Të njohim Profetin Muhamed (a.s)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Autor: Ragib Sirxhani

Falenderimi i takon Allahut i Cili na e ka treguar rrugën e udhëzimit dhe na ka larguar nga rruga e gabuar. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për profetin Muhamed që është dërguar si mëshirë për të gjithë botët dhe për të gjithë ata të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Të nderuar muslimanë!

Gjëja më e mirë ku muslimani duhet ta kalojë kohën është studimi i jetës së Profetit (a.s.). Muslimani i cili e studion atë i duket sikur edhe ai po i përjeton ndodhitë e asaj kohe. Ndoshta edhe ai e imagjinon veten e tij sikur është një prej sahabëve të cilët treguan të guxim e trimëri të rrallë.

Nëpërmjet studimit të jetës së Profetit (a.s.) muslimani njihet me personalitetin e Profetit Muhamed (a.s.), njihet mënyrën e jetesës së tij si dhe njihet me ftesën e tij në kohë paqe dhe lufte.

Gjithashtu, nëpërmjet studimit të jetës së Profetit (a.s.) muslimani arrin të njohë mirë pikat e dobëta dhe ato të forta, i njeh mirë shkaqet e triumfit apo të dështimit si dhe di se si të reagojë ndaj ndodhive sado të mëdha qofshin ato.

Duke studjuar jetën e Profetit (a.s.) tek muslimanët shtohet besimi në vetvete, të cilët janë të bindur plotësisht se Allahu është me ta dhe do t’i ndihmojë, nëse me të vërtetë ata e kryejnë adhurimin ashtu siç duhet dhe nënshtrohen plotësisht përpara ligjit të Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë, nëse ju ndihmoni (fenë) All-llahun, Ai ju ndihmon juve dhe u forcon këmbët tuaja.”[1] “Ne patjetër do të ndihmojmë të dërguarit tanë në jetën e kësaj bote, edhe ata që besuan, e edhe në ditën e prezentimit të dëshmive.”[2] “E All-llahu patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij, se All-llahu është shumë i fuqishëm dhe gjithnjë triumfues.”[3]

Përpara jush po paraqesim në pika kryesore dhe fjali përmbledhëse jetën e Profetit Muhamed (a.s.) duke shpresuar që kjo të jetë një hyrje për ta studjuar jetë e Profetit (a.s.) më në detaje. Allahu i Lartësuar thotë: “Muhamedi është i Dërguari i Allahut”[4]

Gjeanologjia e Profetit (a.s.):

Ai është Muhamedi i biri i Abdullahut, i biri i Abdul Mutalibit, i biri i Hashimit, i biri i Abdu Menafit.. i biri i Ismailit.

Emrat e Profetit (a.s.):

Profeti (a.s.) ka thënë: “Unë kam disa emra. Unë jam Muhamedi, Ahmedi, El Mahi nëpërmjet të cilit Allahu e shuan mosbesimin, El Hashir sepse njerëzit do të tubohen përpara meje dhe El Akibu sepse pas meje nuk do të ketë më profet tjetër.”[5]

Ebu Musa el Esh’ari thotë: Profeti (a.s.) e quante veten e tij me disa emra duke thënë: “Unë jam Muhamedi, Ahmedi, El Mukkafi, El hashir, Profeti i pendesës dhe Profeti i Mëshirës.”[6]

Pastërtia e gjeanologjisë së Profetit (a.s.):

Dije se Allahu e ka ruajtur babanë e Profetit (a.s.) nga imoraliteti. Profeti (a.s.) është biri i një martese të ligjshme e jo të jashtëligjshme. Profeti (a.s. ) ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu i Lartësuar ka përzgjedhur nga bijtë e Ibrahimit Ismailin. Ndërsa nga bijtë e Ismailit Kenanin, nga bijtë e Kenanit Kurejshët dhe nga Kurjeshët benu Hashim dhe nga Benu Hashim më ka përzgjedhur Mua.”[7]

Kur Herakliu e pyeti Ebu Sufjanin rreth gjeanologjisë së Profetit (a.s.) ai u përgjigj: Ai është prej nesh me prejardhje fisnike. Po kështu është, Profetët dërgohen nga prejardhja fisnike e popullit të tyre – tha Herakliu.[8]

Lindja e Profetit (a.s.):

Profeti (a.s.) ka  lindur ditën e hënë në muajin Reiul Euel. Ka disa thënie në lidhje se në cilën ditë të këtij muaji. Imam Ibn Kethiri thotë: E vërteta është se Ai (a.s.) ka lindur në vitin e elefantit.

Historianët thonë: Kur Amineja e kishte Profetin (a.s.) në bark tha: nuk kam dëgjuar barrë më të lehtë se kjo. Kur Ai (a.s.) lindi doli një dritë që ndriçoi lindjen dhe perëndimin.

Profeti (a.s.) thotë: “Tek Allahu në Ummul Kitab unë jam vula e profetëve. Unë jam produkt i lutjes së Ibrahimit, paralajmërimit që Isai (a.s.) e lajmëroi popullin e Tij dhe i ëndrës së nënës sime që pa se prej saj doli një dritë që ndriçoi sarajet e Shamit.”[9]

Babai i Profetit (a.s.) vdiq kur Ai (a.s.) ishte disa muajsh në barkun e nënës së tij.

Fëmijëria e Profetit (a.s.):

Mëndesha e parë ishte Thuejbe shërbëtorja e Ebu Lehebit, më vonë mëndesha e tij do të ishte Halime Es Sa’dije. Ai (a.s.) qëndroi në fisin Benu Sa’d tek Halimeja rreth katër vjet. Kur ishte atje, ia hapën kraharorin dy ëngjëj për t’ia nxjerrë të keqen dhe shejtanin. Menjëherë pas kësaj ngjarje Halimeja e ktheu tek e jëma.

Kur ishte gjashtë vjeç i vdes e jëma në Ibua, rrugës për në Meke. Në vitin e çlirimit të Mekes, kur Ai (a.s.) kaloi për tek Ibua i mori leje Allahut që të shkonte të vizitonte varrin e të jëmës. Kur shkoi tek varri qajti dhe tha: “Vizitojini varrezat sepse ato ju kujtojnë vdekjen.”[10]

Pas vdekjes së mamasë, për të u kujdes gjyshi i tij Abdul Mutalibi, mirëpo kur Ai (a.s.) mbushi tetë vjeç, gjyshi i vdiq dhe për të do të kujdesej xhaxhai i tij Ebu Talibi, i cili do ta përkrahte atë kur arabët e përgënjeshtruan, megjithëse ai  (xhaxhai) ishte idhujtar derisa vdiq.  Për shkak të përkrahjes që Ebu Talibi i dha Profetit (a.s.), Allahu ia lehtësoi dënimin në zjarrin e Xhehenemit.

Mbrojtja hyjnore nga papastërtitë e injorancës:

Allahu i Lartësuar e ruajti dhe e mbrojti Profetin (a.s.) qysh në vegjëli duke e pastruar nga papastërtitë e injorancës dhe nga çdo e metë. Allahu i dhuroi atij të gjitha virtytet më të mira saqë në mesin e popullit të tij njihej me emrin besniku. Kur kurejshët në fund pasi e rindërtuan Qaben dëshrionin të vendosnin gurin e zi, plasi një konflikt shumë i madh, sepse çdo fis dëshironte që ta merrte për vete lavdinë e vendosjes së tij. Në fund ata vendosën se personi i parë i cili do të hynte në Qabe do të jepte gjykimin e tij dhe të tjerët do ta pranonin gjykimin e tij. Personi i parë që hyri ishte Profeti (a.s.). Të gjithë njëzëri thanë: Erdhi besniku. Profeti (a.s.) mori një pëlhurë, e vendosi gurin në të, i urdhëroi krerët e fiseve që secili prej tyre ta kapte pëlhurën. Pastaj e mori gurin dhe e vendosi në vendin e duhur. Kështu ai (a.s.) me mçurinë e tij shuajti një konflikt të përgjakshëm. Asokohe ai (a.s.) ishte tridhjetë e pesë vjeç.

Martesa e Profetit (a.s.):

Profeti (a.s.) në moshën 25-të vjeçare u martua me Hatixhen. Shkak i kësaj martese ishte fakti se Profeti (a.s.) shkoi në Sham për tregti nën pronësinë e saj bashkë me një djalë të quajtur Mejsere. Ky djalë e pa me sytë e tij sinqeritetin dhe besnikërinë e Profetit (a.s.) dhe kur u kthyen nga Shami e lajmëroi zonjën e vet për atë që pa. Këto fjalë ishin shkak që ajo dëshiroi të martohej me të.

Me Hatixhen Profeti (a.s.) jetoi derisa ajo vdiq tre vjet përpara emigrimi për në Medine. Pas vdekjes së Hatixhes, Profeti (a.s.) martohet me Seude bintu Zum’a, pastaj u martua me Aishen të bijën e Ebu Bekrit, me të vetmen grua që ishte e virgjër. Më vonë është martuar me Hafsën vajzën e Omer ibn Hatabit, më vonë me Zejneb bintu Huzejme ibnul Harith, me Umu Seleme, Zejnebe bintu Xhahshin, me Xhuejrije bintul Harith, me Umu Habibe. Menjëherë pas çlirimit të Hajberit është martuar me Safije bintu Hujej ibnHatab dhe më pas me Mejmune bintul Harithe që është gruaja e fundit me të cilin është martuar Profeti (a.s.)

Fëmijët e Profetit (a.s.):

Të gjithë djemtë dhe vajzat që i kanë lindur Profetit (a.s.) i ka pasë me Hatixhen përveç Ibrahimit që e ka pasë me Marije Kibtije.

Djemtë e tij janë: El Kasim, i cili jetoi pak ditë, Abdullahu dhe Ibrahimi i cili jetoi dy vjet pa dy muaj.

Vajzat e tij janë: Zejnebja që është edhe vajza më e madhe që u martua me Ebul As ibnu Er rebi, Rukija që u martua me Othman ibnu Afanin, Fatimja që u martua me Ali ibnu ebi Talibin prej të cilëve lindën Hasani me Hysejnin, dhe Umu Kulthum që u martua me Othman ibnu Afanin pas vdekjes së Rukijes.

Imam En Neueuiju ka thënë: Të gjithë dijetarët janë të mendimit se Profeti (a.s.) kishte katër vajza dhe tre djem.

Profetësia e Profetit Muhamed (a.s.):

Në moshën 40-të vjeçare , ditën e hënë më 17 – të Ramazan kur Profeti (a.s.) ishte në shpellën Hira, iu shfaq ëngjëlli Xhibril, i cili i tha: Lexo! Unë nuk di të lexoj – tha ai. Xhibrili e shtrëngoi dhe i tha përsëri: Lexo! Unë nuk di të lexoj – u përgjigj ai. (tre herë). Pastaj zbritën pesë ajetetet e para te sure El Alek: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.”[11] Pas kësaj ndodhie, menjëherë Profeti (a.s.) i frikësuar shkoi tek Hatixhja e cila e qetësoi me fjalët: “Allahu kurrë nuk ka për të të lënë që të humbësh, sepse ti i ruan lidhjet farefisnore, thua gjithmonë të vërtetën, e ndihmon nevojtarin, e nderon mikun dhe e përkrah të drejtën.”

Në ditët që do të pasonin, zbritja e mesazhit hyjnor do të ndërpritej për një periudhë kohore, saqë Profetin (a.s.) e mori malli për zbritjen e mesazhit hyjnor. Më pas atij do t’i shfaqej Xhibrili në formën e tij origjinale duke i treguar se ai me të vërtetë është i Dërguari i Allahut. Profeti (a.s.) u friksua dhe shkoi tek Hatixhja dhe tha: Më mbuloni! Më mbuloni! Më pas, Allahu i Lartësuar do të zbriste ajetet: “O ti i mbuluar! Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (duke i thirrur). Dhe madhëroje Zotin tënd! Dhe rrobat tua pastroi!”[12] Në këto ajete kuranore, Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin (a.s.) që t’ua tërheqë vërejten dhe ta ftojë popullin e tij që të besojë tek Allahu. Pas këtij urdhri, Profeti (a.s.) i përveshi mëngët duke i ftuar njerëzit për tek Allahu, të mëdhenjtë dhe të vegjlit, njerëzit e lirë dhe skllevërit, burrat dhe gratë, të ziun dhe të bardhin. Ftesës së tyre iu përgjigjën disa njerëz të cilët e përqafuan fenë Islame, ndërsa shumë të tjerë e mohuan, madje edhe lënduan me fjalë dhe fizikisht. Mirëpo Allahu i Lartësuar e ruajti të Dërguarin e Tij nëpërmjet xhaxhait të tij Ebu Talibit.

Ibn Xheuzi thotë: Profeti (a.s.) tre vjet i ka thirrur njerëzit në fshehtësi. Kur zbriti ajeti kuranor: “Publiko haptas atë për të cilën urdhërohesh!”[13] ai (a.s.) e publikoi ftesën e tij. Ndërsa kur zbriti ajeti kuranor: “Dhe tërhiqju vërejtjen farefisit tënd më të afërt.”[14] Profeti (a.s.) u ngjit në kodrën Safa dhe i thirri kurejshët. Ai u tha: Nëse unë do t’ju them se pas kësaj kodre po vjen një ushti për të na sulmuar a do të më besonit? Nuk kemi dëgjuar ndonjëherë që ti të na gënjesh – u përgjigjën ata. Unë jam dërguar për t’ju tërhequr vërejtjen për ndëshkimin e rëndë – tha ai. Ebu Lehebi i tha: Mallkuar qofsh! E për këtë na thirre?! Më pas do të zbriste surja El Mesed.

Durimi i Profetit (a.s.) ndaj lëndimeve:

Profeti (a.s.) në shumë raste u lëndua nga populli i tij megjithatë ai duroi. Më vonë ai i urdhëroi shokët e tij që të emigronin për në Abisini që të shpëtonin nga padrejtësia dhe dhuna e ashpër.

Kur vdiq Ebu Talibi, kurejshët ushtruan dhunë të egër ndaj Profetit (a.s.), i cili tha: “O xhaxha! Sa shpejt po e ndjej mungesën tënde?!

Transmetohet se njëherë Profeti (a.s.) po falej në Qabe kur Ukbe ibn ebu Meit ia vendos Profetit (a.s.) mbi shpinë të përbrendshmet e devesë. Ai (a.s.) nuk e ngriti kokën derisa erdhi bija e tij Fatimja dhe ia hoqi papastërtitë nga shpina. Njëherë tjetër Ukbe ibn Ebu Meit e shtrëngon prej fyti me një rrobë saqë gati po e mbyste. Mirëpo ndërhyri Ebu Bekri duke thënë: A po vrisni një njeri i cili po thotë Zoti im është Allahu?![15]

Keqardhja e Profetit (a.s.) për popullin e tij:

Pas vdekjes së Ebu Talibit dhe Hatixhes, Profeti (a.s.) ndërmori një udhëtim për në Taif, për të thirrur fiset e Thekifit që të përqafonin Islamin. Reagimi i tyre ishte shumë i ashpër duke e goditur me gurë derisa e gjakosën. Pastaj Ai (a.s.) vendosi që të kthehej në Meke. Rrugës e takon Xhibrili bashkë me ëngjëllin e maleve që ishte i gatshëm që t’i puqte dy malet, mirëpo Profeti (a.s.) tha: “Jo, sepse unë shpresoj që nga mesi i tyre Allahu mund të nxjerrë njerëz të cilët do ta adhurojnë Allahun pa i shoqëruar askënd në adhurim.”[16]

Në çdo sezon, Profeti (a.s.) takohej me fiset e ndryshme arabe dhe u thoshte: “Kush do të më strehojë, kush do të më ndihmojë, sepse kurejshët më kanë penguar që ta përçojë fjalën e Zotit tim?”

Në një prej këtyre sezoneve, në Akabe, Ai (a.s.) takohet me 6-të persona të cilët i besuan ftesës së tij. Këta persona u kthyen në Medine dhe e thirrën popullin e tyre tek feja islame, e kështu feja islame u përhap në mesin e tyre. Më pas, në fshehtësi Profeti (a.s.) do të takohej me besimtarët e rinj në Akabe dy herë. Pasi muslimanët e Medines i dhanë besën Profetit (a.s.) se do ta ndihmonin dhe përkrahnin, Ai (a.s.) i urdhëroi ata që të emigronin për në Medine.

Emigrimi i Profetit (a.s.) për në Medine:

Pasi të gjithë muslimanët emigruan për në Medine, në fund emigroi dhe Profeti (a.s.) bashkë me Ebu Bekrin. Ata u strehuan në shpellën Theur për tre ditë derisa kurejshët i humbën gjurmët e tyre dhe pastaj u nisën për në Medine, banorët e të cilës e mirëpritën. Në Medine, Profeti (a.s.) ndërtoi xhaminë dhe shtëpinë e tij.

Betejat e Profetit (a.s.):

Ibn Abasi ka thënë: Kur Profeti (a.s.)  e la Meken, Ebu Bekri tha: E dëbuan Profetin e tyre. Me të vërtetë, të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Më pas Allahu i Lartësuar do të zbriste ajetin: “Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë.”[17] Ky është ajeti i parë që zbriti rreth luftës.

Profeti (a.s.) zhvilloi 27 –të beteja, ku mori pjesë në 9-të prej tyre: në Bedër, Uhud, El Murejsea, Hendek, Kurjedha, Hajber, çlirimin e Mekes, Hunejn dhe në Taif. Po ashtu Ai (a.s.) i dërgoi shokët e tij në 57-të ekspedita.

Haxhi dhe Umra e Profetit (a.s.):

Profeti (a.s.) e ka kryer ritualin e haxhit vetëm një herë të vetme. Ky haxh u quajt “Haxhi i Lamtumirës”. Ndërsa përsa i përket ritualit të Umres, Ai (a.s.) e ka kryer 4 herë atë.

Përshkrimi i Profetit (a.s.):

Profeti (a.s.) ka pasë shtat mesatar, as i gjatë e as i shkurtër. Me lëkurë të bardhë në të kuqërremtë, me sy të zinj dhe me qime në mes të gjoksit dhe barkut, por të rralla.

Morali i Profetit (a.s.):

Profeti (a.s.) ka qenë njeriu më bujar, më i butë dhe më i miri i tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë ti je i pajisur me virtytet më të larta të moralit.”[18]  Profeti (a.s.) ka qenë njeriu më trim, më i dlirë dhe njeriu më modest. Ka pasë shumë turp, e pranonte dhuratën, por jo sadakanë, asnjëherë nuk zemërohej për veten e tij, por për hir të Allahut, nuk i bënte naze ushqimit, me muaj të tërë në shtëpinë e tij nuk ndizej zjarri, ulej me të varfërit dhe të mjerët, i vizitonte të sëmurët dhe e ndiqte xhenazen.

Bënte shaka por gjithmonë thoshte të vërtetën, qeshte por jo me zë, i ndihmote pjesëtarët e familjes. Profeti (a.s.) ka thënë: “Më i miri ndër ju është ai i cili është më i mirë për familjen e tij. E unë jam më i miri sepse jam i mirë me familjen time.”[19] Enes ibn Malik thotë: “I kam shërbyer të Dërguarit të Allahu dhjetë vjet. Asnjëherë për një gjë që e kam bërë, nuk më tha: Përse e bëre kështu, apo një gjë që nuk e kam bërë, pse nuk e bëre kështu?!”

Allahu i Lartësuar i dha atij disa mrekulli, si çarja e hënës më dysh, nga gishtat e tij buroi uji, trungu i pemës rënkoi ngaqë ai e zëvendësoi atë me minberin, deveja iu ankua si dhe paralajmërimet e tij se çfarë do të ndodhin në të ardhmen.

Vlera e Profetit (a.s.):

Profeti (a.s.) ka thënë: “Më janë dhënë pesë gjëra që nuk i janë dhënë askujt: Jam i përkrahur me futjen e frikës (kundra armiqve) në një distancë prej një muaji. Toka më është bërë vendfalje dhe e pastër. Çdo person nga umeti im kudo që e kap koha e namazit falet. Më është lejuar plaçka e luftës, ndërkohë që atyre që kanë qenë para meje nuk iu është lejuar. Më është dhënë e drejta për të ndërmjetsuar. Çdo profet është dërguar vetëm për popullin e tij, ndërsa unë jam dërguar për të gjithë njerëzit.”[20] Në një tekst tjetër thuhet: “Në ditën e Gjykimit, do të jem njeriu i parë që do të ndërmjetsoj. Në ditën e Gjykimit do të jem Profeti që do të kem më pasues se të gjithë profetët e tjerë. Gjithashtu unë do të jem i pari që do të trokas në portën e Xhenetit.”[21]

Adhurimi i Profetit (a.s.):

Duke përshkruar adhurimin e Profetit (a.s.), Aishja thotë: “I Dërguari i Allahut falej aq shumë derisa i mpiheshin këmbët. Kur u pyet rreth kësaj, Ai (a.s.) tha: “A nuk duhet të jem një rob falenderues?!”[22]

Ngjarjet më të rëndësishme që kanë ndodhur kur Profeti (a.s.) ishte gjallë:

Israja dhe Miraxhi: Që ka ndodhur tre vjet përpara emigrimit për në Medine. Në natën e Israsë dhe Miraxhit është bërë obligim falja e namazit.

Në vitin e parë të emigrimit: emigrimi, ndërtimi i xhamisë së Profetit (a.s.), themelimi i shtetit, obligimi i zekatit.

Në vitin e dytë: Beteja e Madhe e Bedrit në të cilën besimtarët triumfuan ndaj pabesimtarëve me ndihmën e Allahut të Lartësuar.

Në vitin e tretë: Beteja e Uhudit, në të cilën besimtarët humbën për shkak të moszbatimit të urdhrave të Profetit (a.s.), sepse ushtarët u dhanë pas plaçkës së luftës.

Në vitin e katërt: Beteja e Benu Nadirit. Në këtë betejë, Profeti (a.s.) i dëboi hebrenjtë e Benu Nadirit nga Medina për shkak se ata e thyen besën që i kishin dhënë myslimanëve.

Në vitin e pestë: Beteja e Benu Mustalik, beteja e Hendekut dhe beteja e Benu Kurejdhas.

Në vitin e gjashtë: Pakti i Hudejbijes. Po ashtu në këtë vit, përfundimisht u ndalua pirja e alkolit.

Në vitin e shtatë: Beteja e Hajberit. Në këtë vit, Profeti (a.s.) bashkë me muslimanët hynë në Meke për të kryer ritualin e Umres.

Në vitin e tetë: Beteja e Mu’tes ndërmjet muslimanëve dhe romakëve. Çlirimi i Mekes dhe beteja e Hunejnit kundra fiseve Heuazin dhe Thekif.

Në vitin e nëntë: Beteja e Tebukut që është beteja e fundit në të cilën mori pjesë Profeti (a.s.). Në këtë vit, tek Profeti (a.s.) erdhën shumë delegacione dhe njerëzit hynë në Islam grupe- grupe. Ky vit u quajt viti i delegacioneve.

Në vitin e dhjetë: Haxhi i Lamtumirës. Në haxhin e Lamtumirës morën pjesë më tepër se njëqind mijë myslimanë.

Në vitin e njëmbëdhjetë: Vdekja e Profetit (a.s.) në muajin Rebiul Euel. Profeti (a.s.) vdiq në moshën 63 vjeçare, 40 – të vjet përpara profetësisë dhe 23 vjet si i Dërguar i Allahut.

Përktheu: Elton Harxhi

[1] Sure Muhamed: 7

[2] Sure Gafir: 51

[3] Sure El Haxh:40.

[4] Sure El Feth: 29.

[5] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[6] Transmeton imam Muslimi.

[7] Transmeton imam Muslimi.

[8] Transmeton imam Buhariu.

[9] transmeton imam Ahmedi dhe imam Et tabarani.

[10] Transmeton imam Muslimi.

[11] Sure El Alek: 1-5

[12] Sure El Muddethir: 1-4.

[13] Sure El Hixhr: 94.

[14] Sure ESh Shuarau: 214.

[15] Ngjarjen e parë e transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi. Ndërsa ngjarjen e dytë vetëm imam Buhariu.

[16] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[17] Sure El Haxh: 39.

[18] Sure El Kalem: 4.

[19] Transmeton imam Et Tirmidhi. Imam Albani e ka saktësuar këtë hadith.

[20] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[21] Transmeton imam Muslimi.

[22] Transmetojnë ima Buhariu dhe imam Muslimi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.