Rrezatimi hyjnor i Emrave më të Bukur të Allahut dhe i Cilësive të Tij të Larta në historinë e familjes së Zekerijas (a.s)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kur shkaqet ngushtohen dhe shpresat veniten sipas parametrave njerëzore, Allahu u hap robërve të Tij një derë tjetër që nuk mbyllet kurrë. Në historinë e familjes së Zekerijas (a.s.) shfaqen qartë ligjet hyjnore, kur përjetohet hyjniteti i Allahut dhe kur përmes lutjes së sinqertë derdhet rrezatimi hyjnor. Atëherë pleqëria dhe shterpësia shndërrohen në fushë ku manifestohet bujaria hyjnore, gjerësia e dëgjimit, madhështia e dhuratës dhe vazhdimësia e trashëgimisë së vërtetë. Kjo është një histori që nuk rrëfehet për t’u arkivuar në histori, por për të rinovuar besimin në Allahun, pikërisht atëherë kur shkaqet duken se kanë përfunduar.

Njohje me Zekerijan (a.s.)

Ai është Pejgamberi i Allahut, Zekerija (a.s), babai i Pejgamberit Jahja (a.s), nga bijtë e Izraelit dhe është prej pasardhësve të Pejgamberit Jakub (a.s.), siç kuptohet nga fjala e Allahut: “që të më trashëgojë mua dhe të trashëgojë nga familja e Jakubit, dhe bëje atë, o Zoti im, të kënaqshëm.”[1]

Gjithashtu tregohet se ai ishte nga pasardhësit e Sulejmanit (a.s), birit të Daudit (a.s), ose nga vetë pasardhësit e Daudit. Bashkëshortja e tij ishte motra e Merjemes, bijës së Imranit, nëna e Isait (a.s.), dhe kështu Jahja (a.s) dhe Isai (a.s) ishin djem tezeje. Zekerija (a.s.) ishte kujdestari i Merjemes. Nga Ebu Hurejra (r.a) transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Zekerija ishte zdrukthëtar”.

Zekerija (a.s.) ia shpreh ankesën Zotit të tij Mëshirëplotë

Allahu i Lartësuar thotë: “Ai tha: O Zoti im! Vërtet më është dobësuar kocka dhe koka më është ndezur nga thinjat, e kurrë nuk kam qenë i zhgënjyer në lutjen time drejtuar Ty, o Zoti im.”[2]

Kur dobësohet kocka, atëherë i gjithë trupi është dobësuar, sepse kocka është pjesa më e fortë e tij dhe shtylla mbi të cilën qëndron. Po ashtu ai i ankohet Allahut për thinjat që i kanë përfshirë krejt kokën. Shprehja kuranore e përfytyron thinjën si zjarr që ndizet, duke e përfshirë të gjithë kokën, derisa nuk mbetet më asnjë shenjë e rinisë.

Dobësimi i kockave dhe thinjat e kokës janë metafora të pleqërisë dhe brishtësisë së saj, të cilat Zekerija (a.s.) ia paraqet Zotit të tij, duke shfaqur gjendjen dhe shpresën e tij.

I sprovuar nga dhimbja, ai ka nevojë flasë rreth gjëndjes së tij dhe të ankohet, dhe Allahu i Mëshirshëm e di këtë, sepse kjo është natyra njerëzore; ndaj ua ka bërë të dashur robërve të Tij që t’i luten Atij dhe t’ia zbrazin barrët e zemrës, që shpirtrat e tyre të qetësohen dhe zemrat të ndihen të sigurta, duke ia dorëzuar ngarkesat Atij që është më i Fuqishëm dhe më i Plotfuqishëm, dhe duke ndier lidhjen me Atë që nuk e poshtëron kurrë atë që strehohet tek Ai dhe nuk e zhgënjen atë që mbështetet tek Ai.

Medito në fjalën e Zekerijasë (a.s), i cili I drejtohet Allahut: “dhe kurrë nuk kam qenë i zhgënjyer në lutjen time drejtuar Ty, o Zoti im.”

Ai pranon se Allahu e kishte mësuar gjithmonë t’i përgjigjej lutjeve të tij, dhe se kurrë nuk ishte zhgënjyer kur i ishte drejtuar Atij, në rininë e tij, atëherë kur ishte i fortë. Kurse tashmë ai (a.s) kishte më shumë nevojë, tashmë ai ishte në pleqërinë dhe dobësinë e tij, që Allahu t’i përgjigjej dhe ta plotësonte mirësinë e Tij mbi të.

Cila ishte ankesa që ia paraqiti Zotit të tij?

