Shitblerja me këste

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në ditët e sotme, shitblerja me këste është kthyer prej atyre transaksioneve mjaft të rëndësishme për njerëzit. Nga ky lloj transaksioni fiton shitësi sepse ai arrin ta shesë mallin dhe nuk i ngelet stok në magazinë, ashtu sikurse fiton edhe klienti sepse ai nuk ka aq para sa ta blejë mallin, veçse nëpëmjet këtij transaksioni.

Shitblerja me këste – ashtu sikurse njihet në ditët e sotme – është një lloj termi apo transaksioni që nuk është i njohur në librat e jurisprudencës islame, megjithëse ky lloj transaksioni ka lidhje të ngushtë me shitblerjen me afat, për të cilën juristët kanë folur gjërë e gjatë në librat e tyre, shitblerje që ka si për qëllim likuidimin e mallit pas një farë kohe (me vonesë). Si shitblerja me afat po ashtu edhe shitblerja me këste konsiderohen prej llojeve të shitblerjes me shtyrje të pagesës (nesieh). Me të vetmin dallim se shitblerja me shtyrje të pagesës (nesieh) nënkupton likuidimin e mallit vetëm në një afat të përcaktuar, kurse shitblerja me këste nënkupton likuidimin e tij në një sërë afatesh të përcaktuara. Si për shembull: Një mall i çfarëdollojshëm shitet 1 milion lekë “cash” në dorë dhe 1 milion e dyqind mijë pasë një afati kohor. Klienti i cili nuk ka mundësi ta blejë mallin “cash” në dorë, bie dakord që ta blejë atë me këste për një afat kohor për një viti, duke paguar njëqind e njëzet mijë lekë muaj për muaj.

Shitblerja me këste është nga ato lloj shitblerjesh të lejuara për të cilën ka folur pjesa dërrmuese e jursitëve (xhumhuri) në të kaluarën dhe në tashmen, sepse në zanafillë, shitblerja është e lejuar ashtu sikurse thotë Alalhu i Madhëruar në Kuran: “E Allahu e ka lejuar shitblerjen”[1] Ky lloj transaksioni është i ngashëm me transaksionin e paradhënies (selem) për të cilin të gjithë juristët kanë rënë në konsesus që lejohet. Në nenin 64 të Vendimeve të Akademisë së Fikhut në lidhje me shitblerjen me këste citohet se: [Sipas rregullave të sheriatit, shitblerja me këste lejohet edhe nëse pas një afati kohor edhe nëse çmimi i një malli është më i lartë se ai aktual.][2] Argument për këtë është se Berireh (një skllave)  shkoi tek Aishja (r.a) dhe i tha: Kam hartuar një shkresë me pronarin për t’u çliruar nga skllavëria me kusht që ta paguaj për 9 -të ukije[3], për çdo vit do të paguaj një ukije..”[4]

Që shitblerja me këste të jetë e lejuar duhet të ketë si kusht që malli të jetë në pronësinë (zotërimin) e shitësit  dhe në dispozicion të tij para se të kryhet ky lloj transaksioni, sepse Profeti (a.s) ka thënë: “Mos shit diç që nuk e zotëron!”[5]Menjëherë pas kryerjes së këtij transaksioni është detyrë që malli të kalojë nën pronësinë e klientit. Dhe në kontratën midis blerësit dhe klientit nuk duhet të jetë si klauzolë vendosja e gjobës për shkak të vonesës së pagesës së këstëve në kohë.

Në ditët e sotme, vërejmë se në shumicën e rasteve – mos në të gjitha rastet – në shitblerjen me këste, banka ndërmjetson midis klientit dhe shitësit – kryesisht një kompanie. Prandaj e shoh me rëndësi trajtimin e këtij lloj transaksioni në këtë lloj forme:

Tre janë rastet e ndërhyrjes së bankës në këtë lloj transaksioni:

Rasti i Parë: Banka është një mjet, e cila këstet e klientit ia shpie kompanisë. Klienti paguan detyrimet (këstet) në bankë. Në këtë rast, banka nuk është shitëse dhe nuk i kërkon llogari klientit. Ajo thjesht është përfaqësuese e kompanisë për shlyerjen e kësteve. Kjo mënyrë nuk përbën asnjë problem.

Rasti i Dytë: Banka është ajo që shet produktin. Kjo nënkupton se fillimisht banka e ka blerë produktin nga kompania dhe pastaj ia shet atë klientit. Ky lloj transaksioni lejohet me tre kushte:

Kushti i parë: Banka duhet ta blejë produktin përpara se t’ia shesë klientit.

Kushti i Dytë: Banka nuk duhet ta shesë produktin në dyqanin e kompanisë, por në dyqanin e vet ose në një dyqan tjetër. Ibn Omeri (r.a) ka thënë: “Një ditë bleva vaj në treg se kisha nevojë. Kur e bleva vajin, më takoi një njeri i cili dëshironte ta blinte vajin prej meje kundrejt një fitimi të mirë (me leverdi). Desha që të përshëndetem me dorë me të[6], por dikush pas shpine ma kapi dorën. U ktheva dhe e pashë Zejd ibn Thabiti, i cili tha: “Mos e shit aty ku e ke blerë derisa ta shpiesh në shtëpi, sepse i Dërguari i Allahut (a.s) e ka ndaluar që të shitet malli aty ku blihet derisa tregtarët nuk e dërgojnë në shtëpi.”[7]

Kushti i Tretë: Banka nuk duhet të vërë si kusht gjobitjen në rast të vonesës në shlyerjen e kësteve.

Rasti i Tretë: Banka i jep hua klientit dhe ai (klienti) duhet t’i shlyejë bankës po aq para sa ka marrë hua. Ky veprim është i lejuar me kushtin që banka mos ta gjobisë nëse ai vonohet në afatin e paracaktuar, sepse një gjë e tillë konsiderohet kamatë.

Pra është shumë e rëndësishme të dimë statusin e bankës duke iu përmbajtur kushteve të lartpërmendura.

Dhe së fundmi: Nëse ky lloj transaksioni është i lejuar atëherë shitblerja me këste nëpërmjet bankës është i vlefshëm edhe nëse banka në transaksione të tjera bashkëvepron me kamatë, sepse Profeti (a.s) jepte dhe merrte me hebrenjtë të cilët merreshin me kamatë përderisa marrëdhënia e tij me ta ka qenë e lejuar.

Allahu e di më mirë.

Përgaditi: Elton Harxhi.

[1] – Sure Bekare: 275.

[2] – Revista e Akademisë së Fikhut Islam: 7/736.

[3] – Njësi matëse e barazvlefshme me 40 – të dirhem.

[4] – Buhariu (2168).

[5] – Ahmedi (15311). Hadithi është Sahih.

[6] – që nënkupton se isha dakord për t’ia shitur vajin.

[7] – Ebu Daudi (3499). Hadithi është Sahih.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.