Të drejtat politike të dhimmijinëve në shtetin islam

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Marrja e funksioneve publike, sipas këndvështrimit të sheriatit islam – ashtu siç e shohim ne – nuk është e drejtë e individit ndaj shtetit, por është një detyrë që shteti ia beson atij kur ai është i denjë për të, dhe një obligim që ai duhet ta kryejë kur i ngarkohet. Argumenti ynë për këtë është hadithi i saktë që e transmeton Muslimi nga Ebu Musa el Esh’arij (a.s), i cili ka thënë: “Hyra te Profeti (a.s) unë dhe dy burra nga kushërinjtë e mi. Njëri prej tyre tha: O i Dërguar i Allahut, na cakto në ndonjë detyrë nga ato që të ka ngarkuar Allahu. Edhe tjetri tha të njëjtën gjë. Profeti (a.s) tha: Pasha Allahun, ne nuk ia besojmë këtë detyrë askujt që e kërkon dhe as atij që shfaq dëshirë të madhe për të.”

Ky hadith tregon qartë se mbajtja e funksioneve publike nuk është e drejtë personale ndaj shtetit, sepse po të ishte e tillë, kërkesa për funksion apo për pushtet nuk do të ishte arsye për t’ia mohuar atë kërkuesit; pasi poseduesi i një të drejte nuk privohet prej saj vetëm pse e kërkon ose këmbëngul në të.

Disa funksione publike nuk u besohen dhimmijëve, sepse natyra e tyre kërkon që t’i mbajë vetëm një mysliman. Kështu, një nga kushtet për marrjen e tyre është që personit të cilit i ngarkohet një detyrë e tillë të jetë mysliman, siç është çështja e hilafetit dhe organizimit të punëve të luftës. Kjo sepse halifja, në thelb, është zëvendësim i Ligjvënësit (Profetit Muhamed) në ruajtjen e fesë dhe administrimin e jetës sipas saj; prandaj është e vetëkuptueshme që kreu i shtetit islam të jetë mysliman. Me këtë parim kanë vepruar myslimanët në të gjitha epokat.

Po ashtu, kushtëzimi i Islamit për organizimin e punëve të luftës, bëhet sepse xhihadi është detyrim që i takon myslimanit e jo dhimmijut; megjithëse dhimmijëve u lejohet të marrin pjesë së bashku me myslimanët në mbrojtjen e vendit islam dhe të kontribuojnë në këtë detyrë, siç do të sqarohet më vonë. Për këtë arsye, është e pranueshme që komandanti i ushtrisë të jetë mysliman.

Përjashtimi i dhimmijëve nga këto pak funksione nuk duhet të shkaktojë habi apo çudi, sepse – siç u tha – funksioni publik në sheriatin islam është detyrë e jo e drejtë. Shteti ka të drejtë të vendosë disa kushte të veçanta, që i sheh të domosdoshme, për ata që ngarkohen me funksione të caktuara. Për më tepër, këto pak funksione lidhen drejtpërdrejt me akiden islame ose mbështeten mbi të, ku elementi fetar është i theksuar; ndaj kufizimi i tyre vetëm për myslimanët është i arsyeshëm dhe i pranueshëm, sepse dhimmijët nuk marrin pjesë në çështjet e fesë dhe as në ato që burojnë nga akidja islame.

Përveç këtyre pak funksioneve që kërkojnë domosdoshmërisht Islamin, lejohet pjesëmarrja e dhimmijëve në bartjen e përgjegjësive shtetërore dhe në ushtrimin e funksioneve publike. Këtë e dëshmojnë Kurani dhe Suneti. Në Kuran, Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat! Mos merrni për miq të ngusht të tjerë përveç jush, të cilët nuk pushojnë së ju dëmtuari; ata dëshirojnë vështirësinë tuaj. Urrejtja ka dalë nga gojët e tyre, por ajo që fshehin zemrat e tyre është edhe më e madhe.”

Ky ajet u shpall për njerëz që kishin marrëveshje dhe garanci (dhimme) me të Dërguarin e Allahut (a.s). Ai nuk i ndaloi myslimanët në mënyrë absolute që t’i marrin ata si bashkëpunëtorë të afërt, por e kushtëzon ndalimin me kriteret e përmendura në ajet, pra ndalimi vlen për ata që shfaqin armiqësi ndaj myslimanëve. Nga kjo kuptohet se dhimmijët që nuk njihen si armiq ndaj shtetit islam mund të merren si bashkëpunëtorë të besuar, t’u besohen sekrete dhe të kërkohet mendimi i tyre në çështje të rëndësishme shtetërore. Rrjedhimisht, është edhe më e lejuar t’u besohen funksione publike që janë më të ulëta se posti i “bashkëpunëtorit intim” për nga rëndësia dhe ndikimi.

Edhe jeta e Profetit (a.s) e mbështet këtë qëndrim. Në librat e sirës përmendet se, pas Betejës së Bedrit, myslimanët zunë robër shtatëdhjetë prej idhujtarëve të Mekës. Disa prej tyre nuk kishin pasuri për të paguar shpërblimin e lirimit, prandaj Profeti (a.s) e caktoi shpërblimin e tyre që secili prej tyre të mësonte shkrim-leximin dhjetë fëmijëve të ensarëve, e më pas të lirohej. Ky rast tregon se Profeti (a.s) i angazhoi jo-myslimanët në një çështje nga çështjet e shtetit islam, konkretisht në arsimimin e disa qytetarëve myslimanë.

Po ashtu, në sire përmendet se kur Profeti (a.s) u nis drejt Mekës në vitin e gjashtë pas Hixhretit dhe arriti në vendin e quajtur Dhul-Hulejfe, ai dërgoi një njeri nga fisi Huza’a si informator për t’i sjellë lajme rreth Kurejshëve. Ky njeri ishte jobesimtar, megjithatë Profeti (a.s) ia besoi këtë detyrë të ndjeshme, ç’ka tregon se ai e konsideroi të besueshëm dhe u mbështet tek ai. Kjo dëshmon lejueshmërinë e ngarkimit të dhimmijëve me funksione publike, për sa kohë që ata janë kompetentë, të besueshëm dhe të ndershëm.

Pra, Kurani dhe Suneti tregojnë qartë se është e lejuar t’u besohen funksione publike dhimmijëve, kur ata janë të aftë dhe të besuar. Në të vërtetë, kjo përfaqëson kulmin e tolerancës islame ndaj atyre që dallojnë në fe, një nivel tolerance që vështirë se gjen shembull të ngjashëm, si në të kaluarën ashtu edhe në kohët moderne.

Në kuadër të kësaj tolerance fisnike islame, juristët e sheriatit islam kanë pohuar lejueshmërinë që dhimmijëve t’u besohet posti i drejtorisë së ekzekutivit. Ky post përcjell urdhrat e imamit, i zbaton ato dhe ekzekuton vendimet e tij; pozita e tij i ngjan, në njëfarë mase, rolit të ministrave në shtetet moderne, të cilët zbatojnë vendimet e qeverisë. Po ashtu, juristët kanë lejuar që dhimmijëve t’u besohen edhe funksione të tjera, si mbledhja e xhizjes dhe e haraçit.

Autor: Abdulkerim Zejdani

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *