Sheriati nuk vjen me ndalimin e atyre dobive që nuk mbartin dëm

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Konteksti i këtij rregulli:

Disa njerëz besojnë se çdo gjë mund të ndalohet nga sheriati, sikur ai të mos kishte një logjikë të qëndrueshme në gjykimet e tij, as një ligj të rregullt dhe as një qëllim të pandryshueshëm. Ky rregull përmban një vërejtje mbi logjikën e sheriatit dhe faktin që gjykimet e tij bazohen në parime që nuk lëkunden dhe nuk bien në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Në rreshtat e këtij libri – me lejen e Zotit – do të përmendim edhe rregulla të tjera që e konfirmojnë këtë rregull.

Formulimin e këti rregulli –nga ana jonë – ne e hasim tek citati i Ibn Kudame el-Makdisit në kontekstin e mbështetjes së mendimit se kujdestarit të pasurisë së jetimit i lejohet ta japë atë si hua në vendin e tij, me qëllim që ta rimarrë të sigurtë dhe të pacënuar në një vend tjetër, duke shmangur kështu rrezikun e udhëtimit. Ibn Kudame ka thënë: “Mendimi i saktë është se kjo lejohet, sepse është në dobi të të dyve, duke mos shkaktuar asnjë dëm për asnjërin prej tyre, sepse sheriati nuk vjen me ndalimin e atyre dobive që nuk sjellin dëm, por përkundrazi i legjitimon ato.”[1]

Me të njëjtin kuptim, Ibn Kajimi ka thënë: “Sheriati ndalon vetëm dëmet e kulluara ose ato që mbizotërojnë, si dhe rrugët dhe shkaqet që çojnë drejt tyre.”[2]

Shpjegimi i këtij rregulli:

Ky rregull do të thotë se çdo gjë dhe çdo veprim që është vërtetuar se ka dobi dhe përfitim, si dhe është konfirmuar se nuk mbart dëme dhe të këqija, është i lejuar dhe legjitim. Ky lloj veprimi nuk mund të jetë i ndaluar në sheriatin e Allahut, sepse ndalimi në sheriat bazohet mbi bazë të dëmëve materiale dhe shpirtërore. Atje ku nuk ka asnjë dëm, nuk ka ndalim.

Argumentet e këtij rregulli:

1 – Ajeti kuranor në të cilin Allahu i Larmadhëruar tregon një sërë arsyesh se përse është dërguar Profeti Muhamed (a.s) në mesin e njerëzve. Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat, duke i liruar nga barrët e rënda dhe vështirësitë që kanë pasur.”[3]

2 – Allahu i Larmadhëruar thotë: “Thuaj me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapëta ose të fshehta dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.”[4]

3 – Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Thuaj: Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Tij?”[5]

Këto ajete dhe shumë argumente të tjera dëshmojnë se Allahu i Lartmadhëruar i ka ndaluar punët e pahijshme, shkaktimin e dëmeve, të këqijat dhe padrejtësitë. E përsa i përket dobive dhe të mirave të papërziera me dëme dhe të këqija, Ai i ka lejuar ato, madje e qorton ashpër atë që tenton t’i ndalojë ato, sepse as që mund të mendohet se Allahu i Lartmadhëruar i ka ndaluar ato.

Imam Shihabudin El Karafi është i mendimit se metoda e induksionit është dëshmi e këtij rregulli. Ai citon: “Në atë gjë në të cilën nuk ka dëm, ajo gjë nuk është e ndaluar. Një gjë të tillë e dëshmon metoda e induksionit të ligjeve. Duke qenë se hajdutlliku nënkupton humbje të pasurisë, atëherë një veprim i tillë është ndaluar. Duke qenë se vrasja nënkupton humbje të jetës, atëherë një veprim i tillë është i ndaluar. Duke qenë se nga kryerja e imoralitet është e dëmshme për shkak se përzihet prejardhja, atëherë një veprim i tillë është i ndaluar. Duke qenë se pirja e alkoolit shkakton humbje të logjikës, atëherë ky veprim është i ndaluar. Prandaj nuk ka dyshim se kur vera shndërrohet në uthull, hiqet ndalesa (lejohet të pihet) dhe kur ajo është një lëng frutash (jo dehëse) nuk e dëmton mendjen dhe as nuk është e ndaluar që të pihet.”[6]

Shembuj praktik të këtij rregulli:

1 – Festimi i mevludit: Disa njerëz e refuzojë dhe e ndalojnë atë. Një gjë e tillë është e ndaluar atëherë kur festimi i mevludit shoqërohet me gjëra të pahijshme dhe të ndaluara sheriatikisht. Mirëpo duke qenë se ai është një veprim që nuk ka asnjë dëm, të keqe apo devijancë, përkundrazi në festimin e tij ka dobi, hare dhe përfitime, atëherë që një veprim i  tillë të ndalaohet apo të refuzohet nuk ka sens.

2 – Përdorimi i ilaçeve nga gruaja për të vonuar ardhjen e menstruacioneve me synimin që ajo të ketë mundësi të agjërojë muajin e Ramazanit, apo të kryejë ritualet e Haxhit dhe të Umres. Nëse pirja e tyre nuk i shkakton asaj ndonjë dëm, atëherë lejohet që të pihen, për arsye se në këtë rast kemi të bëjmë me dobi dhe jo dëm, sepse atje ku nuk ka asnjë dëm, sheriati nuk e ndalon.

3 – Në të kaluarën, juristët kanë thënë se nuk përbën ndonjë problem që lëndët që sheriatikisht konsiderohen të papastra të përdoren për ndezjen e llampave.  Imam Ibn Kajjimi citon: “Dihet se djegia e papastërtisë dhe përdorimi i saj për ndriçim është një përfitim i pastër, pa asnjë dëm dhe i papërzier me të, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Prandaj, ajo (djegia) konsiderohet një dobi e pastër pa ndonjë të keqe në të. Dhe çdo gjë që është e tillë, sheriati nuk e ndalon, sepse sheriati ndalon vetëm dëmet e kulluara ose ato që mbizotërojnë, si dhe rrugët dhe shkaqet që çojnë drejt tyre.”[7]

4 – I ngjashëm me shembullin e lartpërmendur, në ditët e sotme, është përdorimi i rrobave, këpucëve dhe çantave prej lëkurës së derrit. Allahu i Lartmadhëruar e ka ndaluar konsumimin e mishit të tij, e përsa i përket lëkurës së tij, nëse ai pastrohet plotësisht, atëherë mund të përfitohet prej tij, sepse ai është i dobishëm dhe nuk ka asnjë dëm në të. Një rast të tillë, sheriati nuk e ndalon.

Autor: Ahmet Rajsuni

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – “El Mugni” i Ibn Kudames, fq: 4/240 – 241.

[2] – “Zadul Meadi fi Hedji Khajril Ibadi” i Ibn Kajm el Xheuzijes, fq: 5/666.

[3] – Sure A’raf: 157.

[4] – Sure A’raf: 33.

[5] – Sure A’raf: 32.

[6] – “El Furuk” i Shihabudin Karafit, fq: 4/121 – 123.

[7] – “Zadul Meadi fi Hedji Khajril Ibadi” i Ibn Kajm el Xheuzijes, fq: 5/666.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *