Ringritja e një populli

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Tregimi i Benu Israilëve në Kuranin Fisnik trason rrugën e popujve për formimin e tyre dhe zgjedhjen mes lirisë dhe skllavërimit.

O lexues fisnik! Lexoi këto ajete fisnike me përqendrim dhe meditim. Lexo edhe fjalët pas tyre dhe do të gjesh një ide, që nuk e ke menduar asnjëherë më parë.

1- Agimi i lirisë: “Tâ Sîn Mîm. Këto janë vargjet e Librit të qartë! Ne do të të tregojmë ty pjesë nga historia e Musait me Faraonin, ashtu siç ka qenë me të vërtetë, për njerëzit që besojnë.‎‎ Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Ai ka qenë vërtet keqbërës. ‎‎Por vullneti Ynë ishte, që t’iu jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në tokë, t’i bënim prijës e trashëgimtarë,‎‎ t’i forconim ata në Tokë dhe t’u tregonim Faraonit, Hamanit dhe ushtrisë së tyre atë prej së cilës ata frikësoheshin.‎‎ Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar”.([1])

2- Britma e së vërtetës: “Shkoni te Faraoni dhe i thoni: “Ne jemi të dërguarit e Zotit të botëve, që të lejoni bijtë e Izraelit të vijnë me ne!” Faraoni tha: “Vallë, a nuk të kemi rritur në gjirin tonë si fëmijë?! A nuk ke qëndruar midis nesh shumë vjet të jetës tënde?! E pastaj bëre veprën që ti e di, duke qenë mosmirënjohës”?! Musai tha: “E kam bërë atë, kur nuk e dija. Pastaj ika prej jush, kur u frikësova prej jush dhe Zoti im më dhuroi mençuri dhe më bëri një nga të dërguarit. A e quan mirësi atë që më bëre mua, ndërkohë që bijtë e Izraelit (popullin tim) i bëre skllevër”?([2])

3- Përballja mes të vërtetës dhe të kotës: “Paria e popullit të Faraonit tha: “A mos vallë do ta lësh Musain dhe popullin e tij që të bëjnë ngatërresa në tokë dhe që të braktisin ty dhe zotat e tu”? Faraoni u përgjigj: ‎‎“Meqenëse jemi sundues mbi ata, ne do t`i vrasim djemtë e tyre dhe do t`i lëmë gjallë gratë e tyre”. Musai i tha popullit të tij: “Kërkoni ndihmë nga Allahu dhe duroni, sepse toka është e Allahut. Ai ia jep atë trashëgim cilit të dojë prej robërve të Tij. Fundi i lumtur u takon atyre që i frikësohen Allahut”. Ata i thanë: “Ne kemi vuajtur para se të vish ti dhe ende po vuajmë”. Musai tha: “Ndoshta Zoti juaj do ta zhdukë armikun tuaj dhe do t`ju bëjë sundimtarë në Tokë, për t’ju parë se si do të veproni”.([3]).

4- Shembuj nga besimi i luftëtarëve në rrugën e së vërtetës: “‎Atëherë magjistarët ranë në sexhde dhe thanë: “Ne besojmë në Zotin e Harunit dhe Musait”. ‎‎‎(Faraoni) tha: “Çfarë?! Ju e besuat atë, para se t`ju jap leje unë?! Në të vërtetë, ai është mjeshtri juaj, që ju ka mësuar magjitë. Unë do t`jua këpus duart dhe këmbët tuaja tërthorazi dhe do t`ju var në trungjet e hurmave. Ju do ta merrni vesh, me siguri, se cili prej nesh është më i ashpër dhe më ngulmues në ndëshkim”. (Magjistarët) u përgjigjën: “Ne kurrë nuk do të të japim ty përparësi ndaj provave që na kanë ardhur dhe ndaj Atij që na ka krijuar. Prandaj, gjyko si të duash; ti gjykon vetëm në jetën e kësaj bote! Ne besojmë në Zotin tonë, që të na i falë gabimet dhe magjitë, për të cilatti na ke detyruar. Allahu është më i Miri dhe i Përjetshmi”.([4])

5- Shpërblimi për besimin: “Ne i thamë Musait: “Udhëto natën me robërit e Mi, hapu atyre një rrugë të tharë nëpër det dhe mos u frikëso se do të të kapë ndokush e as se do të mbyteni”! Faraoni i ndoqi ata (bijtë e Izraelit) me ushtrinë e tij, por deti i mbuloi ata me dallgë të mëdha.‎ ‎Faraoni i solli humbje popullit të tij dhe nuk e çoi në rrugë të drejtë. O bijtë e Izraelit, Ne ju shpëtuam nga armiku juaj”.([5])