Ai nuk kishte pasardhës që ta trashëgonte dhe të mbante barrën e edukimit dhe përgatitjes për vazhdimësinë e misionit. Kjo ishte ajo që e frikësonte. Ndërsa ajo që kërkonte ishte një trashëgimtar i mirë, që ta mbante amanetin dhe trashëgiminë e tij, trashëgiminë e profetësisë nga etërit dhe gjyshërit e tij: “Prandaj më dhuro nga ana Jote një trashëgimtar, që të më trashëgojë mua dhe të trashëgojë nga familja e Jakubit.”[3]

Zekerija (a.s) pejgamberi i devotshëm, nuk harron ta përshkruajë shpresën e tij për këtë trashëgimtar: “dhe bëje atë, o Zoti im, të kënaqshëm”, pra një njeri që është i kënaqur me Allahun dhe me të cilin Allahu është i kënaqur, dhe që përhap kënaqësi e mirësi rreth vetes.

Çasti i përgjigjes hyjnore

Në një moment plot përkujdesje, butësi dhe kënaqësi, Zoti e thërret robin e Tij nga lartësitë qiellore dhe i jep lajmin e gëzueshëm: “O Zekerija! Ne po të përgëzojmë me një djalë, emri i të cilit është Jahja; askujt më parë nuk ia kemi dhënë këtë emër.”[4]

Ai e mbulon me përkujdesjen e Tij duke zgjedhur vetë emrin e fëmijës. Kjo është shprehi e Zotit Bujar: Ai u jep robërve të Tij atë që shpresojnë dhe u shton mbi të nga mirësia e Tij.

Ky është rrezatimi i bujarisë hyjnore që derdhet mbi robin që iu drejtua Zotit të tij me përulësi, e thirri fshehtas, ia shfaqi frikën dhe shpresën e tij, dhe iu dorëzua plotësisht.

Dhe ky rrezatim nuk ndërpritet për robërit e Allahut, kur ata ndjekin shkaqet dhe ecin në gjurmët e Pejgamberit të Allahut, Zekerijas (a.s.).

Prandaj, o ti që gjendja jote është si gjendja e Zekerijas (a.s.): Allahu është Ai që e bën gruan shterpë të mos lindë dhe plakun e rraskapitur të mos ketë pasardhës, por Ai është gjithashtu i Plotfuqishëm ta rregullojë shterpësinë, ta largojë pengesën dhe ta rinovojë fuqinë e krijimit. Drejtoju Zotit tënd, sepse Ai është i aftë ta realizojë shpresën tënde, dhe jeto me premtimin e Tij: “Kjo për Mua është e lehtë”[5],
dhe do të fitosh.

Ji i lartë në synimet e tua

“Prandaj më dhuro nga ana Jote një trashëgimtar, që të më trashëgojë mua dhe të trashëgojë nga familja e Jakubit, dhe bëje atë, o Zoti im, të kënaqshëm.”

Kujto gjithmonë umetin tënd dhe nevojën e tij për burra që mbajnë amanetin e madh, dhe lute Allahun që nga pasardhësit e tu të ketë nga ata që e mbajnë këtë barrë me forcë dhe vendosmëri.

Emrat e Bukur të Allahut në historinë e Zekerijas (a.s.)

Er-Rabb (Zoti), El-Uehhab (Dhuruesi), Es-Semi‘ (Gjithëdëgjuesi), El-Uarith (Trashëgimtari).

Dhe kështu historia e Zekerijas (a.s.) na mëson se Emrat e Bukur të Allahut nuk janë thjesht kuptime për t’u mësuar përmendësh, por çelësa jete që duhen sjellë në zemër në çastet e vështira. Rrezatimi hyjnor nuk i mohohet një zemre që thërret me sinqeritet, mbështetet me vërtetësi dhe synon lart. Kush e njeh Zotin e tij si Gjithëdëgjues, i lutet Atij; si Rabb, strehohet në përkujdesjen e Tij; si Dhurues, shpreson në bujarinë e Tij; dhe si Trashëgimtar, ia dorëzon Atij të gjithë çështjen e vet.

Familja e Zekerijas mbetet shembull i përjetshëm: kur shtëpitë ujiten me iman dhe nxitojnë të kryejnë vepra të mira, u hapen thesaret e mëshirës së Allahut dhe dhurata u vjen në kohën që Ai e dëshiron.

Manifestimet e Allahut me Emrin e Tij Es-Semi‘ (Gjithëdëgjuesi) te Zekerija (a.s.)

