Sekreti i dukurisë së ftesës

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për Profetin Muhamed (a.s) dhe për të gjithë ata që e pasojnë dhe do ta pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Ekziston një dukuri historike në të cilën thirrësit në rrugë të Allahut duhet të ndalen në çdo vend dhe në çdo kohë edhe nëse do t’ju duhet të ndalen gjatë, sepse ajo ka ndikim vendimtar në metodologjinë e thirrjes dhe orientimit të saj.

Kjo thirrje nxori në pah një brez (sahabët), brez i cili  ka qenë më i dalluari në të gjithë historinë islame dhe jo vetëm kaq, por në mbarë historinë njerëzore. Ky lloj i njerëzve nuk është përsëritur më . Në fakt, përgjatë historisë ka patur individë të këtij lloji, por në këtë numër kaq të madh nuk janë grumbulluar asnjëherë në një vend të vetëm, siç ndodhi në periudhën e parë kur kjo thirrje u shfaq.

Kjo dukuri është e qartë dhe reale. Ajo përmban një udhëzim në të cilin duhet të ndalemi më gjatë, me qëllim që të arrijmë të kuptojmë sekretin e saj.

Kuranin, Sunetin dhe jetëshkrimin e Profetit (a.s) e kemi  të tërin në duart tona pikërisht siç ka qenë në duart e brezit të parë, që nuk u përsërit më në histori. Ajo që na mungon neve – ndryshe nga brezi i parë –  është vetëm prezenca e Profetit (a.s) si fizik. Mirëpo thua, vallë këtu qëndron sekreti?

Sikur të ishte e domosdoshme prezenca e Profetit (a.s) për ekzistimin e kësaj thirrje dhe frytet që ajo i dha, Allahu nuk do ta kishte bërë thirrjen universale për mbarë njerëzimin, as Revelatën Hyjnore nuk do ta kishe bërë të fundit, e as që nuk do t’ia kishte besuar asaj njerëzve deri në Fund të Jetës…

Por, Allahu i Madhëruar e mori përsipër ruajtjen e Revelatës Hyjnore, duke e ditur se kjo thirje mund të ekzistojë edhe pas Profetit (a.s) dhe të japë frytin e saj. Prandaj, pas 23 viteve e mori Profetin (a.s) pranë Madhështisë së Tij, ndërsa këtë fe e la të jetojë pas tij deri në Fund të Jetës..

Pra, mosprezenca e Profetit (a.s) nuk e shpjegon dhe nuk e arsyeton këtë dukuri, ç’ka do të thotë që ne duhet të kërkojmë ndonjë shkak tjetër.

Le të hedhim një vështrim në burimin prej të cilit është frymëzuar brezi i parë ndoshta në të diçka të veçantë Po ashtu, le të hedhim edhe një vështrim në metodologjinë prej së cilës ata u kualifikuan, ndoshta edhe në të ka diçka të veçantë.  Burimi themelor tek i cili ky brez është frymëzuar është vetëm  Kurani dhe asgjë tjetër. Kurse Hadithi dhe Vepra e Profetit (a.s) nuk janë gjë tjetër vetëm se gjurmë prej gjurmëve të atij burimi. Prandaj edhe kur është pyetur Aishja (r.a) për moralin e Profetit (a.s) është përgjigjur duke thënë: “Morali i tij ka qenë Kurani”[1]

Pra, Kurani është burimi i vetëm prej të cilit janë frymëzuar, sipas të cilit janë adaptuar dhe prej të cilit janë kualifikuar. E gjitha kjo ka ndodhur jo se  njerëzimi  – në atë periudhë –  nuk ka pasë qytetërim, kulturë, shkencë, vepra të shkruara dhe studime. Kurrsesi! Përkundrazi, në atë periudhë ka ekzistuar qytetërimi romak, kultura, veprat e shkruara dhe ligjet e ndryshme të tij, sipas të cilave Evropa sot e kësaj dite bazohet. Kanë ekzistuar edhe gjurmët e qytetërimit grek, të logjikës, filozofisë dhe artit të tij, i cili akoma konsiderohet burim i ideologjisë së Perëndimit në ditët e sotme. Ka ekzistuar edhe qytetërimi pers me artin, poezinë, mitet, ideologjitë dhe sistemet sunduese. Po ashtu kanë ekzistuar edhe qytetërime të tjera si ai indian, kinez e të tjerë. Qytetërimi romak dhe pers e kishn rrethuar Gadishullin Arabik nga Veriu dhe Jugu, kurse Hebraizmi dhe Krishterimi kanë jetuar në zemrën e tij. Sipas kësaj, formimi i i brezit të parë nuk u bë për shkak të varfërisë së qytetërimeve dhe kulturave botërore, por u bë me strategji të projektuar dhe metodologji të synuar. Këtë synim e vërteton zemërimi i Profetit (a.s) kur në dorën e Omer ibn Hatabit (r.a) pa një fletë të Tevratit. Ai (a.s) tha:  “Pasha Allahun, sikur Musai (a.s)  të ishte gjallë në mesin tuaj, atij nuk do i lejohej vetëm se të më ndiqte mua.”[2]

Kështu që Profeti (a.s) ka pasë si qëllim që brezi i parë të fokusohej vetëm tek një burim që është Kurani,  t’i përkushtohej vetëm Atij  dhe t’i ndërtojnë bazat e tyre mbi metodologjinë e Tij. Kjo është arsyeja se përse Profeti (a.s) u zemërua kur pa Omerin që po frymëzohej nga një burim tjetër. Qëllimi i të Dërguarit të Allahut (a.s) ishte që të formonte një brez me zemër, mendje, ide, ndërgjegje dhe edukim të pastër, sipas metodologjisë së Kuranit Fisnik larg çdo ndikimi të jashtëm.

Prandaj edhe ky brez ka qenë  unik përgjatë gjithë historisë së njerëzimit, për shkak se është frymëzuar vetëm nga një burim.

Por çfarë ndodhi më vonë? Burimet u ngatërruan. Në këtë burim prej të cilit u frymëzuan edhe brezat e tjerë depërtoi filozofia dhe logjika greke, mitet dhe botëkuptimet perse, transmetimet hebraike, shenjtëritë krishtere dhe disa mbeturina nga qytetërimet dhe kulturat e tjera. Të gjitha këto u përzien me komentimin e Kuranit, me shkencën e akides,  jurisprudencës islame dhe bazave të tij.

Dhe si rrjedhojë e kësaj nga ky burim i turbullt u shfaqën të gjitha brezat e mëvonshme, por krejt  ndryshe nga brezi i parë që është i papërsëritshëm. Nuk ka dyshim se  turbullimi i kthjelltësisë së burimit të parë është faktori kryesor i këtij kontrasti të madh midis të gjitha brezave dhe brezit të parë.

Përveç kontrastit në natyrën e burimit, ekziston edhe një faktor tjetër me rëndësi. Është fjala për dallimin në mënyrën se si ky brez dhe brezat e tjerë e kanë përvetsuar Kuranin.

Brezi i parë nuk e ka pasë lexuar Kuranin për t’u arsimuar, hulumtuar, për t’ia ndjerë aromën apo për kënaqësi. Asnjëri prej tyre nuk e përvetsoi Kuranin për të rritur nivelin e tij arsimor dhe kulturor. Secili prej tyre  e përvetsoi Kuranin për t’ju bindur urdhrave të Allahut në çështjet që kishin lidhje me jetën e tyre personale apo të shoqërisë ku jetonin, tamam si ushtari i cili kur merr një urdhër e vë menjëherë në zbatim atë. Prandaj asnjëri prej tyre nuk e ngarkonte veten më tepër me detyra dhe obligime të cilat duhet t’i përmbushte. Ai mësonte vetëm dhjetë ajete dhe pastaj përpiqej që t’i zbatonte ato, ashtu sikurse përcillet prej Ibn Mes’udit (r.a)

Pikërisht kjo ndenjë, ndjenja e përvetsimit për të zbatuar atë që e mësonte, u çeli atyre shumë horizonte të përjetimit emocional dhe të diturisë, të cilat nuk do t’u çeleshin sikur ata t’i qaseshin Kuranit me ndjenjën e hulumutimit, studimit dhe informacionit.  Kjo ndjenjë ua lehtësoi atyre  kryerjen e veprave (të mira) dhe barrën e obligimeve. Mësimet e Kuranit nuk ngelen të memorizuara në mendjen e tyre dhe as ngelën të shkruara në fletushka, por u shëndërruan në gjurmë e vepra të cilat do të ndryshonin rrjedhën e jetës.

Kurani, thesarin e vet nuk ia dhuron askujt përveç atij që përpiqet me ndjenjën për ta vënë në zbatim diturinë që ka mësuar. Kurani nuk është një libër që intelektuali të kënaqet, nuk është  libër i letërsisë e artit, as libër i tregimeve apo historisë, edhe pse për të gjitha këto Ai flet. Mbi të gjitha ai është program hyjnor,  të cilin Allahu e zbriti atë pjesë-pjesë, ashtu sikurse thuhet në ajetin kuranor: “Ky është një Kuran, që Ne e kemi ndarë pjesë-pjesë, që ti t’ua mësosh njerëzve pak nga pak, duke e shpallur atë kohë pas kohe.”[3]

Kurani nuk është shpallur i tëri menjëherë, por ai është shpallur në përputhshmëri me kërkesat dhe nevojat, me zhvillimin permanent të mendimit dhe botëkuptimit, zhvillimit paralel të bashkësisë dhe jetës dhe në pëputhsmëri me problemet aktuale me të cilat përballej shoqëria islame në përditshmërinë e saj. Në këtë mënyrë shpallej një ajet ose një grup ajetesh për ndonjë rast të posaçëm apo për një ngjarje të caktuar. Ai u fliste njerëzve për atë të cilën kishin nevojë, u tregonte për pozitën në të cilën ishin, ua skiconte metodologjinë e veprimit në situatën në të cilën ndodheshin, ua përmirësonte gabimet që kishin të bënin me emocionet dhe sjelljet e tyre dhe mbi të gjitha ua prezantonte atyre cilësistë dhe atributet e Zotit në natyrë me qëllimin që ata të krijonin lidhje dhe raporte të ngushta me Krijuesin e tyre. Në këtë mënyrë ata ndiheshin sikur po jetonin në shoqërinë më të lartë dhe më fisnike nën mbikqyrjen e drejtpërdrejtë të Allahut. Pikërisht kjo është arsyeja se përse ata jetuan sipas programit hyjnor

Metodologjia e vënies në zbatim është metodogjia që formoi brezin e parë, kurse metodelogjia e hulumtimit  prodhoi brezat e ardhshëm. Padyshim  se ky faktor i dytë ishte edhe faktori kyresor i dallimit midis brezit të parë dhe brezave të tjerë.

Ka dhe një faktor të tretë që ia vlen që ta shqyrtojmë dhe ta studiojmë:

Kur muslimanët e brezit të parë e pranonin Islamin çliroheshin nga barra e tyre dhe e gjithë e kaluara e periudhës së “Xhahilijes”. Në momentin që ai futej në Islam, e ndjente se një periudhë e re po fillonte, krejt ndryshe nga periudha  që kishte kaluar më parë. Atë ç’ka kishte kauar në periudhën e mëparshme ai tashmë e shikonte me skepticizëm, me frikë dhe mbi të gjitha e konsideronte si të ndyrë dhe të padenjë që në asnjë mënyrë nuk përshtatej me Islamin. Me këtë ndjenjë e përvetsonte udhëzimin e ri islam. Nëse ndodhte që ndonjëherë anonte nga pasioni i tij, apo nuk kryente ndonjë obligim të Islamit, menjëherë do ta ndjente gabimin, me gjithë zemër dëshironte të pastrohej e pas kësaj përpiqej (maksimalisht) për të vepruar në përputhshmëri me udhëzimin kuranor.

Tek muslimani i brezit të parë ekzistonte një dallim emocional midis asaj që kishte kaluar në periudhën e “Xhahilijes” dhe asaj që po përjetonte në të tashmen. Ai u nda përgjithmonë nga gjithçka që e lidhte  me mjedisin e “Xhahilijes” për t’ju bashkangjitur mjedisit të ri islam. Është i vërtetë fakti se ai në përditshmërinë  e tij kishte marrdhënie tregtare me idhujtarët, por tjetër gjë është ndjesia dhe tjetër gjë është marrdhënia.

Ai, tashmë ishte shkëptur totalisht nga doket,zakonet dhe idetë  e “Xhahilijes”. Kjo shkëputje ka ndodhur si rezultat i braktisjes së besimit politeist (idhujtar) për të pranuar besimin monoteist, mënyrës se si “Xhahilijiteti” dhe Islami e kanë perceptuar jetën. Ai tashmë jetonte në shoqërinë islame, kishte një lider të cilin e respektonte, i bindej dhe ishte lojal ndaj tij.

Ky ishte udhëkryqi ku ndaheshin rrugët. Ai ishte  çliruar nga të gjitha presionet e dokeve dhe zakoneve që ushtronte shoqëira e periudhës së “Xhahilijes” dhe nga të gjitha botëkuptimet që mbretëronin në të. E vetmja gjë që muslimani përjetonte nga ajo shoqëri ishin persekutimet dhe torturat. Por ai ishte i vendosur dhe nuk prapsohej. Presioni i botëkuptimit dhe doket e shoqërisë së periudhës  së “xhahilijes” nuk kishin forcë që t’i shmangin ata nga rruga që kishin zgjedhur.

Në ditët e sotme, ne po jetojmë  në periudhën e “Xhahilijes” si ai që ka qenë në periudhën kur është shfaqur Islami, në  mos më keq. Gjithçka rreth nesh i përket asaj periudhe; botëkuptimet dhe ideologjitë e njerëzve,  doket e zakonet e tyre, burimet e arsimit, arti, letërsia, ligjet dhe normat juridike.

Kjo është arsyeja se përse nuk mund të zënë vend vlerat islame tek ne, as të sqarohet botëkuptimi islam në mendjen tonë, po as të formohet nga mesi ynë  një brez me njerëz të mëdhenj siç ishte brezi i parë.

Ne patjetër – në  fazën ku ndodhemi – duhet të çlirohemi nga të gjitha ndikimet e periudhës së “Xhahilijes”. Domosdoshmërisht ne duhet t’i kthehemi atij burimi të pastër prej të cilit është frymëzuar brezi i parë, atij burimi të pastër për të cilin jemi të sigurt se nuk është turbulluar. Duhet t’i kthehemi burimit të pastër që të nxjerrim prej tij botëkuptimin tonë mbi të Vërtetën e gjithë kësaj ekzistence, të Vërtetën e ekzistencës së njeriut dhe raportin e këtyre të dyjave me Allahun e Madhëruar. Prej aty do t’i nxjerrim botëkuptimet tona për jetën, vlerat dhe moralin, sistemin tonë të qeverisjes, politikës, ekonomisë dhe të gjitha nevojave jetësore.

Ne duhet t’i kthehemi atij burimi me qëllimin e zbatimit të tij e jo me ndjenjën e studimit dhe dëfrimit. Do t’i kthehemi atij  që të dimë se ç’ka kërkohet prej nesh. Gjatë këtij rrugëtimi, ne do të  shijojmë bukurinë artistike të Kuranit, rrëfimet e mahnitshme të tij, skenat që do të ndodhin kur të ringjallemi dhe logjikën intuitive të tij. Synimi kryesor është të dimë se çfarë kërkon Kurani prej nesh që të bëjmë? Si duhet të jetë botëkuptimi ynë? Si duhet të jenë ndjenjat tona me Allahun? Si duhet  të jetë morali,situata dhe sistemi i jetës tonë?

Më pas, ne duhet të çlirojmë shpirtin tonë nga ndikimet e shoqërisë së periudhës së “Xhahilijes”, botëkuptimet, doket dhe zakonet e saj. Detyrë e jona është që të mos pajtohemi me aktualitetin e kësaj shoqërie e as të jemi lojal ndaj saj, sepse ajo është e papranueshme. Detyra jonë parësore është që të ndryshojmë veten tonë që të kemi mundësi të ndryshojmë këtë shoqëri. Detyra jonë është të ndryshojmë aktualitetin e kësaj shoqërie nga themelet,  i cili  bie ndesh me parimet  dhe botëkuptimin e Islamit dhe i cili me pushtet dhe dhunë na privon që  të jetojmë ashtu siç kërkon prej nesh programi hyjnor. Hapi i parë të cilin duhe të hedhim në këtë rrugë është që ne duhet të dominojmë ndaj kësaj shoqërie e mos të lëshojmë pe kurrsesi nga parimet tona. Ne gjithmonë i kemi patur rrugët e ndara me atë shoqëri. Kështu që nëse ne i bashkangjitemi asaj qoftë edhe një hap, veçse e kemi humbur programin islam dhe e kemi humbur rrugën.

Në këtë rrugë do të hasim pengesa dhe vështirësi, madje prej nesh do të kërkohet edhe që të sakrifikojmë, por ne duhet të dimë se mirësia më e madhe është kur ne e kuptojmë mirë natyrën e metodologjisë tonë, pozitës dhe rrugës që duhet të përshkojmë me qëllim që mos të kemi lidhje me shoqërinë e periudhës së “Xhahilijes” ashtu sikurse brezi i parë nuk kishte lidhje me të.

Autor: Sejjid Kutubi

[1] – En Nesai

[2] – Ebu Ja’la.

[3] – Sure Isra: 106.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.