6- Shembull praktik për pastrimin e shpirtit, derisa të jetë i përshtatshëm për përballje: “O populli im! Hyni në Tokën e shenjtë, që Allahu e ka caktuar për ju dhe mos u ktheni prapa, se atëherë do të ktheheni të humbur”! Ata thanë: “O Musa! Në atë tokë gjendet një popull i fortë dhe ne nuk do të hyjmë, pa dalë ata e nëse ata dalin, ne atëherë, me siguri do të hyjmë në të”. Dy burra nga ata që i frikësoheshin Allahut dhe që Ai i kishte pajisur me mirësi, thanë: “Hyni në portën e qytetit! Kur të kaloni nëpër të, me siguri do të jeni fitues. Në qoftë se jeni besimtarë, atëherë mbështetuni tek Allahu”! Ata thanë: “O Musa! Kurrsesi nuk do të hyjmë atje, derisa aty të gjenden ata. Kështu që shko ti dhe Zoti yt e luftoni, se ne do të rrimë këtu”. Musai tha: “O Zoti im! Unë nuk kam fuqi për askënd tjetër veç vetes dhe vëllait, prandaj na veço neve prej këtij populli të pabindur”! Allahu tha: “Ajo (toka e shenjtë) u është ndaluar atyre për dyzet vjet. Ata do të bredhin të çoroditur nëpër tokë, por ty mos të të vijë keq për atë popull të pabindur”.([6])

7- Triumifi i të vërtetës dhe përjetësia e lirisë: “Ndërsa popullit të përndjekur Ne i dhamë në zotërim viset lindore dhe perëndimore të tokës që kishim bekuar. Kështu u përmbush premtimi i bukur i Zotit tënd ndaj izraelitëve, për shkak të durimit që treguan”.([7])

Lexues i  nderuar! Nëse i ke kuptuar siç duhet këto ajete të qarta, ti e gjen veten para një tregimi fantastik, i cili të tregon – në formën  më të qartë, me fjalët më të arrira dhe kuptimet më të plota –  se si zhvillohet beteja mes të vërtetës dhe të pavërtetës, mes lirisë dhe skllavërisë dhe në fund do të triumfojë më e mira.

Tregimi i një populli që po formohet

1- Dobësia: Kur lexon ajetet e pikës së parë, e gjen veten para një mizori tiran, i cili ka skllavëruar robërit e Allahut, i ka dëmtuar dhe i ka kthyer në shërbyes, skllevër dhe robër të tij. Ajetet sqarojnë se ky tiran mizor kishte skllavëruar një popull, që dikur kishte qenë i lavdishëm. Allahu i Madhëruar deshi që t`i kthente këtij populli lirinë e grabitur, nderin e vjedhur, lavdinë e humbur dhe krenarinë e cënuar. Rrezja e parë e agimit të lirisë për këtë popull ishte lindja e udhëheqësit të tij më të madh – Musait (Paqja qoftë mbi të)” – i cili ishte si një diell që ndriçoi jetën e tyre, qysh kur ishte foshnje gjiri: “Ne do të të tregojmë ty pjesë nga historia e Musait me Faraonin, ashtu siç ka qenë me të vërtetë, për njerëzit që besojnë.‎‎ Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Ai ka qenë vërtet keqbërës.‎‎ Por vullneti Ynë ishte, që t`u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në tokë, t`i bënim prijës e trashëgimtarë,‎‎ t`i forconim ata në Tokë”.([8])

2- Udhëheqja: Kur lexon ajetet e pikës së dytë, ti qëndron para një komandanti, i cili ishte i kompletuar, i fortë dhe i ruajtur nga përkujdesja hyjnore, pasi kishte refuzuar padrejtësinë dhe ishte mbrojtur nga zullumi. Në fillim ai u largua, duke fituar lirinë. Më pas Allahu i Madhëruar e përgatiti Musain (Paqja qoftë mbi të) për veten e Tij, prandaj ai e mbarti peshën e mesazhit hyjnor dhe detyrën për të shpëtuar popullin e tij. Musai (Paqja qoftë mbi të) u kthye (tek populli i tij dhe faraoni) i mbushur plot me besim, i përkrahur nga bindja e sigurtë për t`u përballur me tiranin. Ai i kërkoi tiranit që t`ia kthente lirinë popullit të tij, të mos ia cënonte dinjitetin, ta besonte atë (Musain) dhe ta pasonte në këtë rrugë. Sa madhështore, por njëkohësisht sa e idhët dhe thumbuese është shprehja, të cilën Kurani Fisnik e përshkruan në gojën e këtij profeti të madh: “A e quan mirësi atë që më bëre mua, ndërkohë që bijtë e Izraelit (popullin tim) i bëre skllevër”?([9]) Ai sikur thotë: “O ti despot! Ti që poshtëron robërit e Allahut të Madhëruar – jo robërit e tu! A vlen ajo e mirë që e përmend dhe ajo mirësi që e kujton, ndërkohë që e ke skllavëruar popullin tim, e ke thyer besën me njerëzit e mi dhe e sprovon kombin tim”? Kjo është britma e së vërtetës, e cila del nga goja e një të Dërguari Fisnik, britmë që tronditi fronin e despotit dhe pushtetin e tij: “Shkoni te Faraoni dhe i thoni: “Ne jemi të dërguarit e Zotit të botëve, që të lejoni bijtë e Izraelit të vijnë me ne!” Faraoni tha: “Vallë, a nuk të kemi rritur në gjirin tonë si fëmijë?! A nuk ke qëndruar midis nesh shumë vjet të jetës tënde?! E pastaj bëre veprën që ti e di, duke qenë mosmirënjohës”?! Musai tha: “E kam bërë atë, kur nuk kam qenë i udhëzuar. Pastaj ika prej jush, kur u frikësova prej jush dhe Zoti im më dhuroi mençuri dhe më bëri një nga të dërguarit”.([10])

3- Përballja: Kur lexon ajetet e pikës së tretë, ti shikon zemërimin e forcës ndaj së vërtetës, e cila kundërvihet për t`u hakmarrë ndaj saj, duke ndëshkuar pasuesit e saj dhe duke poshtëruar përkahësit e saj. Më pas ti vëren, se si pjesëtarët e së vërtetës i durojnë të gjitha këto, ndërsa udhëheqësi i tyre i ushqen zemrat e ithtarëve me shpresa të ëmbla dhe aspirata të këndshme, me qëllim që dobësia të mos gjejë rrugë tek ata: “Ndoshta Zoti juaj do ta zhdukë armikun tuaj dhe do t’ju bëjë sundimtarë në Tokë, për t’ju parë se si do të veproni([11]). ‎Paria e popullit të Faraonit tha: “A mos vallë do ta lësh Musain dhe popullin e tij që të bëjnë ngatërresa në tokë dhe që të braktisin ty dhe zotat e tu?” Faraoni u përgjigj: ‎‎“Meqenëse jemi sundues mbi ata, ne do t’i vrasim djemtë e tyre dhe do t’i lëmë gjallë gratë e tyre”. Musai i tha popullit të tij: “Kërkoni ndihmë nga Allahu dhe duroni, sepse toka është e Allahut. Ai ia jep atë trashëgim cilit të dojë prej robërve të Tij. Fundi i lumtur u takon atyre që i frikësohen Allahut”.([12])

4- Besimi: Kur lexon ajetet e pikës së katërt, ti habitesh me forcën e mrekullueshme të fjalëve që përshkruajnë modelin e përjetshëm të qëndrueshmërisë, durimit, kapjes pas lidhjes më të fortë, nënvlerësimit të çdo gjëje – madje edhe të jetës për hir të rrugës së besimit dhe bindjes ndaj Krijuesit – që ndoqën pasuesit e këtij udhëheqësi, të cilët e besuan mesazhin e tij dhe e sfiduan despotin, duke u tallur me të, por edhe duke qenë të palëkundur: “Prandaj, gjyko si të duash; ti gjykon vetëm në jetën e kësaj bote! Ne besojmë në Zotin tonë, që të na i falë gabimet dhe magjitë, për të cilat ti na ke detyruar . Allahu është më i Miri dhe i Përjetshmi”.([13])

5- Triumfi: Pas gjithë këtyre skenave, kur lexon ajetet e pikës së pestë, shikon edhe përfundimin e ngjarjeve. Mirëpo a e di ti se cili ishte përfundimi? Fitore dhe shpëtim, ngadhënjim dhe sukses, përgëzim që ndriçon zemrat e të shtypurve, shpresë që u realizohet ëndërrimtarëve dhe triumf i qartë i zërit të vërtetës, i cili kumbon në të gjitha horizontet e tokës: “O bijtë e Izraelit, Ne ju shpëtuam nga armiku juaj”.([14])

Deri tek këto ajete bëhet e qartë, se bijve të Izraelit iu plotësua pjesa e parë e pushtetit dhe iu kthye krenaria, pasi ata u çliruan nga skllavëria dhe shpëtuan nga shtypja e despotit.

Pas kësaj mbetej si detyrë për ta, që të realizonin gjysmën tjetër: çlirimin e territoreve të tyre që ishin pushtuar nga beduinët, pasi bijtë e Izraelit i kishin braktisur ato më parë.

Kur lexon ajetet e pikës së gjashtë, qëndron para një populli, të cilit i kishte hyrë frika në palcë për t`u përballur me armikun dhe ishte frikësuar nga forca dhe sulmi i tij. Bijtë e Izraelit parapëlqyen t`i lënë territoret e tyre në duart e armiqve, të mos luftonin dhe të mos rezistonin për të marrë të drejtën e tyre dhe për të shpëtuar atdheun e tyre. Sa herë që udhëheqësi i tyre – Musai (Paqja qoftë mbi të) – i frymëzonte, që të tregoheshin të qëndrueshëm, të duronin vështirësitë, madje duke ua paraqitur tepër të dobët forcën e armikut dhe duke u kujtuar mirësitë e Allahut të Madhëruar, me qëllim që t`iu ngjallte besimin dhe njohjen e vërtetë të Allahut në zemrat e tyre, si dhe duke u vënë në dukje ndihmën që Ai u jep besimtarëve që i mbështeten Atij – siç ishte shembulli i Jusha ibn Nunit dhe Kalib ibn Jukanas – aq më shumë shtohej frika në zemrat dhe shpirtrat e tyre. Ata refuzuan çdo lloj kërkese, duke pranuar: shthurjen dhe jo moralin, cënimin e dinjtetit dhe jo nderin, nënshtrimin dhe jo përballjen, mirëpo Allahu nuk e pranon këtë lloj qëndrimi.

Kjo është dobësi në shpirt dhe ligështi në zemër, që e ka bllokuar atë për shkak të mungesës së gjatë të lirisë, për shkak të largimit të tyre nga dielli ndriçues (liria), rrezet e të cilit vrasin mikrobet e nënshtrimit në zemrat e njerëzve. Për shkak të gjendjes së tyre, Allahu i Madhëruar përcaktoi për ta, që të qëndronin si endacakë në shkretëtirën përvëluese për dyzet vite, me qëllim që të zhdukeshin ata që ishin brumosur me nënshtrim dhe përçmim, në mënyrë që pas tyre të dilte një brez i ri, i lirë nga prangat dhe larg nga nënshtrimi, që jetonte në një tokë, distancën e të cilës e përshkonin vetëm sytë, nën një qiell ku flatrat e mendimit nuk kishin kufi, brez që kishte frikë vetëm Zotin, ruhej nga mëkati, nuk i nënshtrohej askujt (përveç Zotit) dhe nuk adhuronte asnjë krijesë. Sa i bukur është ai ndëshkim që mbart në vetvete mëshirë dhe që ka si rezultat edukimin dhe orientimin!

Kur njeriu të përsosë veten e tij, kur të pastrojë shpirtin, kur liria e ndërgjegjshme të djegë mbetjet e frikës, atëherë do ta gjesh veten para ajeteve të pikës së shtatë. Kur lexon këto ajete, gjendesh përballë një populli fisnik dhe të lavdishëm, të cilit Allahu i Madhëruar i dhuroi territore në lindje e në perëndim të tokës, duke u plotësuar kështu në formën më të mirë Fjala (caktimi) e Zotit tënd, për shkak se ata u treguan të duruar.

Tani, në ato që u thanë, ka përkujtim për atë që ka zemër, që dëgjon mirë dhe është dëshmitar. Shembulli i mësipërm është shembulli praktik më i përkryer, të cilin ia prezantuam lexuesit të nderuar si mbështetje për artikullin e mësipërm, pra për mënyrën dhe kushtet që duhen plotësuar për të formuar kombet dhe popujt. Aty sqaruam qartë se kombet ngrihen me anë të sjelljeve të larta morale dhe duke pastruar shpirtin.

Autor: Imam Hasan El Benna

Përktheu: Rushit Musallari

([1]) – Kurani: Kasas, ajetet: 1-7.

([2]) – Kurani: Shuara, ajetet: 16-22.

([3]) – Kurani: Araf, ajetet: 127-129.

([4]) – Kurani: Ta Ha, ajetet: 70-73.

([5]) – Kurani: Ta Ha, ajetet: 77-80.

([6]) – Kurani: Maide, ajetet: 21-26.

([7]) – Kurani: Araf, ajetet: 137.

([8]) – Kurani; Kasas, ajetet: 1-7.

([9]) – Kurani; Shuara, ajetet: 22.

([10]) – Kurani; Shuara, ajetet: 16-22.

([11]) – Kurani; Araf, ajetet: 129.

([12]) – Kurani; Araf, ajetet: 127-128.

([13]) – Kurani; Ta Ha, ajetet: 72-73.

([14]) – Kurani; Ta Ha, ajeti: 80.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.