Rëndësia e zekatit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Zekati është shtylla e tretë e Islamit. Zekati është adhurim financiar, që jepet vetëm për hir të Allahut të Madhëruar. Adhurimet janë dy llojesh: Adhurime trupore dhe adhurime materiale. Namazi dhe agjërimi janë adhurime trupore, ndërsa Zekati është adhurim material. Haxhi është edhe adhurim trupor edhe adhurim material.

Zekati është përmendur mbi 80 herë në Kuran dhe në shumë ajete vjen bashkë me namazin. Në parim, Zekati është bërë detyrë para emigrimit të të Dërguarit të Allahut (a.s) nga Meka, ndërsa me detaje, Zekati është bërë detyrë në vitin e dytë të Hixhretit. Zekati merret nga muslimanët e pasur dhe u jepet muslimanëve të varfër. Është emërtuar “zekat”, sepse e pastron shpirtin nga koprracia dhe e begaton pasurinë. Allahu i Madhëruar thotë: “Merr nga pasuria e tyre lëmoshë, me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira! Lutu për ta, sepse lutja jote është vërtet qetësim për ata. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.[1] Allahu i Madhëruar thotë në një ajet tjetër: “Ato që i jepni dhuratë për t’jua shtuar (pasurinë tuaj) përmes pasurisë së njerëzve të tjerë (duke jua kthyer dhuratën me një më të mirë), nuk do të shtohen tek Allahu (s’do të ketë shpërblim), kurse kur të jepni si bamirësi, për të arritur kënaqësinë e Allahut, do t’ju shumëfishohen (të mirat).”[2]

Zekati është detyrë e vërtetuar nga Kurani, Suneti dhe Ixhma-ja e të gjithë dijetarëve. Allahu i Madhëruar thotë: “Faleni namazin, jepeni zekatin dhe përkuluni në ruku bashkë me ata që përkulen (në namaz).”[3]

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla; dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e Haxhit për atë që ka mundësi[4] Ibn Abasi (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) e dërgoi Muadhin (r.a) në Jemen, i tha: “Ti po shkon në një vend, ku banojnë të krishterë. Gjëja e parë që do bësh, është t`i ftosh në adhurimin e Allahut të Madhëruar [la ilahe il`lall`llah]. Nëse ata e pranojnë këtë, tregoju se Allahu i Madhëruar u ka obliguar faljen e pesë namaze gjatë 24 orë ve. Nëse e pranojnë këtë, tregoju atyre se Allahu i Madhëruar u ka obliguar Zekatin, i cili merret nga të pasurit e tyre dhe u jepet të varfërve të tyre. Nëse e pranojnë këtë, merr nga pasuria e tyre, por jo llojet më të mira.”[5]

Të gjithë muslimanët janë të një mendimi, se dhënia e Zekatit është Farz.

Autor: Abedin Musallari

[1] – Sure Teube: 103.

[2] – Sure Rrum: 39.

[3] – Sure Bekare: 43.

[4] – Buhariu, Muslimi, etj.

[5] – Buhariu, Muslimi, etj.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *