Shtyllat e Islamit dhe parimet e moralit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Profeti i Islamit e ka përcaktuar qartë qëllimin parësor të dërgimit të tij dhe metodologjinë e misionit të tij, duke thënë: “Me të vërtetë jam dërguar për t’i plotësuar virtytet e moralit.”[1]

Ky mision përbën rrjedhën e vetë historisë së jetës së tij, ndërsa ai që e bart këtë mision, me ndikimin dhe dritën që përcjell, nuk synon tjetër veçse të mbështetet në vlerat e pasuesve të tij, për të ndriçuar horizontet e përsosmërisë shpirtërore, ashtu që ata të ecin në rrugën e dijes dhe ndriçimit.

Ritet fetare të miratuara në Islam, të cilat përfaqësojnë shtyllat e besimit, nuk janë thjesht ceremoni dogmatike të cilat e lidhin njeriun me një metafizikë të padukshme dhe e detyrojnë atë të kryejë vepra të pakuptimta. Përkundrazi, detyrat fetare që Islami i ka obliguar për çdo pjesëtar të tij, janë ushtrime të përsëritura me qëllim që të ndihmojnë individin të përvetësojë vlera të shëndosha dhe të jetojë në përputhje me to. Këto obligime, në thelb, mund të krahasohen me ushtrimet fizike, të cilat njeriu i kryen me vullnet për të arritur shëndet dhe qëndrueshmëri në jetën e përditshme.

Kurani Famëlartë dhe Suneti i pastër shpallin qartë këto të vërteta. Allahu i Madhërishëm, kur e bëri namazin detyrim për myslimanët, njëkohësisht sqaroi edhe urtësinë dhe përfitimin që fshihet pas tij. Allahu i Madhërishëm, në lidhje me qëllimin e namazit, thotë: “…fal namazin, vërtetë namazi largon nga të shëmtuarat dhe të urryerat…”[2]

Kështu, largimi nga e keqja dhe pastrimi nga fjala e shëmtuar dhe vepra e dëmshme përbëjnë thelbin e namazit. Në një hadith të transmetuar nga Pejgamberi (a.s), Allahu I Madhërishëm thotë: “Unë e pranoj namazin e Atij që më është nënshtruar Mua, nuk u sjell të këqija krijesave të Mia, nuk është i zhytur në mëkate, tërë ditën më përmend Mua dhe e mëshiron të varfrin, udhëtarin, jetimin dhe nevojtarin.”[3]

Zekati, nga ana tjetër, nuk është një tatim që i merret individit me forcë, por një akt i mbjelljes së mëshirës dhe butësisë, forcimit të lidhjeve dhe dashurisë reciproke në shoqëri. Ai synon ndërtimin e një bashkësie të shëndoshë përmes dhënies me vetëdije dhe dashuri. Kjo synohet edhe në ajetin kuranor: “Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat)…”[4]

Urtësia themelore e këtyre akteve është pastrimi i shpirtit nga njollat e mëkateve dhe ngritja e shoqërisë në një nivel më të lartë etik dhe moral.

Për këtë qëllim, Pejgamberi (a.s) ka zgjeruar domethënien e konceptit të lëmoshës, duke e shtrirë përtej dhënies materiale. Ai ka thënë: “Buzëqeshja në fytyrën e vëllait tënd është lëmoshë, urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja është sadaka (lëmoshë), ta udhëzosh një njeri që ka humbur rrugën është lëmoshë, ta largosh një pengesë, ferrë apo asht nga rruga është lëmoshë, t’i ndihmosh një vëllai të nxjerrë ujë është lëmoshë dhe t’i ndihmosh një njeriu më të dobët është lëmoshë.”[5]

Instruksionet islame në kontekstin e shoqërisë arabe të kohës, një shoqëri që jetonte në kushte të ashpra shkretinore, karakterizuar nga armiqësi dhe mendjelehtësi, dëshmojnë për objektivat thelbësore që Islami përcaktoi dhe drejtimin që i dha këtij komuniteti duke i nxjerrë nga errësira e injorancës drejt dritës së udhëzimit hyjnor.

Agjërimi, si një nga shtyllat themelore të Islamit, nuk përkufizohet vetëm si një ndalim i përkohshëm nga ushqimi dhe pija, por paraqet një proces të thellë vetëdisiplinimi dhe përmbajtjeje nga epshet, pasionet e ulëta dhe sjelljet e shëmtuara. Agjërimi është mjet edukimi shpirtëror dhe moral. Profeti Muhamed (a.s) duke sqaruar thelbin e këtij riti, thotë: “Kush nuk i lë fjalët e kota dhe veprat sipas tyre, le ta dijë se All-llahu nuk ka nevojë që ai ta lë hajen dhe pijen.”[6] Gjithashtu, thuhet: “Agjërimi i vërtetë nuk është të ndalohesh vetëm prej ngrënies dhe pijes, por agjërimi i vërtetë është të ndalohesh nga fjalët e kota dhe punët e ndyta; nëse të shan dikush apo tregohet i paditur ndaj teje, thuaj: Unë jam agjërueshëm.”[7] Kurani Famëlartë e thekson qëllimin e agjërimit në ajetin: “Agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”[8]

Po ashtu, mund të lindë keqkuptimi se haxhi, si një prej detyrave të tjera themelore islame, është një udhëtim i zakonshëm që nuk përmban asnjë vlerë etike përveç ritualit. Kjo është një qasje e gabuar, sepse Allahu i Madhërishëm e lidh këtë akt me qëllime dhe ndalesa të qarta. Ai thotë: “Haxhi është në muajt e caktuar, e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet t’i afrohet gruas, nuk i lejohet të përbuzë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet të jetë shkaktar i grindjeve dhe përçarjeve. Çfarëdo të mire që punoni, Allahu e di për të. Dhe furnizohuni për udhëtim (në këtë jetë dhe në botën tjetër), por furnizimi më i mirë është devotshmëria. Dhe kini frikë nga Unë, o të mençur.”[9]

Nga kjo paraqitje përmbledhëse e disa ritualeve kryesore përmes të cilave identifikohet Islami – që njihen si shtyllat themelore të tij – kuptohet qartë lidhja e fuqishme ndërmjet fesë dhe karakterit moral. Këto rituale, megjithëse të ndryshme në formën dhe mënyrën e praktikimit, bashkohen në një qëllim të përbashkët të cilin e ka theksuar Pejgamberi (a.s) në fjalët e tij: Unë jam dërguar që të përmbush dhe përsos vlerat e moralit.”

Namazi, agjërimi, zekati, haxhi dhe mësimet e tjera të ngjashme me këto rituale fetare janë themelet e përsosmërisë së dëshiruar dhe bartësit e pastërtisë së lartë, e cila ruan jetën dhe e ngre vlerën e saj. Vetitë fisnike që burojnë prej tyre apo që lidhen ngushtësisht me to, gëzojnë një pozitë të lartë në fenë e Allahut.

Prandaj, nëse njeriu nuk i shfrytëzon këto rituale për të pastruar zemrën, për të rafinuar shpirtin dhe për të forcuar lidhjet me Allahun dhe me njerëzit, ai ka devijuar nga rruga e drejtë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai që i paraqitet Zotit të tij si kriminel, do të jetë në Xhehennem, ku as nuk vdes e as nuk jeton. Ndërsa ai që i paraqitet Atij si besimtar dhe ka bërë vepra të mira, ata do të shpërblehen me grada të larta: Xhenete të Adnit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, aty do të qëndrojnë përgjithmonë. Ky është shpërblimi i atij që është pastruar.”[10]

Autor: Muhamed Gazali

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Maliku.

[2] – Sure Ankebut: 45.

[3] – Bezzari.

[4] – Sure Teube: 103.

[5] – Buhariu.

[6] – Buhariu.

[7] – Ibn Huzejme.

[8] – Sure Bekare: 183.

[9] – Sure Bekare: 197.

[10] – Sure Taha: 74 – 76.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *