Të kapur fort pas prushit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Sot do të flasim për pjesën e dytë të serialit të titulluar “Bëhu si sahabët” Në mësimin e kaluar folëm për brezin e sahabëve, atë brez madhështor, brez unik që realisht ka qenë si nishani që dallohet shumë qartë. Ata ishin ata të cilët i përzgjodhi Allahu për të qenë shokë të vulës së profetëve, profetit më të mirë Muhamedit (a.s.) Ata ishin përkrahësit më të mirë në çështjet e ftesës dhe ushtarët më të mirë në të gjitha fushat e jetës. Pas vdekjes së profetit (a.s.) e  mbartën mbi supet e tyre mesazhin hyjnor. Nuk pakësuan, nuk shtuan dhe as nuk ndryshuan asgjë. E ndriçuan sipërfaqen e Tokës me pishtarin e Islamit. Gjaku i tyre u derdh në çdo cep të botës, ngase ata i ftuan njerëzit që të adhuronin Allahun, duke mos kërkuar prej tyre asnjë shpërblim e as falenderim. Shpërblimin më të madh e kanë marrë nga Allahu i Lartësuar. E lusim Allahun e Lartësuar që edhe ne të jemi pasues të tyre dhe të gjithë së bashku të takohemi me ta dhe profetin (a.s.) në Xhenet.

Sot, do të parashtrojmë një pyetje, që duket shumë e çuditshme: A je ti sahab? Në terminologjinë e hadithit, kjo gjë është e pamundur, sepse sahab quhet ai burrë apo grua që jetojnë në një periudhë të caktuar kohe dhe që duhet të plotësojë disa kushte. Kjo periudhë kohore për të cilën po flasim ka kaluar dhe as që mund të kthehet, po ashtu edhe për kushtet për të cilat po flasim është e pamundur që tek ne të realizohen. Pra, në terminologjinë e hadithit, ne nuk konsiderohemi sahabë. Cilat janë kushtet për të qenë sahab?

Kushti i parë: Ta ketë parë Profetin (a.s.) apo të jetë takuar me të kur ai ka qenë gjallë. Që do të thotë se nëse ai nuk e shikon profetin (a.s.) edhe nëse jeton në të njëjtën kohë, ngase jeton në një vend tjetër, ai nuk konsiderohet sahab. Për shembull Nexhashiu (Allahu e mëshiroftë) nuk quhet sahab pavarësisht se ai ka jetuar në të njëjtën kohë që ka jetuar profeti (a.s.) Është e vërtetë që ai besoi në profetësinë e tij (a.s), por asnjëherë nuk e pa atë. Dijetarët e hadithit thonë: që sahab quhet ai njeri që është takuar me profetin (a.s.) sepse ky përkufizim përfshin edhe atë njeri që është takuar me profetin (a.s.) por që nuk e ka parë atë, për arsye se ka qenë një njeri me aftësi të kufizuara, apo i verbër, siç ishte Abdulla ibn umu Mektum. Ai është takuar me profetin (a.s.), por nuk e ka parë sepse ishte i verbër. Me shikimin nuk nënkuptojmë me e parë profetin (a.s.) në ëndër, por me e parë atë në realitet.

Kushti i Dytë: Të ketë besuar në profetësinë e profetit (a.s.) kur ai ishte gjallë. Nuk mund të quhet sahab, nëse ai për vite të tëra nuk ka besuar në profetësinë e profetit (a.s.) kur ai ka qenë gjallë, ndërsa ka besuar pasi ai (a.s.) vdiq. Ky nuk quhet sahab, por tabiin.

Kushti i Tretë: Të ketë vdekur besimtar. Që do të thotë se: ka besuar në profetësinë e profetit (a.s.) e ka parë atë, dhe i tillë ka vdekur.

Nëse këto tre kushte plotësohen tek një person, atëherë ai konsiderohet sahab. Numri i sahabëve ka qenë shumë i madh, më tepër se 114 000 sahabë. Ndërsa ne nuk quhemi sahabë, sepse nuk i plotësojmë kushtet e sipërpërmendura.

Pra, në përkufizimin e termit sahab, pyetjes që parashtruam më lart nuk mund t’i japim një përgjigje pozitive. Por çfarë nënkuptojmë me pyetjen: A je ti sahab? Duke qenë se ne nuk jemi sahabë, atëherë çfarë synojmë nga seriali i temave: Bëhu si sahabët! Qëllimi është që ti të jesh si sahabët në besim, në ide, në perceptimin e fesë, në ambiciet dhe synimet, në entuziasmin tënd për Islamin, në praktikimin dhe zbatimin e fesë. Qëllimi kryesor nga ky serial temash është që të arrijmë të kuptojmë shkaqet e vërteta që i bënë sahabët të jenë ata që qenë. Vlera e sahabëve nuk konsiston vetëm në faktin se ata jetuan në kohën që ka jetuar profeti (a.s.), sepse në kohën e profetit (a.s.) kanë jetuar edhe Ebu Xhehli, Ebu Lehebi, Uelid ibn Mugire, Ukbe ibn umu Muit dhe shumë idhujtarë të tjerë.

Realisht, vlera e sahabëve konsiston në zbatimin dhe praktimin e fesë me përpikmërinë më të plotë, ndjekja e rrugës së profetit pa lënë mangët asnjë detaj dhe dashuria e sinqertë dhe e pastër që kishin për fenë. Pra, qëllimi nga ky serial temash është që të jemi njerëz punëtorë. Nuk duhet të jetë synimi jonë, që të dëgjojmë dhe të kënaqemi me tregimet, por qëllimi kryesor është që të arrijmë atje ku kanë arritur këta kolosë, ose të paktën shumë afër tyre. Ky pra është qëllimi i serialit të temave: “Bëhu si sahabët”. Po ashtu ky është qëllimi nga pyetja e parashtruar: a je ti sahab?

Dikur një miku im më tha diçka të çuditshme, madje ajo gjë që më tha ishte shkak për përgatitjen e këtij seriali temash; sa herë që lexoj apo dëgjoj për historinë e sahabëve, bëhem pesimist dhe ndjej zhgënjim. Thashë: Subhanallah?! Kjo bie në kundërshtim me atë që duam. Ne e lexojmë  jetën e sahabëve dhe njerëzve të devotshëm, që të jemi më të zhdërvjellët, të zgjohemi nga përgjumja. Përse ndihesh i tillë? Ai tha: Sa herë që lexoj rreth sahabëve, kam parë se ata kanë bërë vepra të cilat ne e kemi të pamundur që t’i bëjmë, ata kanë qenë të palëkundur në besimin e tyre, kanë qenë mjaft të vendosur në faljen e namazeve, agjërimin, sakrificën. Veprat e tyre të mira nuk kanë njohur ndërprerje, ata kanë bërë vepra të mira ditën dhe natën, në verë dhe në dimër. Nuk ka dallim ndërmjet periudhës së fëmijërisë, rinisë dhe pleqërisë. I gjithë mundi i tyre ka qenë në rrugë të Allahut, të gjithë pasurinë e kanë shpenzuar në rrugë të Allahut, me pak fjalë mund të thuash që e gjithë jeta e tyre ka qenë për hir të Allahut. Kur lexoj të gjitha këto, ndjehem i dobët, larg rrugës së tyre, dhe si rrjedhojë ndihem shumë i rrënuar dhe mjaft pesimist. I thashë mikut tim: në parim, jam dakord me disa fjalë nga ato që the dhe me disa fjalë të tjera nuk jam dakord me ty. Është e vërtetë që sahabët janë një brez unik. Mjafton që në këtë kontekst të dëgjojmë thënien e Allahut në Kuran: “Muhaxhirët dhe ensarët e parë dhe ata të cilët i ndoqën ata duke bërë vepra të mira, Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Për ta Allahu ka përgatitur Xhenetet, poshtë të cilëve rrjedhin lumenj. Aty ata janë përgjithmonë. Me të vërtetë, kjo është fitorja më e madhe.” Nëse e vërejmë me kujdes këtë ajet kurnor, Allahu i Lartësuar, shprehjen: “duke bërë vepra të mira” nuk e ka përmendur për sahabët, ndërsa për ata që vijnë më pas ka thënë: “duke bërë vepra të mira” sepse një gjë e tillë nënkuptohet. Kjo tregon për pozitën e lartë që ata gëzojnë tek Allahu i Lartësuar, profeti dhe të gjithë besimtarët. Në këtë pikë, bie dakord me mikun tim, sepse ata arritën në këtë gradë të lartë. Por ajo që nuk jam dakord me mikun tim, është ndjenja e pesimizmit dhe zhgënjimit kur dëgjojmë këto tregime. Në vend që jemi pesimist dhe të zhgënjyer,ka diçka që është më e mirë që të dimë se si të jemi si ta?

Atëherë le të mendojmë së bashku: përderisa rruga të cilën e përshkruan sahabët dihet, sepse ajo është e përshkruar në Kuran dhe në traditën profetike. Prandaj njohja dhe përshkrimi i kësaj rruge na garanton që të jemi si ata. Si është e mundur kjo? Le të marrim një shembull: nëse të them: ec përgjatë kësaj rruge dhe mos u kthe as djathtas e as majtas dhe ti do shkosh në destinacionin e duhur. Nëse vepron siç të them atëherë ti ke për të arritur në destinacionin e duhur. Sahabët e përshkruan rrugën e drejtë duke mos u kthyer as majtas dhe as djathtas dhe realisht mbërritën aty ku duhej. Nëse edhe ti përshkruan rrugën që përshkruan ata, atëherë do të mbërrijmë aty ku duhet. Por problemi qëndron se ne kthehemi sa majtas e djathtas duke u larguar kështu nga rruga e drejtë. Ka raste kur ne kujtojmë se jemi më të zgjuar se sheriati. Realisht kështu na ndodh ngandonjëherë. Mundohemi që të zgjedhim rrugët më të shkurtra, por harrojmë se rruga më e shkurtër dhe më e shpejtë është rruga e drejtë. Allahu thotë në Kuran: “O Zot, na udhëzo në rrugën e drejtë” Këtë ajet e përsërisim të paktën 17 herë në ditë, kur falim pesë kohët e namazit. E gjitha kjo që ne të edukohemi me këtë frymë. Ndërsa në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “Kjo është rruga Ime e drejtë, përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera që t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, që të ruheni.” Sure El En’amë: 153. Në Kuranin Famëlartë, rruga gjithmonë përshkruhet si e drejtë. Ai i cili përpiqet të ndjekë një degëzim nga rruga e drejtë, asnjëherë nuk mbërrin aty ku duhet. Dikush për shembull edukimin e brezit nga ana e profetit (a.s.) e shikon shumë të gjatë, duke anashkaluar çështjet e ftesës, sprovat që kaluan besimtarët e parë, mundin dhe sakrificën e tyre. Ai thotë unë do ta shkurtoj rrugën. Direkt do të shkoj në betejën e Bedrit; do ta bëj ndryshimin me shpatë, ashtu siç e bëri profeti (a.s.) në betejën e Bedrit. Por rruga që përshkoi profeti (a.s.) deri në betejën e Bedrit, ishte mjaft e gjatë. Mirëpo ai insiston në të tijën. Cili do të jetë rezultati; në përfundim ai nuk ka për të mbërritur, sepse rruga e drejtë është rruga më e shkurtër. Ky është si shembulli i atij njeriut që dëshiron t’i fusë njerëzit në fe me dhunë, imponim, forcë e frikë duke menduar se kjo është rruga më e shkurtër, ndërkohë rruga që përshkoi profeti (a.s.) ishte butësi, ëmbëlsi, dashuri, miqësi. Është e vërtetë që në aparencë ajo duket shumë e gjatë, por në fund ajo është rruga më e shkurtër për të depërtuar në zemër. Sahabët kanë përshkuar rrugën e drejtë dhe nuk kanë marrë as nga e djathta dhe as nga e majta. Dihet rasti kur një prej sahabëve shkon tek profeti (a.s.) dhe i thotë: më trego për një gjë që unë duhet ta veproj dhe më pas unë nuk do të kem nevojë të pyes askënd pas teje. Cila ishte përgjigja e profetit (a.s.)? Thuaj: “I besoj Allahut dhe më pas përmbaju drejtë këtij besimi.”

Pikërisht për të rrënjosur këtë koncept profeti (a.s.) ka diskutuar me Hudhejfe ibn Jemanin. Hudhejfe e pyeste profetin (a.s.) për të keqen që do të vinte nga frika që kishte. Kur profeti (a.s.) tha: që do të vijë një periudhë kohe që do të ketë mirësi, por që do të jetë e përzier. Hudhejfe e pyeti profetin (a.s.): Pas kësaj mirësie a do të vijë ndonjë e keqe? Profeti (a.s.) tha: po ftues që ftojnë  tek dyert e Xhehenemit. Kush i përgjigjet atyre, ata e hedhin brenda.  O i Dërguari i Allahut! Na i përshkruaj pak se si janë ata – pyeti Hudhejfeja. Ata janë nga lëkura jonë (që do të thotë se janë muslimanë) flasin me gjuhën tonë.” Dikush thotë: thithe njëherë, rezultati fillon me një cigare dhe në fund bëhesh vartës i saj. Dikush tjetër të fton tek droga dhe rezultati është shkatërrimi. Dikush tjetër të fton të provosh një gllënjkë dhe rezultati është se ti vdes si shkak i pijes së tepërt. Si i ri që je, duhet ta shijosh rininë dhe jetën tënde. Ftues që ftojnë për tek dyert e Xhehenemit. Kjo çështje është mjaft delikate dhe shumë e rrezikshme. Prandaj në këtë serial temash nuk synojmë të flasim për vlera, jo synojmë që të shpëtojmë nga zjarri i Xhehenemit, synojmë për të ndjekur rrugën e drejtë. Çdo rrugë tjetër përveç rrugës së saj është një rrugë që të shpie në zjarrin e Xhehenemit. Rruga e drejtë e fesë Islame është mjaft e qartë. Ndonjëherë ndodh që ti i hap rrugë, socializmit, njëherë tjetër kapitalizmit e njëherë tjetër laicizmit. Dije se kështu nuk ke për të mbërritur kurrë.

