Seid ibn Musejjibi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Falenderimet më të sinqerta i takojnë Zotit të Madhëruar. Paqa dhe mëshira e Tij qofshin mbi Profetin Muhamed (a.s), shokët dhe të gjithë ata që ndoqën rrugën e tij.

Tema e sotme do të jetë e përqendruar tek një figurë tejet të shquar, imam Seid ibn Musejjibi.

Kronistët, thonë rreth kësaj figure: “Ai jepte fetva, në një kohë që shokët e Profetit (a.s) ishin akoma gjallë.”

Halifeja i muslimanëve, Abdul Melik ibn Mervani, u nis për të kryer obligimin e Haxhit. Pasi kryen Haxhin, ai bashkë me  eskortën, princërit, dijetarët, shërbëtorët, familjen dhe të afërmit, u nisën për  të vizituar varrin e Profetit (a.s) në Medine.

Në çdo vend ku uleshin për të pushuar, menjëherë ngriheshin çadrat, shtroheshin sexhadet dhe fillonin njerëzit të grumbulloheshin për të diskutuar. Në këto mbledhje, merrte pjesë vetë Halifeja, ku diskutonte me dijetarët e fesë dhe suitën e tij, problemet e Kalifatit. Në këto mbledhje, ai u kërkonte njerëzve të ditur që të flasin rreth përkushtimit në Zot, devotshmërisë etj, me qëllim zbutjen e zemrave dhe shtimin e besimit.

Me të arritur në Medine, Halifeja vajti menjëherë në xhaminë e Profetit (a.s), vizitoi varrin e Profetit të nderuar, i dha selam atij dhe u fal në vendin e xhamisë së vjetër (Reuda).

Në Medine ai u ndie i qetë dhe dashuria për këtë vend iu shtua më shumë.

Përveç mjedisit shpirtëror gjithë besim dhe përkushtim, Medineja shquhej dhe si qendër arsimimi dhe nxënie të dijeve fetare. Aty ishin mbledhur figurat më të shquara të dijetarëve muslimanë të brezit të tabi’inëve, si Urve ibn Zubejr, Seid ibn Musejjib, Abdullah ibn Atebe dhe shumë të tjerë. Secili prej tyre, kishte një rreth të madh nxënësish, të cilëve u mësonin dijet dhe shkencat fetare.

Një ditë, teksa ishte duke fjetur në drekë, Halifeja zgjohet më herët se ç’zgjohej herët e tjera. Ai thirri shërbëtorin e tij personal, Mejseren, dhe i tha: “Shko në xhaminë e të Dërguarit të Zotit dhe fto njërin nga dijetarët që gjenden aty, që të na flasë diçka.”

Asokohe, shërbëtori personal i Halifes kishte pozitë të lartë dhe respektohej nga të gjithë. Ai nuk konsiderohej thjesht si një skllav.

Me të arritur në xhami, Mejsere vuri re që të gjithë dijetarët kishin përfunduar nga mësimi dhe ishin larguar bashkë me nxënësit dhe njerëzit e tjerë. Ai arriti të dallojë vetëm një rreth nxënësish, ku në mesin e tyre ishte ulur një i ditur rreth të gjashtëdhjetave. Me thjeshtësinë e dijetarëve, dijet e figurave të shquara dhe seriozitetin që e karakterizonte, ai vazhdonte të japë mësim.

Mejsere, qëndroi pak larg dhe i bëri shenjë me gisht dijetarit që ta ndiqte. I dituri u befasua nga kjo sjellje e pahijshme e këtij djaloshi dhe nuk i kushtoi vëmendje fare.

Mejsere, ndërmorri një hap tjetër më të pahijshëm, u afrua më shumë tek rrethi i nxënësve dhe i foli dijetarit: “A nuk më pe që ta bëra me shenjë, që të vish tek unë?!” Dijetari i tha: “Ti ma bën me shenjë mua?!”

“Po, unë ta bëj me shenjë. Unë jam Mejsere, shërbëtori personal i Halifes së muslimanëve.” Iu përgjigj Mejsere.

I dituri e pyeti: “Po çfarë të solli këtu?”

Mejsere i tha: “Prijësi i besimtarëve u zgjua nga gjumi dhe më tha: Shko në xhaminë e Profetit (a.s) dhe na sill ndonjërin prej dijetarëve që dijnë të flasin dhe të na këshillojë.

I dituri u habit nga kjo dhe i tha: “Unë nuk jam nga ata që dinë të flasin” dhe me dorë, i bëri shenjë që të largohej. Mejsere i tha: “Por ai e kërkon një të ditur dhe në xhami nuk ndodhet askush tjetër përveç teje.”

I dituri i tha: “Kush kërkon diçka, shkon atje ku ndodhet ajo. Rrethi ynë është i gjerë dhe e nxë dhe një person tjetër. Kush kërkon të mësojë hadithet e Profetit (a.s) duhet t’i kërkojë ato dhe jo e kundërta.”

Mejsere u kthye tek Halifeja, i cili me ta parë vetëm e pyet: “A nuk gjete askënd?” Mejsere i tha: “Hyra në xhami dhe pashë që të gjithë dijetarët kishin përfunduar nga mësimdhënia, përveç njërit. Unë ia bëra me shenjë që të më ndiqte, por ai nuk lëvizi. Kështu, u afrova dhe i thashë që prijësi i besimtarëve sapo është zgjuar nga gjumi dhe kërkon dikë që t’i flasë dhe t’i tregojë mbi hadithet e Profetit (a.s), por ai ma ktheu me qetësi: “Unë nuk vete atje që t’i tregoj hadithet e Profetit (a.s) Nëse e dëshiron diçka të tillë, le të vijë këtu, pasi rrethi ynë ka vend. Kush i kërkon hadithet e Profetit (a.s) duhet të shkojë tek ato dhe jo anasjelltas.”

Kur dëgjoi këtë, Abdul Melik ibn Mervani që ishte nga Halifet muslimanë më të dëgjuar dhe të pushtetshëm, psherëtiu thellë dhe u nis drejt dhomës së tij. Teksa psherëtinte herë pas herë, ai thoshte: “Ai është Seid ibn Musejjib. Ah sikur të mos i kishe folur fare më mirë.”

Aty ndodheshin dhe fëmijët e Abdul Melikut, të cilët mbetën të shtangur nga ato që dëgjonin. Djali më i vogël, pyeti me habi vëllanë e tij të madh: “Kush qenka ky që refuzon të paraqitet para prijësit të besimtarëve?!”

Vëllai i madh tha: “Ai është burri që refuzoi t’i japë vajzën e tij për nuse, vëllait tënd Velidit, djalit të Halifes musliman, Abdul Melik ibn Mervanit.”

Vëllau i vogël pyeti me habi: “Refuzoi t’i japë vajzën për nuse vëlla Velidit?! Po ku do të gjejë bashkëshort më të mirë për vajzën e tij, se djalin e Halifes dhe njëkohësisht princin e kurorës të Kalifatit?!”

Pasi heshti për pak kohë, vëllai i vogël pyeti përsëri: “Nëse ka refuzuar t’ia japë vajzën, djalit të Halifes së muslimanëve, kujt ia ka dhënë atëherë? A ka gjetur për vajzën e tij, dikë që është i përshtatshëm? Apo ia ka ndaluar martesën vajzës së tij, ashtu siç bëjnë disa njerëz sot?”

Vëlla i madh i tha: “Nuk e di nëse e ka martuar apo jo.”

Një nga të pranishmit, një banor i Medines, ndërhyri dhe tha: “Nëse fëmijët e Halifes më japin leje, unë u tregoj se çfarë ka ndodhur me vajzën e Seid ibn Musejjibit dhe kë ka zgjedhur për dhëndër.”

Fëmijët i thanë: “Fol!”

Ai u tha: “Ai e ka martuar vajzën e tij me një të ri nga fisi Hina dhe ai quhet Ebu Vida’a. Ai është komshi me mua dhe martesa e tij me vajzën e Seid ibn Musejjibit, ka një histori të bukur. Atë ma ka treguar vetë dhëndri i Seid ibn Musejjibit dhe kjo histori është përhapur në të gjithë qytetin.”

Djemtë e Halifes i thanë: “Na e trego këtë histori dhe kush qenka ky Ebu Vida’a, i cili qenka i parapëlqyeri i këtij dijetari, para vëllait tonë!”

Burri tha: “Më ka treguar vetë Ebu Vida’a dhe më ka thënë: “E frekuentoja shpesh xhaminë e Profetit (a.s) duke dashur të përftoj sa më shumë dije. Rrethi që preferoja më shumë, ishte ai që ulej pranë Seid ibn Musejjibit. Unë duroja turmat dhe njerëzit e shumtë përreth meje. Vetë Seid ibn Musejjibi tregonte një kujdes të veçantë për mua. Një herë, ndodhi që unë nuk morra pjesë në mësimet e tij për disa ditë. Seid ibn Musejjibi ishte merakosur dhe kishte menduar se jam sëmurë. Ai ishte interesuar, por askush nuk dinte gjë mbi shkakun e mungesës time. Pasi u ktheva përsëri në mësimet e tij, ai më mirëpriti dhe më pyeti: “Ku ke qenë këto ditë o Ebu Vida’a?” Unë i thashë: “Më vdiq gruaja dhe kam qenë i zënë me këtë çështje.”

Ai më tha: “Përse nuk na lajmërove o Ebu Vida’a, që të vinim për ngushëllime, të merrnim pjesë në faljen e xhenazes dhe të ofronim ndihmën tonë për kësi rastesh?”

Unë i thashë: “Zoti të shpërbleftë me të mira.”

Pasi mbaroi mësimi u nisa të largohem, bashkë me të tjerët, por ai më mbajti dhe më urdhëroi të ulem. Pasi priti sa të largohen të gjithë dhe mbetëm vetëm ne të dy, ai më tha: “A nuk ke menduar të gjesh ndonjë grua tjetër tani?”

Unë iu përgjigja: “Po kush pranon të martohet me mua? Unë jam rritur i varfër dhe vazhdoj të jem i varfër. Pasuria e vetme që kam vënë mënjanë, janë vetëm dy apo tre dirhemë.”

Por ai mu përgjigj në çast: “Të jap unë vajzën time!”

Në atë çast mu lidh gjuha dhe mezi i thashë: “Më jep vajzën tënde, edhe pse e di në ç’gjendje të vështirë jam?!”

Ai më tha: “Po. Kur na paraqitet një rast ku burri është me besim dhe morale të kënaqshme, ne pranojmë t’i japim vajzën tonë. Dhe ti je i tillë.”

Në të njëjtën kohë, Seid ibn Musejjibi, i kishte ardhur dhe një kërkesë nga Halifeja i muslimanëve, i cili i kërkonte vajzën për djalin e tij, princin e kurorës Velidin. Duke dashur që t’a përfundojë këtë çështje dhe të mos ia japë vajzën djalit të Halifes, ai zgjodhi Ebu Vida’an. Veç kësaj, ai nuk do të gjente njeri më të mirë për vajzën, se ç’ishte Ebu Vida’a.

Kështu, Seid ibn Musejjibi, mblodhi menjëherë të afërmit, thirri dhe Ebu Vida’an dhe pasi falenderoi Zotin, përshëndeti dhe Profetin (a.s), tha: “Kam pranuar të të jap vajzën time si grua o Ebu Vida’a. Dhurata e martesës le të jetë vetëm dy dirhemë. A e pranon vajzën time si grua o Ebu Vida’a?”

Ebu Vida’a tha: “E pranoj” dhe kështu përfundoi lidhja e kurorës mes këtij çifti të ri.

Ebu Vida’a tregon: “Unë u ngrita dhe nuk dija ç’të bëj. Habia dukej qartë në fytyrën time. Vetëm në disa çaste, unë isha martuar me vajzën e dijetarit më të madh mes muslimanëve. Atë ditë unë agjëroja, por e harrova fare këtë fakt. Vajta në shtëpi dhe i thashë vetes: “I mjeri ti o Ebu Vida’a! Çfarë bëre kështu?! Si u martove, duke e ditur se nuk posedon asgjë në shtëpi?! Ku do i marrësh shpenzimet e jetës bashkëshortore?!” Vazhdova në këtë gjendje, derisa thirri ezani i akshamit. Pasi fala namazin, fillova të ha iftar me bukë dhe vaj. Akoma nuk kisha përfunduar dy kafshata, kur dëgjoj derën e shtëpisë të trokasë. Unë pyeta: “Kush troket?”

Një zë nga jashtë u përgjigj: “Seidi.”

Në atë çast, kalova në mendje të gjithë të njohurit me emrin Seid, përveç Seid ibn Musejjibit. Kjo, pasi kishte dyzet vite që Seid ibnu Musejjibi, nuk shihej në vend tjetër, përveç rrugës nga shtëpia në xhaminë e Profetit (a.s). Ai vetë thoshte: “Ka dyzet vite, që nuk kam humbur asnjë namaz në xhaminë e Profetit (a.s), madje nuk kam humbur asnjë tekbir të parë.”

Atë ditë, Seid ibn Musejjibi, kishte vajtur vonë në xhami dhe njerëzit e kishin falur akshamin dhe ishin larguar për në shtëpi. Kështu, ai kishte vajtur në shtëpinë e Ebu Vida’as.

Ebu Vida’a tregon: “Unë hapa derën dhe pashë imamin dhe dijetarin më të madh të muslimanëve, Seid ibn Musejjibin. Unë mendova se mos ka ndryshuar mendim mbi martesën e vajzës së tij me mua dhe i thashë: “Mirë se vjen o imami ynë! Përse nuk më çove fjalë që të vija unë tek ti?”

Ai më tha: “Jo. Sot je ti ai që meriton të vizitohesh në shtëpi.”

Unë i thashë: “Urdhëro, hyr!” Por ai më tha:”Jo, sot nuk kam ardhur për të hyrë, por kam diçka tjetër.”

Unë e pyeta: “Çfarë halli ke o imam?”

Ai më tha: “Sipas ligjeve të islamit, vajza ime konsiderohet gruaja jote që sot. Unë e di që jeton vetëm tashmë, dhe që nuk ke askënd me të cilin të bisedosh dhe të largosh vetminë. Duke e ditur këtë, nuk më erdhi mirë që ti të qëndrosh vetëm në shtëpinë tënde, ndërkohë që gruan e ke tek unë. Prandaj ta solla në shtëpi.”

Më pas, ai u kthye nga vajza e tij që qëndronte pas tij dhe i tha: “Oj bija ime! Hyr në shtëpinë e burrit tënd, me emrin e Zotit dhe bereqetin e Tij.”

Pasi u ndava me Seid ibn Musejjibin, unë hyra i pari në shtëpi, të cilën e rregullova. Kokëulur dhe gjithë turp, nga pas më ndoqi gruaja. Më pas, e lashë gruan brenda në shtëpi, u ngjita në tarracë dhe që aty thirra komshinjtë.

Duke menduar se më ka ndodhur diçka e keqe, ata dolën menjëherë dhe më pyetën: “Çfarë ka ndodhur o Ebu Vida’a?”

Unë u thashë: “Seid ibn Musejjibi më lidhi kurorë sot me vajzën e tij në xhami dhe tani sapo e solli në shtëpinë time. Unë ndodhesha i papërgatitur dhe as nënën që banon larg nuk e kam njoftuar.”

Një grua e moshuar më pyeti gjithë habi: “Mos je çmendur more djalë?! Seid ibn Musejjbi pranon të të japë vajzën për grua, madje ta sjell dhe në shtëpi?!” Kush është ai që e bën diçka të  tillë?!”

Unë u thashë: “Për Zotin, diçka e tillë ka ndodhur dhe vajza e tij është brenda, në shtëpinë time. Ejani dhe shiheni po të doni.”

Gratë u nisën drejt shtëpisë time për të vërtetuar fjalët e mia. Kur e panë vajzën e Seid ibn Musejjibit, ata u habitën dhe u ulën me të duke biseduar. Më vonë shkova mora dhe nënën, e cila me ta parë gruan më tha: “E ke haram qumështin tim, nëse e  prek para se ta bëj nuse, siç bëhen femrat fisnike.”

Unë i thashë: “Bëj ç’të duash oj nënë!” Ajo e mori nusen dhe e mbajti në shtëpinë e saj tre ditë. Pasi e përgatiti dhe e bëri nuse, ajo e solli në shtëpinë time. Ajo ishte femra më e bukur në Medine, më e ditura në çështjet e Kuranit dhe të traditës profetike dhe e ndërgjegjshme mbi detyrat e saj bashkëshortore.

Bukuri, dije dhe e mirëedukuar. Prandaj e kishte kërkuar Halifeja për djalin e tij.

Ebu Vida’a tregon: “Qëndrova tre ditë, pa më vizituar askush nga familja ime dhe nga familja e saj.” Ditën e katërt shkova të marr pjesë në mësimet e Seid ibn Musejjibit. Pasi përfundoi mësimi, u larguan të gjithë dhe mbetëm vetëm ne të dy, ai më tha: “Si e ke gruan o Ebu Vida’a?”

Unë i thashë: “Është në një gjendje që gëzon dashamirësin dhe hidhëron armikun.” Ai tha: “Falenderoj Zotin për këtë.”

Kur u ktheva në shtëpi, Seid ibn Musejjibi më kishte dërguar një sasi të hollash, të cilat do më ndihmonin për të plotësuar nevojat jetësore.

Këtë histori, e rrëfen një nga të pranishmit në pallatin e Halifes, për djalin e Halifes. Kur djali e dëgjoi këtë, tha: “E habitshme sjellja e këtij burri!”

Një nga të pranishmit i tha: “Ku qëndron habia këtu o princi ynë? Ai është një burrë që jetën e kësaj bote e ka bërë urë për të fituar Xhenetin e botës tjetër. Ai shiti jetën e përkohshme të kësaj bote, për jetën e përjetshme të botës tjetër.”

Kur dikush e kishte pyetur Seid ibn Musejjibin se si ishte e mundur që kishte refuzuar kërkesën e Halifes dhe vajzën ia kishte dhënë një njeriu të thjeshtë dhe të varfër, ai i ishte përgjigjur:

“Vajzën e kam amanet dhe ajo që bëra, padyshim është në të mirën e saj. Nëse vajza ime do të ishte martuar me princin e kurorës, djalin e Halifes së muslimanëve, do të jetonte jetë luksi mes mobiljeve të shtrenjta, rrobave të mëndafshta, e rrethuar nga shërbëtore nga të katër anët. Nesër, burri i saj mund të ishte Halifeja i muslimanëve dhe të dy do të angazhoheshin me çështjet e Kalifatit dhe jetës luksoze. Çfarë vendi do të zinte feja dhe përkushtimi i Zotit në jetën e vajzës sime nëse kjo do të ndodhte? Ndërkohë, që tani vajza ime mëson Kuranin, ruan fenë e saj, mëson dhe u jep të tjerëve mësim. Është e ditur që familjet mbretërore janë të angazhuar me problemet politike dhe të shkujdesur ndaj çështjeve të fesë, më shumë se të varfërit.”

Padyshim që angazhimet e saj në pallatin mbretëror, e gjendur mes luksit, pallateve dhe shërbëtoreve, do ndikonte negativisht në dijet, adhurimin, besimin dhe përkushtimin e saj.

Dikush tjetër që e dëgjoi këtë dialog mes djalit të Halifes dhe këtij burri tha: “Duket qartë që ky person është i rrallë në llojin e tij, pasi kush do e bënte diçka të tillë?”

Burri iu përgjigj: “Ai agjëron ditën dhe falet gjithë natën. Ka dyzet vite që kryen Haxhin dhe kurrë nuk e ka humbur tekbirin fillestar në xhaminë e Profetit (a.s) që prej dyzet viteve. Gjatë këtyre dyzet viteve, ai falej gjithmonë në rrjeshtin e parë dhe nuk kishte njerëz para që t’u shihte qafën e përulur. Duke ditur farefisin nga i cili rrjedh, ai mund të martohej në familjet më fisnike të kurejshëve të Mekes, por ai zgjodhi vajzën e Ebu Hurejres. Kjo, për shkak të pozitës që Ebu Hurejre gëzonte tek Profeti (a.s) Duke qenë se Ebu Hurejre është një nga transmetuesit më të mëdhenj të haditheve të Profetit (a.s), Seid ibn Musejjibi deshi të përfitojë nga kjo dhe u martua me vajzën e tij.

Seidi që në moshë të njomë ia kushtoi jetën dhe gjithçka tjetër dijes. Në vegjëli, ai hynte tek nënat e besimtarëve, dëgjonte dhe mësonte prej tyre dijet e duhura.

Ai përsëriste shpesh herë një fjalë, e cila u bë motoja e tij:

“Nuk ka gjë më të mirë për të fisnikëruar veten, se bindja ndaj Zotit. Nuk ka gjë më të keqe për t’a poshtëruar veten, se gjynahet dhe thyerja e urdhërave të Zotit.”

Njerëzit e mëdhenj, nuk janë bërë të tillë, veçse me anë të adhurimit dhe përkushtimit ndaj Zotit dhe anasjelltas.

Ky ishte Seid ibn Musejjbi, një figurë e dalluar dhe e shquar jo vetëm për dijet e tij të gjera, por dhe për moralet, adhurimin, asketizmin dhe përkushtimin e tij.

Autor: Tarik Suejdan

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.