Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Me emrin e Allahut, lavdërimi i takon Allahut, dhe paqja e bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij (a.s)

Të dashurit e mi në Allah…

Sot duam ta mbushim zemrën me karburantin e imanit: që është mëshira. Kur mëshira i zbret robit, ai gjallërohet në rrugën e drejtë, shpejton në hapa dhe ka ambicie të lartë.

Prandaj, o ti që ankohesh për të metat e tua, për ashpërsinë e zemrës dhe që dëshiron që Allahu të të shpëtojë prej tyre, dëgjo fjalën e Zotit tënd: “Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, askush prej jush kurrë nuk do të pastrohej, por Allahu e pastron atë që do. Allahu është Dëgjues, i Dijshëm.”[1]

O Zot, na pastro dhe jepu shpirtrave tanë devotshmërinë e tyre, Ti je më i miri që i pastron ata.

O ti që thua: “Djalli më pushton, më mposht dhe më mund, nuk e di si të shpëtoj prej tij”. Zoti yt ka thënë: “Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, do ta kishit ndjekur shejtanin, përveç një pakice.”[2]

O ti që thua: “Koha është e mbushur me sprova dhe gjithçka përreth më largon nga Zoti im”. Betohem në Allah, nëse mëshira të zbret, ajo do të të pengojë nga rruga e humbjes. Allahu thotë: “Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj teje dhe mëshira e Tij, një grup prej tyre do të kishte dashur të të largonte nga e vërteta.”[3]

O ti që nuk kupton pse po të ndodhin të gjitha këto, jeton në huti dhe do të pendohesh por nuk gjen udhëzim për këtë, betohem se po të derdhë Allahu mbi ty nga mëshira e Tij, do të largohen të gjitha këto probleme. A nuk ka thënë Allahu: “Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, dhe se Allahu është Pranues i pendimit dhe i Urtë.”[4]

O ti që ke bërë gjynah dhe frikësohesh nga ndëshkimi i Allahut, dije se nuk do të shpëtosh prej tij veçse me një valë mëshire nga Allahu. A nuk ka thënë Ai: “Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij në këtë botë dhe në botën tjetër, do t’ju kishte prekur një dënim i madh për atë që u përfshitë.”[5]

Pra, le t’i shikojmë këto ajete në dritën e kësaj teme, ashtu siç kemi vendosur të kuptojmë një ajet me të cilin zhbllokojmë kyçet e zemrave tona. Allahu i Lartësuar thotë: “I Gjithëmëshirshmi mësoi Kuranin. E krijoi njeriun. Ia mësoi atij të shprehurit.”[6]

Krijimi dhe mësimi janë nga shenjat e mëshirës së Allahut. Po të shikosh çdo ajet në këtë sure, do ta gjesh të lidhur me mëshirën. I gjithë krijimi ka nevojë për këtë mëshirë. “Atëherë, cilat nga të mirat e Zotit tuaj i mohoni?” Çdo mirësi që ke është gjurmë e mëshirës së Tij, dhe çdo begati që kërkon nuk do të arrihet veçse me mëshirën e Tij. As në Xhenet nuk hyn veçse me mëshirë, sepse Xheneti është vendi i mëshirës.

Prandaj shiko fundin e sures: “I bekuar qoftë emri i Zotit tënd, Zotit të madhërisë dhe bujarisë.”[7]

Emri që është bekuar është ai me të cilin u hap surja dhe të gjitha bekimet burojnë prej Tij.

Detyrat tona praktike:

1 – Lexoni suren Rahman me një ndjenjë të re, kërkoni shenjat e mëshirës së Allahut dhe lutuni që ajo të zbresë në çdo ajet. Kush mundet, le ta mësojë përmendësh dhe le të falet me të sonte, duke bërë lutje të gjata në sexhde e në kohën e syfyrit duke kërkuar mëshirën e Zotit.

Nga lutjet e Profetit (a.s) “O Allah, unë të kërkoj nga mirësia dhe mëshira Jote, sepse askush tjetër nuk i zotëron ato veçse Ti.”[8]

2 – Thirrja e mëshirës me vepra: Dëgjoje Kuranin me përqendrim qoftë edhe për 15 minuta: “Kur të lexohet Kurani, dëgjojeni atë dhe heshtni, që të mëshiroheni.”[9] Lexo pjesën tënde të Kuranit sot me qëllimin e zbritjes së mëshirës: “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët…”[10]

Qëndro në xhami, qoftë edhe mes akshamit e jacisë: “Melaiket luten për njërin prej jush përderisa ai është në vendin e tij të faljes, përderisa nuk e prish abdesin ose nuk largohet: ‘O Allah, fale! O Allah, mëshiroje!”[11]

Vizito një të sëmurë: “Kush viziton vëllain e tij mysliman, ecën nëpër kopshtet e xhenetit derisa të ulet, dhe kur ulet e mbulon mëshira. Nëse është në mëngjes, shtatëdhjetë mijë engjëj bëjnë lutje për të deri në mbrëmje; dhe nëse është në mbrëmje, shtatëdhjetë mijë engjëj bëjnë lutje për të deri në mëngjes.”[12]

O Allah, na çliro nga vështirësitë tona dhe na zbrit mëshirë prej Teje, që të na mjaftojë nga çdo mëshirë tjetër përveç Tënde.

Kur Profeti (a.s) e shqetësonte diçka, thoshte: “O i Gjalli, o i Përhershmi! Me mëshirën Tënde kërkoj ndihmë.”[13]

O Allah, të kërkojmë gjërat që e bëjnë të domosdoshme mëshirën Tënde dhe vendosmërinë për faljen Tënde.

Autor: Hani Hilmi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Nur: 21.

[2] – Sure Nisa: 83.

[3] – Sure Nisa: 113.

[4] – Sure Nur: 10.

[5] – Sure Nur: 14.

[6] – Sure Rahman: 1 – 4.

[7] – Sure Rahman: 78.

[8] – Tabaraniu. Hadithi është Sahih.

[9] – Sure A’raf: 204.

[10] – Sure Isra: 82.

[11] – Ebu Daudi, Nesaiu dhe Ahmedi. Hadithi është Sahih.

[12] – Ibn Maxheh dhe Hakimi. Hadithi është Sahih.

[13] – Tirmidhiu. Hadithi është Sahih.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *