Duke qenë se metodologjia e Kuranit është gjithëpërfshirëse dhe e gjithanshme ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “Ne ta zbritëm Ty Librin, si shpjegim për çdo çështje”[1], po ashtu edhe metedologjia e Sunetit është gjithëpërfshirëse dhe e gjithanshme, sepse Suneti shpjegon Kuranin.
Suneti i Profetit (a.s) është gjithëpërfshirës sepse ai përfshin të gjitha sferat e jetës së njeriut, për nga gjatësia, gjerësia dhe thellësia.
Me gjatësinë e tij, kam për qëllim dimensionin e kohës dhe atë vertikal, që përfshin jetën e njeriut, që nga lindja deri në vdekje. Madje qysh kur njeriu është embrion në barkun e nënës e deri pas vdekjes.
Me gjerësinë e tij, kam për qëllim dimensionin horizontal që përfshin të gjitha lëmitë e jetës, në mënyrë të atillë që udhëzimi profetik të depërtojë në shtëpi, treg, xhami, rrugë, punë, në raportet me Allahun, me vetveten, familjen, me të tjerët – muslimanët dhe jomuslimanët – , madje edhe me kafshët e sendet.
Me thellësi, kam për qëllim dimensionin e tij në thellësitë e jetës njerëzore. Suneti përfshin trupin, mendjen dhe shpirtin, të jashtmen dhe të brendshmen, fjalën, punën dhe nijetin.
Ajo që të vjen keq është fakti se disa muslimanë e përkufizojnë njohjen e Sunetit vetëm tek zgjatja e mjekrës, shkurtimi i pantallonave dhe përdorimi i misvakut duke qenë totalisht indiferentë në gjithpërfshirjen e metodologjisë profetike, të cilën çdo njeri e merr atë si model, pa marrë parasysh se është i ri apo i vjetër, beqar apo i martuar, paqësor apo luftëtar, i pasur apo i varfër, gjykatës apo i dënuar… e kështu me rradhë.
Autor: Dr Jusuf Kardavi
Përshtatja në shqip: Elton Harxhi
[1] – Sure Nahl: 89.