Në këtë serial temash dëshirojmë që të njohim shenjat e rrugës nga e cila kanë kaluar sahabët. Cila është rruga e drejtë të cilët e ndoqën sahabët. Nuk na pëlqejnë rrugët e shkurtra, rrugët e devijuara. Nuk dëshirojmë të hyjmë në shtegun të cilët hynë beni israilët kur refuzuan të ndjekin rrugën e drejtë;  kur Musai me urdhrin e Allahut u tha: “O populli im! Hyni në tokën e shenjtë që Allahu ua ka premtuar.” Ata refuzuan që të hynin brenda. Dhe përkundër kësaj shpikën metoda të tjera. Cili ishte rezultati? U ndëshkuan që jo për 1 e 2 vjet, por për 40 vjet të endeshin nëpër shkretëtirë. Dhe përsëri në fund fare, pas 40 vjetësh hynë në tokën e premtuar nga rruga që i ftoi profeti i asaj kohe për të hyrë. E gjitha kjo: përse sepse e vetmja rrugë e vërtetë që të shpie në destinacionin e duhur është rruga e drejtë, për të cilën profetët na urdhërojnë për ta ndjekur.

Cili është nocioni i sahabëve për sinqeritetin, dijen, punën, këtë botë, Xhenetin, vëllazërinë, pendesën dhe shumë nocione të tjera? Cila është rruga e drejtë për secilën prej këtyre nocioneve? Ky pra, është qëllimi kryesor nga trajtimi i këtij seriali. Të njohim rrugën që ndoqën sahabët, për të qenë ne pasues dhe ndjekës të rrugës së tyre.

Përpara se të njohim këtë rrugë, mirë është që të qëndrojmë pak dhe le të analizojmë. Përse ky pesimizëm dhe demoralizim kur dëgjojmë apo lexojmë hisoritë e sahabëve. Është e thjeshtë që të themi me fjalë lëre pesimizmin mënjanë dhe të themi se duhet të jemi praktik, por… Megjithatë ne duhet të analizojmë se cilat janë shkaqet e demoralizimit dhe pastaj t’i trajtojmë ato duke i dhënë ilaçin e duhur.

Në të vërtetë, unë kam vërejtur tek muslimanët disa shkaqe që i kanë bërë ata që të mos kenë mundësi të ndjekin rrugën që ndoqën sahabët. Cilat janë këto shkaqe?

Shkaku i Parë: Vdekja e profetit (a.s.) i cili i edukoi sahabët. Ndërkohë që profeti (a.s.) nuk ekziston më, prandaj ne nuk mund të jemi si sahabët. Kështu mendojnë një grup njerëzish? Megjithatë, dëshiroj të shtroj një pyetje shumë të rëndësishme që kërkon pak vëmendje: Vërtet, prezenza e profetit (a.s.) definitisht është argument për rrugën e drejtë? Rrugën e drejtë të cilën Allahu i Lartësuar na e ka përshkruar, duhet që domosdoshmërisht në mesin tonë të jetë profeti (a.s.)? Nëse përgjigja është definitive, atëherë nuk kemi asnjë shpresë, sepse me vdekjen e tij ka mbaruar gjithçka dhe se ai nuk kthehet më deri në ditën e Gjykimit. Por nëse përgjigja nuk është definitve, atëherë patjetër që ka shpresë që të arrijmë atje ku kanë arritur sahabët. Atëherë le t’i përgjigjemi kësaj pyetje qetësisht:

Si fillim, askush nuk mund ta mohojë rëndësinë e prezencës së profetit (a.s.) tek brezi i sahabëve. Sepse profeti (a.s.) ishte modeli më i mirë për besimtarët, model i mirë në çdo gjë. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë tek i Dërguari i Allahut ju keni gjetur shembullin më të mirë për atë të cilin dëshiron të takohet me Allahun dhe dëshiron botën tjetër.” Sure El Ahzab: Por le të pyesim veten: Mos vallë modeli i profetit (a.s.), pas vdekjes së tij, është fshehur dhe ne nuk dimë gjë për të? Absolutisht që jo. Tradita, rruga dhe fjalët e tij vazhdojnë të jenë gjallë në mesin tonë dhe kështu do të vazhdojë deri në ditën e Gjykimit. Allahu i Lartësuar e ka kundërshtuar veprimin e atyre të cilëve  në mosprezencën e profetit (a.s.) u treguan të plogësht. Dëgjoni se çfarë thotë Allahu i Lartësuar duke  bërë analizën e betejës së Uhudit: “Muhamedi është profet, edhe përpara tij ka pasë profetë të tjerë. Nëse ai vdes, apo vritet a do t’i ktheni shpinën. Ai i cili i kthen shpinën nuk i sjell aspak dëm Allahut. Ndërkaq Allahu do t’i shpërblejë falenderuesit.” Ky ajet kuranor ka zbritur pas përfundimit të betejës së Uhudit kur u përhap lajmi se profeti (a.s.) u vra. Çfarë ndodhi? Disa prej sahabëve u demoralizuan. U ulën në fushëbetejë dhe nuk kishin më dëshirë të luftonin, të triumfonin dhe i humbën të gjithë shpresat. Për sahabët, qëndrimi i tyre një orë me profetin (a.s.) ishte më mirë se sa të qëndronin përjetësisht në këtë botë pa të. Humbja e profetit (a.s.) për ta konsiderohej fatkeqësi e madhe. Nuk ka dyshim se fatkeqësia e tyre konsiderohet më e madhe se sa ajo që mund të na ndodhë neve? Sepse atyre ju iku kjo mirësi pasi e kishin, jetuan me profetin (a.s.) u falën pas tij, i dëgjuan fjalët e tij. Pas gjithë këtij përjetimi kur dëgjuan se ai u vra, mbi ta ra një fatkeqësi mjaft e madhe. Megjithëkëtë, për ta nuk pati asnjë justifikim. Nuk pati për ta asnjë justifikim ngaqë nuk patën të njëjtin entuziazëm që patën në fillim të betejës, megjithëse vrasja e profetit (a.s.) për ta ishte humbje e madhe. Ndëshkimi që ata morrën ishte qortimi hyjnor: “Ai i cili i kthen shpinën nuk i sjell aspak dëm Allahut”

Në të kundërt të kësaj që thamë ishte sahabiju i nderuar Thabit ibn Dahda (Allahu qoftë i kënaqur me të) Shikoni se çfarë bëri Thabiti në betejën e Uhudit. Ai kishte një vizion të qartë dhe kuptim të thellë rreth fesë. Kur kaloi tek ata sahabë të cilët ishin ulur në fushëbetejë, u tha: Nëse profeti Muhamed (a.s.) është vrarë, dijeni se Allahu është gjallë e nuk vdes. Luftoni në emër të fesë, sepse Allahu do t’ju falë gjynahet dhe do t’ju ndihmojë. Ndërkohë që ai vetë filloi të luftonte derisa ra dëshmor. Thabit ibn Dahda (Allahu qoftë i kënaqur me të) ishte një njeri që e kuptonte realitetin dhe e përjetonte realitetin atë me të gjithë format e saj të lehta apo të vështira. Në prezencën apo mosprezencën e profetit (a.s.) vepra e tij është e njëllojtë, shumë shpejt përshtatet me situatën e re që i krijohet dhe shpenzon të gjithë energjinë e tij. Ai nuk mund të arrijë të perceptojë se çfarë do të thotë pamundësi. Kjo fjalë nuk do të ekzistojë në fjalorin e besimtarit.

Dikush thotë:  Nëse do të jetoja në kohën që ka jetuar profeti (a.s.) do të bëja këtë e atë, por caktimi i Allahut është që unë nuk jetoj në kohën që ka jetuar profeti (a.s.) Unë nuk jam sahab, që kështu nuk mund të punoj ashtu siç kanë vepruar ata. Ky mendim është iluzion, sepse të thuash: “Nëse” do të thotë që i ke hapur dyert shejtanit. Kush e di, nëse ti do të jetoje në kohën e profetit (a.s.), do të ishe prej pasuesve të tij. Sepse në kohën e profetit (a.s.) jetuan me mijëra idhujtarë të cilët e luftuan atë, me mijëra munafikinë që jetuan në Medine dhe u falën bashkë me të në xhami, e megjithëkëtë ata nuk besuan. Nga do ta dije se ti do të braktisje fenë e baballarëve të tu, apo nuk do ta pasoje profetin (a.s.) ngase ai i përkiste një fisi tjetër, apo nuk do të ishe prej atyre që do ta luftonin atë, ngase të gjithë e luftonin atë, apo a do të arrije të përballoje sprovat dhe torturat e ndryshme. Më e mira e të mirave është që të jesh se ajo që ka përzgjedhur Allahu për ty është më e mira.

Të njëjtin perceptim si të Thabit ibn Dahdasë, madje akoma më tepër e kishte Ebu Bekri, ditën kur vdiq profeti (a.s.) Nuk besoj që në rruzullin tokësor të ketë njeri që është dëshpëruar për vdekjen e profetit (a.s.) më shumë sesa Ebu Bekri. Sepse ai e ka pasë dashtë atë më shumë se të gjithë të tjerët, madje edhe profeti (a.s.) e ka pasë dashtë atë më shumë se gjithë të tjerët. E megjithëkëtë, ky dëshpërim kaq i madh nuk e pengoi atë që të mos kishte vizion të qartë dhe një perceptim sa më të saktë të asaj që ndodh. Ai ju drejtua njerëzve me këto fjalë: “Ai i cili ka adhuruar Muhamedin, le ta dijë se Muhamedi ka vdekur. Dhe kush ka adhuruar Allahun le ta dijë se Allahu është gjallë dhe nuk vdes.” Ky pra, është qëllimi i vërtetë i mesazhit dhe profetësisë. Ky pra, është qëllimi i vërtetë i adhurimit të Allahut. Ne nuk adhurojmë profetët, punët tona nuk kanë të bëjnë me ekzistencën e tyre. Në të vërtetë ne adhurojmë Allahun e Lartësuar, sepse Ai është i Gjallë dhe nuk vdes kurrë. Atëherë përse njerëzit  duhet që të ngurtësohen në mosprezencën e profetit (a.s.)? “Muhamedi është profet, edhe përpara tij ka pasë profetë të tjerë. Nëse ai vdes, apo vritet a do t’i ktheni shpinën. Ai i cili i kthen shpinën nuk i sjell aspak dëm Allahut. Ndërkaq Allahu do t’i shpërblejë falenderuesit.” Ne nuk dëshirojmë që të jemi si shokët e Musait, i cili kur shkoi në kodrën Tur për t’iu shpallur porositë, nuk duruan, por menjëherë shkuan dhe adhuruan viçin. Është e vërtetë që ne nuk e kemi adhuruar viçin, por ka shumë prej nesh që rendin pas epshit, qejfeve dhe dëshirave. Allahu i Lartësuar thotë: “A e ke parë atë njeri që dëshirën e vet e respekton si zot të vetin?” ky njeri është ai i cili nuk e ndjek urdhërin e Allahut, por ndjek pasionin e tij. Ky njeri realisht nuk e ka adhuruar Allahun, sepse adhurim do të thotë zbatim me përpikmëri, jo fjalë të cilat i merr era. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj nëse e doni Allahun, më ndiqni, që Allahu t’ju dojë e t’ua falë mëkatet. Me të vërtetë Allahu është Falës dhe Mëshirues.”

Dihet që feja u plotësua qysh kur profeti (a.s.) ishte gjallë “Sot përsosa për ju fenë time, plotësova ndaj jush dhuntinë time dhe zgjodha Islamin si fe për ju.El Maide: 3. Kjo fe është e plotësuar dhe nuk mund të pranojë asnjë shtesë e as pakësim. Kjo është mjaft e qartë, të njëjtat dispozita dhe rregulla fetare për të cilat sahabët ishin të obliguar për t’i zbatuar, për të njëjtat dispozita jemi të obliguar edhe ne; për të njëjtin namaz, të njëjtin agjërim, të njëjtin shpenzim në rrugë të Allahut, për të njëjtën sjellje, për të njëjtin moral. Pra feja është një nuk ka ndryshuar dhe nuk është zëvendësuar me një tjetër, nuk është shtuar dhe as pakësuar.  Dihet se Allahu i Lartësuar nuk i bën askujt padrejtësi qoftë kjo edhe sa grimca më e vogël. Duke qenë se Allahu i Lartësuar e di dobësinë tonë në pamundësinë për të zbatuar dispozitat fetare në mosprezencën e profetit (a.s.), atëherë do të na i lehtësonte ato, sepse prej cilësive të Tij është emri i Drejti. Pra e thënë ndryshe, sahabët kanë qenë të obliguar për të falë pesë namaze në ditë, ne duhet të falemi tre herë në ditë, për sahabët ka qenë obligim thirrja në rrugë të Allahut, për ne nuk duhet të jetë obligim, sahabët e kanë përhapur fjalën e Allahut, i kanë thirrur njerëzit që të adhurojnë Allahun, ndërsa ne nuk duhet ta bëjmë një gjë të tillë, sepse jemi të dobët e të paaftë. Realisht, a është e mundur që çështja të jetë kështu? Absolutisht që jo. Allahu i Lartësuar, i Urti, i Plotfuqishmi, i Gjithdijshmi me mundësinë apo pamundësinë tonë, e ka bërë për ne obligim të njëjtën fe, të njëjtat ligje dhe dispozita fetare. Pra, ne kemi mundësi që të zbatojmë atë që kanë zbatuar sahabët. Sepse Allahu i Lartësuar nuk mund të na obligonte me një dispozitë të cilën nuk mund ta kryenim dot. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk e obligon dikënd përtej mundësive.”

Pastaj, le të flasim në një prizëm tjetër, në Ditën e Gjykimit, vallë a mos ka një kërkesë llogarie ndryshe nga ajo që dimë, apo një peshore të veprave ndryshe? Absolutisht që jo, e njëjta kërkesë llogarie dhe e njëjta peshore e veprave. Në Ditën e Gjykimit nuk do të ketë një peshore për brezin e parë, dhe një peshore tjetër për brezin e dytë, e një tjetër për brezin e dhjetë. Jo! Ebu Bekri, Omeri, Othmani, Aliu, Bilali, Sa’di, Ebu Hurejra, Halidi, Hadixhja, Aishja, Ummu Imare (Allahu qoftë i kënaqur me ta), të gjithëve, veprat do t’u peshohen në të njëtën peshore që do t’i peshohen veprat Musa ibn Nusejrit, Tarik ibn Zijadit, Salahudin Ejubit, Ibn Kethirit, imam Buhariut, imam Neveviut e të gjithë njerëzve që vijnë më pas. Në të njëjtën peshore do të na peshohen edhe veprat tona.

Mjaft e thjeshtë për t’u thënë, por mjaft delikate për t’u vepruar. Ne duhet të dimë se me kë të krahasohemi. Prandaj në çështjet e besimit duhet që të ndjekim atë që është më lart se ne, sepse kjo na fton që të bëjmë vepra të mira. Ndërsa në çështjet e dynjasë, duhet të shikojmë atë që është poshtë nesh, sepse kështu ne nuk e nënçmojmë mirësinë dhe begatinë e Allahut të Lartësuar. Duke qenë se Allahu i Lartësuar ka vendosur të njëjtën peshore, të njëjtën kërkesë llogarie, të njëjtat ligje, të njëjtën rrugë të drejtë, dhe po ashtu duke qenë se Ai e di se profeti (a.s.) do të jetojë vetëm disa vjet, plot 23 vjet, dhe se ai nuk do të jetojë përjetësisht në sipërfaqen e Tokës, megjithë këtë Ai nuk ua ka lehtësuar ligjet, besimtarëve që erdhën më pas deri në Ditën e Gjykimit. Duke qenë se kjo është një e vërtetë e pakundërshtueshme, nuk ka dyshim se ne, apo të cilët kanë qenë para nesh, apo ata që do të vijnë pas nesh, kanë mundësinë që të njihen me shenjat e rrugës të cilat i ndoqën sahabët. Të gjithë brezat pas sahabëve kanë mundësinë që të arrijnë aty ku kanë arritur sahabët, edhe nëse profeti (a.s.) nuk është në mesin e tyre. Kjo ështje është shumë e qartë. Në fenë e Allahut nuk ka asnjë lloj paqartësie apo turbulli. Çdo gjë është e qartë dhe e kthjellët. Në fenë tonë nuk ka sekrete, që mund t’i dinë vetëm njerëzit e devotshëm, që e adhurojnë Allahun e Lartësuar e ne nuk i dimë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne të kemi zbritur Librin, që është i qartë për çdo gjë, si udhëzues, mëshirë dhe përgëzues për besimtarët.” Pra, shkaku i parë i peësimizmit ka të bëjë me mosprezencën e profetit (a.s.)

Shkaku i dytë: Perceptimi se sahabët janë përtej kufinjve njerëzorë. Shumë njerëz mendojnë se ata janë krijesa të tjera, nuk kanë pasë të njëjtat ndjenja që kemi edhe ne. Padyshim që ky është një mendim i gabuar.

Atëherë le të meditojmë rreth sahabëve, madje akoma më tepër. Vetë profeti (a.s.) çfarë ishte? A nuk ishte njeri?! Ushqehej, shkonte në pazar, u martua, kishte fëmijë, kishte ndjenjën e dashurisë dhe të urrejtjes, gëzohej, dëshpërohej dhe ndiente dhimbje. Pra, ai ishte njeri si gjithë të tjerët. Këtë fakt e ka vërtetuar Allahu i Lartësuar në shumë ajete kuranore: Thuaj: Unë jam një njeri si ju”[1]. Pra, ai (a.s.) është njëlloj si ne, vetëm se ai dallon nga ne, ngaqë i shpallet mesazhi hyjnor. Pra, i Dërguari i Allahut është njeri që i është shpallur mesazhi hyjnor: “Që më është shpallur se Zoti juaj është një Zot i Vetëm. Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e Vet”[2] Çfarë duhet të bëjë? Cila është rruga? “Le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!”[3] Prandaj, mos neglizho në kryerjen e veprave të mira për asnjë lloj arsyeje dhe mos thuaj: Profeti (a.s.) është i Dërguar, e unë nuk kam mundësi që ta imitoj. Jo, Profeti (a.s.) është një njeri si ne për një arsye mjaft të dukshme: që ne të kemi mundësi që ta imitojmë. Nëse ai (a.s.) nuk do të ishte njeri, atëherë do të kishim një arsye për mos ta imituar. Pikërisht, për këtë arsye Allahu i Lartësuar nuk ka dërguar në mesin tonë një ëngjëll për përcjelljen e mesazhit hyjnor, sepse njerëzit do të thonin: Ai ka mundësi ta bëjë këtë gjë, sepse është ëngjëll, ndërkaq ne nuk kemi mundësi. E nëse ëngjëlli nuk do të kryente mëkate, njerëzit do të thonin: Ai është ëngjëll, prandaj edhe nuk bën mëkate, ndërkaq ne nuk mund të rrimë pa bërë mëkate. Prandaj, I Dërguari i cili dërgohet krijesat duhet të jetë nga i njëjti lloj. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Sikur në Tokë të kishte ëngjëj që ecnin qetësisht, Ne do t’u çonim atyre nga qielli një ëngjëll si të dërguar.”[4] Në Tokë nuk ka ëngjëj, por njerëz, prandaj edhe i Dërguari ishte njeri që të kemi mundësi për ta imituar. Nuk është e udhës që t’ia humbasim vlerën urtësisë së dërgimit të Profetit (a.s.) si njeri duke mos e imituar atë, me pretendimin se ai është Profet dhe ne nuk jemi profetë. Duke qenë se për Profetin (a.s.) flasim kështu, po për sahabët? Kuptohet që një gjë të e tillë është më e vetëkuptueshme. Prandaj, duke qenë se Profeti (a.s.) është njeri, atëherë ne e kemi për detyrë që ta imitojmë dhe ta ndjekim atë. Dhe dihet me siguri që çdo gjë që Allahu i Lartësuar e ka bërë obligim, ne kemi mundësi që ta kryejmë atë.

Kështu pra, duke e perceptuar mirë këtë nocion, a nuk mund të themi se ndjekja e gjurmëve të sahabëve është e mundur? Sahabët kanë qenë njerëz me trup sikurse ne, natyrë si natyra jonë, instikte si instiktet tona dhe të njëjtat nevoja sikurse tonat. E megjithë këto instikte dhe ndjenja njerëzore, ata ia imponuan vetes së tyre ndjekjen e të vërtetës edhe nëse ajo ishte e hidhët, apo të ecnin përgjatë udhës për tek Allahu i Lartësuar edhe nëse ajo ishte e vështirë apo gropa-gropa. Kjo nuk do të thotë që unë them ato fjalë të cilët thonë të paedukatët dhe të paturpshmit se: sahabët janë burra dhe ne jemi burra duke patur për qëllim që të flasin keq për figurën e ture. Jo, kurrësesi. Nuk është ky qëllimi, përkundrazi, ne themi se absolutisht, ata janë njerëzit më të mirë pas profetëve. Mirëpo të qenurit e tyre si njerëzit më të mirë nuk e përjashton të qënurit e tyre njerëz e as nuk i nënvlerëzon ata. Përkundrazi, kjo gjë i ngrit ata shumë më lartë në vlera, sepse ata triumfuan ndaj vetes së tyre në një sprovë teje të vështirë, që qiejt, toka dhe malet as që  e morë përsipër që të ballafaqoheshin me të. Ata mbajtën mbi supet e tyre amanetin, të cilin qiejtë, toka dhe malet e refuzuan. Kështu që, imitimi i tyre është i mundshëm, madje tepër i domosdoshëm, sepse ata ishin njerëz që arritën ta kalonin me sukses sprovën, ndërkohë që Allahu i Lartësuar është i mirëinformuar për mundësitë e njerëzve. Megjithatë, unë nuk pretendoj që ne të jemi si Ebu Bekri dhe Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ata të dy), por ajo që unë them: ne duhet t’i marrim ata shembull praktik dhe modelin më të mirë. Ne me kapacitetin njerëzor dhe programin e qartë të fesë islame kemi mundësi  që të përshkojmë të njëjtën rrugë që ndoqën edhe ata dhe me lejen e Allahut të mbërrijmë atje ku ata mbërritën. Ne kemi mundësi që ta përshkojmë atë rrugë nëse realisht e dëshirojmë një gjë të tillë.

Kështu pra, shkaku i dytë që imitimi i sahabëve është i vështirë, ka të bëjë me harresën e këtyre myslimanëve se sahabët ishin krejtësisht njerëz, e jo krijesa të tjera, xhinde apo ëngjëj. Përkundrazi ata kanë qenë njerëz të cilët patën sukses në mbajtjen e amanetit.

Përpara se të përfundoj së foluri për këtë pikë, dëshiroj që të vë theksin në faktin se disa thirrës japin kontributin e tyre negativ në lidhje me këtë çështje kur flasin me hiperbola të ekzagjiruara rreth sahabëve. Mirëpo këto hiperbola nuk janë fare të vërteta. Prandaj është më mirë që ato as mos të thuhen fare. Mjafton që rreth figurës së sahabëve të thuhen vetëm ato gjëra që janë të vërteta dhe kaq, sepse një gjë e tillë nuk është e nevojshme të thuhet për ta sepse ata vetvetiu janë të lavdishëm pa dashur që t’ia shtojmë akoma më tepër lavdinë. Në këtë kontekst, mund të marrim si shembull ndodhinë e Halid ibn Uelidit (r.a.), të cilit kur një prej armiqve të tij i zgjati një kupë në të cilën kishte helm, që t’i tregonte armikut të tij se me ermrin e Allahut nuk i ndodhte asgjë e keqe, tha: “Me emrin e Allahut, me emrin e të Cilit nuk ndodh agjë e keqe” Dhe pastaj e piu helmin dhe nuk i ndodhi agjë. I Lartmadhëruar është Allahu. Ky transmetim nuk është i vërtetë, madje bie në kundërshtim me Sunetin, sepse Halidi duhet të rendte pas shkaqeve e jo të pinte helmin e pastaj të kërkonte shpëtim, ndërkohë që Profeti (a.s) vetëm pasiqë hëngri nga delja e helmosur u njoftua se ajo ishte e helmosur.

Shkaku i tretë: Është fakti se muslimanët potencialin e një brezi të tërë  e mishërojnë në potencialin e një burri apo një gruaje të vetme. Kjo gjë nuk është e vërtetë. Është i vërtetë fakti se sahabiju ka qenë i kompletuar, por kjo nuk do të thotë se ai ka qenë ekselent (i dalluar) në të gjitha fushat njëlloj. Në fakt, ai ishte ekselent në një fushë, ashtu sikurse në fusha të tjera dikush tjetër ishte më ekselent se ai. Për ta ilustruar këtë, themi se disa sahabë ishin të dalluar në luftë, si psh: Halid ibn Uelidi, Ka’ka ibn Amr Et Temimi dhe Zubejr ibn Auami (r.a.). Të tre këta kanë qenë strategë unik në llojin e tyre. Ndërkohë Halid ibn Uelidi nuk dinte shumë pjesë përmendësh nga Kurani. Nëse ai falej si imam, gjatë leximit gabonte dhe pas namazit i drejtohej njerëzve me fjalët: Kam qenë i preokupuar me luftën më tepër se ç’kam qenë i preokupuar me Kuranin. Mirëpo në krahun tjetër ne shikojmë se Zejd inb Thabit, Ubej ibn Ka’b dhe Ebu Musa El Esh’ari kanë qenë të dalluar në mësimin dhe njohjen e Kuranit, ndërkohë që nuk kanë qenë të dalluar në fushën ushtarake.

Le të flasim pak për fushën e hadithit dhe kërkimin e dijes. Ne vërejmë se Ebu Hurejra është kolos i dijes, bibliotekë dhe kompjuter që lëviz. Mirëpo në njohjen e rregullave të fesë dhe dhënies së fetvave, ka më të dalluar se ai, si Abdulla ibn Abasi, Abdulla ibn Mes’udi dhe Ali ibn ebu Talib.

Në kontributin e pasurisë në rrugë të Allahut ne gjejmë Ebu Bekrin (megjithëse ai ka qenë i dalluar në të gjitha fushat), Othman ibn Afanin dhe Abdurrahman ibn Aufin.

Në menaxhim ne gjejmë Omer ibn Hatabin, kurse në menaxhimin e situatave gjejmë Muauijen.

Kështu pra, secili prej tyre ishte i dalluar në një fushë, ashtu sikurse ne. Ndonjëri prej nesh mund të kontribuojë me pasurinë e tij në rrugë të Allahut me lehtësi dhe menjëherë por dituria e tij është e pakët. Dikush tjetër mund të jetë imam hatib i dalluar, por nuk ka eksperiencë në politikë. Një tjetër është njohës i mirë i shkencave të Kuranit, por nuk është i dalluar në çështjet e juridikut.

Kështu pra, kemi të bëjmë me dhunti dhe aftësi të ndryshme në fusha të ndryshme. Vrima ka jashtëzakonisht shumë, por ne kemi nevojë për ato aftësi që të mbushim këto vrima.

Duke e parë brezin e sahabëve me këtë sy, pavarësisht faktit se ti merr për shembull e model çdo brez, do të marrësh si model prej tyre në atë fushë ku ti je i aftë. Nëse je komandant ushtrie do të marrësh si model Halidin. Nëse je menaxher do të marrësh Omerin e kështu me rradhë. Vetëm duke e parë çështjen me këtë sy do ta shikosh se pesimizmi e ka shumë të vështirë që të zërë vend në zemrën tënde.

Shkaku i katërt dhe i fundit,  megjithëse ka dhe një shkak të pestë të cilin do të flasim në mësimin e ardhshëm inshallah. Shumica e thirrësve dhe dijetarëve qëllimisht nuk flasin rreth gabimeve të sahabëve nga frika e prishjes së imazhit të tyre. Ata nuk flasin për mëkatet e tyre, as për orvatjen e tyre që mund edhe të kenë gabuar ndonjëherë, ose edhe nëse e bëjnë një gjë të tillë përpiqen me çdo kusht për të gjetur një justifikim duke u shmangur nga e vërteta. E gjitha kjo është gabim dhe pavend. E gjitha kjo bëhet për të anashkaluar faktin që sahabët janë njerëz. Përmendja e disa gabimeve apo lapsuseve në jetën e sahabëve nuk e ul aspak vlerën e tyre. Madje përmendja e lapsuseve të njeriut konsiderohet gjë e mirë.

Mirëpo pavarësisht gabimeve, ata menjëherë ktheheshin tek Allahu dhe pendoheshin për mëkatet e tyre. Por kujdes! Në momentin kur përmenden gabimet e tyre duhet me pasë edukatë dhe respekt shumë të madh për vetë pozitën e lartë që gëzojnë këta njerëz të përzgjedhur. Gabimet e tyre shkrihen në detin e punëve të mira që ata kanë vepruar. Në këtë seri temash, me lejen e Allahut, do të veçojmë një temë me titull “Sahabët dhe pendesa” Në lidhje me këtë temë do të flasim më me detaje kur t’i vijë rradha.

Këto pra janë katër shkaqet dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe shkaqe të tjera që kanë çuar në dështimin e disa muslimanëve të cilët kanë dëgjuar historitë e bëmave të sahabëve. Mirëpo në këtë temë e shtjelluam qartë faktin se imitimi i sahabëve jo vetëm që është një diçka e mundur, por përtej kësaj është obligim fetar.

Kështu kur dikush të pyet a je ti i ngjashëm me sahabët, ke mundësi që me plot gojën të thuash: po unë jam si sahabët në kuptimin e fesë, jam si sahabët në çështjet e xhihadit, jam si sahabët kur pendohem, jam si sahabët në vëllazëri e kështu me rradhë. Pas kësaj, kemi mundësi që historitë e sahabëve t’i lexojmë me sy tjetër duke kërkuar rrugën të cilët sahabët përshkuan për të arritur pozitën e lartë që gëzojnë.

Përpara se ta mbyll këtë ligjëratë kam dëshirë që t’ju përcjell dy hadithe të mrekullueshme nga Profeti (a.s). Madje të gjitha hadithet janë të mrekullueshme.

Hadithi i parë: Imam Muslimi transmeton se Ebu Hurejra (r.a.) ka thënë: I Dërguari i Allahut ka thënë: “Islami ka filluar si i huaj dhe ka për t’u kthyer si i huaj ashtu sikurse filloi. Të lumtur janë të huajtë.” Në këtë hadith, i Dërguari i Allahut (a.s) flet për realitetin të cilin po e përjetojmë ne sot. Ashtu sikurse banorët e Mekës, arabët dhe gjithë bota e konsideronin mesazhin islam si të huaj në kohën kur ai zbriti, i kundërshtuan me forcë parimet e tij dhe organizuan të gjitha forcat për ta luftuar thirrjen islame, po ashtu është gjendja edhe në ditët e sotme. Në ditët e sotme, shumica e njerëzve nuk i njohin mësimet e Islamit. Ai i cili urdhëron për mirë dhe ndalon nga e keqja konsiderohet si i huaj në mesin e njerëzve. Ai i cili thotë: Nuk duhet me e tregtu alkolin konsiderohet i huaj, ai i cili thotë: kamata është haram konsiderohet i huaj, ai i cili thotë se lakuriqësia e shfaqur nëpër filma, drama, reklama e programe të tjera është haram konsiderohet i huaj. Ai i cili thotë se e gjithë toka e Palestinës duhet t’i kthehet muslimanëve konsiderohet i huaj në mesin e njerëzve. Kështu pra, realisht Islami është kthyer si i huaj ashtu sikurse filloi. Por në fjalët e Profetit (a.s) ka përgëzim “Islami ka filluar si i huaj dhe ka për t’u kthyer si i huaj ashtu sikurse filloi. Që do të thotë se ka për të pasë të atillë të cilët në mesin e njerëzve konsiderohen si të huaj. Këta të huaj janë ashtu sikurse ishin sahabët; do të orvaten ashtu sikurse u orvatën ata, do të luftojnë ashtu sikurse luftuan ata, do t’i thërrasin njerëzit në rrugë të Allahut ashtu sikurse i thirrën ata,  do të urdhërojnë për mirë dhe do të ndalojnë nga e keqja ashtu sikurse vepruan edhe ata, do ta duan fenë ashtu sikurse e deshin edhe ata, do ta  duan traditën e Profetit (a.s) ashtu sikurse e deshën edhe ata, sepse kjo fe është feja e Zotit tonë të Lartësuar, i Cili përzgjedh njerëz të cilët e ruajnë fenë dhe e përcjellin amanetin hyjnor tek njerëzit.

Në një transmetim tjetër të po këtij hadithi, të transmetuar nga imam Et Tirmidhi nga Amër ibn Auf (r.a.), transmetohet se sahabët e pyetën atë: “Kush konsiderohen të huaj? Ai tha: Ata janë ata të cilët rregullojnë atë që njerëzit e kanë prishur nga rruga ime.” Këtu lind një pyetje: Përse mos të jemi ne këta të huaj? Nëse ne jemi ata të huajt të cilët rregullojnë atë që njerëzit e kanë prishur nga rruga e Profetit (a.s), atëherë ne konsiderohemi njëlloj si sahabët. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët.”[5]

Hadithi i Dytë: Imam Tirmidhiu dhe Ebu Daudi transmetojnë nga Ebu Tha’lebe El Hushenij (r.a.) një hadith të gjatë, në përfundim të të cilit Profeti (a.s) thotë një fjalë të bukur: “Pas jush do të shfaqen ditët ku do të ketë durim. Durimi në ato ditë do të jetë si kapja fort pas prushit.” Kështu pra, është shumë e vështirë që të jesh i kapur fort pas fesë sepse një gjë e tillë konsiderohet sikur në dorën tënde të kesh një copë prushi të ndezur. Përqendrohu dhe lexo me kujdes pjesën tjetër të hadithit, në të cilin Profeti (a.s) thotë: “Ai i cili punon në ato ditë ka shpërblimin e 50-të burrave të cilët punojnë ashtu sikurse punoni ju” Që do të thotë se ata shpërblehen 50-të fish sa shpërblimi i punëve të mira që kanë bërë sahabët. Prandaj, kur sahabët dëgjuan këto fjalë, të habitur pyetën: “O i Dërguar i Allahut, do të shpërblehen 50-të fish sa burrat prej nesh apo prej tyre? Ai tha: 50 –të fish sa ju.” Kjo do të thotë se ai i cili është i kapur fort pas fesë ka do të shpërblehet sa 50 sahabë. Kështu pra, imitimi i sahabëve nuk është i vështirë dhe nuk ka vend për pesimizëm, sepse kemi rastin e mirë që të shpërblehemi sa 50-të sahabë. Askush prej nesh nuk duhet të habitet në lidhje me këtë pikë, sepse Allahu i Lartësuar është i Drejtë dhe nuk i bën padrejtësi askujt qoftë ajo padrejtësi sa grimca e atomit. Përtej kësaj që thamë, Allahu i Lartësuar është Bujar dhe i jep nga Bujaria e Tij kujt të dojë dhe sa të dojë. Në të vërtetë, sahabët janë rritur në kampin e besimit të plotë, sepse sa herë që një sahab ecte në një rrugë të caktuar, ai shikonte një besimtar, madje ai kishte shansin e mirë që të shikonte burra të cilët peshonin sa një umet i tërë. Nëse ecte në këtë rrugë shikonte Ebu Bekër Sidikun, Omer ibn Hatabin, Othmanin dhe Aliun, nëse ecte në një rrugë tjetër shikonte Ebu Ubejden, Sa’din dhe Zubejrin, nëse hynte në xhami gjente brenda në të Sa’d ibn Muadhin dhe Abdullah ibn Mes’udin, nëse merrte pjesë në kuvendet e dijes dëgjonte fjalët e të Dërguarit të Allahut, në krah të të cilit ishte Ebu Hurejra, Muadh ibn Xhebel dhe Enes ibn Malik, kur falej me xhemat falej në krah të Ebu Dherrit dhe Ebu Dardasë, e dëgjonte ezanin nga Bilali, nëse luftonte ishte nën komandën e Halid ibn Uelidit e nëse udhëtonte udhëtonte bashkë me Ebu Musa El Esh’arij.

Kurse në ditët e sotme, besimtari jeton në një shoqëri ku e mira ka një numër të vogël përkrahësish. Megjithëkëtë ai bën durim duke iu nënshtruar Allahut, bën durim në çështjet e davetit (thirrjes) dhe bën durim për hir të fesë sikur të jetë i kapur fort pas prushit. Pasha Allahun, gjendja e tyre sot është tamam ashtu sikurse e ka përshkruar i Dërguari i Allahut (a.s). Krahaso midis sahabijut i cili jeton në një shoqëri ku rrallherë ndodh që syri i tij të shikojë haram, veshi i tij të dëgjojë diçka të keqe dhe midis besimtarit i cili i nënshtrohet Zotit dhe është i kapur fort pas fesë në një shoqëri që është zhytur në llumin e mëkateve. Ai ecën në rrugë dhe ka kontakt me mëkatet, hap telivizorin dhe shikon gjëra të ndaluara, shikon muret nëpër rrugë dhe has  gjëra të pamoralshme, hyn në universitet e spital, jo vetëm kaq, por mund të shkojë edhe për ngushëllim dhe ndeshet me haramin. Kudo që shkon përballet me haramin dhe vëren që askund nuk vlerësohet dija, apo të merret mësim nga sëmundja apo vdekja.

Kështu pra, përpara këtyre mëkateve, kur ti je i kapur pas fesë sikur je kapur pas prushit. Aq sa i Dërguari i Allahut (a.s) e vlerësonte një vepër të mirë, po aq luftohen sot thirrësit në rrugë të Allahut ngaqë ata zbatojnë një urdhër të të Dërguarit të Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Dëbojeni familjen e Lutit nga fshati juaj!”[6] Cili është krimi i tyre?! “Ata janë njerëz të pastër”[7] Ky është problemi i njerëzve të mirë në kohën tonë . Kështu pra, aq shumë sa e ka pasë vlerësuar i Dërguari i Allahut (a.s) një sahabi për veprën e mirë që kryente, po aq shumë luftohet një thirrës në këtë kohë. Kështu që kur ti ke parasysh të gjithë këto situata (të vështira),  e di se Allahu i Lartësuar është i drejtë dhe nuk bën padrejtësi as edhe një grimcë, ke mundësi të kuptosh përgëzimin e të Dërguarit të Allahut: “Ai i cili punon në ato ditë ka shpërblimin e 50-të burrave të cilët punojnë ashtu sikurse punoni ju. O i Dërguar i Allahut, do të shpërblehen 50-të fish sa burrat prej nesh apo prej tyre? Ai tha: 50 –të fish sa ju”

Qëllimi i këtyre ligjërarave është që të jemi si ata të cilët janë kapur fort pas prushit, si ata të cilët përmirësojnë atë që njerëzit e kanë shkatërruar, si ata që janë të huaj dhe njerëzit që njerëzit nuk i përfillin, por Allahu i Lartësuar i vlerëson, si ata të cilët mund të jenë si sahabët, madje si ata të cilët kur bëjnë vepra të mira shpërblehen sa 50-të fishi i sahabëve.

E lusim Allahun e Lartësuar që të jemi prej tyre. E lusim Atë që të na bashkojë me modelin më të mirë të njerëzimit, të Dërguarin e Allahut (a.s) dhe me shokët e tij të nderuar. Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ju së shpejti do ta kujtoni atë që po ju them! Unë çështjen time ia lë Allahut, sepse Ai i sheh vërtet robërit e Vet.”[8]

Autor: Ragib Serxhani

Përktheu: Elton Harxhi

[1] Sure El Kehf: 110

[2] Sure El Kehf: 110.

[3] Sure El Kehf: 110.

[4] Sure El Isra: 95.

[5] Sure Ankebut: 69.

[6] Sure En Neml: 56.

[7] Sure En Neml:56.

[8] Sure Gafir: 44.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.