Të çliruarit nga Zjarri

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Synimi i gjithsekujt prej nesh (besimtarëve) në këtë botë është që Allahu të jetë i kënaqur me ne, e në botën tjetër të shpëtojmë nga Zjarri e të futemi në Xhenet. Ky duhet të jetë pikësynimi ynë kryesor, ashtu sikur Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në  Xhenet, ai ka fituar.”[1] Në botën tjetër, gjenden vetëm dy vende: ose Xheneti ose Xhehenemi, vend të tretë nuk ka. Prandaj dhe Allahu i Madhëruar thotë: Kush shmanget nga Xhehenemi, me patjetër ai do të hyjë në Xhenet. Le të meditojmë së bashku rreth fjalës së Allahut: “Kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenmit” Fjala arabe “zuhziha” e përmendur në këtë ajet kuranor nënkupton se shpëtimi nga zjarri i Xhehenemit nuk është çështje e thjeshtë, prej të cilës njeriu shmanget menjëherë, por pas disa dhe ndoshta shumë përpjekjesh.

Dijetarët kanë thënë se fjala “magfire” do të thotë fshirje e mëkateve, por jo e të gjitha mëkateve, sepse njeriu mund të ketë edhe gjynahe të tjera, të cilat mund të jenë shkak që ai të hyjë në Xhehenem. Kurse fjala “itkun” që në shqip përkthehet “çlirim” do të thotë se njeriu nuk do të hyjë fare në Xhehenem, megjithëse ka kryer mëkate. Një shenjë dalluese e personit të “çliruar” është se atij i mundësohet që të pendohet dhe të bëjë istigfar menjëherë pas një mëkati që ka kryer. Një person i tillë e bën vazhdimisht këtë gjë derisa të vijë dita që ai të takohet me Allahun e Madhëruar duke qenë në këtë gjendje. Në lidhje me banorët e Zjarrit dhe ata të Xhenetit, Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk janë të barabartë atë të Xhenetit dhe ata të Xhehenemit. Banuesit e Xhenetit janë ata fatbardhë, që ia kanë arritur qëllimit.”[2]

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Prej bujarisë dhe mëshirës së Zotit është muaji i Ramazanit, muaj të cilin Ai e ka bërë shkak që robërit e Tij të bindur të çlirohen dhe të shpëtojnë nga zjarri i Xhehenemit. Pikërisht në këtë muaj është rasti më i mirë i shmangies, shpëtimit dhe çlirimit nga zjarri i Xhehenemit. Ebu Hurejra (r.a) përcjell prej profetit (a.s) se ka thënë: “Në natën e parë të Ramazanit prangosen shejtanët dhe xhindet rebelë, mbyllen portat e Zjarrit dhe asnjëra prej tyre nuk hapet, hapen dyert e Xhenetit dhe asnjëra prej tyre nuk mbyllet. Një thirrës thërret: O ti që e do të  mirën afrohu (duke bërë vepra të mira)! Dhe o ti që e do  të keqen shmangu prej saj! Tek Allahu ka njerëz të cilët çlirohen prej Zjarrit. Dhe kjo ndodh për çdo natë.”[3] Ky hadith dhe hadithe të tjera të ngjashme dëshmojnë për vlerën dhe statusin e lartë që gëzon muaji i Ramazanit, sepsë për çdo natë të këtij muaji çlirohen nga zjarri i Xhehenemit sa e sa besimtarë e muslimanë. E gjitha kjo është prej bujarisë së madhe të Allahut të Madhëruar për robërit e Tij. Allahu i Madhëruar i fal robërit e Tij, i çliron nga zjarri i Xhehenemit dhe i ngre ata në pozitë të lartë. A ka lumturi dhe gëzim më të madh se kjo bujari hyjnore?!

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga Zjarri të cilin profeti (a.s) e ka përshkruar se: “Atë ditë do të sillet Xhehenemi i cili ka shtatëdhjetë mijë hallka (të zinxhirit) në secilën prej hallkave ka shtatëdhjetë mirë engjëj të cilët e tërheqin atë.”[4]

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga Xhehenemi, “i cili kur shfaqet që nga larg do t’ia dëgjojnë zemërimin dhe ulërimën.”[5]

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga vendosja “e prangave në qafat (e banorëve të tij), të cilat do t’u arrijnë deri në mjekër, e do të jenë si të mpirë.”[6]

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga “tërheqja e banorëve të Zjarrit me fytyra drejt tij (e atyre do t’u thuhet): Shijoni zjarrin e Xhehenemit.”[7]

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga Zjarri, nga i cili “kurdo që një popull do të hyjë në të, do të mallkojë të tjerët që kanë hyrë përpara. Dhe kur të tubohen të gjithë atje, atëherë i fundmi i tyre do t’u thotë të parëve: O Zoti ynë, këta na kanë sjellë humbje, prandaj jepu atyre një dënim të dyfishtë në zjarr. Allahu do t’u thotë: Për secilin nga ju do të ketë dënim të dyfishtë por ju nuk e dini.”[8]

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga Zjarri, “lëndë djegëse e të cilit janë gurët dhe njerëzit.”[9]

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga ndëshkimi i tij, i ruan dhe i mbron nga nxehtësia dhe flaka e tij përvëluese.

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga nxehtësia e zjarrit të Xhehenemit që është shtatëdhjetë herë më e fortë se nxehtësia e zjarrit në këtë botë.

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga Xhehenemi, vuajtjet e të cilit nuk mbarojnë ashtu sikur edhe ndëshkimet. Allahu i Madhëruar thotë: “Është e vërtetë, se ata që mohuan argumentet Tona do t’i hedhim në zjarr. Sa herë që do u digjen lëkurat e tyre, Ne ua ndërrojmë me lëkura të tjera që të shijojnë dënimin.”[10]

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga Zjarri i cili nuk qetësohet asnjëherë, që është shumë i thellë, e mbi kokat e banorëve të tij hidhet ujë i valuar, e që sa herë që ata (mosbesimtarët) përpiqen për të dalë prej tij nga vuajtjet e padurueshme kthehen me dhunë përsëri në të.

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga Xhehenemi, të cilin gjendet pema e Zekumit “që do të jetë ushqim për mëkatarët, si tunxh i shkrirë ajo do të vlojë në barkun e tye ashtu si vlon uji i nxehtë.”[11]

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga Xhehenemi, për banorët e të cilit “nuk do të kenë tjetër ushqim, përveç ferrave helmuese, të cilat as nuk do t’i mbajnë, as nuk do t’ua shuajnë urinë.”[12]

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga Xhehenemi “ku gjynahqarët do të qëndrojnë aty përherë në zjarr dhe do t’u jepet ujë i valuar, që ua copëton zorrët.”[13]

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga Xhehenemi, në të cilin “fytyrat e tyre (banorëve) janë porsi t’i kishte mbuluar ndonjë copë e errët e natës.”[14]

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga Xhehenemi, “rrobat e të cilit janë të qepura prej Zjarri.”[15]

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga Xhehenemi, në të cilin janë “përgatitur shtretër prej zjarri dhe sipër tyre do të ketë mbulesa zjarri.”[16]

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga ai prej të cilit banorët e tij kërkojnë ndihmë apo lehtësim, por kërkesat e tyre nuk pranohen. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ata që janë në Zjarr i thonë rojës së Xhehenemit: Luteni Zotin tuaj të na e lehtësojë dënimin , madje një ditë. Ata iu thonë: A nuk iu patën ardhur juve të dërguarit tuaj me argumente të qarta? Ata përgjigjen: Po. E pra (iu thotë roja): lutuni ju vetë, po lutja e jobesimtarëve është asgjë.”[17]

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga rojet e Tij “që janë të vrazhdë e të ashpër, të cilët nuk kundërshtojnë Urdhërimet që marrin prej Allahut, por zbatojnë atë që u është urdhëruar.”[18]

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga llojet e ndryshme e të përhershme të ndëshkimit të banorëve në Xhehenem.

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga dënimi i banorëve në Xhehenem që sa vjen dhe shtohet.[19]

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga Zjarri i madh, banorët e të cilit “as nuk do të vdesin dhe as nuk do të jetojnë aty.”[20]

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga Xhehenemi, të cilit kur Allahu i thotë: “A je mbushur? ai thotë: A ka ende”[21]

Çlirim nga Zjarri do të thotë se Allahu i shpëton dhe i mbron robërit e Tij nga Xhehenemi, banorët e të cilit privohen nga mirësitë dhe begatitë e Xhenetit.

Zoti ynë, largoje prej nesh ndëshkimin e Xhehenemit, sepse me të vërtetë ndëshkimi i tij është i përjetshëm e ai është vendbanim dhe vendstrehim i keq.  O Zoti ynë, na bëj prej atyre robërve të Tu, për të cilët muaji i Ramazanit është çlirim dhe shpëtim nga Zjarri i Xhehenemit. Amin.

Imam-hatib: Elton Harxhi.

[1] – Sure Ali Imran: 185.

[2] – Sure Hashr: 20.

[3] – Tirmidhiu. Hadithi është Sahih.

[4] – Muslimi.

[5] – Sure Furkan: 12.

[6] – Sure Jasin: 8.

[7] – Sure Kamer: 48.

[8] – Sure A’raf: 38.

[9] – Sure Bekare: 24.

[10] – Sure Nisa: 56.

[11] – Sure Duhan: 44-46.

[12] – Sure Gashije: 6-7.

[13] – Sure Muhamed: 15.

[14] – Sure Junus: 27.

[15] – Sure Haxh: 19.

[16] – Sure A’raf: 41.

[17] – Sure Gafir: 49-50.

[18] – Sure Tahrim: 6.

[19] – Sure Nebe’e: 30.

[20] – Sure A’la: 13.

[21] – Sure Kaf: 30.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.