Suneti është burimi i dytë i Islamit nga ku nxirren ligjet dhe jepen direktivat. Juristi referohet tek Suneti për të përpiluar dipozitat fetare. Ashtu sikurse edhe thirrësi dhe edukatori referohen tek ai për të zbuluar nocione me karakter frymëzues, vlera me karakter orientues, urtësitë e mahnitshme, mënyrat me karakter motivues për të bërë punë të mira dhe mënyrat me karakter druajtje për t’u larguar nga të këqijat.
Me qëllim që Suneti ta luajë këtë rol, si fillim duhet të bindemi për autencitetin e tij të përcjellur nga Profeti (a.s). Që një hadith të jetë i saktë duhet të jetë “Sahih” apo “Hasen”[1], ashtu sikurse thuhet në shkencën e hadithit. Hadithi “Sahih” është ekuivalent me “ekselent” apo “shkëlqyeshëm” sipas vlerësimit që bëhet në univeristet. Kurse Hadithi “Hasen” është ekuivalent me “mirë” apo “pranueshëm”sipas vlerësimit që bëhet në universitet. Për këtë arsye, grada më e lartë e hadithit “Hasen” konsiderohet më pranë hadithit “Sahih” ashtu sikurse grada më e ulët e hadithit “Hasen” konsiderohet më pranë hadithit “Daif”[2]
Hadith “Sahih” konsiderohet ai hadith që transmetohet me varg të pandërprerë, nga transmetues të drejtë e të përpiktë nga fillimi i vargut deri në fund të tij, duke qenë varg i ruajtur nga kundërshtitë mes transmetuesve dhe duke mos pasur shkaqe të fshehta dobësie.
Kështu që hadithi i transmetuar nga një transmetues i panjohur, gjendja e tij nuk njihet, dyshohet në drejtësinë ose përpikmërinë e tij, në vargun e tij ka ndërprerje, kur një transmetues transmeton të kundërtën e asaj që ka transmetuar një transmetues më i besuar se ai, apo hadithi që ka shkaqe të fshehta në vargun apo tekstin e tij, nuk merret për bazë dhe është i papranueshëm.
Dhe mos të mendojë askush që nuk ka njohuri rreth dijes dhe dijetarëve se dijetarët e Umetit kanë pranuar çdokënd i cili është shfaqur dhe ka thënë: Unë po përcjell nga filani, ai nga filani e ky nga Profeti (a.s), e ata t’i kenë thënë: Bravo! Të vërtetën ke thënë dhe ne po pranojmë prej teje këtë. Përkundrazi, çdokush që vjen me një hadith, patjetër ata do të pyesin rreth tij: Nga cili kuvend dije ka dalë? Kush janë mësuesit e tij? Kush janë shokët e tij me të cilët ka mësuar? Kush janë nxënësit e tij që kanë mësuar prej tij? Cila është gjendja dhe sjellja e tij në syrin e mësuesve, shokëve dhe nxënësve të tij? A dëshmojnë ata për të se është i mirë dhe i devotshëm? A dëshmojnë për mësimin përmendësh dhe përpikmërinë e tij? Dhe a ka qenë vazhdimisht në këtë gjendje përgjatë gjithë jetës së tij, apo ka ndryshuar në fund të jetës? Kush prej nxënësve të tij ka nxënë kur ai ka qenë i moshuar? Kush ka nxënë prej tij përpara se memorizimi i tij të ndryshonte? E pyetje të tjera pa fund.
Hadithi “Hasen” është si hadithi “Sahih”, veçse grada e transmetuesve të tij në lidhje me mësimin përmendësh dhe përpikmërinë është më e ulët se grada e transmetuesve të hadithit “Sahih”.
Të gjithë dijetarët e Umetit kanë rënë dakord për këtë kusht – që hadithi “Sahih” dhe “Hasen” shërbejnë si argument për dispozitat praktike të sheriatit, të cilat janë shtylla e shkencës së “fikhut”, dispozitave sheriatike dhe baza e Hallallit dhe Haramit.
Megjithatë ata nuk bien dakord në lidhje me hadithet “Daife” që kanë lidhje me pozitën e punëve të mira apo të këqija, me “Dhikrin”, me spritualizmin, motivimin dhe frenimin, etj, të cilat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me legjislacionin. Disa prej dijetarëve të hershëm janë treguar tolerantë duke e lejuar përcjelljen e këtyre hadidheve, sepse përcjellja e tyre nuk konsiderohet problem.
Megjithatë kjo tolerancë nuk është absolute ashtu siç hamendsojnë disa njerëz. Sepse kjo tolerancë, ka lëminë dhe kushtet që duhet të plotësohen. Mirëpo shumica e njerëzve e kanë keqpërdorur atë duke u zhvendosur nga rruga e drejtë dhe duke e ndotur burimin e pastër të Islamit.
Librat e predikimeve, spirtualizmave dhe mistikëve janë të mbushura plot e përplot me këto lloj hadithesh. Madje kemi vënë re se shumë prej tyre nuk janë mjaftuar vetëm me përmendjen e haditheve të dobëta, por kanë cituar edhe hadithe që nuk kanë fare bazë, varg transmetimi, të shpikura e të gënjeshtra, kinse të thëna nga Profeti (a.s). Për hadithe të tilla, dijetarët na kanë paralajmëruar. Ata kanë shkruajtur libra të cilat na tregojnë qartë falsifitetin e tyre. Ata kanë rënë dakord se transmetimi i tyre konsiderohet haram, ose edhe nëse transmetohen duhet thënë se ato janë hadithe të gënjeshtërta dhe false me qëllim që mos të përhapen në mesin e njerëzve të thjeshtë.
Këto hadithe shumë të dobëta dhe munker[3] janë mjaft të përhapura edhe në shumë prej librave të tefsirit. Madje disa prej tyre janë pajtuar me citimin e ndonjë hadithi të shpikur – i cili është i njohur – në kapitullin e vlerës së sureve të Kuranit. Megjithatë imamllarët dhe hafidhët[4]e hadithit i kanë zbuluar defektet e tyre dhe i kanë sqaruar falsitetin e tyre. Kështu që nuk ka justifikim për atë që i përcjell ato dhe i mbush faqet e librit të tij me të tilla hadithe.
Megjithatë disa dijetarë si Zemahsheri, Thealebi, Bejdaui, Ismail Haki dhe të tjerë kanë insistuar që hadithet e gënjeshtërta të nënvizohen.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Hadithi që transmetohet me varg të pandërprerë, me transmetues të drejtë nga fillimi i vargut deri në fund – por ndonjëri prej tyre nuk ka përpikmërinë e duhur – nuk ka mospërputhje mes transmetuesve dhe nuk ka shkaqe dobësie të fshehta. Shih: “Njohuri themolore të shkencës së Hadithit” i Rushit Musallarit,fq: 74.
[2] – Hadithi që nuk plotëson një nga kushtet bazë të hadithit sahih dhe hadithit hasen.” Shih: “Njohuri themelore të shkencës së hadithit” i Rushit Musallarit, fq: 83.
[3] – Hadithi ku një transmetues i dobët transmeton të njëjtin hadith në kundërshtim me formën që e transmeton një apo disa të besueshëm. Shih: “Njohuri themlore të shkencës së hadithit” i Rushit Musallarit, fq: 123.
[4] – Është një gradë e lartë te dijetarët e hadithit… Ky term ju jepet atyre që kanë kujtesë të fortë dhe e kuptojnë mirë hadithin. Hafidhi I hadithit e ka mësuar atë me varg dhe me tekst, është argument për gjykimet juridike që jep, njeh shumë mirë gjeneratat e transmetuesve të hadithit, di shkaqet e dobësisë së hadithit, hadithet që di janë më shumë se sa ato që nuk i di. Ai duhet të dijë rreth 100 mijë hadithe. Shih: “Njohuri themelore të shkencës së hadithit” i Rushit Musallarit, fq: 350.



















