Siguria e plotë te Allahu kur çdo derë mbyllet dhe çdo shkak shuhet

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Profeti Muhamed (a.s) u nis nga Meka drejt Medinës si emigrant, i shoqëruar vetëm nga shoku i tij i ngushtë, Ebu Bekri, dhe një udhërrëfyes pagan që i orientonte në rrugë. Profeti kishte marrë të gjitha masat për të fshehur lëvizjet e tij nga kurejshitët, të cilët kishin vënë një shpërblim të madh për këdo që i sillte ata të gjallë apo të vdekur.

Një nga hapat që ndërmori për t’i shmangur ishte fshehja në një shpellë të quajtur “Theur”, pranë Mekës, në drejtim të kundërt nga Medina. Qëllimi ishte të qëndronin disa ditë derisa të zbehej kërkimi. Por idhujtarët arritën deri te hyrja e shpellës. Atëherë, Ebu Bekri i tha të Dërguarit: “O i Dërguar i Allahut, nëse ndonjëri prej tyre hedh sytë poshtë, do të na shohë!” Ai (a.s) u përgjigj me qetësi: “O Ebu Bekër, ç’të duket për dy njerëz, kur i treti i tyre është Allahu? Mos u mërzit, Allahu është me ne.”

Ishte kjo shoqëri hyjnore që i shpëtoi ata nga kthetrat e armiqve. Vetë Kurani e përmendi këtë ngjarje si një fitore: “Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Profetin), Allahu tashmë e ka ndihmuar, kur e dëbuan ata që nuk besuan – i dyti nga të dy – kur ishin në shpellë, dhe ai i tha shokut të tij: “Mos u trishto, Allahu është me ne.’ Atëherë Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi të, e përforcoi me ushtri që ju nuk i patë…”[1]

Rasti  dytë që dëshmon për sigurinë e plotë tek Allahu ndodhi kur ata dolën nga shpella dhe u ndoqën nga një kalorës i njohur, Surake ibn Malik, që kishte dëgjuar për shpërblimin që kurejshët kishin vendosur. Në kokën e tij shfaqeshin pamjet e 200 deveve të kuqe, shpërblimi për kapjen e Profetit (a.s) dhe shokut të tij. Por Profeti (a.s), me gjithë mungesën e çdo mjeti mbrojtjeje, i ngriti duart drejt Zotit dhe tha: “O Allah, na mjafto kundër Surakes.” Menjëherë, kali i Surakes u fundos në rërë dhe ai u drodh. Profeti (a.s) iu drejtua atij me siguri e besim të plotë: “O Surake, si do të jetë halli yt kur do të veshësh byzylykët e Kisras?” Surake, i habitur, tha: “Kisra, biri i Hurmuzit?” – “Po,” i tha Profeti. Dhe kjo ndodhi më vonë, kur myslimanët fituan mbi Persinë dhe byzylykët e mbretit u sollën vërtet në dorën e Surakes.

Në Betejën e Bedrit, ku ushtria e Mekës ishte trefish më e madhe dhe më e pajisur se myslimanët, Allahu e ndihmoi Profetin (a.s) dhe shokët e tij: “Vërtet, Allahu ju ndihmoi në Bedër, kur ishit të paktë e të dobët…”[2]. Profeti, me bindje të thellë, u tregonte shokëve vendet e vdekjes së armiqve para betejës. Dhe sipas transmetimit të Enesit, asnjëri prej tyre nuk u largua nga vendi që tregoi Profeti (a.s).

Në Betejën e Hendekut (Ahzabit), kur Mekasit, Gatafanët dhe të tjerë u bashkuan kundër myslimanëve në një ushtri prej 10.000 vetash, dhe situata për myslimanët ishte jashtëzakonisht e vështirë, munafikët dhe frikacakët përhapnin dyshime e panik. Por myslimanët e sinqertë e forcuan edhe më shumë besimin e tyre, ashtu sikurse tregon Allahu i Madhëruar: “…dhe thanë: ‘Ky është premtimi i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij. Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë thënë të vërtetën.’ Kjo (ngjarje) vetëm sa ua shtoi atyre besimin dhe dorëzimin.”[3]

Në këtë atmosferë të rënduar, kur hendeku po hapej, para Profetit (a.s) doli një shkëmb që nuk thyhej me mjetet e zakonshme. Ai mori kazmën, tha “Bismilah”, e goditi dhe tha: “Allahu është më i madh! M’u dhanë çelësat e Shamit. Vallahi, unë i shoh pallatet e kuqe të Damaskut nga ky vend.” Pastaj e goditi përsëri: “Allahu është më i madh! M’u dhanë çelësat e Persisë. Vallahi, unë po shoh kryeqytetin e saj dhe pallatin e bardhë.” Pastaj e goditi sërish: “Allahu është më i madh! M’u dhanë çelësat e Jemenit. Vallahi, po i shoh portat e Sanasë nga ky vend.”

Vërtet, ndihma e Allahut është afër. Shenjat e saj janë dukshëm të pranishme. Por fitorja kërkon durim. Ajo vjen me vështirësinë dhe pas sakrificës. Ata e shohin të largët, por ne e shohim pranë. Ne besojmë se Allahu do të na dhurojë ndihmën e Tij dhe do të thyejë armiqtë me fuqinë e Vet.

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ata kurdisën plane, por Ne gjithashtu planifikuam, pa e kuptuar ata. Shih si ishte fundi i kurdisjeve të tyre: Ne i shkatërruam ata dhe popullin e tyre tërësisht. Ja, shtëpitë e tyre të rrënuara për shkak të padrejtësisë së tyre. Vërtet, në këtë ka një mësim për një popull që kupton. Dhe Ne i shpëtuam ata që besuan dhe ishin të devotshëm.”[4]

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Teube: 40.

[2] – Sure Ali Imran: 123

[3] – Sure Ahzab: 22.

[4] – Sure Neml: 50 – 53.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *