Roli i Ramazanit në përballjen me globalizimin

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Globalizimi, ashtu siç po e shohim të konkretizohet në realitet prej dekadash, synon të heqë të gjitha pengesat që qëndrojnë përpara perëndimorizimit të botës sipas versionit amerikan, pavarësisht dëshirës së kujtdo, qofshin ato ligje, ide, zakone apo vendime.

Teoricienët e globalizimit, i cili synon amerikanizimin e botës, e kuptojnë se vetëm Islami zotëron një kulturë të qëndresës ndaj globalizimit në kuptimin e tij perëndimorizues, dhe se muslimanët janë ndër ata që kanë më shumë vatra rezistence ndaj rrymave të imitimit dhe amerikanizimit negativ, për shkak të veçorive dhe elementeve të fuqisë së brendshme që Islami posedon.

Së pari: Veçoritë e Islamit

Fuqia e brendshme e këtij feje buron nga një sërë veçorish me të cilat ai dallohet dhe tejkalon të gjitha fetë dhe rrymat e tjera. Ndër më të rëndësishmet janë:

1 – Burimi i tij hyjnor, i cili e bën atë të karakterizohet nga përsosmëria, ekuilibri dhe drejtësia, dhe e ruan nga shtrembërimi, ndryshimi apo përpjekjet për ta tretur e shkrirë.

2 – Gjithëpërfshirja e mësimeve të tij, që përfshin të gjitha fushat e jetës, duke i mundësuar të rregullojë çdo dimension të saj dhe të garantojë realizimin e lumturisë për pasuesit e tij, si në kuptimin material, ashtu edhe në atë shpirtëror.

3 – Natyrshmëria (përputhja me fitrën), e cila e bën Islamin t’u përgjigjet të gjitha nevojave të njeriut, qoftë atyre që burojnë nga natyra e tij tokësore, qoftë atyre që lidhen me frymën hyjnore të frymëzuar në të; duke i dhënë mundësi të bashkojë idealen me realen dhe të harmonizojë materien me shpirtin, si dhe këtë botë me botën tjetër.

4 – Vendosja e të drejtave të njeriut në qendër të objektivave më të spikatura adhurimore dhe legjislative, duke mbrojtur fenë, arsyen, jetën, nderin dhe pasurinë. Në Islam nuk ka teokraci; ai është një fe që zbriti nga i Pasuri (Allahu), i Cili nuk ka nevojë për adhurimin e krijesave, për t’i udhëzuar të varfrit drejt Krijuesit të tyre, me synimin për t’i lumturuar njerëzit në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër, për t’i çliruar nga çdo formë robërie dhe për t’u dhënë drejtësinë në kuptimin e saj të gjerë dhe gjithëpërfshirës.

5 – Bashkimi i harmonishëm ndërmjet të pandryshueshmeve që sigurojnë unitetin e muslimanëve dhe të ndryshueshmeve që mishërojnë lirinë e tyre, duke e ndërtuar rregullimin e jetës mbi ndërthurjen e arsyes me tekstin e shpallur dhe duke përzier qëndrueshmërinë me zhvillimin, apo autenticitetin me bashkëkohoren.

Së dyti: Roli i Ramazanit në përballjen me trenin e globalizimit

Nga këtu kalojmë në njohjen e rolit të agjërimit në ruajtjen e identitetit të umetit islam nga tretja dhe deformimi, gjë për të cilën Perëndimi përpiqet nën emërtime të ndryshme, ndër më kryesoret: globalizimi dhe “ibrahamizmi”.

Shkurtimisht, kjo çështje bëhet e qartë përmes pikave në vijim:

1 – Kundërshtimi i tretjes së kufijve kulturorë ndërmjet qytetërimeve. Ramazani e shfaq qartë dallueshmërinë e umetit islam nga të tjerët. Ky muaj është një nga shenjat më të rëndësishme të sistemit të veçantë dhe të pavarësisë islame, i cili manifestohet me madhështi në mbarë botën.

2 – Rezistenca ndaj kulturës së konsumit dhe lakmisë epshore, që është një nga tiparet e globalizimit ekonomik, të ushqyer nga korporatat shumëkombëshe të përfshira nga etja për fitim dhe mania e grumbullimit të pasurisë. Ramazani e kundërshton këtë përmes orëve të gjata të agjërimit dhe largimit të njerëzve nga shumë produkte konsumi të zakonshme. Fatkeqësisht, moszbatimi siç duhet i objektivave të agjërimit nga shumë muslimanë i zvogëlon frytet e këtij muaji, si në këtë aspekt, ashtu edhe në të tjerë.

3 – Formimi i njeriut, liria e të cilit buron nga brendësia e tij, përmes qëndresës ndaj çdo forme robërie dhe mosnënshtrimit ndaj “kulturës së turmës”, pavarësisht mjeteve të joshjes apo metodave të mashtrimit. Agjërimi nga ushqimi, pijet dhe gjëra të tjera përbën një trajnim praktik të rëndësishëm në këtë drejtim. Madje ai vazhdon për një muaj të plotë çdo vit, një periudhë e mjaftueshme për këdo që dëshiron të çlirohet nga robëria e epsheve dhe zakoneve shtypëse.

4 – Rikthimi i vlerës së frymës shpirtërore, me të cilën bijtë e Ademit merituan nderimin e Allahut, duke u bërë qenia qëllimore në këtë ekzistencë; deri në atë masë sa edhe melaiket i shërbejnë atij në fusha të ndryshme. Kjo kërkon lartësimin e gjithçkaje që është njerëzore në kuptimin e saj të lartë (aspiratave shpirtërore) mbi atë thjesht trupore (epshet tokësore).

Meqë globalizimi ushqen frymën e epsheve dhe e lartëson materien, atëherë agjërimi, namazi, sadakaja, dhikri dhe leximi i Kuranit kontribuojnë të gjitha në përballjen me hovin globalist që në rrugën e tij shkel shumë vlera, norma dhe tradita.

5 – Revolta kundër monotonisë, e cila i shndërron njerëzit në objekte apo makina brenda mekanizmit të ekonomisë globale, të kontrolluar nga magnetët e Perëndimit. Ramazani e përmbys stilin e jetës që nga nata e parë dhe e ndihmon muslimanin — nëse ai dëshiron — të thyejë kallëpet e ngurta dhe të rebelohet kundër modeleve që e robërojnë, duke e kthyer në një pjesë të një makinerie pa vullnet, e paaftë për t’u dhënë njerëzve lumturinë e shpresuar.

6 – Aftësia e tij e jashtëzakonshme për të riparuar efektivitetin e qenies muslimane, duke e shëruar nga çarjet dhe sëmundjet që e bëjnë pjesë të “shkumës” (një masë pa peshë e pa ndikim), gjë që i nxit të tjerët ta kontrollojnë, të dominojnë mbi pushtetet e vendeve të tij dhe të përvetësojnë pasuritë e tokës së tij.

Sikur muslimanët ta trajtonin këtë muaj ashtu siç duhet, dallimi mes realitetit aktual dhe asaj që duhet të ishte do të ishte shumë i madh. Kjo kërkon nga kushdo që shqetësohet për çështjen e umetit të bëjë përpjekje të mëdha për të nxjerrë në pah objektivat e Ramazanit dhe për t’i kushtuar kujdes meditimit të Kuranit në përgjithësi, e veçanërisht në këtë muaj të bekuar.

Autor: Fuad El Benna

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *