Shenjat e dashurisë së Allahut të Madhërur ndaj besimtarit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Dikush mund të pyesë: “Cilat janë faktet për këtë dashuri?! Si ta dimë se Allahu i Madhëruar na do”? Nëse disa gjëra reflektojnë në sjelljet e besimtarit, ato janë argument se Allahu i Madhëruar e do atë. Këto tregues janë:

1 – Allahu i Madhëruar ia bën të dashur besimtarit imanin (besimin) dhe ia zbukuron atë në zemër. Këtë e vërteton fjala e Allahut të Madhëruar: “Allahu jua ka bërë të dashur besimin dhe jua ka zbukuruar atë në zemrat tuaja”.([1]) Sa më shumë që shtohet dashuria e robit për besimin, aq më tepër bindemi se Allahu e do atë.

2 – Besimtari e do çdo punë, në të cilën ka bindje ndaj Allahut të Madhëruar dhe afrim tek Ai, ashtu siç urren çdo lloj vepre që nuk e do Allahu i Madhëruar.

3 – Allahu i Madhëruar i jep sukses robit që do, duke ia mundësuar që pas një adhurimi të bëjë një tjetër, pas të mirës të bëjë një të mirë tjetër. Kështu bëhet e qartë se Allahu i Madhëruar po e angazhon robin me adhurimin ndaj Tij.

4 – Allahu i Madhëruar e bashkon zemrën e besimtarit me zemrat e njerëzve të devotshëm. Kur Allahu i Madhëruar e do një rob, e bën të dashur atë për zemrat e të devotshmëve. Isai (a.s) ka thënë: “Bëhuni të dashur tek Allahu, duke refuzuar mëkatarët, afrohuni me Allahun duke u larguar nga mëkatarët, kërkoni kënaqësinë e Allahut duke qenë të zemëruar me mëkatarët”. Dikush e pyeti: “O Isa! Me kë të rrimë”? Ai (a.s) tha: “Rrini me ata, të cilët kur i shikoni, ju kujtojnë Allahun, kur ju flasin, ju shtojnë besimin e Allahut dhe kur veprojnë, ju nxisin për punë të Ahiretit”.([2])

Omer ibn Khatabi (r.a) e kufizon vlerën e jetës së kësaj bote në tre gjëra. Ai thotë: “Nëse nuk do të ishin tre gjëra, unë nuk do të dëshiroja të jetoja më: të qëndroj mbi kuaj në rrugë të Allahut, të kaloj natën në adhurim dhe të qëndroj me njerëz, të cilët i përzgjedhin fjalët e mira, ashtu siç përzgjidhen hurmat e mira”.([3]) Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të tyre në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë e tu prej tyre, duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete. Mos e dëgjo atë, zemrën e të cilit e kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë e shkon pas dëshirave të veta, duke shkelur çdo kufi”.([4])

Fjalë të përafërta ka thënë edhe Abdullah ibn Omer ibn Khatabi (r.a): “Betohem në Allahun! Nëse agjëroj gjithë ditën dhe nuk ha iftar, nëse falem gjithë natën pa fjetur aspak dhe nëse e shpenzoj pasurinë time më të çmuar vazhdimisht në rrugë të Allahut, ndërkohë që në zemrën time nuk ka dashuri për të devotshmit dhe urrejtje për mëkatarët, të gjitha këto adhurime nuk do të më sjellin asnjë dobi atë ditë kur të vdes”.([5])

Kur ne e duam njëri-tjetrin dhe gjejmë bashkim të tillë mes zemrave tona, ndjejmë se Allahu i Madhëruar është Ai, i Cili e ka mbjellë dashurinë në zemra dhe i ka bashkuar ato. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe (Allahu) i bashkoi zemrat e tyre (si një zemër e vetme). Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t`i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato. Ai është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Urtë”.([6])

5 – Besimtari e ndjen se sa herë që i jepet mundësia të përmbushë një adhurim, përsëri nuk e ka falenderuar Allahun siç duhet për këtë adhurim, prandaj ai duhet ta shtojë edhe më shumë adhurimin.

6 – Allahu i Madhëruar ia mundëson besimtarit që të pendohet sinqerisht. Allahu i Madhëruar e di se robërit e Tij bëjnë gabime. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është jeta ime! Nëse nuk do të bënit mëkate, Allahu do t`ju zhdukte dhe do të sillte robër të tjerë, të cilët bëjnë mëkate, i kërkojnë falje Allahut dhe Ai i fal”.([7]) Kur robi bën një mëkat, e ndjen peshën e mëkatit që ka kryer dhe më pas lidhja e tij me Allahun përmirësohet. Vetëm atëherë e kupton, se Allahu është i Dhembshur, i Mëshirshëm, Falës i mëkatit dhe Pranues i pendimit. Kur robi pendohet, e ndjen se Allahu ia ka bërë të mundur pendimin nga një mëkat i tillë.

7 – Besimtari e shton diturinë dhe e kupton drejt fenë. Sa më shumë që besimtarit i shtohet dituria, kuptimi për fenë dhe puna me atë që mëson, aq më shumë e kupton se Allahu i Madhëruar e do atë, pasi: “Atij që Allahu ia do të mirën, e bën të ditur në fe”.([8])

8 – Përmirësimi i gjendjes shpirtërore dhe arritja e qetësisë së brendshme. Allahu i Madhëruar thotë në suren Muhamed: “Allahu do t`ua zhvlerësojë veprat atyre që mohojnë dhe i pengojnë njerëzit nga rruga e Tij. Ndërsa atyre që besojnë, kryejnë vepra të mira dhe besojnë në atë që i është shpallur Muhamedit – dhe e cila është e Vërteta prej Zotit të tyre, – Ai do t`ua fshijë gjynahet dhe do t`ua përmirësojë gjendjen”.([9])

9 – Durimi në raste sprovash. I Dërguari i Allahut (a.s) thotë: “Besimtari sprovohet vazhdimisht në veten, në pasurinë dhe në fëmijët e tij, derisa të takohet me Allahun, duke mos pasur asnjë mëkat mbi shpinë”.([10])

10 – Besimtari ka bindje të sigurtë në Allahun dhe mjaftohet me atë që Ai i ka dhuruar, duke mos lakmuar atë që kanë të tjerët.

11 – Allahu i Madhëruar e angazhon robin Tij vetëm në të mira, i jep sukses dhe ia pastron nijetin në çdo punë që bën: “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar”.([11])

Vetëm kështu besimtari bëhet nga ata, të cilët Allahu i Madhëruar i ka përmendur në fjalën e Tij: “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për `u frikësuar dhe as për t`u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut). Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën”

([1]) – Kurani: Huxhurat, ajeti: 7.

([2]) – Ibn Mubareku në “Ez-Zuhd”, (339), Ahmedi në “Ez-Zuhd”, (54) dhe Bejhakiu në “Shuabu`l-Îmân”, (8999)

([3]) – Thënie e vërtetë. Ebu Nuajmi, “Hiljetu`l-Eulijâ”, vëll. I, f. 89 dhe Vakia në “Ez-Zuhd”, (90).

([4]) – Kurani: Kehf, ajeti: 28.

([5]) – Ebu Hamid Gazaliu, “Ihjâ Ulûmi`d-Dîn”, f. 614, botim i “Dar Ibn Hazm”, Bejrut, 2005/1426, botimi i parë.

([6]) – Kurani: Enfal, ajeti: 63.

([7]) – Hadith i vërtetë. Muslimi (2749) dhe Ahmedi, vëll. II, f. 309.

([8]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (71), Muslimi (1037), Tirmidhiu (2645), Ibn Maxheh (220) dhe Ibn Hibani (89).

([9]) – Kurani: Muhamed, ajeti: 1-2.

([10]) – Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese. Ahmedi, vëll. II, f. 450, Tirmidhiu (2399) dhe Ibn Hibani (2921).

([11]) – Kurani: Enam, ajeti: 162-163.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *