Qiproja gjatë Perandorisë Bizantine dhe fushatat islame
Qiproja ishte një provincë bizantine me kryeqytet Konstancia (“Salamis-i i vjetër”). Banorët e ishullit ndoqën krishterimin ortodoks që nga viti 431 e.s., dhe kisha arriti të bashkojë popullin qipriot në një njësi të vetme shoqërore, fetare dhe kulturore. Lidhjet e forta mes klerit dhe popullsisë krijuan një ndjenjë solidariteti social, e cila vazhdoi pavarësisht pushtimeve të njëpasnjëshme të huaja mbi ishull.
Kur muslimanët filluan të kontrollonin portet bregdetare, këto u bënë objektiv i sulmeve bizantine nga ishujt fqinjë. Duke qenë se konflikti mes muslimanëve dhe bizantinëve kishte një dimension detar, Muavije ibn Ebi Sufjani e kuptoi rëndësinë e ndërtimit të një flote islame për:
Mbrojtjen e bregdetit musliman.
Sulmin ndaj ishujve bizantinë pranë brigjeve të Shamit.
Mbrojtjen e territoreve të hapura nga muslimanët.
Sigurimin e vazhdimësisë së tregtisë me vendet mesdhetare, pasi Mesdheu ende kontrollohej nga bizantinët.
Muavija i kërkoi kalifit Omer ibn Hattabit leje për të lundruar dhe për të pushtuar ishujt pranë Shamit, por Omeri nuk e miratoi kërkesën, pasi e konsideronte detin një rrezik për muslimanët. Në vend të kësaj, ai urdhëroi përforcimin e kalave bregdetare dhe vendosjen e rojeve për të mbrojtur vendbanimet muslimane nga sulmet bizantine.
Në fund të periudhës së Omerit dhe në fillim të kalifatit të Osmanit, bizantinët rifituan disa qytete bregdetare, duke përfshirë Aleksandrinë. Kjo bëri që Muavija të insistonte në krijimin e një flote detare për t’u mbrojtur nga kërcënimi bizantin dhe për të pushtuar ishujt strategjikë, duke e përdorur këtë si një bazë për të sulmuar Kostandinopojën, synimin kryesor të muslimanëve. Ai arriti të bindte Osmanin të miratonte këtë plan, me kusht që ai vetë të udhëtonte me familjen e tij për të provuar sigurinë e lundrimit dhe të mos detyronte askënd të merrte pjesë në ekspeditë kundër dëshirës së tij.
Pas marrjes së miratimit të kalifit, Muavija nisi riparimin e anijeve të kapura nga bizantinët dhe i përqendroi ato në portin e Akës, të cilin e forcoi, bashkë me portin e Tiros. Ai gjithashtu i urdhëroi banorët e bregdetit të përgatiteshin për pushtimin e Qipros, që u zgjodh si objektiv strategjik për shkak të pozicionit të saj të favorshëm për sulme kundra Kostandinopojës.
Në vitin 28 hixhri (649 e.s.), Muavija udhëhoqi fushatën e parë kundër Qipros, me një flotë prej 120 anijesh nën komandën e Abdullah ibn Kajsit. Në këtë ekspeditë morën pjesë edhe sahabë të njohur, si Ebu Dherr el-Ghifari, Ubadah ibn es-Samit me gruan e tij Umm Hiram, el-Mikdad ibn el-Esved dhe të tjerë.
Gjatë rrugës për në Qipro, muslimanët kapën disa anije bizantine që transportonin dhurata nga mbreti i Qipros për perandorin Konstans II. Pasi zbarkuan në ishull, trupat muslimane sulmuan qytetet e tij dhe kapën robër të shumtë. Përballë mungesës së aftësisë për të rezistuar, mbreti i Qipros kërkoi paqe. Kushtet e vendosura nga Muavija ishin:
Banorët e ishullit të paguanin xhizjen prej 7,000 dinarësh, të njëjtën shumë që u paguanin bizantinëve.
Muslimanët të mos sulmonin ishullin dhe të mos ndërhynin në konfliktet e brendshme të tij.
Banorët e Qipros të informonin muslimanët për çdo lëvizje armiqësore të bizantinëve.
Muslimanët të caktonin një guvernator nga banorët vendas për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes.
Megjithatë, këto kushte ishin relativisht të buta, pasi Muavija e konsideronte fushatën e parë thjesht një ekspeditë eksploruese për të testuar aftësitë e flotës muslimane.
Në vitin 32 hixhri (653 e.s.), banorët e Qipros ndihmuan bizantinët në luftën kundër muslimanëve, duke u dhënë atyre anije dhe burime. Kjo e shtyu Muavian të nisë një fushatë të dytë në vitin 33 hixhri (654 e.s.), ku pushtoi ishullin me forcë dhe mori robër. Pas kësaj, ai vendosi që në ishull të dërgonte muslimanë, duke dërguar 12,000 muslimanë nga regjistrat ushtarakë dhe duke ndërtuar xhami. Ai gjithashtu transferoi një grup njerëzish nga Baalbeku dhe themeloi një qytet të ri në ishull, ku muslimanët vazhduan të merrnin paga deri në vdekjen e Muavijes.
