Shpërblimi i të devotshme në Kuran

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “O ju të cilët keni besuar ju është bërë agjërimi obligim, ashtu siç është bërë edhe për ata që kanë qenë para jush me qëllim që të jeni të devotshëm.”[1]

Nga ky ajet kuranor kuptohet qartë se qëllimi i obligimit të agjërimit është arritja e devotshmërisë, për shpërblimin e të cilës Allahu i Madhëruar ka folur në Kuranin Famëlartë.

Në Kuranin Famëlartë, tregohet se njerëzit më të nderuar tek Allahu i Madhëruar janë të devotshmit. Allahu i Madhëruar është Mbrojtësi i të devotshmëve, i fal, i do dhe është me ta. Në botën tjetër, të devotshmit nuk do të pikëllohen e as nuk do të kenë frikë. Ata do të jenë miq të njëri-tjetrit dhe do të jenë të ftuarit e të Gjithmëshirshmit. Për ta është përgatitur Xheneti që është më i mirë se Zjarri flakërues, Xheneti hapësira e të cilit është sa hapësira e qiejve dhe tokës. Xheneti do t’ju afrohet sa më afër atyre dhe ata do të hyjnë në të grupe-grupe. Kur të hyjnë në Xhenet, do t’i presin engjëjt, të cilët do t’ua hapin dyert dhe do u thonë: Shpëtim për ju. Kur të devotshmit të hyjnë në Xhenet do të kenë çfarë të dëshirojnë; hije, burime, lumenj, pije, fruta, petka, hyri, dhoma të larta dhe nuk kanë për ta shijuar më vdekjen.

Më poshtë po cekim, ajetet kuranore që flasin rreth shpërblimit të njerëzve të devotshëm:

Allahu i Madhëruar thotë: “Frikësojuni Allahut dhe dijeni se Allahu është me të devotshmit.”[2]

Allahu i Madhëruar thotë: Allahu, me të vërtetë, i do ata që janë të devotshëm.”[3]

Allahu i Madhëruar thotë: “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit.”[4]

Allahu i Madhëruar thotë: “Ta dini se Allahu është me të devotshmit.”[5]

Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, të devotshmit do të jenë në kopshtet e Xhenetit pranë burimeve.”[6]

Allahu i Madhëruar thotë: “Sa e mrekullueshme do të jetë shtëpia e të devotshmëve. Ata do të hyjnë në Xhenetet e Adnit, ku rrjedhin lumenj dhe ku ka gjithçka që ata dëshirojnë. Kështu i shpërblen Allahu të devotshmit.”[7]

Allahu i Madhëruar thotë: “Ditën kur do t’i tubojmë të devotshmit te i Gjithmëshirshmi, si të ftuar.”[8]

Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: A është më i mirë ky apo Xheneti i amshuar, i cili u është premtuar të devotshmëve? Ai do të jetë për ta shpërblim dhe vend kthimi.”[9]

Allahu i Madhëruar thotë: “Atë ditë Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm.”[10]

Allahu i Madhëruar thotë: “A t’i trajtojmë njëlloj njerëzit e devotshëm dhe njerëzit e mbrapshtë?![11]

Allahu i Madhëruar thotë: “Ky është një Përkujtim. Vërtet, për njerëzit e devotshëm ka kthim të mirë në botën tjetër.”[12]

Allahu i Madhëruar thotë: “Ndërkaq, ata që janë të devotshëm ndaj Zotit, do të kenë dhoma të ngritura mbi njëra-tjetrën, pranë të cilave do të rrjedhin lumenj. Ky është premtimi i Allahut; Allahu nuk e shkel premtimin e Vet.”[13]

Allahu i Madhëruar thotë: “Por Allahu do t’i shpëtojë ata që janë të devotshëm me të mira, prandaj ata nuk do t’i prekë e keqja e as nuk do të pikëllohen.”[14]

Allahu i Madhëruar thotë: “Ndërsa ata që kanë qenë të devotshëm ndaj Zotit të tyre, do të çohen grupe-grupe në Xhenet. Kur t’i afrohen atij, dyert e tij do të hapen e rojtarët e tij do t’u thonë: Shpëtimi qoftë mbi ju! Ju keni qenë njerëz të mirë, andaj hyni në të dhe qëndroni përgjithmonë.”[15]

Allahu i Madhëruar thotë: “Atë ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit përveç të devotshmëve.”[16]

Allahu i Madhëruar thotë: “Të devotshmit, me të vërtetë, do të jenë në vend të sigurt, midis kopshteve dhe burimeve, të veshur me petka mëndafshi të hollë dhe armaç, të ulur përballë njëri-tjetrit. Po kështu do të jetë, dhe Ne do t’i martojmë ata me hyri sybukura. Aty do të kërkojnë çfarëdo frutash që të dëshirojnë e do të jenë të sigurtë. Atje nuk do ta provojnë më vdekjen, përveç vdekjes së parë dhe Ai do t’i shpëtojë prej dënimit të Zjarrit flakërues. Kjo do të jetë prej mirësisë së Zotit tënd. Kjo është fitorja madhështore.”[17]

Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu është Mbrojtësi i të devotshmëve.”[18]

Allahu i Madhëruar thotë: “Shembulli i Xhenetit i cili u është premtuar të devotshmëve është se në të janë lumenj uji, shija dhe era e të cilit nuk ndryshon, lumenj qumështi me shije që nuk ndryshon asnjëherë, lumenj pije të kulluar të shijshme që ata e pijnë dhe lumenj mjalti të pastër dhe për ata gjendet çdo lloj fruti, edhe falja e tyre nga Zoti i tyre.”[19]

Allahu i Madhëruar thotë: “Padyshim se tek Allahu më i nderuari prej jush është ai që është më i devotshëm.”[20]

 Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe Xheneti do t’u sillet të devotshmëve jo shumë larg.”[21]

Allahu i Madhëruar thotë: “Sigurisht që të devotshmit do të jenë në mes të kopshteve të begatë dhe burimeve të Xhenetit. Duke u kënaqur me çfarë u ka dhuruar Zot ii tyre.[22]

Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet që të devotshmit do të jenë në kopshte të begatë dhe kënaqësi. Duke shijuar atë që Zoti i tyre u ka dhuruar…Hani dhe pini me kënaqësi, si shpërblim për atë që keni bërë. Të mbështetur në divane të renditura, ata do të martohen me hyri sybukura.”[23]

Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, besimtarët e devotshëm do të jenë në kopshtet e Xhenetit, ku rrjedhin lumenj, në kuvendin e të vërtetës tek një Sundues i Plotfuqishëm.”[24]

Allahu i Madhëruar thotë: “Të devotshmit do të jenë mes hijesh e burimesh, si dhe frutash nga ato që dëshirojnë. (Do t’u thuhet) Hani dhe pini e ju bëftë mirë (si shpërblim) për atë që keni punuar.”[25]

Allahu i Madhëruar thotë: “Për të devotshmit është përgatitur e mira (Xheneti), kopshte dhe vreshta, vajza të reja, të së njëjtës moshë dhe kupa të mbushura plot. Atje nuk do të dëgjojnë biseda të kota e as gënjeshtra. Kështu është shpërblimi nga Zoti yt, dhuratë sipas meritës.”[26]

Autor: Elton Harxhi

[1] – Sure El Bekare: 183.

[2] – Sure El Bekare: 194.

[3] – Sure Ali Imran: 76.

[4] – Sure Ali Imran: 133.

[5] – Sure Et Teube: 36.

[6] – Sure El Hixhr: 45.

[7] – Sure En Nahl: 30-31.

[8] – Sure Merjem: 85.

[9] – Sure El Furkan: 15.

[10] – Sure Esh Shuara: 90.

[11] – Sure Sad: 28.

[12] – Sure Sad: 49.

[13] – Sure Ez Zumer: 20.

[14] – Sure Ez Zumer: 61.

[15] – Sure Ez Zumer: 73.

[16] – Sure Ez Zuhruf: 67.

[17] – Sure Ed Duhan: 51-57.

[18] – Sure El Xhathije: 19.

[19] – Sure Muhamed: 15.

[20] – Sure El Huxhurat: 13.

[21] – Sure Kaf: 31.

[22] – Sure Edh Dharijat: 15-16.

[23] – Sure Et Tur: 17-20.

[24] – Sure El Kamer: 54-55.

[25] – Sure El Murselat: 41-43.

[26] – Sure En Naziat: 31-36.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.