Stambolli, një emërtim i lashtë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Autor: Behar Kaçeli

Stambolli, qyteti që njohu shumë emra që nga themelimi i tij, në fillim Bizantin, më pas Augusta Antonina, Nova Roma dhe Kostandinopojë. Nga antikiteti i vonë e më pas njohu edhe emrat si: Basilevousa, Megalopolis, Eptalofos, Anthousa, etj. Të gjithë këto emërtime është e qartë se kanë ardhur si pasojë e sundimeve dhe perandorive të ndryshme. Emri zyrtar që ai mban sot është Istanbul (Stamboll), ajo që është interesante është fakti se gjatë sundimit osman qyteti zyrtarisht është emëruar si Kostantinije (Kostandinopojë) dhe jo Istanbul, si për ironi të fatit Turqia laike e Ataturkut është ajo që me një vendim të 28 marsit 1930 e emëroi zyrtarisht “Istanbul” dhe si i tillë njihet edhe sot.

Por nga ka ardhur ky emër, cila është etimiologjia e fjalës Istanbul?

Etimiologjia e fjalës nuk është e njohur mirë, por indicet e saj na çojnë shumë larg. Më e pranuara është se vjen nga fjalët greke (İs-tin-Poli / në qytet). Po ashtu merret në konsideratë se banorët e saj grekë e quanin Polis(qyteti) dhe që më vonë kjo fjalë gjeti përdorim edhe nga jogrekët. Po ashtu edhe hipoteza tjetër se vjen nga fjala Islam-pol (qyteti i islamit) duhet të merret në konsideratë, por faktet dhe të dhenat historike na çojnë me herët se Stambolli të ishte kryeqytet i islamit.

Përdorimi i fjalës Istanbol me variacionet e tij si: “Istinpol/Istinmpol/Istanpol/Istambol” hasen jo vetëm në kohën selxhuke e gjatë periudhës së hershme Osmane, por edhe më herët. Për këtë na vijnë në ndihmë dijetarët e hershëm musliman me veprat e tyre. Historiani dhe dijetari i njohur islam El-Mes’udi (896-956) në librin e tij “Et-tenbih vel-ishraf” kur flet për perandorët e krishterë romako-bizantin, thotë se bizantinët e emërojnë Kostandinopojën si Polin dhe kur duan ta shfaqin atë si qendër apo qytet i fronit perandorak, për ta madhështuar e emërojnë si Isten-Polin.[1] Në të njëjtin libër, Mes’udi kur flet për Kostandinopojën e emëron edhe si Buzantia.[2] Eruditi i mesjetës islame El-Kasvini (1202-1283) në veprën e tij “Atharu’l-Bilad” kur flet për Nikean thotë se është nën adminsitrimin e Stambollit, pra bie në sy mos përdorimi i emrit Kostandinopojë si kryqendër perandorake.

Ibn Es-Sai në librin e tij “El-xhami el-muhtesar”, kur flet për pushtimin e Kostandinopojës nga kryqëzata e IV, “frenkët” siç i quan ai, e emërton atë si Istanbul.[3] Dijetari i njohur Shemsudin el-Ensari (1256-1327), biolog dhe gjeograf i njohur i mesjetës islame, në librin e tij “Nuhbetu’t-Dehr”, e ka përmendur disa herë emrin Istanbul, ndërsa në kapitullin kur flet për Bizantin, romakët, kristianizimin e tyre dhe Kostandinopojën e thekson se rumët (bizantinët) e emërtojnë Kostandinopojën si Istanbul.[4] Ndërsa dijetari i njohur enciklopedik El-Kalkashendi (v. 1418), që ka shërbyer edhe si sekretar i sulltanëve Memlukë të Egjiptit, në kryeveprën e tij “Subhu’l-E’sha” kur flet për letërkëmbimin ndërmjet Sulltanit të Kairos dhe Perandorit Bizantin, në një letër të Perandorit drejtuar Sulltanit, vetë perandori përdor emrin Istanbul, dhe ky letërkëmbim dihet që ka ndodhur përpara marrjes së Kostandinopojës nga Osmanët.[5] Edhe gjeografi i njohur Ebu’l-Fida (v. 1432) në veprën e tij gjeografike “Takvim el-Buldan”, në pasazhin kur flet për detin Mesdhe përdor emrin Istanbul dhe jo Kostandinopojë.

Nga të gjitha sa thamë më lart, mund të themi se trashëgimnia islame është ajo që e ka ruajtur dhe e ka sjellë deri te ne emrin Istanbul (Stanboll). Prej vitit 1453, Stambolli ka qenë një nga qendrat e mëdha politiko-kulturore të qytetërimit islam.

[1] El-Mes’udi, Et-tenbih vel-ishraf, f. 138-139.

[2] El-Mes’udi, po aty, f. 136, 138, 146, 159.

[3] Ibn Es-Sai, El-Xhami el-Muhtesar, s. 140.

[4] Shemsudin el-Ensari, Nuhbetu’d-Dehr, f. 259.

[5] El-Kalkashendi, Subhu’l-E’asha, V. 8, f. 122.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.