Konteksti i këtij rregulli:
Ky rregull është prej atyre rregullave që përcaktojnë natyrën e përfitimit të dobive dhe përjashtimin e dëmeve në lidhje me dispozitat sheriatike. Dobia po ashtu edhe dëmi – në këndvështrimin e sheriatit – nuk janë çështje të paqarta dhe të papërcaktuara për t’i lënë hapësirë çdo lloj interpretimi dhe ngjyrimi të pabazë. Përkundrazi ato – të dyja – janë të mirëpërpërcaktuara dhe të përshkruara me përkufizime, rregulla, udhëzime dhe kritere. Një prej këtyre rregullave është edhe rregulli i lartpërmendur (në titull) që është kriter bazë i përcaktimit të dobisë dhe dëmit. Për një rregull të tillë ka folur imam Ibn Kajim El Xheuzije në librin e tij “Miftahu Darus Seadeti..”.
Po ashtu ky rregull përmendet edhe në kontekstin e meritës së legjislacioneve të shpallura, të cilat nuk janë ndërtuar mbi bazë të dëshirave dhe egove të njerëzve dhe as që i miratojnë ato. Përkundrazi ato ndërtohen mbi bazë të prevalimit të atyre gjërave të cilat konsiderohen si dobi dhe si rrjedhojë ato duhet të veprohen, ashtu sikurse ndërtohen mbi bazë të prevalimit të atyre gjërave të cilat konsiderohen si dëm duke urdhëruar që të mos veprohen.
Në këtë kontekst, imam Tahir ibn Ashuri ka thënë: “Nuk ka dyshim se nga ligjet e vendosura, ato që qëndrojnë më lart në pozitë janë ligjet hyjnore sepse ato përshtaten me atë gjë për të cilën janë shpallur. E nuk ka dyshim se më madhështori i tyre është sheraiti islam, për shkak se ai është ndërtuar mbi bazë të dobive konkrete apo të mundshme (prevaluese), larg tekave të njerëzve dhe traditave të humbura. Sheriati nuk merr për bazë egon, tekat dhe as zakonet e prishura (të dëmshme), sepse ai nuk ndërtohet mbi bazë të dobive dhe interesave fisnore ose të një vendi të caktuar, por ndërtohet mbi bazë të interesit dhe dobisë së gjithë njerëzimit, për t’i udhëzuar ata rrugë të drejtë.
Shpjegimi i këtij rregulli:
Dobitë mund të jenë të kulluara 100% që nuk përzihen me asnjë lloj dëmi. Për këtë lloj dobie të gjithë juristët kanë rënë dakord se është dobi e pranuar nga sheriati. Por dobitë mund të përzihen edhe me dëm, në masë të vogël apo të madhe. Në këtë rast nëse dobia është më e madhe se dëmi, atëherë themi se dobia prevalon dhe si rrjedhojë sheriati e merr në konsideratë.
Po ashtu dëmet mund të jenë të kulluara 100% që nuk përzihen me asnjë lloj dobie. Për këtë lloj dëmi, të gjithë juristët kanë rënë dakord se është i refuzuar nga sheriati. Por dëmet mund të përzihen edhe me dobi në masë të vogël apo të madhe. Në këtë rast, nëse dëmi është më i madh se dobia, themi se dëmi prevalon mbi dobinë dhe si rrjedhojë refuzohet nga sheriati.
Nuk ka dyshim se sheriati urdhëron për kryerjen e dobisë së kulluar 100% ashtu sikurse ndalon për kryerjen e dëmit të kulluar 100% pa asnjë mëdyshje. Por duke qenë se në shumicën e rasteve dobitë janë të përziera me dëme dhe anasjelltas, sheriati na fton që të përfitojmë nga ato dobi me dozë prevalimi. Ashtu sikur na ndalon që të përfitojmë nga ato dëme me dozë prevalimi.
Kështu që për çdo gjë që më shumë ka dobi sesa dëm, ajo gjë është e lejuar dhe kërkohet prej sheriatit që të zbatohet. Ndërsa nëse tek një gjë ka më shumë dëm sesa dobi, ajo gjë është e refezuar dhe sheriati ndalon që të zbatohet. Kjo do të thotë se dobia prevaluese duhet të trajtohet si dobi e kulluar 100% dhe duhet të përfitohet prej saj. Po kështu edhe përsa i përket dëmit prevalues, ai duhet të trajtohet si dëm i kulluar 100% dhe duhet të evitohet.
Prandaj, nuk ka vend për kundërshtim ndaj ndonjë urdhri nga ana e sheriatit edhe nëse ai në vetvete përmban ndonjë dëm të vogël. Ashtu sikurse nuk ka vend për kundërshtim ndaj ndonjë ndalese nga ana e sheriatit edhe nëse ajo në vetvete përmban ndonjë lloj të dobisë. Kjo për arsye se një urdhër i përcaktuar nga sheriati, ndonëse mund të përmbajë një dëm të papërfillshëm, në thelb nënkupton një dobi të konsiderueshme që e tejkalon atë dëm, dhe për këtë arsye ai duhet të zbatohet. Në të njëjtën mënyrë, një ndalesë e parashtruar nga sheriati, edhe pse mund të ndalojë një dobi të vogël, në të vërtetë synon shmangien e një dëmi më të madh dhe më të rrezikshëm.
Argumentet e këtij rregulli:
Përsa i përket përket përfitimit nga dobitë e kulluara dhe evitimit të dëmeve të kulluara nuk është nevoja të sjellim ndonjë argument apo shembull, sepse thelbi i këtij rregulli qëndron tek përfitimi prej atyre dobive që janë të përziera me dëme, por që dobia prevalon mbi dëmin, ose evitimin e atyre dëmeve që janë të përziera me dobi, por që dëmi prevalon mbi dobinë.
Në përgjithësi, argumentet për këtë që po themi janë të shumta dhe i hasim shpesh në legjislacionin islam. Shumica e urdhëresave të përcaktuara nga sheriati janë dobi me dozë prevalimi dhe pothuajse nuk gjen asnjërën prej tyre të papërzier me ndonjë dëm apo efekte anësore të dëmshme. Po ashtu, shumica e veprimeve të ndaluara nga sheriati – në vetvete – përmbajnë humbjen e disa dobive si pasojë e moskryrjes së tyre. Një gjë e tillë do të vërehet qartë tek shembujt ilustrues të mëposhtëm.
Prej argumenteve të këtij rregulli është ajeti kuranor: “Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaju: Ato sjellin dëme të mëdha, por edhe dobi për njerëzit. Megjithatë dëmi i tyre është më i madh se dobia.”[1] Allahu e ka bërë të ndaluar konsumimin e verës dhe luajten e bixhozit , megjithëse Ai ka thënë krejtësisht qartë “por (në ato të dyja) ka edhe dobi për njerëzit” Por duke qenë se dëmet e tyre prevalojnë mbi dobitë, ashtu sikurse i Lartësuari ka thënë “megjithatë dëmi i tyre është më i madh se dobia” gjykimi për konsumimin e njërës dhe luajtjes së tjetrës janë haram dhe në këtë rast nuk merret në konsdieratë dobia e vogël, jo prevaluese.
Shembuj praktik të këtij rregulli;
1 – Ndër shembujt praktik më të spikatur në lidhje me dobitë e kulluara janë besimi tek Allahu i Madhëruar, besimi tek profetët, besimi në Ditën e Fundit, dhikri, pastrimi i shpirtit nga sëmundjet ideologjike, psikologjike, etj.
2 – Ndër shembujt praktik më të spikatur në lidhje me dëmet e kulluara janë idhujtaria, mosbesimi, sëmundjet e zemrës, si mëndjemadhësia, vetëpëlqimi, dëshira për t’ju bërë njerëzve keq, pirja e duhanit dhe drogës, etj.
3 – Ndër shembujt praktik më të spikatur në lidhje me dobitë që janë të përziera me dëm, por që dobia prevalon mbi dëmin është xhihadi. Askush nuk mund të mohojë dëmet që vijnë prej tij qoftë në shkaktimin e vdekjes, lëndimin e trupit apo dhe humbjen e të mirave materiale. Megjithatë dobia që vjen prej tij prevalon, kur ai kryhet konform rregullave dhe parimeve të sheriatit. Allahu i Madhëruar thotë: “Lufta është bërë detyrim për ju, ndonëse e urreni. Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu e di kurse ju nuk e dini.”[2]
4 – Një shembull tjetër është ajo çfarë është përmendur në një hadith të saktë, në të cilin Ebu Hurejra (r.a) tansmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “A dëshironi t’ju tregoj se cilat janë ato gjëra të cilat nëse ju i veproni Allahu ua fshin gjynahet dhe ju ngre në pozitë? Të pranishmit thanë: Po o i Dërguari i Allahut, kemi dëshirë. Ai (a.s) tha: Marrja e abdesit në formë të plotë kur nuk të pëlqen (që ta marrësh të plotë), shpeshtimi i hapave për në xhami dhe pritja për të falur namazin pasardhës pasi e ke falur të mëparshmin. Ky është Ribati.”[3]
Shprehja “kur nuk të pëlqen” tregon qartë për dëmin, lëndimin apo mundimin që mund të shkaktojë marrja e abdesit, veçanërisht në dimër kur është ftohtë. Kurse përsa i përket “pritjes për të falur namazin pasardhës pasi e ke falur të mëparshmin” kërkon shpenzim të kohës, dhe lënien e punëve të tjera. Megjithatë këto dëme nuk merren parasysh për shkak se dobia prevalon.
Autor: Ahmet Rejsuni
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Bekare: 219.
[2] – Sure Bekare: 216.
[3] – Muslimi.



