Çlirimi i Qipros në kohën e Memalikëve
Kështu pra Muavija ibn Ebi Sufjani arriti në ishull duke e bërë atë një provincë të nënshtuar ndaj muslimanëve dhe duke i detyruar banorët të paguanin xhizjen çdo vit. Ky status vazhdoi për një periudhë të gjatë, deri kur dobësimi i muslimanëve i nxiti të krishterët evropianë të përfitonin nga situata. Ata filluan të organizonin ekspedita të njëpasnjëshme ushtarake kundër vendeve islame, duke përfshirë edhe pushtimin e Qipros.
Me pozitën e saj strategjike në lindje të Mesdheut, Qiproja mbeti gjatë kryqëzatave një bazë nga ku kryqtarët sulmonin territoret islame. Sundimtarët e ishullit ishin ndër mbështetësit më të flaktë të luftërave kundër muslimanëve dhe vazhdimisht kërkonin nga mbretërit evropianë të dërgonin ushtri për të shkatërruar botën islame.
Në vitin 769 hixhri (1367 e.s.), mbreti i Qipros udhëhoqi një ekspeditë kryqtare drejt Aleksandrisë, duke e sulmuar qytetin papritur dhe duke arritur të hynte në të. Ai masakroi banorët muslimanë, dogji e plaçkiti qytetin dhe u kthye në Qipro me pasuri të shumta të grabitura.
Memalikët e Egjiptit priten rastin për t’u hakmarrë dhe për të eliminuar këtë kërcënim nga ishulli. Në kohën e sulltanit të memalikëve Eshref Barsbaj (825-841 hixhri / 1422-1438 e.s.), u vendos të ndërmerrej një fushatë për pushtimin e Qipros. Ai nisi përgatitjet duke ndërtuar anije dhe mobilizuar një ushtri, dhe ndërmori tri ekspedita të njëpasnjëshme në tre vite rresht, të gjitha në muajin Ramazan, duke filluar nga viti 827 hixhri.
Dy ekspeditat e para ishin eksploruese, duke i ndihmuar muslimanët të kuptonin topografinë e ishullit dhe fuqinë e sundimtarëve të tij. Ato u shoqëruan me fitore, si dhe me plaçka dhe robër të shumtë.
Fushata e tretë u ndërmor në Ramazan të vitit 829 hixhri (1426 e.s.). Ajo u udhëhoq nga katër prijës të memalikëve dhe përfshiu një numër të madh anijesh dhe mijëra luftëtarësh. Madje, shumë luftëtarë të tjerë mbetën prapa për mungesë vendi në anije, gjë që i trishtoi shumë.
Historiani bashkëkohës Ibn Tagri Birdi përshkruan entuziazmin e madh për këtë luftë: “Njerëzit u dyndën tek shkruesit e memalikëve për të kërkuar të regjistroheshin në radhët e luftëtarëve. Madje, disa u nisën pa leje nga sulltani. Mund ta dalloje një luftëtar nga gëzimi që i reflektohej në fytyrë, ndërsa ata që nuk mund të shkonin ndiheshin të dëshpëruar. Nuk e kam parë një përkushtim të tillë në asnjë fushatë tjetër para apo pas kësaj.”
Ditën e nisjes së ushtrisë, turma të mëdha njerëzish u mblodhën për t’i përcjellë luftëtarët, duke u lutur për fitoren e tyre. Anijet muslimane arritën në Qipro, dhe luftëtarët zbarkuan, duke çliruar qytete dhe fshatra, gjithçka gjatë muajit të bekuar të Ramazanit. Të krishterët e ishullit kërkuan ndihmë nga mbretërit evropianë, të cilët u dërguan përforcime. Dy ushtritë u përballën në një betejë të madhe, ku muslimanët, megjithëse më pak në numër, luftuan me vendosmëri. Në fund, Allahu i dhuroi fitoren muslimanëve, dhe mbreti i Qipros, Janusi, u kap rob.
Muslimanët i ndoqën të krishterët në arrati, duke vrarë dhe zënë robër të shumtë. Kryeqyteti i ishullit u pushtua dhe pas tij edhe pjesa tjetër e Qipros. Pas përfundimit të luftës, luftëtarët muslimanë qëndruan në ishull për shtatë ditë, duke falur namaz, duke thirrur ezanin dhe duke falënderuar Allahun për këtë fitore madhështore, e cila nuk kishte ndodhur që nga koha e Muavijes.
Muslimanët u kthyen në Egjipt me robër të shumtë, në krye të të cilëve ishte mbreti Janus. Kur sulltani mori lajmin, ai shpërtheu në lot gëzimi, duke falënderuar Allahun, dhe e gjithë popullsia festoi këtë fitore të madhe. Poetët e kohës e përshkruan këtë triumf me vargje, ku thuhej:
“Urime, o mbret i madh, për fitoren në Qipro me shpatën e ndritur!
Në muajin e agjërimit ndodhi kjo fitore,
Në një moment të shenjtë, gjatë një kohe të shenjtë, për një qëllim të shenjtë.”
Kështu, myslimanët fituan një triumf të madh në këtë muaj të bekuar, pasi luftuan me sinqeritet dhe kërkuan ndihmën e Allahut. Pavarësisht numrit të tyre të vogël përballë një armiku të shumtë, ata u mbështetën te besimi dhe u shpërblyen me një fitore historike.
Burimi: dawa.center
Përktheu: Elton Harxhi