Sepse unë jam agjërueshëm

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Rrezet e diellit depërtojnë në dhomë, por këtë ditë disi më të veçanta. Qenka një atmosferë shumë e qetë, shumë e paqshme…veçse diçka e vogël më ngjan se ia ciflos qetësinë. Syri më zë një shtëllungë avulli që del nga filxhani me çaj të nxehtë. Më tej një kavanoz reçel, pak gjalpë dhe ca feta bukë mënjanë. Veç këtyre disa fjalë që depërtojnë drejt e në qendrën e dëgjimit:

“Të të bëj një çaj” – zëri tepër miqësor i shoqes së dhomës që këndshëm më fton në diçka të mirë. Ndërsa unë nuk mund t’i përgjigjem kësaj lutje. Të tjerët kërkojnë të më bëjnë pjesë në një mirësi të tyren, e mua ndërkohë më vjen keq që ata nuk janë pjesë e mirësisë dhe gëzimit tim. Më vjen keq që nuk e ndajnë këtë gëzim bashkë me mua!

Me një buzëqeshje ia kthej: “Faleminderit, por sot jam ngritur agjërueshëm!”

Për një çast kafshata e këputur nga feta e bukës me gjalpë dhe reçel qëndron në hapësirën e ngushtë mes dhëmbëve. Ndoshta aty ndihet në siklet. Ndoshta i ngjan si shumë i ngushtë ai vend. Do t’i vinte ndoshta më mirë të ishte brenda në raft dhe të dilte në një kohë të caktuar për t’i dhënë më tepër hijeshi tavolinës.

S’kalon shumë dhe goja nis sërish punën e saj. Kafshata e bukës kalon nëpër dhëmbë e dhëmballë duke pritur që të kapërdihet poshtë. Pasi tashmë ajo ka krijuar hapësirë në gojë dhe i ka dhënë gjuhës liri veprimi, dëgjoj fjalët e mëposhtme: “Më fal, harrova fare. Për ty duhet të jetë bukur sot!”

Sa dëshirë kam që të kthej një përgjigje të duhur! Një përgjigje që tjetri të ndihet vërtet keq që nuk është pjesë e kësaj të bukurie. Por, kam frikë! Me gjithë qëllimin e mirë që kam, kam frikë se mos e tremb dhe rrëzoj atë dëshirën që mund të jetë duke u zvarritur në ndonjë cep të murit… gati për t’u hedhur, për t’u hedhur nga errësira në dritën e pafundme…kam frikë se mos ngacmoj neuronet e zemrës, që ndryshe nga ato të trurit, kanë një kod të veçantë perceptimi.

Sot nuk dua të lë shije të hidhur tek askush, sepse sot ndryshe nga çdo ditë tjetër “Jam gdhirë agjërueshëm”.

Mjafton një “duhet të jetë mirë’ nga pala tjetër, dhe gjithçka mbyllet me një perde teatrale. Nuk mund të flas më tej! Megjithëse kam shumë gjëra për të thënë. Heshtje! Heshtja, shpesh herë më ka vlejtur më shumë se një mijë fjalë e shpesh më ka bërë të vuaj, pasi nuk e kam thënë atë që duhej thënë!

Një ‘duhet të jetë mirë’, një e thënë ndoshta shkarazi dhe tërthorazi! Ndoshta dhe një e thënë me zemër, por pa entuziazëm, mungesa e të cilit më lë një lloj ftohtësie!

Shpesh herë kur kam qenë agjërueshëm, më ka rastisur të jem në një ambient ku hahet e pihet. Sa ngushtë ndiheshin të tjerët nga prania ime!

Ca ndërprisnin ushqimin, ca kalonin në një dhomë tjetër e ca më linin të kuptoj, që unë duhet të ndërroja dhomë. Ndërkohë që mua nuk më bënte përshtypje, të tjerët shtypeshin!

A mos ndoshta njerëzit kujtojnë se ne agjëruesve na shkon lëng nga goja?!  Kjo u përket atyre, gjë që u pret udhën komenteve të mia!

Ajo që dua te prek unë është mes nesh! Pika apo pikat që dua t’i kujtoj, e hedhin tjetërkund shikimin, e kanë tjetërkund qëllimin.

A jemi ndalur ndonjëherë të mendojmë për ngushtësinë që ndjejnë njerëzit, kur hanë e pinë para agjëruesve? A thua nuk mund t’u japim të drejtë në një farë mënyre!

Kam frikë se prezantimi i agjërimit nga ana jonë nuk i ka kaluar këto kufij.

Si mund ta zgjerojmë horizontin e shikimit tek të tjerët, kur ne vetë akoma nuk e kemi kuptuar thelbin e agjërimit. Ore, ne kemi rënë peng i disa rrathëve dhe kemi harruar shpirtin e agjërimit. Sa e pafalshme! O Zot na e rrit kapacitetin e brendshëm, që ky shpirt të hyjë brenda nesh.

Më kujtohet se ka qenë dita e parë e Ramazanit, dita në të cilën unë lidha një fije, me shpresën që të mos këputet më kurrë!

Mbaj mend kur andej pak para agimit një puhizë e lehtë më kaloi mbi qepalla dhe këndshëm e ëmbël ma nxori gjumin. Nuk mund ta përshkruaj freskinë e ujit që më kaloi mbi pjesët e gjymtyrëve që do t’u ndrijnë besimtarëve në një të ardhme jo të largët, kënaqësinë që më dhuroi ai qëndrim solemn para madhështisë së Tij, nuk mund t’i përshkruaj çastet kur koka ime ra në sexhde, kur e tërë qenia ime iu dorëzua njëherazi Krijuesit të saj!

Ishte dita e parë e Ramazanit. Kisha harruar bukën e ujin. As imazhi i tyre nuk ekzistonte tek unë sepse atë ditë “isha agjërueshëm”.

Ndërsa sot më duhet të luftoj për të tilla ndjenja dhe të bërtas fort, sa ta dëgjojnë edhe majat më të larta të maleve, se për mua ai ishte agjërim. Atë ditë nuk agjëronte vetëm stomaku. Atë ditë agjëronte gjuha, syri, veshi, çdo gjymtyrë, çdo organ, e gjithë qenia ime. Atë ditë unë isha agjërueshëm! Po sot?!

Sot i them vetes më thuaj ku je?

“Sot më ka marrë malli për agjërimin e asaj dite!”

Ndërsa tani krahasoj se ç`ndodh me ne, kur dora shpie një kafshatë bukë drejt gojës. Sa po biem në mend, vëmë kujën. Prishëm agjërimin! Po, ç`kujë duhet të vëmë për atë që nxjerrim nga goja! Apo… kjo jo. Kjo nuk kujtohet fare apo kalon me shumë lehtësi! Kjo nuk e prish agjërimin! Ne jemi akoma agjërueshëm! Nëse qëllim të vetëm kemi që gjatë ditës t’i privojmë shijen gojës, mezi do të presim të vijë ora për t’u nginjur. Do të hamë aq shumë, sa nuk do të ngopemi dot me gjumë… Pra ky qenka agjërimi…

Ndërkohë, për atë që sheh larg, koha dëshmon ndryshe! Dëshmon dita me gjallërinë dhe veprat e saj të bukura! Dëshmon nata me qetësinë dhe shenjtërinë e saj! Dëshmojnë zemrat e njerëzve! Për të luten peshqit në det! Për të i drejtojnë sytë nga Arshi engjëjt në qiej!

Ai mezi pret orën që shënon…10,9,8,7,6,5,4,3,2,1…dhe…iftari. Ç`atmosferë gazmore! Ai tashmë kurorëzon dy gëzime! Njom dhe u jep jetë damarëve të tij dhe kujton me një mallëngjim takimin më madhështor, takimin me Krijuesin e Tij, çka i ngre poret e lëkurës. Ai nuk ngopet për të mos u ngopur me gjumë! Njomja e damarëve do t’i japë fuqi, që gjatë natës të fluturojë si zog. Natën, kur çdo gjë rreth tij do të jetë e qetë, ai do të bisedojë me Zotin e tij. Do ta madhërojë, do ta falenderojë, to t’i lutet për falje…do ta marrë malli për Të. Do ta marrë malli për të parë Fytyrën e Tij…

 S’ka se si të mos pastrohet një njeri i tillë! A thua vallë, Allahu nuk do të na bëjë të denjë për një takim kaq madhështor, nëse ajo është vërtet një ëndërr mbi të gjitha ëndrrat e jetës?!

Ç`kënaqësi mund të ndjejë një njeri i tillë!

Përbrenda më ngacmon një ndjenjë, së cilës dhe i jap të drejtë! “A thua ekziston një njeri i tillë?” Pyetje djallëzore, në mund ta quaj kështu, që kërkon të më rrethojë me mur nga të gjitha anët. “Po përse? Ata të parët, çfarë ishin vallë?! A nuk ishin njerëz?!” Ndërhyrje mëshiruese Hyjnore…

Po, po një njeri i tillë ekziston! Mund të çuditesh ashtu siç u çudita dhe unë, por ekziston.

Fare mirë ai njeri mund të jem unë, mund të jesh ti, mund të jetë kushdo që dëshiron të jetë vërtet i tillë…

Edhe pse nuk jam aq e aftë për ta përcaktuar, unë e ndjej se ky është shpirti i agjërimit.

Lum për atë që di të agjërojë!

Nesër, kur agjërimi, ky mik i dashur të jetë në prag të ikjes, do të mallëngjehet për atë që diti të agjërojë, do të dëshmojë për të dhe do të jetë ai vetë që do ta kërkojë vitin e ardhshëm.

Ndërsa ne, duke shpresuar të jemi agjërues të vërtetë, do të dimë si ta përcjellim. Agjërimi është thjesht një krijesë e Zotit, vjen dhe ikën, është i përkohshëm. Por, ne nuk do të mbetemi vetëm. Ne do të kemi përherë Allahun, të Përhershmin, të Përjetshmin!

Ne do të jemi përherë agjërueshëm!

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.