Allahu i Lartësuar thotë: “Aty Zekerija iu lut Zotit të tij dhe tha: “O Zoti im! Më dhuro nga ana Jote një pasardhës të mirë; vërtet Ti je Dëgjues i lutjes”[6]

(Es-Semi‘) do të thotë “Dëgjuesi”, por kjo formë është më e thellë dhe më e fuqishme në kuptim, sepse vjen në trajtën e intensitetit. Ai është që dëgjon fshehtësinë dhe pëshpëritjen njësoj si fjalën e thënë me zë të lartë; dëgjon në heshtje dhe në shqiptim, në zë dhe në qetësi të plotë.

Dëgjimi, në këtë kontekst, mund të ketë edhe kuptimin e pranimit dhe të përgjigjes. Siç ka thënë Pejgamberi (a.s.): “O Allah, kërkoj mbrojtje te Ti nga fjala që nuk dëgjohet”, domethënë: nga lutja që nuk pranohet dhe nuk merr përgjigje.

Zekerija (a.s.) në atë çast ndodhej në një vend ku ishte dëshmuar një rrezatim hyjnor.

Njerëzit e mirë gjithmonë i kanë kërkuar vendet e begata për shkak të së mirës që ka ndodhur në to, ashtu siç i kanë çmuar edhe kohët e begata; sepse ato janë si njerëzit e devotshëm: vende ku shfaqen manifestimet e kënaqësisë së Allahut.

Ai kërkoi pasardhës të mirë, sepse nga ta pritet e mira e kësaj bote dhe e botës tjetër, përmes veprave të dobishme dhe gjurmëve të drejta që lënë pas. Dëshmimi i gjërave që thyejnë atë që është e zakonshme të ndodhë, pikërisht mrekullitë që ndodhën me Merjemen, e nxiti Zekerijan (a.s.) të lutej për diçka që vetë ishte jashtë rendit të zakonshëm, apo që në pamje të parë dukej e pamundur; sepse ai e ndjeu veten jo larg përkujdesjes së Allahut të Lartësuar, sidomos në një kohë ose në një vend ku rrezatimi hyjnor ishte i pranishëm. Prandaj lutja e tij nuk konsiderohet kapërcim i kufijve të etikës ndaj Allahut.

Shprehja “Ti je Dëgjues i lutjes” nuk ka për qëllim thjesht dëgjimin e zërit të lutjes – sepse kjo është e ditur – por ka për qëllim përgjigjen ndaj saj dhe moshumbjen e shpresës. Është e ngjashme me fjalën e besimtarëve në namaz: “Allahu e pranoi atë që e lavdëroi Atë”, domethënë: Ai e pranon dhe e shpërblen lavdërimin e besimtarëve.

Kështu, lutja që buron nga një zemër e pastër u pranua, sepse ajo zemër e kishte lidhur shpresën e saj me Atë që dëgjon lutjen dhe e zotëron përgjigjen, kurdo që të dojë.

Manifestimet e Allahut me Emrin e Tij “Er-Rabb” (Zoti) te Zekerija (a.s.)

Allahu i Lartësuar thotë: “Përmendje e mëshirës së Zotit tënd ndaj robit të Tij Zekerija. Kur ai e thirri Zotin e tij me thirrje të fshehtë. Tha: “O Zoti im! Vërtet më është dobësuar kocka dhe koka më është ndezur nga thinjat, e kurrë nuk kam qenë i zhgënjyer në lutjen time drejtuar Ty, o Zoti im. Unë kam frikë nga të afërmit pas meje, dhe gruaja ime është shterpë; andaj më dhuro nga ana Jote një trashëgimtar, që të më trashëgojë mua dhe të trashëgojë nga familja e Jakubit, dhe bëje atë, o Zoti im, të kënaqshëm.” O Zekerija! Ne po të përgëzojmë me një djalë, emri i të cilit është Jahja; askujt më parë nuk ia kemi dhënë këtë emër. Ai tha: O Zoti im! Si mund të kem unë një djalë, kur gruaja ime është shterpë dhe unë kam arritur pleqërinë e thellë?” Tha: “Kështu ka thënë Zoti yt: Kjo për Mua është e lehtë; Unë të kam krijuar më parë, kur ti nuk ishe asgjë.” Ai tha: “O Zoti im, më jep një shenjë.” Tha: “Shenja jote është që të mos u flasësh njerëzve tri net rresht, duke qenë i shëndoshë.” Pastaj ai doli nga faltorja te populli i tij dhe u bëri shenjë që ta madhëronin Allahun në mëngjes dhe në mbrëmje. “O Jahja! Merre Librin me forcë!” Dhe Ne i dhamë atij urtësi që në fëmijëri. Dhe (i dhamë) dhembshuri nga ana Jonë, pastërti, dhe ai ishte i devotshëm. I mirë ndaj prindërve të tij, dhe nuk ishte as tiran e as i pabindur. Dhe paqja qoftë mbi të ditën kur lindi, ditën kur vdes dhe ditën kur do të ringjallet i gjallë”[7]

(Er-Rabb) është Ai që i edukon të gjithë robërit e Tij përmes rregullimit dhe llojeve të ndryshme të begative. Në mënyrë më të veçantë, Ai i edukon të zgjedhurit e Tij duke ua përmirësuar zemrat, shpirtrat dhe moralin. Për këtë arsye ata e shtojnë lutjen ndaj Tij pikërisht me këtë Emër madhështor, sepse prej Tij kërkojnë edukimin dhe përkujdesjen e veçantë.

Zoti është Krijuesi, Rregulluesi dhe Drejtuesi i çështjeve të krijesave të Tij. Ashtu siç e krijoi Zekerijan (a.s.), po ashtu Ai është i Plotfuqishëm t’i dhurojë atij fëmijë, pavarësisht pleqërisë së tij dhe shterpësisë së bashkëshortes. Zoti është i Gjithëfuqishmi, për Atë asgjë nuk është e pamundur dhe asgjë nuk ndodh pa lejen dhe fuqinë e Tij. Fuqia e Allahut është absolute, nuk kufizohet dhe nuk kushtëzohet. Kjo çështje realizohet me përkujdesjen e drejtpërdrejtë të Allahut për Zekerijan (a.s), pa pasur nevojë për mjek apo për ilaç.

Zekerija (a.s.) iu drejtua Zotit të tij larg syve të njerëzve dhe larg dëgjimit të tyre, i vetëm duke iu përkushtuar plotësisht Zotit të tij, ia paraqiti barrën që ia rëndonte shpirtin dhe ankthin që ia shtrëngonte gjoksin, duke iu drejtuar me fjalë që tregojnë afërsi “O Zoti im…”, ndërsa Zoti i tij dëgjon dhe sheh edhe pa thirrje e pa zë.

Allahu i Lartësuar thotë gjithashtu: “Dhe Zekerija, kur e thirri Zotin e tij: “O Zoti im! Mos më lër të vetëm, se Ti je Trashëgimtari më i mirë.” Atëherë Ne iu përgjigjëm atij, ia dhuruam Jahjan dhe ia rregulluam bashkëshorten e tij. Ata nxitonin në vepra të mira, Na luteshin me shpresë dhe frikë, dhe ishin të përulur ndaj Nesh.”[8]

Allahu i Madhëruar e nderoi Zekerijan (a.s.) duke e nderuar Merjemen, atë jetime me pozitë të lartë, dhe pikërisht kjo dhunti e veçantë që iu dha Merjemes u bë shkak i drejtpërdrejtë që Zekerija (a.s.) t’i drejtohej Allahut me lutje për pasardhës të mirë.

Manifestimet e Allahut me Emrin e Tij El-Uehhab (Dhuruesi i Madh) te Zekerija (a.s.)

(El-Uehhab) është Ai që dhuron bujarisht pa pritur shpërblim. Nuk meriton të quhet “Dhurues” veçse ai, dhuratat e të cilit përfshijnë të gjitha llojet e dhuntive, që shtohen, vazhdojnë dhe nuk ndërpriten. Krijesat mund të dhurojnë pasuri apo ndihmë vetëm në rrethana të caktuara; por nuk mund t’i dhurojnë shërim të sëmurit, as fëmijë shterpës, as udhëzim të humburit, as shëndet të sprovuarit. Ndërsa Allahu, Dhuruesi i Madh, i zotëron të gjitha këto. Bujaria e Tij përfshin mbarë krijesat, dhuntitë e Tij janë të vazhdueshme dhe mirësitë e Tij nuk ndërpriten.

Kërkesa e Zekerijas (a.s.) erdhi në formën e dhuratës: “O Zoti im! Më dhuro nga ana Jote pasardhës të mirë, dhe përgjigjja erdhi po në të njëjtën formë: “Ne iu përgjigjëm atij, ia dhuruam Jahjan dhe ia rregulluam bashkëshorten.”

Sepse dhurata është bamirësi e pastër, pa kundërshpërblim, dhe kjo i përshtatet një rasti ku babai nuk ka rol për shkak të pleqërisë së tij, as nëna për shkak të shterpësisë së saj.

Sikur të thoshte: “O Zoti im, dua që në këtë çështje t’i anashkalosh shkaqet dhe ta krijosh këtë fëmijë vetëm me fuqinë Tënde, pa ndërmjetësimin e asnjë shkaku.”

Dhe profeti, lutja e të cilit u pranua, tha: “Nuk kam qenë, o Zoti im, i zhgënjyer në lutje, Prandaj më dhuro me mirësinë Tënde një trashëgimtar të devotshëm, Dhe bëje atë, o Zoti i robërve, të kënaqshëm.” Dhe Ai ia pranoi lutjen dhe e përmbushi premtimin duke i dhuruar Jahjanë (a.s)

Manifestimet e Allahut me Emrin El-Uarith (Trashëgimtari) te Zekerija (a.s.)

(El-Uarith) do të thotë: Ai që mbetet pas zhdukjes së krijesave dhe i merr pasuritë dhe trashëgiminë e tyre pas vdekjes së tyre. Allahu gjithmonë mbetet, pronar i çdo gjëje, dhe ia trashëgon kë të dojë, dhe lë pasardhës kë të dojë.

Lutja e Zekerijas (a.s.) me këtë Emër: Allahu i Lartësuar thotë: “Prandaj më dhuro nga ana Jote një trashëgimtar. Ai të më trashëgojë mua dhe të trashëgojë nga familja e Jakubit.”

Kjo nënkupton trashëgiminë e profecisë, dijes dhe virtytit, pa pasur të bëjë me pasurinë materiale, sepse pasuria nuk ka vlerë te profetët, madje as nuk konkurrojnë për të.

Allahu thotë gjithashtu: “Dhe Zekerija, kur e thirri Zotin e tij: “O Zoti im! Mos më lër të vetëm, se Ti je Trashëgimtari më i mirë.”[9]

Këtu kuptohet se Ai është Trashëgimtari i vërtetë; lutja e Zekerijas është një thirrje për të përfituar nga atributet e Tij të larta. Trashëgimtari i vërtetë është Allahu, Ai që mbetet pas zhdukjes së krijesave të Tij. Në këtë ka lavdërim për Allahun për qëndrueshmërinë e Tij, dhe nënkupton zhdukjen e të tjerëve.

Allahu lavdëron Zekerijan dhe familjen e tij: “Ata nxitonin në vepra të mira, Na luteshin me shpresë dhe frikë, dhe ishin të përulur ndaj Nesh.”[10]

Allahu i Plotfuqishëm iu përgjigj lutjes së Zekerijas (a.s.), dhe e bëri bashkëshorten e tij të mundur për të sjellë fëmijë në jetë. Ai lavdëroi Zekerijan (a.s), Jahjan (a.s) dhe gruan e Zekerijas (a.s) për shpejtësinë dhe përkushtimin e tyre në veprat e mira. Shpejtësia në të mira është një shprehje e përkushtimit, pasionit dhe seriozitetit në kryerjen e veprave të mira.

Kështu, kjo familje u bë e bekuar dhe meritonte mëshirën, kënaqësinë dhe begatinë hyjnore të Allahut.

Kështu pra, historia e Zekerijas (a.s.) na tregon se emrat e Allahut nuk janë thjesht kuptime që ruhen, por çelësa jete që përdoren në vështirësi. Faqja hyjnore nuk ndalet për zemrën që thërret sinqerisht, që ka besim të pastër dhe kërkon me përkushtim. Ai që njeh Zotin e tij si Er-Rab, i drejtohet dhe mbrohet nga drejtimi i Tij; si El-Uehhab, shpreson në mirësinë e Tij; dhe si El-Ëarith, dorëzon të gjitha çështjet tek Ai.

Familja e Zekerijas mbetet shembull i përjetshëm: kur shtëpitë ujiten me iman dhe nxitojnë të kryejnë vepra të mira, u hapen thesaret e mëshirës së Allahut, dhe dhuratat vijnë në kohën që Allahu, I Gjithëmëshirshmi, i cakton.

Autor: Teufik Zebadi

Përktheu: Elton Harxhi

IUMS

[1] – Sure Merjem: 6.

[2] – Sure Merjem: 4.

[3] – Sure Merjem: 6.

[4] – Sure Merjem: 7.

[5] – Sure Merjem: 9.

[6] – Sure Ali Imran: 38.

[7] – Sure Merjme: 2 – 15.

[8] – Sure Enbija: 89 – 90.

[9] – Sure Enbija: 89.

[10] – Sure Enbija: 90.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *