reshid
Përshtati: Elton Harxhi
[1] – Ky është përkufizimi që autori ka thënë, sepse në përgjithësi juristët nuk kanë sjellë ndonjë përkufizim të këtij termi. Sh.pk.
[2] – Si për shembull pluhuri i rrugës apo tymi i cili depërton në grykën e agjëruesit, i cili është shumë i vështirë për t’u shmangur. Sh.pk.
[3] – Si për shembull marrja e abdesit përsëritet vazhdimisht, prandaj nëse dikush që ka veshur meste apo çorape do ta kishte të vështirë që sa herë të marrë abdes të heqë mestet apo çorapet, prandaj i është lejuar personit juridik që të marrë mes’h mbi meste. Sh.pk.
[4] – Si për shembull në ditët e sotme është shfaqur fenomeni i mbylljes së xhamive pas namazit të jacisë për shkak se mund të vidhen apo keqpërdoren nga ata të cilët hyjnë brenda. Sh.pk.
[5] – Si për shembull hajzi (cikli menstrual) ndodh vazhdimisht dhe shtrihet në kohë prandaj kur gruaja pastrohet nga hajzi nuk obligohet që të përsërisë namazet që nuk i ka falur gjatë kësaj kohe. Sh.pk.
[6] – Si për shembull gjaku i pleshtit apo insekteve të ngjashme që spërkat rrobën nuk e ndot atë dhe si rrjedhojë lejohet të falesh me atë rrobë se ai gjak është i papërfillshëm. Sh.pk.
[7] – Si për shembull në rastin kur midis dy bashkëshortëve vazhdimisht ka mosmarrëveshje dhe grindje , dhe si rrjedhojë edhe mund ta dëmtojnë njëri – tjetrin, prandaj në Islam është bërë legjitim divorci. Sh.pk.
[8] – Si për shembull personi i sëmurë mund të detyrohet të zbulojë avretin para mjekut për t’u kuruar dhe kjo është domosdoshmëri. Sh.pk.
[9] – Juristi i medh’hebit hanefi, Alaudin El Buhari dhe jo imam Buhariu i njohur i cili ka shkruar hadithet e Profetit (a.s). Sh,pk.



















